“Marash Hajati, drejtuesi i RTSH-së për më se dy dekada, në kohën më të egër të saj, tregonte se; përveç urdhrave nga K.Q. i PPSh-së, ishte dhe një “derë” tjetër…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga Franca

Nga Vasil Qesari

Pjesa e nëntë

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Ese për propagandën    

Regjimet totalitarë modernë, në të dy variantet e tyre më tipike, atë nazist e komunist, pavarësisht nga ndryshimet a ngjashmëritë, në institucionet dhe metodat e ekzistencës së tyre, patën si elementë themelorë të përbashkët, terrorin e propagandën. Ato qenë edhe dy shtyllat kryesore, mbi të cilat u mbajtën ngrehinat e tyre. E kjo, ish e natyrshme, sepse, pa propagandë terrori do humbiste një pjesë të mirë të efektit të tij psikologjik, ndërkohë që pa terror, propaganda  s’do të kish efikasitet të plotë.

Sisteme të tillë brutalë, ishin aq ekstremë sa që, jo vetëm institucioni i propagandës në tërësi, por dhe çdo lloj mesazhi a kumtimi tjetër, në dukje i rëndomtë, lipsej të përmbante brenda vetes, domosdoshmërisht, doza të caktuara kërcënimi. Ndryshe, propaganda, nuk do të arrinte efektin e saj të duhur e të luante rolin e luftës psikologjike.

Tashmë dihet e është konfirmuar fakti se, në vendet totalitare, propaganda dhe terrori janë dy anë të së njëjtës medalje. (…) Por, ky konstatim është vetëm një pjesë e së vërtetës. Kudo ku totalitarizmi arrin të instalojë përfundimisht kontrollin e tij absolut, ai e zëvendëson propagandën me indoktrinimin dhe nis të ushtrojë violencë ndaj njerëzve, jo thjesht për frikësimin e tyre, (gjë të cilën ai e bën dhunshëm sidomos në fillim, atëherë kur endé ekziston opozita politike), se sa për të realizuar në mënyrë konstante mashtrimet dhe doktrinat e tij ideologjike.

Sepse, qëllimi kryesor i ideologjisë totalitare, nuk është ndryshimi revolucionar i shoqërisë, por transformimi i vetë natyrës njerëzore.

Ky, është edhe motivi, arsyeja e qëllimi bazë, pse shteti totalitar në ‘tabelën e qitjes’, ka vazhdimisht individin e, bashkë me të, edhe krejt shoqërinë. Ai, si bishë e egër, e përndjek gjahun e tij pa ndjerë lodhje kurrë. Në çdo moment, në çdo orë, në çdo qoshk e hap të jetës. E përndjek, me gjithë format e mjetet që ka në dispozicion, e mbi të gjitha, natyrisht, me arsenalin gjigant propagandistik. Me fjalimet, mitingjet, mbledhjet, gazetat, radiot, televizionin, botimet, leksionet, spartakiadat, parakalimet, festivalet, ekspozitat, aksionet e punës vullnetare etj.

Çdo mesazh propagandistik, shoqërohet, ndërkohë, edhe me premtimin e ndërtimit të një shoqërie të re. Me një jetë të ngjashme si parajsa, me paraqitjen e saj plot ngjyra verbuese ylberi. Me drejtësi, barazi e begati etj. Por, në fakt, realiteti i përditshëm për individin, bëhet gjithmonë e më shtypës e i zymtë, duke i mbuluar shpirtrat e njerëzve katërçipërisht, me një perde të rendë çorientimi, trullosje, mashtrimi e gënjeshtre.

Nenë trysninë e pafund të iluzioneve marramendëse, më në fund, individi shtrëngohet të dorëzohet e, pak nga pak, truri i tij, nis procesin e tjetërsimit. Premtimet, fjalët e bukura, joshjet, ëndrrat e iluzionet utopike – këto, janë vetëm disa nga tiparet dalluese të hipokrizisë totalitare e, njëkohësisht, edhe përbërës të rëndësishëm të strategjisë së saj shkatërrimtare. Elementë bazë të objektivit të saj final, i cili është modelimi i qenieve të reja nëpërmjet mashtrimit të gërshetuar me dhunën.

