“Më 7 nëntor 1996, jezuiti shqiptar At Anton Luli, nga Lohe e Koplikut, e bëri të qante Papa Gjon Palin e II-të në Vatikan, pasi i tha…”/ Historia tragjike e meshtarit që të gjithë e dinin të vdekur…!

Memorie.al / Më 9 mars kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Atë Anton Lulit, martir e dёshmitar i Krishtit, jezuit shqiptar, (Lohe – Koplik, 17 korrik 1910 – Romë, 9 mars 1998). Dëshmitar i kalvarit të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, më 7 nëntor 1996, në Vatikan, me rastin e kremtimet të 50-vjetorit të meshtarisë së Papa Gjon Palit II-të, jezuiti, Atë Anton Luli, e bëri të qante Gjon Karol Vojtilën, duke treguar historinë e martirizimit të klerit e të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste, dhe historinë e vuajtjeve të tij personale për Fè e Atdhè. Aq e jashtëzakonshme ishte jeta e jezuitit shqiptar, Atë Anton Lulit, sa sivëllezërit e tij jezuitë nëpër botë, e dinin të martirizuar, (vdekur) duke mos pasur prej vitesh asnjë lajm për atë, që ishte varrosur për së gjalli ndër burgjet e kampet e përqendrimi të regjimit komunist në Shqipëri. Prandaj, kur munden ta takonin përsëri, gati–gati si të dalë nga varri, i kushtuan librin “Già dato per martire” (përkthyer shqip me titullin “Atë Lulin ne e dinim martir”) – botuar më 1996 nga Civiltà Cattolica. E ai jo vetëm që doli i gjallë nga varri ku e kishin mbyllur komunistët, por arriti të kremtonte edhe ringjalljen e Kishës – duke parë vetë fuqinё e Dorës sё Zotit. Pikërisht dëshmitë rrënqethëse të këtyre viteve u solli me vete sivëllezërve jezuitë Atë Luli, kur më në fund doli i gjallë nga varri e nisi të tregojë, që breznitë e sotme e të ardhme që të mos harrojnë atë që ndodhi, ta ruajnë lirinë si gjënë më të shtrenjtë, nëse nuk duan të rijetojnë tragjedinë e atyre që, edhe në varr, i kanë mbi eshtra shenjat e martirizimit.

Të gjithë jashtë burgut ferr komunist të Shqipërisë e dinin të vdekur. Për më tepër revista “Albanian Bulletin Catholic”, në një nga numrat e saj botoi foton e meshtarit, duke vendosur shënimin “Martir për fe”, ndërsa një gazetë tjetër italiane “Avvenire” më 2 nëntor 1983, boton një shkrim me titull “Historitë e At Lulit”. 10 vjet më vonë At Çesar Gjiraudo (Cesare Giraundo), në Tiranë për herë të parë mundi të zhvillonte një intervistë të gjatë mbi historitë e At Anton Lulit S.J., i mbijetuari i regjimit komunist.

Thjeshtësia në komunikim dhe zotërimi shkëlqyeshëm i gjuhës italiane, bënë që intervistuesi At Gjiraundo t’i botoj kujtimet në librin: “Gia dato Per Martire… I Fioretti di un gesuita albanese” (“Atë Anton Luli S.J. Ne e dinim martir…”!), shtypur në Shtëpinë Botuese “At Gjergj Fishta” në Lezhë. Libri është përkthyer nga Gjergj Laca. Kopertina e librit ka të fiksuar një foto të At Anton Lulit S.J. me Papa Gjon Pali II-të gjatë audiencës në rezidencën e Tij në Vatikan. Papa, po prekte më duart e Tij të shenjta plagën e gjallë të një martiri stoik të fesë së Krishtit dhe Shqipërisë.

Jeta e anëtarit të Shoqërisë së Jezusit (Jezuitëve)

Katundi Lohe ndodhet rrëzë Alpeve Shqiptare, mbi Koplik të Sipërm. Është një katund i vogël, që ndahet në dy pjesë: Lohja e Poshtme dhe e Sipërme. Gjatë shekujve shumë bij trima i janë bashkuar luftërave liridashëse kundër turke, duke treguar trimëri dhe dashuri të madhe për tokat e të parëve të tyre. Jo të pakët kanë qenë edhe klerikët katolik, që kanë dalë nga kjo pjesë e krahinës së Malësisë së Madhe, të cilët, kanë vijuar studimet në Kolegjin Saveriane dhe Kuvendin Françeskan në qytetin e lashtë të Shkodrës, qendër e hershme e krishterimit dhe e kulturës kombëtare në Shqipëri. Në katundin e vogël malor Lohe, u lind fëmija Anton.

