“Kur ishte në Sanatorium në Itali, një murgeshë që e pa se ai po vdiste, i tha; po lutem për ty, por Migjeni, me arrogancë e mospërfillje, i’u përgjigj…”! / Dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit

Nga Marçel Hila

Pjesa e parë

Memorie.al / Unë e mbaj mend si u mbyll Kisha e Zojës Rruzare këtu në Shkodër. Ishte e fundta e mbetur në shërbim, që kur nisi mbyllja e tyre, pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, të datës 6 shkurt 1967. Në ato ditë e në vazhdim, filloi cunami. Vunë kyçet të gjitha, një e nga një. Asokohe isha fëmijë pesëvjeçar. Kjo mynxyrë, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, krijoj tronditje të madhe. Të moshuarit, miq e të njohur, vajtonin e skandalizoheshin. I ishte shpallur luftë Zotit. “Deri këtu i shkon kuraja këtij përbindëshi”? – pyesnin nën za njerëzit të tmerruar!

Ishte pasditja e datës 19 mars, siç po thosha, festa e Shën Jozefit. Gjyshja ime, një besimtare e devotshme, më mori me vete në meshë, atje. Mbaj mend edhe priftin, i cili, i veshur me rrobën e celebruesit, sapo mesha mbaroi, njoftoi të pranishmet, gra të gjitha në moshë e plaka se, duke filluar nga nesër, nuk ka më kremtime e se kjo qe e fundit. Sapo tha këtë fjalë, u lëshua një si vajtim, një uuu e gjatë, plot me dhimbje brenda. Dhe plakat, në vend që të dilnin, i’u afruan atij, si t’i kërkonin ndihmë, apo që ai të tregonte guxim e kurajë që të mos e mbyllte e të rezistonte, apo që të gjitha bashkë po qanin hallin më pranë njëra-tjetrës, mbasi morën lajmin prej tij.

Filluan të qanin. Unë, si fëmijë, duke qenë i vogël nga shtati, i kërkova gjyshes të më hipte në një stol që të shikoja më mirë. Pashë këtë skenë. Kuptohet se ai vajtim në grup e ato ankesa më tërhoqën vëmendjen. Prifti plak nuk fliste, por jam i sigurt se qe gati të qante bashkë me to. Vajtimi i atyre grave atë pasdite nuk më ka dalë kurrë nga mendtë. Prandaj e kujtoj edhe sot me detaje. Prifti u kërkoi atyre që të largoheshin. Dolën të gjitha. Ai, kur e pa se nuk kishte më njerëz brenda, mbylli me çelës derën e jashtme. Iku. Mbaj mend se u nisëm për shtëpi. Gjithë rrugës gjyshja vajtonte.

Kishat u mbyllën…!

Nisën rrënime të pafund. Në ditët e vitit 1967 e në vitet në vazhdim, në rrugët shiheshin vetëm buldozerë e  traktorë, që shkatërronin e rrafshonin objektet e kultit, që hidhnin mure, kampanielë dhe minare xhamish përtokë. Tym e pluhur pa pushim. Katedralja u bë Pallat Sporti, ku punimet u bënë me shumë ngut, sepse në vitin 1973, do të hynte me pompozitet Enver Hoxha, si i ftuari i nderit në Kongresin e Grave; e mbaj mend si tashti nga kronikat kinematografike sesi fryhej e kapardisej, sepse i kishte hyrë tempullit të Zotit brenda dhe nuk kishte pikë frike, por po e sfidonte. Mund t’i thoshte atij: “Nëse je, dil e tregohu, por ti nuk ekziston, por, edhe nëse je, nuk duhesh më gjë. Jemi ne, ne që të zumë vendin”!

Kisha e Fretërve u bë kinema, Kisha e Zojës në Bahçallëk, shkatërrohet. Aty vihet një lapidar që thoshte se tamam në këtë vend, me datën 29 nëntor 1944, u krijua Brigada e njëzet e shtatë Sulmuese. Brenda në kishë e paskan formuar brigadën komunistët??? Çfarë guximi për te gënjyer e për t’u tallur kështu me shtëpitë e Zotit! Pastaj heshtje, arrestime, ndalime, dënime me pushkatim, me burgime të gjata, me akuza për tradhti te lartë ndaj klerikëve, për sabotime, armiqësi ndaj pushtetit popullor. Ishte përmbysur bota. Po vazhdohej me dhunën e fillimit, të viteve kur po instalohej komunizmi.

