Më 11 nëntor 1990 dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë publike pas diktaturës

Nga R.Sh. | Vatican News, 11 nëntor 20

Më 11 nëntor kujtojmë guximin e klerit e të popullit, i cili pas një dimri të egër e të gjatë nёn regjimin komunist, me kremtimin dhe pjesёmarrjen nё Meshёn e Shenjtё kremtuar nga dom Simon Jubani, mё 11 nёntor 1990, iu kthye lirshëm rrënjëve të veta, identitetit e dinjitetit të dhuruar nga Zoti e të parët. Mesha parë publike qe shenjë ndryshimi e shprese.

30-vjet më parë si sot, më 11 nëntor 1990, në varrezat e Rrmajit në Shkodër nga dom Simon Jubani u kremtua Mesha e Shenjtë e parё publike pas shkurtit të vitit 1967, kur në Shqipëri liria fetare qe ndaluar nga regjimi komunist. Në kremtimin e Meshës së 11 nëntorit 1990 morën pjesё tё besimtarё nga tё gjitha anёt e Shqipёrisё, tё cilёt i stёrmbushёn varrezat e Rrmajit në Shkodёr.

Guximi i dom Simon Jubanit, së bashku me disa meshtarë e shumë besimtarë, bënë që pikërisht përmes kremtimit më të shenjtë siç është Eukaristia – Mesha e Shenjtë, liria qytetare e fetare nё Shqipёri të fillojë sërish të shfaqet haptazi. Me atë kremtim të shenjtë, mund të themi se u vunë themelet e një epoke të re për mbarë shoqërinë shqiptare dhe regjimi komunist u shemb njëherë e përgjithmonë.

Këtë, pra, solli ngjarja e madhe e fesë, kremtimi Meshës Shenjte të 11 nëntorit të vitit 1990 në varrezat e Rrmajit në Shkodër. Atë ditë prania e popullit në varrezat e Shkodrës u bë e papërmbajtshme, po kështu ndodhi edhe më 16 nëntor 1990, kur vëllezërit myslimanë shqiptarë e morën përsëri Xhaminë e Plumbit, gjithnjë në Shkodër, simbol i fesë së tyre, ndaluar gjithashtu nga totalitarizmi komunist ateist.

Atë ditë të 11 nëntorit të vitit 1990 nё Shqipёri rishfaqej në mënyrë të dukshme liria qytetare e fetare, e bashkë me të rilindi edhe Atdheu i shqiptarëve, i cili deri në atë moment qe privuar prej tiparit të vet kryesore, përmasës shpirtërore, besimit në Zotin, për t’iu nënshtruar “hyjnive” të tjera të rreme e mashtruese, atyre të komunizmit antiteist.

“Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë këta të dekun që kemi ndër vorreza dhe të gjithë ata vëllazën e motra tona, që ranë për një Shqipni Europiane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme”. Kështu tha dom Simon Jubani në fillim të homelisë së Meshës së 11 nëntorit 1990 e shtoi: “..,po ju thom se fenë nuk jua pruna unë, por e gjeta të ndezun në zemrat tueja. Se kjo fe ka qenë gjithmonë e flakët ndër zemrat tona e dishmon ardhja juej sot në këtë vend të shenjtë prej të katër anëve të Shqipnisë, për me e adhurue, me e falenderue e për me e lavdue të madhin Zot për këtë MREKULLI të madhe që po shohim sot me sy”… Se ky besim ka kenë përherë i ndezun në shpirtënt tonë”Vjeta 1989 ka qenë vjeta e paqës dhe e lirisë për gjithë botën, sepse në këtë vjetë u shembën muret e perdet e hekurta,që ndanin vende e popuj, por ma tepër ndanin zemrat e njerëzve. Në këtë vjetë pushoi së rrjedhuni gjaku, po fshihen lotë, mbaroi djersa e pashpërblyeme e mori fund lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Njerëzimi hyni në një epokë paqe, lirie, mirësie, harmonie e begatie. Begatia e harmonia e një populli varen nga liritë që u akordohen qytetarëve”.

Sot më 11 nëntor po kujtojmë guximin e klerit dhe të popullit të Shkodrës e të Shqiperisë, i cili, pas dimrit të egër e të gjatë nën diktaturën komuniste, iu kthye lirshëm rrënjëve të veta, identitetit dhe dinjitetit të dhuruar nga Zoti e nga të parët.