Ai kujton fjalët e nënës, që i thoshte miqve, se djali i vogël nuk kishte shëndet të mirë, se ishte shumë i dobët dhe gjithnjë e mbante frika se mund të largohej nga kjo jetë tokësore. Ishte fëmija i parë dhe mbas tij lindën edhe dy të tjerë. Pikërisht në ditën e Shën Antonit, foshnja, mori emrin e pagëzimit që gëzon. Në moshën 19 vjeçare, fillon studimet në Seminarin Dioçezan ose sikurse njihet nga të gjithë Shkolla Apostolike e Etërve Jezuitë. Pas klasës së pestë në gjimnaz e dërgojnë në Goricje, për të bërë dy vitet e rishtarisë, ku, kreu edhe liceun e filozofinë deri në vitin 1936.

At Antonin, eprorët e dërgojnë sërish në Seminarin e Shkodrës, ku filloi të jap mësim në gjuhën italiane, shqip, histori e gjeografi. Aty qëndroi për tre vjet, një prej të cilëve e kaloi në Tiranë si mësimdhënës. Eprorët e dërgojnë për të bërë teologji në Shtëpinë e Shën Antonit në Kievi (afër Torinos), dhe shugurohet meshtar më 13 maj 1942. Më 1943 kthehet përfundimisht në Shkodër.  Nëna, nuk donte që djali saj i madh të behet prift dhe çdo ditë përpiqej ta bindte, që të qëndronte në shtëpi dhe kështu mund ta ndihmonte më shumë atë në shtëpisë.

Shumë vite më vonë, para se ajo të vdiste, u kishte thënë vëllezërve të At Antonit, se ishte e lumtur që djali i saj i shërben Krishtit.

Shërbesat fetare dhe udha e vështirë e kalvarit gjatё komunizmit

Situata në Shqipëri, në kohën e barbarëve komunistë ishte tepër e nderë. Komunistët me fjalë të bukura, kishin mundur të mashtronin pjesën e mirë të popullit, që ishte analfabet dhe nuk e dinte se çfarë ishte komunizmi dhe kështu u bënë viktimë e tij. Kleri katolik, gjithnjë ishte përpjekur ti hapte sytë popullit shqiptar, që të mos gënjehet nga ideologjia mashtruese e komunizmit.

Për ketë në shumë revista dhe gazeta të kohës ishin sjellë shembuj negativ, të dhunës së tërbuar që komunizmi kishte ushtruar e vijonte me tërbim ndaj vendeve ku kjo ideologji e hurit dhe litarit ishte bërë forcë shkatërruese. Ish-Bashkimi Sovjetik, që drejtohet nga tiranët Lenin-Stalin, ishte shembulli më i mirë i rrezikut që e kërcënonte botën demokratike dhe në veçanti Shqipërinë, që shumë shpejt u bë viktimë e demagogëve marksist të grupeve komuniste, që fillojnë të mbijnë si kërpudhat mbas shiut.

Mbas pushtimit të Shqipërisë nga ideologjia dhe rendi komunist, filluan arrestimet në popull të kundërshtarëve politik të regjimit. Radha u erdhi tregtarëve të ndershëm, që me mund e sakrifica kishin arritur në biznesin e tyre të vogël. Mbi bazën e orientimeve ruse, filloi sulmi frontal kundër institucioneve fetare, ku, në epiqendër të goditjeve staliniste u vu Kisha Katolike dhe hierarkia e lartë në Veri Perëndim të Shqipërisë.

Por nga ana e tjetër edhe rezistenca antikomuniste ishte e fuqishme. Kjo u duk në institucionet fetare dhe prelatët e Kishës.

Qëndrimi burrëror i seminaristit Mark Çuni, gjatë gjyqit të zhvilluar kundër eprorëve të tij etërit jezuit At Gjon Fausti S.J. dhe At Daniel Dajani S.J.. Seminaristi i ri student Çuni, mbrojti me dinjitet profesorët e vet… E njëjta panoramë e zymtë po zhvillohej dhe tek Kuvendi Francekan, ku etërit At Gjon Shllaku e At Çiprian Nikaj, pushkatohen nga toga e zezë partizane.

Këtë fat tragjik e patën pjesa dërmuese e zëvendës rektorëve, rektor e famullitar të thjeshtë në shkollat klerikale dhe famulli ose dioqeza si në qytet e katund. Burgosja e zëvendës rektorit të Kolegjit Shën Françesk Saveri të Shkodrës. Gjatë kohës që komunistët kishin filluar reprezaljet në institucionet klerikale katolike dhe qendrat fetare e kulturore të tyre, At Anton Luli S.J. asokohe ishte me detyrën mësimdhënës dhe zv/rektor i Kolegjës Saveriane në Shkodër.