Vitet kalojnë. Meshtarë që kanë mbetur gjallë, vazhdojnë kalvarin. Mbaj mend arrestimet në vijim të shumë prej tyre. Merrnim vesh se u dënua Padër Aleksi, (Baqli), Padër Leoni, (Kabashi), Pader Zefi,(Simoni), Dom Shtjefen Kurti, Dom Frano Illia, Dom Mark Hasi, e shumë si këta. Ata që nuk janë të arrestuar, izolohen e nuk dalin më as nga shtëpitë ku banojnë, janë të terrorizuar. Shtyjnë jetën në frikë të thellë. Lëviz trimi Padër Meshkalla, del edhe Pader Donati, radhë Padër Agostini, nuk del më Padër Viktori…! Shumë vdesin në anonimatin më të madh, në braktisje totale! Një sa për të gjithë: Padër Mark Harapi, gjendet i vdekur, i ngrirë në rrugë të madhe. Ishte dimër acar.

Dom Mikel Beltoja pushkatohet. Dom Marin Shkurti pushkatohet. Dom Shtjefen Kurti pushkatohet. Pastaj, përsëri vite të tjera shkojnë. Krejt brezi i ynë nuk di asgjë! Imagjinoni të tjerë nga e gjithë Shqipëria! Terr i dendur, i fortë, verbues. Helmim nga diktatura, klimë mbytëse. Krimi në këmbë. Krejt rinia e ime dhe të brezit tim kalojnë kështu. Ura ishte thyer. Mbetëm në njërën anë të saj. Në pritje të lidhjes përsëri me Kishën botërore. Një paralizë shpirtërore ra mbi shumë kënd. Vetëm ndonjë i patundur në fe e mbajti të ndezur qiriun e shpresës. Ishin kohërat e apokalipsit. Nuk kishte një kishë të hapur, nuk shihje një celebrim, e gjithë Shqipëria qe kthyer në shkretëtirë.

E se do të vinte dita të shihnim se gjithçka do të përmbysej, se ato kisha do të hapeshin përsëri, se… se Zoti nuk ishte ai i munduri e i poshtëruari, por i durueshmi që fiton?

Se do të hynte me forcë e shkëlqim përsëri në jetën e këtij vendi? Ishte një gjë shumë e madhe, por që e mësuam më vonë. Se gjithçka e keqe do të thyente qafën e se kjo që ndodhi qe vetëm një ëndërr plot ankth deri në të pabesueshmen e se liria u bë realitet? Po, kjo është Ringjallje. Këtë duhet të kenë përjetuar edhe apostujt e Krishtit, ditën kur Ai, pasi la varrin, hyri në dhomën ku ata po rrinin, të frikësuar e të tronditur ku s’shkon më e i përshëndeti si fitimtar e u uroi paqen.

E atyre, që nuk po e besonin këtë gjë të jashtëzakonshme, u tregoi plagët e duarve e të gjoksit, si për t’i thënë se ishte Ai, Ai, që ata kishin parë në kryq, të gozhduar, e për t’ia provuar se e gjitha ishte e vërtetë, se ishte pikërisht Ai që i kishte ikur vdekjes për duash. U tha se nuk qe një fantazmë, por njeriu Jezus, shoku i tyre, bashkëfshatari nga Nazareti. I pyeti: “A keni gjë që të më jepni të ha? Ndoshta u ka thënë edhe se jam tri ditë pa bukë”?!. Ata i sollën një copë peshk të pjekur, thotë Shkrimi i Shenjtë.

Kështu edhe tek ne, për ne, për brezin tim dhe mjaft prej atyre që kishin parë poshtërim, dhunë mbi kishën, tmerr mbi popullin, padrejtësi të panumërta, vrasje të shumta në rrjedhën e viteve, duke filluar nga viti 1944 e në vazhdim. Kishin parë vuajtje, burgje, krime, persekutim dhe ishin aq të pa shpresë, aq të rraskapitur, sa nuk besonin më se do të vinte dita … dita e madhe. Edhe ne të gjithë ishim si ata dy udhëtarët, që dolën nga Jerusalemi ditën e Pashkëve e u nisën për Emmaus, pesimistë e mosbesues, të zhgënjyer se Ai nuk kishte qenë Mesia që kishin shpresuar, por një i dobët fals, mosbesues se njeriu Jezus ishte tashmë i gjallë e po ecte me të njëjtin ritëm hapi me ta. Pra, edhe për ne, e gjithë ngjarja e Jerusalemit e ditës së Pashkës, e ditës së madhe të Ringjalljes, u bë realitet.

Ringjallja filloi me datën 4 nëntor të vitit 1990…!