Mesha e parë – Shkodër, më 4 nëntor 1990 (fotoja nga Angjelin Nenshati)

Mesha e parë – Shkodër, më 4 nëntor 1990 (fotoja nga Angjelin Nenshati)

Ja homelia gjatë Meshës së kremtuar në varreza të Shkodrës më 11 nëntor 1990, mbajtur nga dom Simon Jubani

Botuar më 31 tetor 2015 nga Famullia e Shkodrës

Vëllazën e motra

Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë këta të dekun që kemi ndër vorreza dhe të gjithë ata vëllazën e motra tona, që ranë për një Shqipni Europiane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme.

Në vjetën 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti popullin shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta midis jush”.

Unë, i padejë për këtë mision, po ju thom se fenë nuk jua pruna unë, por e gjeta të ndezun në zemrat tueja. Se kjo fe ka qenë gjithmonë e flakët ndër zemrat tona e dishmon ardhja juej sot në këtë vend të shenjtë prej të katër anëve të Shqipnisë, për me e adhurue, me e falenderue e për me e lavdue të madhin Zot për këtë MREKULLI të madhe që po shohim sot me sy.

Se ky besim ka kenë përherë i ndezun në shpirtënt tonë, e vërteton restaurimi i kësaj kishëze vorrezash, ku kanë dhanë kontributin e vet, me punë e me të holla, edhe vëllazënt myslimanë e ortodoksë. Se kjo fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona, e dishmon edhe ma mirë shenjtorja e Shëna Ndout në Laç, kur midis terrorit, mbi ato gërmadha, kanë ra mija shqiptarë për çdo vjetë. Secili në fenë e vet e secili në gjuhën e vet vazhdimisht po i luten Shenjtit Shëna Ndue për të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore dhe këto lutje u kurorëzuen sot me këtë Panair plebishitar.

Për të madhin Zot e për fenë në Të, ma bukur se unë flitni ju, me ato ngushëllimet e panumërta që gjeni te kjo fe, e cila i ngushëllon e i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendet e zemrat e të gjithë njerëzimit.

Për të madhin Zot e për Shenjtënt e tij, ma bukur se unë shprehen shurdhët që ndiejnë, pagojcat që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që shërohen.

Sikurse ajri që thithim asht i domosdoshëm për ekzistencën tonë fizike, njashtu për ekzistencën tonë shpirtënore asht e domosdoshme ekzistenca e një Qenje të mbinatyrshme, që na ndihmon me përballue vështirësitë e kësaj jete me optimizëm, entuziazëm, kurajo; dhe kjo Qenje e mbinatyrshme na ban me pa me sytë e shpirtit lumninë e Parrizit, që na pret mbas kësaj jete të shkurtë, njashtu sikurse shofi m me sytë e trupit bukuritë e rruzullit tokësor.

Kudo nëpër botë, si në qytetet moderne, ashtu edhe në katundet ma të harruemet, naltohen kah kupa qiellit kupola, minare xhamijash, kumbonare, të cilat janë simbol i kontakteve, i lidhjeve që njerëzimi mban përherë me qiellin, me Perëndinë. Majat e tyne të mprehta u përgjasin heshtave të një ushtrie të heshtun, që raca njerëzore ka krijue ndër shekuj për të ruejtë vlerat morale e kulturore.

Çfarë interesash botënore përfaqëson feja? Kush i zbuti barbarët e kohës së mesme, gotët, vizigotët, hunët e vandalët, përveçse murgjët e murgeshat, që i zbutën hordhitë e egërsinave me Kryq në dorë e me lutje në buzë? Kusha ia dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor e politik, përveçse kristianizmi?

Krejt zhvillimi moral e intelektual i Europës e ka burimin te filozofia e teologjia kristiane. Kush i çliroi vendet arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe u fali monoteizmin e i ngriti fiset primiteve në shtet të organizuem dhe ma vonë në Perandori arabe e otomane, përveçse islamizmi dhe profeti i tij, Muhamet?