Ai kujton: “Në janar të vitit 1946 i nisën për në atdhe të tyre të gjithë italianët, etër e fratela. Në Shkodër mbeta vetëm unë bashkë më Imzot Frano Gjinin, që ishte delegat Apostolik për Shqipërinë, në mungesë të Imzot Gjon Batista Nigris, të cilit, ia kishin ndaluar të hynte përsëri. Atëherë Imzot Gjini, më emëroi rektor të Kolegjit Saverian e të Seminarit Papnor të Shkodrës, detyrë kjo që nuk m’u hoq deri në vitin 1991.

Ndoshta kurrkush nuk ka pasur e grumbulluar detyra kaq të rëndësishme gati për 50 vjet rresht…! Kur u pushkatuan At Fausti e At Dajani, më 4 mars 1946, u mbyll seminari e kolegji. Në atë çast ndërhyri një ushtri e vërtetë, e përbërë prej plot 8.000 partizanësh komunist. Këta, pasi na kishin ndyrë në sallën e ngrënies së seminarit, bënë një kontroll të imët qoftë në seminar, qoftë në kolegj.

Pastaj, pa na lejuar të ngjiteshim në dhomat tona na nxorën jashtë, ne e seminaristët vetëm me tesha, që kishim veshur e kurrgjë tjetër. U sekuestruan gjithçka, duke përfshirë bibliotekën e seminarit me 40.000 vëllimet e saja, më e madhja e më e pasura e të gjithë Shqipërisë. Ne pak shqiptarëve që kishim mbetur, na thanë: “Shkoni në shtëpitë tuaja, ose shkoni kah të doni” Ipeshkvi atëherë më emëroi famullitar në famullinë e Shkrelit, tridhjetë kilometra në veri të Shkodrës”.

Arrestimi dhe burgimi i parë (1947-1954)

Gjithnjë At Luli jetonte me ankthin se një ditë ai do të burgosej. Këtij fati të keq i ishin nënshtruar pjesa dërmuese e klerikëve në të gjithë Shqipërinë, por epiqendra e goditjeve anti-katolike e antishqiptare ishte përqendruar në Shkodër e malësinë e saj. Për 18 muaj At Anton Luli S.J., ishte famullitar mes malësorëve besimtar dhe bujar, trima dhe përbuzës të regjimit komunist ateist.

Një javë para Krishtlindjeve të vitit 1947, meshtari i katundit arrestohet nga forcat partizane, me arsyen se ka zhvilluar “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Atë e dërguan në komunën e Koplikut dhe e ndrydhen për 8 muaj në një banjo, që kishte shumë kohë që nuk ishte pastruar. Asnjëherë nuk e pa dritën e diellit. Pastaj erdhi procesi gjyqësor. Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimit, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.

Zv/rektori kujton: “Tashti po flasim për tortura. Nga nevojtorja ku isha, më thirrën, një ditë lart në katin e dytë, në zyrën e Sigurimit ose të Shërbimit të Fshehtë. Kishin hyrë katër e pesë policë të Sigurimit, të cilët filluan të luanin me trupin tim si me një top futbolli, dhe më lodhën e dërmuan, saqë u rrëzova për tokë. Atëherë një alamet burri me çizme të mëdha nisi të kërcejë mbi trupin tim deri sa ndjeva se m’u thye një brinjë.

Pastaj shefi i policisë u vërsul mbi mua e më shtrëngon aq fort në fyt saqë gati më mori frymën. Mbeta ashtu shakull, pa mundë të lëviz. Pastaj, me shqelma e me sharje, me mori një polic e më çoi përsëri në qelinë time plot erë të keqe.

Kur më merrnin në pyetje, më duhej nganjëherë të rrija në zyrë me shefin e policisë nga mbrëmja e deri në mëngjes, vazhdimisht me këmbë e duar lidhur mbas shpine. Shefi i policisë pyeste e unë mohoja. Nganjëherë lodhej aq shumë saqë i shkapetej kryet për tavolinë nga gjumi. Atëherë urdhëronte një xhandar: “Merre këtë… (një fjalë të ndrytë), e çoje poshtë!”