Për ndërtimin dhe modelimin e të ashtuquajturit rend e njeri të ri, propaganda totalitare e nis punën, qysh të nesërmen e marrjes së pushtetit. Për këtë qëllim, ajo vë në lëvizje gjithë mekanizmat e mundshme që shërbejnë për shkatërrimin e plotë të kodeve e ligjeve të sistemit të vjetër. Në këtë kuadër, goditen pa mëshirë të gjithë raportet njerëzore ekzistuese si, bie fjala, familja, shkolla, kultura, arti, kujtesa historike, feja etj.

Pra, shkurt, krejt shpirti dhe individualiteti i njeriut. Kështu, pra, sistematikisht e pa ndërprerje, me të gjitha mjetet e format, ajo vazhdon intensivisht punën për shpërbërjen finale të individit dhe krijimin e modeleve të reja njerëzore.

Veçori tjetër e propagandës totalitare, ndër të tjera, është dhe përdorimi i një leksiku krejt origjinal. Ai konsiston në faktin që gjithçka rreth saj gjykohet, interpretohet e paraqitet me kokë poshtë. Kështu, për shembull, aparatin totalitar shtetëror, të cilin ajo e quan ndryshe pushtet të popullit – (edhe pse, në realitet, ai nuk është veçse instrument i ushtrimit të dhunës e shtypjes së individit) – ajo e lavdëron plot mburrje, duke e emërtuar pa më voglin hezitim, si shkallën më të lartë të ushtrimit të lirive e të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, deformimin e informacionit të vërtetë në jetën e përditshme, e cilëson si kulmin e lirisë së informacionit. Ndërsa, shkeljen e të drejtave të njeriut e represionin sistematik të tij, e konsideron si respektim shembullor të ligjeve e zbatim të drejtësisë popullore. Mungesën totale të lirisë së shprehjes dhe frikën për të thënë të vërtetën, e propagandon si formën më të lartë të demokracisë proletare etj. Kurse, shpërfytyrimin e kulturës dhe militantizmin e saj politik, e përkufizon si hapësirë të re dhe frymëzim të mrekullueshëm për krijuesit.

 (Me gjithë tymnajën e saj helmuese e marramendëse, e cila bëhet gjithmonë e më e dendur, beteja nuk konsiderohet e fituar. Sepse, propaganda totalitare e di fare mirë se, që të fitosh mendjen e, sidomos shpirtrat e njerëzve, është një punë tepër e vështirë e cila kërkon mjaft përpjekje. Sepse, çdo individ, në përgjithësi, ka një sistem të komplikuar vetëmbrojtje …).

Megjithatë, në fund të fundit, pas një farë kohe, ajo arrin të shohë frytet e punës së saj. Pak nga pak, pjesa dërmuese e shoqërisë ndjen të ndryshojë sjellje. Të transformohet e të dorëzohet. Gjithë ky proces i gjatë, tek çdo individ, shoqërohet me frikë, me fatalizëm para prepotencës së shtetit e propagandës së tij. E, pastaj, si rezultat edhe i bashkëjetesës së vazhdueshme me mashtrimin e praninë e kudo ndodhur të tij, ajo bën punën e vet.

Përkundrejt kësaj atmosfere të rendë e trullosëse, ato kategori njerëzish që provojnë të rezistojnë, edhe pse nuk e pranojnë apo nuk e besojnë propagandën mashtruese, në fund të fundit, janë të dënuara të bashkëjetojnë e ta kalojnë jetën në shoqëri me të e brenda saj. Duke thithur ajrin e saj, duke bërë pjesë në bashkësinë kolektive të njeriut të ri. Kështu, përfundimisht, anormalja bëhet normale e ata, duan apo s’duan, shndërrohen në qeliza të shoqërisë totalitare…!

Së pari, lipset të nënvizojmë faktin se, ashtu si në gjithë ish-vendet e tjera komuniste të Lindjes, modeli, struktura e ushtrimi i propagandës totalitare shqiptare, ka qenë fillimisht i bazuar mbi përvojën e shkollës staliniste. Ish ajo përvojë, e cila u kopjua, u zbatua, dhe u vu në jetë, me përpikëri e fanatizëm shembullor e, më pas, u pasurua me elementë të tjerë të rinj.