Prandaj, sonte dua të them pak fjalë, më mirë të thuash ca përshtypje, për ngjarjen e madhe të hapjes së Kishës në datën 4 e deri me 11 nëntor 1990. Nuk janë histori, por një lloj meditimi mbi atë se çfarë ndodhi e sesi ndodhi, për t’u shtyrë pak më tej e për të thënë se pse ndodhi. Dua ta filloj me akthin që mund ta kapë çdo njeri kur gjendet në situata të tilla: Pse Zoti, kur është në lojë, nuk ndërhyn, edhe atëherë kur njerëzit e tij poshtërohen e vriten? Sepse, kushdo, kur sheh se çfarë po ndodh, a nuk tronditet? A nuk e mendon i Madhi i qiejve duhet të ndërhyjë? Se dikush nga kjo heshtje bie në tundim? Sepse Hyji i duket i pafuqishëm! Se tek të dobëtit, kjo heshtje e tij lind dyshime e frikë? A është Zoti vërtetë i plotfuqishëm apo krijim i mendjes njerëzore, tamam-tamam, fryt i frikës së njeriut, që i ka vënë emrin Zot e i ka dhënë çdo pushtet?

Mister i madh është heshtja e tij, kur ndodhin tmerre mbi tokë. Mister edhe më i madh kur publikisht mohohet se ekziston, kur e marrin nëpër gojë edhe si të pafuqishëm. E Ai nuk shfaqet, nuk vepron. Por mister i madh është edhe se nuk zemërohet, edhe kur ia marrin shërbëtorët e tij zvarrë, ia vrasin rrugëve, ia përdhosin deri edhe kufomat! Kur shtëpitë e Hyjit, ndërtuara prej shekujsh e mijëra vjetësh, ia shembin? E Ai nuk flet! Nuk dëgjohet. I lë katilët të qetë të veprojnë. Po a mendon për ata për vullnetmirët që kërkojnë që Hyji ta thotë një fjalë, të lëvizë vetëm një gisht, të bëjë vetëm një veprim të thjeshtë e gjithçka merr fund, çdo gjë shkon në vend?

A mos këto pyetje janë bërë për herë të parë, tek ne, në Shqipëri? Në këto vitet për të cilat po flasim? Jo, janë bërë nga breza e breza, me mijëra e mijëra vite më parë e deri tani. Profeti Izaia, ka shumë mundësi, i tronditur nga ngjarjet që ndodhnin 730 vite para Krishtit, me besimin e plotë në Yahvenë e Plotfuqishëm, kërkonte ndërmjetësimin e Tij, kur rrënohej Jerusalemi, kur vriteshin njerëz e priteshin koka, kur banorët e thërrisnin në ndihmë dhe Ai, i Tejetlarti, nuk ndërhynte… e ka shumë mundësi që ka përjetuar po të njëjtat dilema e pasiguri.

Por pastaj Yahveja bëhej i pranishëm, ndërhynte dhe e shpëtonte popullin e vet…. dhe Izaia, i çuditur e i befasuar nga kjo mënyrë të vepruari, e pikturon Jahvenë me dy penelata, të mjaftueshme ta kuptojmë se kush është Ai Hyji i Izraelit: një Hyj i fshehur e i durueshëm: Deus absconditus et patient. Edhe ne, po t’i marrim këto fjala si busull drejtuese, të jemi të sigurt se marrim përgjigjen e saktë.

Le të kalojmë tek vetëm pak fakte që flasin vetë. Jo më shumë, se nuk dua të zgjatem. Në Torino, aty ku dikur masonët kishin ngritur qendrën ku planifikonin shkatërrimin e Kishës Katolike, ajo godina e frikshme okulte, që ngjallte siklet, tamam në këtë ndërtesë gjenden sot Salesianët, është qendra më e madhe e tyre në Itali e, sigurisht qendra më e madhe Salesiane botërore. Të shkojmë në Paris. Aty jetoi e punoi për disa vite Volteri. Ai, atje, përdori talentin e tij të shpifte e të fajësonte Kishën Katolike. Shpiku akuza pa fund kundër saj. Qe i sigurt në suksesin e gënjeshtrave të tija, i bindur se ato do të zinin vend e do të ngjallnin zemëratë.

Tha se pas njëzet viteve nuk do të ekzistonte më Kisha Katolike në botë, sepse mendonte se, aq të forta ishin idetë e tij e se me çfarë po fliste, goditjet që po i jepte asaj, ishin ogurzeza e fatale e do ta rrafshonin, do ta zhduknin nga faqja e dheut. I ngarkoi asaj fajin e krimit të vrasjes së Giordano Brunos, të persekutimit të Galileo Galileit, të kryqëzave, inkuizicionit. Volteri tha se: “Njerëzimi do të çlirohet përfundimisht, kur me gurin e fundit, të kishës së fundit, do të vritej prifti i fundit“. I shkroi këta mashtrime në tryezën e punës që gjendej në një nga dhomat luksoze të një godine. Po priste i sigurt fundin e Kishës, të cilës ia profetizoi dështimin. A e dini se çfarë është ai vend sot? Ajo ndërtesë ku u shkruan këto fjalë? Është qendra më e madhe e publikimit dhe e shpërndarjes së Biblave në të gjitha gjuhët e botës.

