“Më 21 maj dhe 6 qershor 1974, u sulmuan me bomba ambasadat tona në Paris dhe Romë, duke shkaktuar…” / Raporti, ku Tirana zyrtare nuk fajëson qeverinë franceze…?!

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat janë pjesë e një dosje voluminoze që i përkasin vitit 1974, ku ndodhet një korrespodencë ndërmjet ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe ambasadës së Republikës Italiane, në Tiranë, lidhur me një notë verbale proteste që qeveria shqiptare i ka dërguar qeverisë italiane, për ngjarjen e ndodhur më 21 maj të vitit 1974, pranë selisë së ambasadës Republikës Popullore të Shqipërisë, të akredituar në kryeqytetin italian, Romë, e cila u godit me lëndë plasëse nga persona të panjohur. Po kështu në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një raport-informacion i hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme, të Republikës Popullore të Shqipërisë, Nesti Nase, i cili, sipas njoftimit të marrë nga ambasada shqiptare në Paris, informon me detaje udhëheqjen e lartë të PPSh-së dhe qeverisë shqiptare, lidhur me ngjarjen e ndodhur më 6 qershor të vitit 1974, në godinën e selisë diplomatike shqiptare në Paris, ku midis të tjerash thuhet: “Sot rreth orës 3 të mëngjesit, persona të panjohur, kanë hedhur një bombë në hyrje të ambasadës brenda kangjellave. Shpërthimi ka qenë i fortë. Nga ky shpërthim, është thyer dera e madhe e ambasadës, xhamat e dritareve, si dhe xhamat e ndërtesave përballë. Dëme në njerëz, nuk ka pasur. Shokët e ambasadës, njoftuan urgjent dezhurnin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. Për disa minuta në ambasadë, shkoi dhe policia franceze. Në orën 4.45 dezhurni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Zv/Drejtori për Europën, mori titullarin në telefon dhe i shprehu keqardhjen për ngjarjen”.

Dokumenti me notën – verbale të hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar ambasadës së qeverisë italiane të akredituar në kryeqytetin shqiptar, lidhur me ngjarjen e datës 21 maj 1974, ku ambasada shqiptare në Romë, u sulmua me një bombë nga persona të panjohur

Notë verbale e Ministrisë së Punëve të Jashtme që qeveria shqiptare i ka dërguar ambasadës italiane në Tiranë, lidhur me ngjarjet që ndodhën në 21 Maj 1974, pranë selisë së ambasadës së RPSH-së.

                                                                   Notë – verbale

Ministria e Punëve të Jashtme, ka nderin t’i referohet notës që qeveria shqiptare i ka dorëzuar ambasadës italiane në Tiranë, lidhur me ngjarjet që ndodhën në 21 Maj të këtij viti, pranë selisë së ambasadës së Republikës Popullore të Shqipërisë.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme në vijim të asaj që i është thënë verbalisht, nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Shkëlqesisë së tij ambasadorit të Republikës Popullore të Shqipërisë, dëshiron të ritheksojë ndjenjat më të hidhura të qeverisë italiane për këtë ngjarje të rëndë.

Vetë qeveria e dënon në mënyrën më të ashpër, si dhe siguron përsëri që, hetimet janë duke u zhvilluar rigorozisht dhe me shpejtësi nga ana e autoriteteve kompetente italiane, për ta individualizuar si dhe për t’i dhënë drejtësisë përgjegjësit e atentatit kriminal.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme nuk mund të mos shprehë çudinë e saj, për tonin jo të zakonshëm të notës së qeverisë shqiptare, që bie në kundërshtim me klimën e marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Si dhe për disa konsiderata të papranueshme që përmban nota, dhe që i atribuohet qeverisë italiane, një përgjegjësi direkte për atë që ka ndodhur.

Duke vënë madje në dyshim, dëshirën e vetë qeverisë për zhvillimin e marrëdhënieve normale midis dy vendeve. Një interpretim i tillë i fakteve, kundërshtohet energjikisht nga qeveria italiane.