Lidhur me këtë, njohësit e historisë së regjimit totalitar në Shqipëri, theksojnë faktin se pothuajse çdo fazë e historisë politike, ideologjike e ekonomike, si edhe çdo etapë e represionit policor në Bashkimin Sovjetik gjatë regjimit të Stalinit ka pasur një koherencë, ekuivalencë e përputhje mahnitëse, me rrjedhën historike të etapave e ngjarjeve që kanë shoqëruar kronologjinë e shtetit totalitar shqiptar. Dishepull e besnik gjer në vdekje i Stalinit, Enver Hoxha, i zbatoi mësimet e tij në detaje, me një dogmatizëm e verbëri të pashembullt, duke u shndërruar kështu edhe vetë, në një prej diktatorëve më të dhunshëm të kohëve moderne.

Në sfondin e një tradite të tillë, ishte e natyrshme që Institucioni i Propagandës, të qe krejtësisht nenë kontrollin e drejtimin e Njëshit, pra të Diktatorit. Ish ai, i cili mendonte, formulonte, vendoste e urdhëronte çdo linjë, drejtim e orientim të saj. Të tjerët, s’bënin gjë tjetër veç i plotësonin, sipas rasteve, me elementë e shembuj konkretë, e pastaj i zbatonin gjer në fund e një për një. Natyrisht, duke i përcjellur poshtë nëpërmjet mekanizmave të njohur leniniste, të rripave të transmisionit.

Skema e transmetimit të urdhrave, qarkoreve, direktivave, ideve e politikës së PPSH nga Diktatori gjer në Bazë, ka pasur pak a shumë strukturën e mëposhtme:

DIKTATORI – Byroja Politike – Sekretari i Komitetit Qendror për Propagandën

Shtypi e Radio Televizioni Shqiptar – Komitetet e Partisë në rrethe.

Organizatat e masave

Në bazë – Sektori politik në komitete: Bashkimet Profesionale të Shqipërisë – Bashkimi i Rinisë së Punës së Shqipërisë – Fronti Demokratik e Shqipërisë, Organizatat bazë të Partisë e pastaj në bazë

Siç shihet edhe nga skema e mësipërme, propaganda dhe mekanizmat e funksionimit të saj, ishin monopol absolut i numrit Një, pra i Diktatorit. Por, si përçohej, realizohej, shkallëzohej e bëhej efektive ajo, konkretisht…?  Cilat qenë hallkat e saj…?

Transmetimi i propagandës së Partisë nga lart-poshtë, realizohej me anë të një sistemi kompleks ingranazhesh, levash e rripash. (Terminologji e rëndomtë e fjalorit stalinist të asaj kohe). Ato, konkretisht, ishin:

Së pari, Shtypi e Radio – Televizioni, si mjetet më tipike e më efikase të propagandës totalitare. Ato, kishin vetinë të depërtonin shpejt e direkt, në çdo qelizë të shoqërisë, pa pasur nevojë për hallka të tjera të ndërmjetme.

Strukturat e Partisë, duke filluar nga më të lartat e, gjer në komitetet e tyre në rrethe. Aty, idetë e direktivat zbërtheheshin, detajoheshin e pastaj çoheshin poshtë, në çdo byro e organizatë bazë partie. Pastaj, në çdo sektor të jetës pa përjashtim, duke nisur nga qendrat e punës, të prodhimit e gjer në shkolla, spitale, reparte ushtarake, kooperativa bujqësore etj.

Hallka e tretë ishin organizatat e masave. Në to, përfshiheshin dhjetëra e dhjetëra të tilla, që nga ajo e pionierëve e gjer në shoqatat e ndryshme të pensionistëve. Ato më të rëndësishmet, inkuadronin në gjirin e tyre klasën punëtore, rininë, gratë dhe gjithë popullin në përgjithësi.