Po në shkallë kombëtare, çfarë roli qytetnues ka luejtë feja? Në aspektin moral feja asht një digë, Diga nuk i lejon ujnat me vërshue e me i shpartallue tokat pjellore e shtëpiat e banimit. Njashtu feja asht një digë morale që nuk i lejon veset, perversionet, degjenerimin, korrupsionin me depërtue në mendjet e zemrat e njerëzimit dhe në këtë drejtim feja i ep kontributin ma të madh rendit publik.

Në aspektin kulturor: të gjitha shkollat fillore e gjimnazet, të gjitha insitucionet kulturore e shoqnore në vendin tonë janë krijue e drejtue nga bazilianë, benediktinë, françeskanë, jezuitë, etj. Deri shtypshkronja e parë, deri ferma e parë moderne e Bardhejve, asht temelue prej murgjëve të Shën Injac Lojolës. Por feja asht determinate edhe në mbrojtjen e atdheut. Tue mos qenë në gjendje idetë e shekullit me ua dhanë shqiptarëve bashkimin politik, vetëm feja dijti me i bashkue princat shqiptarë të shekullit XV kundër anmikut të përbashkët, Perandorisë Osmane.

Të gjitha mbledhjet janë zhvillue në kishën e Shën Nikollit të qytetit të Lezhës dhe në këtë kishë janë marrë të gjitha vendimet, për të gjitha operacionet ushtarake që ka zbatue Besëlidhja. Por bota e qytetnueme na njeh edhe për famëmadhen, Lidhjen e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymr Prizrendi, së bashku me krenët tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë, si Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pashë Shkodrani e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i zhvilluen në xhaminë e Prizrendit, e prej kësaj xhami, dolën të gjitha direktivat.

I madhi Zot, për t’i ushqye shqiptarët me begati, e pajisi Shqipninë tonë me dy mushkëni, me tokën e me detin: Për ta ruejtë këtë frymë të shëndoshtë, prej toke e prej deti, jetuen,luftuen e diqën princat shqiptarë të shekullit XV si dhe fatosat e kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.

Vjeta 1989 ka qenë vjeta e paqës dhe e lirisë për gjithë botën, sepse në këtë vjetë u shembën muret e perdet e hekurta,që ndanin vende e popuj, por ma tepër ndanin zemrat e njerëzve. Në këtë vjetë pushoi së rrjedhuni gjaku, po fshihen lotë, mbaroi djersa e pashpërblyeme e mori fund lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Njerëzimi hyni në një epokë paqe, lirie, mirësie, harmonie e begatie. Begatia e harmonia e një populli varen nga liritë që u akordohen qytetarëve.

Liria, në kuptimin filozofik të fjalës, asht progresi gradual i ndërgjegjes dhe i kulturës njerëzore. Këtë liri dhe këto të drejta po na epen gradualisht dhe me rrugë paqësore. Rruga paqësore asht tipike për një popull të qytetnuem. Duhet ta përballojmë tundimin e të mos përdorim dhunën, as brutalitetin. Dhuna e brutalitetit nuk i kanë zgjidhë kurrë problemet kombëtare e as familjare.

Vetëm kështu do t’ua mbyllim gojën atyne që na quejnë “Shprehje gjeografike”, tokë e pazbulueme dhe i askujt, vetëm kështu do t’ua mbyllim gojën anmiqve tonë, që na konsiderojnë popull kopil, i gjetun në mjedis të katër rrugëve nga nana histori.

Shkodra, qytet me histori ma të lashtë se dymijë vjeçare; Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë; Shkodra e Teutës, e Gentit, e Agronit; Shkodra që deri para 50 vjetësh i pati dhanë Shqipnisë tonin moral, kultural, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkodër asht gati edhe sot me bashkëpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtare e Balshës së Madhe e Marin Barletit, mbasardhëse e Fishtës e e Bushatlinjve, e Oso Kukës, dom Ndoc Nikës, dom Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit. Trashigimtare e Frashërlijve, Konicës. Shkodranët gjinden këtu, në këto troje shqiptare, të gatshëm me ripërtëri edhe një here traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia në kohët e saj më të mira, mbrendë e jashtë atdheut. Amen!

The post Më 11 nëntor 1990 dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë publike pas diktaturës appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/me-11-nentor-1990-dom-simon-jubani-kremtoi-meshen-e-pare-publike-pas-diktatures/