Duke qenë e ndërgjegjshme për detyrimet dhe për përgjegjësinë që i takon qeverisë italiane, nga zakonet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme e quan të nevojshme, të ripërsërisë sigurimin, tashmë të bërë direkt Shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Republikës Popullore të Shqipërisë, që nga ana e autoriteteve kompetente italiane, do të vihet në zbatim çdo masë e përshtatshme dhe e mundshme, me qëllim që t’i garantohet një mbrojtje më e madhe e integritetit të ambasadës së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe paprekshmërisë së personelit të saj.

Ministria e Punëve të Jashtme, përfiton nga rasti për ti përsëritur ambasadës së Republikës Popullore të Shqipërisë, ndjenjat dhe konsideratën më të lartë të saj.

Romë, 6 Qershor 1974

 

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme në Tiranë, Nesti Nase, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së. lidhur me njoftimin e ambasadës shqiptare në Paris, për ngjarjen e datës 6 qershor 1974, ku godina e asaj selie diplomatike, u sulmua me bombë

Për plasjen e një bombe në ambasadën e R.P.SH.-së në Paris

 

                                                              I N F O R M A C I O N

Ambasada jonë në Paris na njofton si vijon:

Sot rreth orës 3 të mëngjesit, persona të panjohur kanë hedhur një bombë në hyrje të ambasadës brenda kangjellave. Shpërthimi ka qenë i fortë. Nga ky shpërthim, është thyer dera e madhe e ambasadës, xhamat e dritareve, si dhe xhamat e ndërtesave përballë. Dëme në njerëz, nuk ka pasur.

Shokët e ambasadës, njoftuan urgjent dezhurnin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. Për disa minuta në ambasadë, shkoi dhe policia franceze.

Në orën 4.45 dezhurni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Zv/Drejtori për Europën, mori titullarin në telefon dhe i shprehu keqardhjen për ngjarjen.

Ai e pyeti, nëse kishte mbërritur policia dhe nëse ambasada kishte nevojë që të merreshin masa të tjera. Njoftoi se sapo të hapeshin zyrat, titullari do të pritej në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në orën 4.30 prefekti i policisë së Parisit, shkoi në ambasadë dhe shprehu keqardhjen. Ai theksoi gjithashtu se, do të vazhdonte hetimet, dhe se do të merrte masat përkatëse.

Lidhur me sa më sipër, mendojmë të bëjmë këto veprime:

1 – Të thërrasim të ngarkuarin me punë të ambasadës franceze, dhe t’i dorëzojmë një notë. Në notë, të përmendet ngjarja, të shprehet indinjata e qeverisë shqiptare për aktin terrorist të kryer kundër ambasadës, të protestohet dhe t’i tërhiqet vëmendja qeverisë franceze, në lidhje me përgjegjësinë që ka ajo për sigurimin e ndërtesës dhe personelit të ambasadës.

Të vihet në dukje se ne, nuk ngarkojmë me faj qeverinë franceze për aktin e kryer, dhe se e kemi parasysh shqetësimin që treguan organet franceze, sapo u vunë në dijeni për veprimin e ndodhur.

Aktin e kryer, ta konsiderojmë si veprim të elementëve keqdashës që, kërkojnë të dëmtojnë marrëdhëniet midis dy vendeve. Në fund, t’i kërkojmë Parisit zyrtar, gjetjen dhe ndëshkimin e fajtorëve, si dhe për sigurimin e ambasadës dhe personelit të saj.

2 – Të porositet ambasadori jonë në Francë që, kur të thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të mbajë po të njëjtin qëndrim. Memorie.al

Nesti Nase

Tiranë, 13 Shtator 1974

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/me-21-maj-dhe-6-qershor-1974-u-sulmuan-me-bomba-ambasadat-tona-ne-paris-dhe-rome-duke-shkaktuar-raporti-ku-tirana-zyrtare-nuk-fajeson-qeverine-franceze/