Mbledhja dhe vendimmarrja? Në 11 vite kryeministri “bojkotoi” 37% të mbledhjeve të qeverisë

Kushtetuta e RSH (neni 95 1) përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”. Neni 100, pika 1 thekson se “Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore”, se “mbledhjet e Këshillit të Ministrave bëhen të mbyllura” dhe se “aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues”. Kurse neni 102 i Kushtetutës përcakton se “Kryeministri përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij”. Mënyra sesi funksionon Këshilli i Ministrave është rregulluar më pas përmes ligjit 9000/2003, sipas nenit 5 të së cilit, “Zëvendëskryeministri zëvendëson Kryeministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative” (lidhur me të drejtën e përfaqësimit).

Norma kushtetuese ka përfshirë përgjegjësinë dhe të drejtën të “kryesojë mbledhjet e qeverisë”, delegimi i kësaj përgjegjësie dhe të drejtë nënkuptohet si përjashtim. Kryeministri është në pamundësi shëndetësore, fizike apo udhëtim jashtë, ndaj e delegon drejtimin e qeverisë nga zv/kryeministri, por delegimi nuk ka sens të shndërrohet në normë përderisa mbledhjet e qeverisë parimisht drejtohen nga kryeministri dhe zhvillohen 3-4 herë në muaj.

Gjatë vitit 2024 kryeministri dhe zyrtarët e lartë ekzekutivë kanë shprehur shqetësime të vazhdueshme te partnerët ndërkombëtarë për tendencën në rritje të nëpunësve publikë dhe zyrtarëve të administratës që dorëhiqen ose refuzojnë të ushtrojnë përgjegjësitë në vendimmarrje. Sipas kësaj teze, kjo lidhet me presionin dhe frikën nga hetimet e SPAK. Si rregull, i njëjti parim vlen edhe për numrin një të qeverisë, kryeministrin, i cili siç rezulton nga të dhënat monitoruese e ka “braktisur” funksionin dhe përgjegjësinë direkte vendimmarrëse në më shumë se 35% të rasteve gjatë 11 viteve të fundit.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) analizoi mbledhjet e qeverisë ndër vite (shtator 2013 – shtator 2024) dhe vendimmarrjet përkatëse. Pjesa e analizës mbi përmbajtjen e akteve është objekt i një raporti profesional që është në proces, por ky material fokusohet vetëm tek drejtimi i mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Gjatë periudhës 11 vjeçare në pushtet janë zhvilluar 534 mbledhje të Këshillit të Ministrave, nga të cilat 37% e mbledhjeve janë drejtuar nga zv/kryeministrat në mungesë të kryeministrit. Kryeministria nuk ka publikuar asnjëherë pamje nga mbledhja e qeverisë pa kryeministrin, ndaj supozohet se në tërësi kemi të bëjmë më shumë me mbledhje online ose qarkulluese sesa me mbledhje standarde të Këshillit të Ministrave.

Referuar të dhënave krahasuese zoti Rama e ka nisur mandatin duke drejtuar vetë 94% (2013) dhe 84% (2014) të mbledhjeve të qeverisë, dhe përgjatë viteve niveli drejtues ka rënë deri në 34% (2021), 41% (2022) dhe 47% (2023). Rënia e kurbës së drejtimit të qeverisë nga kryeministri është shoqëruar me rritjen e vendimmarrjeve të kritikueshme (të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, të kritikuara për klientelizëm dhe ndikime në favor të palëve informale, etj), si dhe nisma e akte që jo vetëm nuk kanë qenë pjesë e programit politik të qeverisë, por vijnë ndesh me parimet themelore të tij. Nga analiza e detajuar rezulton se shumica e akteve të tilla janë marrë nga mbledhjet e drejtuara nga zv/kryeministrat. Një formë e largimit nga përgjegjësia? Në kuptimin ligjor përgjegjësia e kryeministrit mbetet e njëjtë, si me pjesëmarrje ashtu edhe me delegim, ndërkohë që aktet finale janë produkt i një procesi të gjatë komunikimi dhe vendimmarrje të strukturave më poshtë, përfshirë ministri të linjës. Në rastin e inceneratorëve u morën 17 vendime brenda 24 orëve, fuqi urdhëruese dhe zbatuese që mund ta ketë vetëm një person, kryeministri.

Nga zv/kryeministrat Erion Braçe ka firmosur në më shumë mbledhje qeverie sesa gjithë të tjerët, ndjekur nga Belinda Balluku, e cila vijon të jetë zv/kryeministre. Zv/kryeministri që është tashmë në kërkim ndërkombëtar për korrupsion (Arben Ahmetaj) ka drejtuar 21 mbledhje qeverie, rreth dy herë më pak se Niko Peleshi, dhe thuajse njësoj sa Senida Mesi. Në këtë mënyrë kryeministri, krahas 51 ministrave ka ndryshuar 5 zv/kryeministra, dy nga të cilët nuk janë më pjesë e jetës politike. Ish zv/kryeministrja Mandia (qeveria teknike) nuk është pjesë e analizës, sepse ishte rast përjashtimor.

Përtej të dhënave statistikore diskutimi mbi drejtimin e qeverisë dhe vendimmarrjen e saj lidhet edhe me shqetësimin sesi në mungesë kryeministri arrin të konceptojë dhe paraqesë drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe të përgjigjet për to (Kushtetuta, 102/b), të sigurojë zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave (Kushtetuta, 102/c), të bashkërendojë dhe të kontrollojë punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave (Kushtetuta, 102/ç), të zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave (Kushtetuta, 102/2), “në zbatim të kompetencave të tij, të nxjerr urdhra (Kushtetuta, 102/3) apo tu kërkojë ministrave përgjegjës shpjegime, relatime dhe verifikime administrative (ligji 9000/2003, pika 1/b, neni 2)?

Kushtetuta, modeli demokratik i qeverisjes, standardet perëndimore që duam të arrijmë, standardi i transparencës dhe i llogaridhënies, masat kundër korrupsionit dhe sensi i përgjegjësisë e integritetit vendimmarrës, detyrimi politik ndaj zgjedhësve dhe ai moral ndaj premtimeve elektorale, etj, janë arsye të mjaftueshme për të sugjeruar “rikthimin” 100% në funksion të kryeministrit dhe dhënien fund të praktikës së delegimit në qeverisë dhe më pas delegimit edhe në parlament të përgjegjësive kryeministrore. Ashtu si edhe më parë,  ISP sugjeron kthimin e institucionit të qeverisë në praktikat kushtetuese dhe bashkëkohore, në institucion që respekton germën dhe frymën kushtetuese, kulturën e shtetit dhe atë institucionale, që ofron më shumë transparencë, përgjegjësi dhe llogaridhënie.

Ky është material i përmbledhur, më gjërësisht mund të gjeni gjetjet dhe tabelat ilustruese në linkun:

ISP – Kush e drejton qeverine – gjetje monitorimi 2013-2024

Instituti i Studimeve Politike (ISP)


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/kush-e-drejton-qeverine-kryeministri-rama-drejtoi-vetem-42-te-mbledhjeve/