“Kur Luigj Gjini, i bërtiti; puno, se je mësuar me çokollata, Agroni i tha; ne vlonjatët, armikut, i digjnim shtëpinë, i vrisnim djemtë dhe…”/ Raporti i B.p. “Marteli”, Kurbnesh 1983

Nga Dashnor Kaloçi   

Pjesa e nëntë

Memorie.al / “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.

Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dosieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!

Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al

                                                   Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN – OPERATIV TE PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, MBI MBLEDHJEN E TË DHËNAVE DHE INFORMACIONEVE PËR FAMILJEN E KADRI HAZBIUT

                                                                                                        S E K R E T

                                                                                                EKZEMPLAR NR. 3

                                                                                          RRËSHEN, 27.10.1983

                                      SHËNIM OPERATIV

Unë Punëtori Operativ i zonës së Kurbneshit, Mihal Monka, më datë 24.10.1983, rreth orës 7.00 të mëngjesit, isha në një makinë tek agjencia e vjetër, e po prisja shoferin e kësaj makine, Ndre Sulejmani, për të shkuar në Kurbnesh. Brenda në makinë, ishte dhe Gjovalin Gjoci, nga fshati Ndërfushas, me punë shofer në parkun e mallrave.

Aty afër agjencisë, është një fushë e vogël futbolli, ku ishte duke u stërvitur një skuadër e shkollës 8-vjeçare, Rrëshen, e drejtues stërvitje, ishte shefi i Klubit “Minatori”, Ndue Ruçi. Unë vura re se, në këtë skuadër, ishte dhe Arian Medi Çollaku, (djali i vajzë së armikut të Partisë, Kadri Hazbiut, Helenës), që është në klasën e 8-të.

Ndue Ruçi i thirri vetëm me mbiemrin “Çollaku”. Kur dëgjoi këtë mbiemër, Gjovalin Gjoci, u shpreh se: “Para një jave, më datën 16.10.1983, unë isha duke pritur makinë tek ura në qytetin e Kurbneshit, mbas dite, aty pashë këtë djalin me të atin, që punon arsimtar në Prosek dhe një djalë rreth 9 vjeç, që prisnin makinë për në Rrëshen, unë gjeta makinë para tyre, ata nuk e di se çfarë bënë”.

Sqarim:

Medi Çollaku, është arsimtar në Prosek, me banim në qytetin e Rrëshenit, ka mundësi që të ketë çuar në Kurbnesh, Arianin e Andin, i pari është djali i Mediut (Helena Hazbiut), dhe i dyti, është djali i Agron Aranitasit, (i Mimoza Hazbiut), ku ky i fundit, është me banim në Fushë-Arrëz të rrethit Pukë, që kanë takuar nënat e tyre, që janë me masë internimi, në qytetin e Kurbneshit.

PUNËTORI OPERATIV

                                    MIHAL MONKA

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “MARTELI”, MBI NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT         

                                                                         Mori: P.Operativ, Mihal Monka

                                                                         Dhënë: B.p. “Marteli”

   Në natyrë

               Raport i datës 29.11.1983

Ai njofton se, ka punuar në një brigadë me Agron Hazbiun, që në kohën që Agroni ka ardhur me punë në minierë, në disa raste ai ka punuar me Agronin vetëm, në minierë në nivel, gjatë punës ai ka biseduar me Agronin dhe Agroni kishte qejf të bisedonte me të, se sa me persona të tjerë, si p.sh. me Luigj Gjinin, ku ky shpesh herë i thoshte se, je mësuar me çokollata.

Në bisedat që ka zhvilluar ai me Agronin, ai e ka pyetur për të atin, se si sillej tek shtëpia dhe Agroni i ka thënë se, sillej shumë egër në familje, bile kishte raste që 6 muaj, nuk vinte në shtëpi dhe ne më shumë e shikonim në televizor se sa e takoheshim me të, ne fëmijëve na rrihte dhe gjatë verës, na çonte në fshat dhe për të vazhduar shkollën, nuk ndërhynte ky, por ndërhynin të tjerë.

Në një rast, kur Luigj Gjini, i gërthiti, puno, se je mësuar me çokollata, Agroni i ktheu përgjigje Luigjit, si me ironi, vazhdo dhe hidh në furnelë se, po e hodhe këtu, është i dalë materiali dhe në moment, Agroni i tha atij, në furnelin 605.10/E, se ne vlonjatët, e kemi pas për traditë, se armikut, i digjnim shtëpinë, i vrisnim djemtë, i prisnim pemët. Në një rast tjetër, Agroni i tha atij se, shokët më kanë mbajtur afër në kohën e arrestimit të babait, shumë futbollistë të “Dinamos”, erdhën tek spitali, sepse isha shtruar nga dizenteria, dhe e fejuara ishte shumë e vrarë, bile tani në muajin shtator 1983, më ka dërguar një letër, ku më shkruan se e kam lënë punën, dhe rri e mbyllur tek shtëpia, bile, tha Agroni, po të dua unë me e marr, ajo vjen këtu, se më ka shumë merak.

                                               “Marteli”    

   Sqarim:

Kjo e dhënë e këtij B.p., u muar në proçesin e tërheqjes, i cili ishte i apasionuar për të bashkëpunuar me organet e Sigurimit të Shtetit.

E fejuara e Agron Hazbiut, quhet A.S.S. që ka punuar në Degën e V-të, të MPBr.

Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative, se bëhet fjalë për Agron Hazbiun, në përpunim aktiv 2/A, për agjitacion e propagandë, për reagimin e tij për punën e të atit, flet me nënkuptime, se ne sikur të ishin armiq të Partisë, do të na kishin vrarë, kërkon të zbusë luftën e klasave, e flet me konsiderata për të fejuarën, e cila sipas tij, i ka dërguar letër.

Detyra dhënë B.p.

Ju dha detyrë që paraprakisht të kontrollojë dhe të fiksojë kontaktet e tij me persona të tjerë, karakterin e tyre, gjatë punës, sipas rastit, të tregohet i afrueshëm pa rënë në sy dhe t’i ndihmojë e t’i ekspozojë, që mos u mërzitni se kështu e ka puna, se më shikon mua, se nuk ndihem, se kështu e kam pësuar dhe unë.

Masat Operative

E dhëna të shtypet në tre kopje, 1 për Grupin Operativ, 1 për A. S., Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë dhe 1 për dosjen e objektit.

                            Punëtori Operativ

                            Mihal Monka

Shënim:

Po nëpërmjet postierit të PT Kurbnesh, nuk mund të mësosh, se është e vërtetë marrja e letrës nga Agron Hazbiu, prej së fejuarës së tij?! Mos prisni, ta kishit sqaruar se, nuk ka ndonjë veprim sekret, ata njihen si të tillë, përse kështu, gjysmak gjërat?!

KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME

                           BAJRAM PELO

DOKUMENTI SEKRET I KRYETARIT TË DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME RRËSHEN, BAJRAM PELO, DËRGUAR DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME PUKË, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E SHOFERIT XHELAL CANI, QË KISHTE LIDHJE MIQËSORE ME AGRON ARANITASIN, ISH-DHËNDRIN E KADRI HAZBIUT

                                                                                                              S e k r e t

                                                                                                    Ekzemplar i vetëm

                                                                                               Rrëshen, më 4.1.1984

Ekstrakt i vetëm i nxjerrë nga shkresa nr. 225/12, datë 29.12.1983

E Degës së Punëve të Brendshme, Pukë

Gjegjie, tuajës Nr. 94/41 datë 8.12.1983

Për sa kërkoni me të mësipërmen, u verifikua nga ana jonë dhe shoferi që drejton makinën “Skodë” me targa 52-84, quhet Xhelal Osman Cani, është nga fshati Truesh i rrethit tonë, me arsim 8 vjeçar, i martuar, pa fëmijë, me shërbim ushtarak të kryer, i paorganizuar, i padënuar dhe gjykuar ndonjëherë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.

Nga ana jonë, Xhelal Cani është evidentuar si lidhje shoqërore me interes operativ, e objektit 2/A, Agron Aranitasi. Nga ana juaj, në qoftë se keni interes operativ, hajdeni të bisedojmë këtu, pasi ju nuk keni si ta shfrytëzoni pa pjesëmarrjen tonë, meqenëse ky është nga rrethi ynë.

                           ZV/KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME

                                   KOSTA PRIFTI

Shënim: Për këtë duhet shkuar në Pukë, pasi i vëllai i Agronit, vjen në Kurbnesh.

                       KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME

                                  BAJRAM PELO

Punëtori Operativ

   Mihal Monka

DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRËSHENIT, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT, ME PSEUDONIMIN “PENELI”, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E DY DJEMVE TË KADRI HAZBIUT

                                                                                          Mori: P.Op. Mihal Monka

                                                                                          Dha: B.p. “Penleli”

                   Raport i datës 22.1.1984

Ndër të tjera ai njofton, se me djemtë e Kadri Hazbiut, nuk ka zhvilluar ndonjë bisedë, ka punuar njëherë me Petrit Hazbiun, në nivelin e 200-ës dhe nuk ka shkëmbyer asnjë fjalë me të, ndërsa me Agron Hazbiun, ka patur vetëm përshëndetje gjatë rrugës, dhe në punë, në një rast, dy punëtorët, Shaqir Cara dhe Rruzhdi Cara, i thonë Agronit; përse nuk ke prurë vagonë, Agroni, në vend të përgjigjes se përse nuk ka vagonë, i ktheu përgjigje me nervozitet, duke u thënë; më lini rehat, apo t’u vij aty.

                                       “Peneli”

 Vlersimi i të dhënës:

Kjo e dhënë, bën fjalë për afrimitet të lidhje antiparti, sidomos të djalit të Kadri Hazbiut, Agronit, i cili duket më i çiltër me këtë B.p., që është lidhje anti-parti dhe është tërhequr në bashkëpunim sekret, kohët e fundit.

 Detyra e dhënë B.p.

Këtij B.p., nuk ju dha detyrë konkrete, por të përgjithshme, pasi meqenëse është i ri dhe për të parë predispozicionin e tij, për të ndihmuar organet tona, e sa don ta komprometojë veten me këtë organe.

Masat Operative

E dhënë të shtypet në dy kopje dhe të shpërndahet sipas përkatësisë. Memorie.al

                              Punëtori Operativ

                               Mihal Monka

U pa

Zv/ Kryetari i Degës së P. Brendshme

           Vesel Avdullai

              2.2.1984

                                                 Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-luigj-gjini-i-bertiti-puno-se-je-mesuar-me-cokollata-agroni-i-tha-ne-vlonjatet-armikut-i-digjnim-shtepine-i-vrisnim-djemte-dhe-raporti-i-b-p-marteli/