Nuk është rastësi që, në krye të skemës e cila paraqet rripat e levat e propagandës së Partisë, kemi vendosur shtypin e Radio-Televizionin. Jo vetëm në rastin e totalitarizmit shqiptar, por në të gjithë sistemet e asaj natyre në përgjithësi, këto mjete komunikacioni, me të drejtë konsiderohen si më vitalet.

Roli, influenca dhe efikasiteti i tyre, janë aq të rëndësishme e të domosdoshëm, sa mund të themi se, shteti totalitar nuk mund të ekzistojë e të ushtrojë pushtetin e tij mbi masat, pa ndihmën, mbështetjen dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm.

Ishte pikërisht kjo arsyeja pse kontrolli, interesimi, kujdesi dhe lidhja e Partisë me ato organizma e institucione kishte një rendësi të dorës së parë. Bile, mund të themi se, me kalimin e kohës, këto të fundit, pra Shtypi e Radio-Televizioni, u shndërruan jo vetëm në zëdhënës besnikë e absolutë të propagandës së Partisë,por edhe në shëmbëlltyra identike të fytyrës e imazhit të saj të frikshëm. Ishte kjo arsyeja pse, në çdo plenum, bilanc politik a fushatë ideologjike, dëgjoje të theksohej fakti se, shtypi e radio-televizioni ishin artileria e rendë apo superfuqia e propagandës së Partisë.

Pikërisht, për të ilustruar këtë fakt, është interesant të sjellim vetëm një dëshmi, nga roli i Radio-Televizionit të asaj kohe. Marash Hajati, drejtuesi i tij për më tepër se dy dekada, (në periudhën më të egër e më të frikshme të ekzistencës totalitare), në një prej librave të tij, ndër të tjera rrëfen se, përsa i përket orientimeve të Partisë për shtypin e Radio-Televizionin, veç derës së madhe të urdhrave për drejtimet e propagandës, kish dhe një derë tjetër të prapme, e cila:

 ishte dera e të pa priturave nga ku dilnin: urdhra e njoftime sekrete që fillonin nga gjëra në dukje të thjeshta e të vogla e, gjer në çështjet e mëdha që rrëzonin fakte, qëndrime, figura e personalitete gjer te udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit.

Pra, Televizioni, në të njëjtën kohë, ish jo vetëm shëmbëlltyrë, vizion e shprehje e Syrit të Partisë, por edhe orakull e barometër i furtunave e cikloneve spastruese që kalonin e ndodhnin në vend. Lajmet, kronikat e reportazhet që pasqyronin takimet zyrtare, pritjet e festat partiake, ishin shpesh sentencat e para të gjyqeve, dënimeve makabre e fushatave të spastrimeve që parashikoheshin të ndodhnin në vend.

Qe kjo arsyeja pse, drejtuesit e lartë të Radio-Televizionit, qenë ndër të parët të cilët nëpërmjet porosive nga lart, përveç zbatimit të urdhrave, merrnin vesh edhe se cili duhej të delte në televizion, cili duhej mënjanuar apo kush duhej evidentuar më tepër. Shpesh, ishte pikërisht nëpërmjet kronikave të lajmeve që jepej sinjali i parë, (shumë kohë para demaskimeve, organizimit të gjyqeve e ekzekutimeve), se cilit nga udhëheqja e lartë i kish ardhur radha për t’u flakur tej, e cilëve për të bërë përpara.

Nuk është rastësi që, në krye të skemës e cila paraqet rripat e levat e propagandës së Partisë, kemi vendosur shtypin e radio-televizionin. Jo vetëm në rastin e totalitarizmit shqiptar, por në të gjithë sistemet e asaj natyre në përgjithësi, këto mjete komunikacioni, me të drejtë konsiderohen si më vitalet. Roli, influenca dhe efikasiteti i tyre, janë aq të rëndësishme e të domosdoshëm, sa mund të themi se, shteti totalitar nuk mund të ekzistojë e të ushtrojë pushtetin e tij mbi masat, pa ndihmën, mbështetjen dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm. Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/marash-hajati-drejtuesi-i-rtsh-se-per-me-se-dy-dekada-ne-kohen-me-te-eger-te-saj-tregonte-se-pervec-urdhrave-nga-k-q-i-ppsh-se-ishte-dhe-nje-dere-tjeter-r/