Gjatë 24 orëve nuk me jepnin më tepër se 600 gr bukë…Për tetë muaj e gjysmë në atë ambient ku xhandari kur vinte të më binte racionin, mbyllte hundët, sepse nuk mund të duronte erën e keqe, dhe ma hidhte bukën aty në mes të jashtëqitjeve…”. Ndërsa në Natën e Krishtlindjeve, shefi i policisë e dërgoi At Anton Lulin S.J., në një tjetër banjo në katin e sipërm.

“Aty, në atë gjiriz më dha urdhër të zhvishesha, pastaj lidhi një konop për tra, ma qiti nën sqetull, më urdhëroi të ngrihesha në majë të gishtave dhe më lidhi në mënyrë të atillë, që trupi im të mos përkiste në tokë, por të mbetej pezull në majë të gishtave.

Ishte natë Krishtlindjeje: Një kohë me shi e ftohtë. Qëndrova pa folur për një gjysmë ore, e ndoshta më tepër, s’më kujtohet. Pastaj ndjeva se po më ngriheshin këmbët e acari po ngjitej dalë e ngadalë deri sa mbërriti në stomak. Fillova të rrëqethesha, të dridhesha dhe nuk munda të qëndroja më. Thashë me vete: “Vdekja është e sigurt”, sepse edhe pak dhe të ftohtit po mbërrinte në zemër.

Bërtita si një i dëshpëruar. Shefi i policisë ndjeu e ngarendi: Më qëlloi këtu nën gjunjë. E kuptoi se isha në rrezik, më zgjidhi menjëherë e më çoi në dhomë të vet. Aty kishte një stufë të vogël të ndezur. I hypa sipër e u desh një gjysmë ore që trupi im ta merrte veten, aq shumë kishte vuajtur….”

Torturat më të tmerrshme se ato të nazistëve…!

Nëse xhelatët nazistë Gestapos të kohës së Luftës së Dytë Botërore, do të jetonin ende dhe të lexonin kujtimet dhe torturat që ka kaluar ai në burgjet e ferrit komunist, patjetër se do të thonin se krimet tona nuk janë asgjë përpara atyre të Enver Hoxhës mbi popullin e vet.

At Zef Luli S.J., ka kaluar një kalvar të vërtetë me tortura dhe ka mbijetuar si Krishti, duke dëshmuar se feja e atdheu janë binome të pandame dashurie, me të cilën janë ushqyer qysh fëmijë të gjithë ata që kanë marrë rrugën e bukur të meshtarisë.

Ndaj meshtarit jezuit janë përdor tortura të tilla, si: rrymë elektrike të telefonit, meqenëse mungonte rryma elektrike në dhomën e torturave mbi trupin e tij. Shpesh i viheshin këto fije te telefonit i vendosën për 30 sekonda në të dy veshët e tij dhe rryma depërtonte deri në tru duke e acaruar meshtarin.

Këtë fat të keq kishte patur edhe prifti tjetër Dom Pjetër Çuni, i cili, vdiq në tortura si pasojë e rrymës elektrike në trup dhe më së shumti në vesh. Mes torturave vdiq edhe famullitari i Bogës, Dom Aleksandër Sirdani dhe trupin e tij e hodhën në gropën e madhe të gjirizit. Ndaj grave nacionaliste, xhelatët komunistë, kanë përdor torturën me maçok (dac), duke ua futur në trupin e tyre dhe maçokun e rrihnin me shkop.

Padër Luli, kujton: “Më kanë thënë se disa, prej urie kanë mbërritur të hanë jashtëqitjet e veta e të pinë urinën e vet për të shuar etjen. Janë gjëra që nuk mund të harrohen…! Më kishin lidhur këmbësh e duarsh mes errësirës pus. Minj të mëdhenj gjirizi më hidheshin në trup e fytyrë. Nuk mund t’i dëboja se i kisha duart e lidhura dhe kisha frikë se më hanin veshët, o hundën, duke më kujtuar të vdekur.

Isha i lidhur me dysheme. Këtë gjë e bënin për të më lodhur e për të më shtyrë të deklaroja çka donin ata. Më kishin lidhur shtrëngueshëm me tel. Ende i kam shenjat pas 40 vjetësh. Rreth kyçit ishte krejt mish i gjallë. Kur më zgjidhnin për nevojat vetjake, duart më kullonin gjak. Pastaj m’i lidhnin duart në të njëjtin vend, aq sa ishte formuar një plagë gangrenare…”!/Memorie.al

(Marrë nga Vatican News)

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016  


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/me-7-nentor-1996-jezuiti-shqiptar-at-anton-luli-nga-lohe-e-koplikut-e-beri-te-qante-papa-gjon-palin-e-ii-te-ne-vatikan-pasi-i-tha-historia-tragjike-e-meshtarit-qe-te-gjithe-e/