Pra Zoti paska ndjekur me sytë e tij gjithçka. Paska qenë vetëm çështje stili, se i fshehur, ka vëzhguar pa u shfaqur e si i durueshëm i ka lënë kohë veprimi horave, por pastaj ndërhyn në ngjarjet e i jep fund. Pse i fshehur? Se kjo racë gangsterësh të intelektit nuk e sheh atë, nuk e dallon, e Ai i fshihet syve të tyre. Dhe i durueshëm, sepse i lë të bëjnë atë që kjo masë përbindëshash dëshiron, por në fund, nuk fitojnë. Po në këtë të mjerën moj Shqipni a kemi raste të tilla? A e pamë atë të poshtërohej e të ngrihej fitimtar mbi armiqtë e tij? Them se po. Nuk po ikim larg, por vetëm këtu në këtë Shkodrën tonë.

Rasti i parë është shtëpia e Migjenit. Kur poeti i ri ishte në spital, në sanatorium, në Itali, një murgeshë kur e pa në atë moshë e i sëmurë që po vdiste, shprehu keqardhje e i tha se: “Do të lutem për ty!“. Ai, dashamirësisë së saj, i’u përgjigj me arrogancë mospërfillëse: “Mos u lut për mua, se due t’i bie ferrit pash e m’pash”! Se ku është sot Migjeni, në ferr apo jo, pra se ku e çoj guximi i tij, nuk e dimë, por e dimë se shtëpia e tij u bë Shtëpia e Murgeshave dhe qysh prej vitit 2000, pra qysh prej njëzet vjetësh, motrat luten për të e për shpirtrat e njerëzve që kanë nevojë. A nuk e fitoi Zoti betejën me këtë guximtar mendjelehtë?

Ka më shumë se kaq: Po Dega e Punëve të Brendshme, tamam këtu në Shkodër? A nuk ishte vendi ku u ideua e u zbatua persekutimi i popullsisë mbarë, por në mënyrë të veçantë, i Klerit Katolik? Kjo ndërtesë dikur ishte e Fretërve Françeskanë, që u mur me dhunë në vitin 1946 e, u bë vend torturash e hetuesie, vend makabriteti. Aty u masakruan, u torturuan e u mbytën edhe njerëzit e Kishës. Por sot e dimë të gjithë se i është hequr nga dora djajve dhe Zoti tregoi triumfin e tij kur vendosi ta përdorte për lavdinë e Emrit të vet. Aty banojnë Motrat e Klauzurës, pa ndërprerje, 24 në 24 orë, luten pa ndalesë e i drejtohen Hyjit të qiellit për faljen e mëkateve e për kthimin e mëkatarëve. A do t’i kishte shkuar kujt në mendje se kjo ndërtesë e frikës, e torturës dhe e tmerrit, do të përdorej si vend adhurimi të Zotit? Kurrë! A thua e gjithë kjo ka brenda rastësi? Nuk e besoj.

Po fakti se te godina e Presidiumit të Kuvendit Popullor, sot selia e Presidencës së Republikës, aty, në prill të vitit 1985, po qahej me lot e ligje, diktatori i vdekur, tamam aty, në shtator të vitit 2014, rrinte ulur, si mik i mirë, i mirëpritur nga autoritetet më të larta të shtetit dhe nga populli shqiptar, Papa Françesku, kryetari i Kishës Katolike Botërore. Por nuk mbaron me kaq. Po ajo shtëpia ku jetoi Enver Hoxha, në ‘Bllok’, ajo ndërtesa e ruajtur aq shumë e ku nuk hynte askush pa leje e pa një super kontroll të imtë, tamam ajo salla e madhe, në katin e dytë të shtëpisë, ku në foto dhe në ndonjë nga filmat e shkurtër tregohet e mbushur me libra e me një tryezë në mes, që ishte dhoma e punës e ‘Djallit të madh’, ku ai bënte planet edhe për luftën kundër fesë? Tamam ajo dhomë sot është e marrë nga besimtarët ungjillorë dhe një lutje e pandërprerë i drejtohet Krishtit, pikërisht prej aty.

Tamam prej dhomës ku Zoti nuk u mur në konsideratë, ku Ai u luftua, ku një bastard i pashpirt kujtonte se nuk Ai ekzistonte dhe, nëse duhet të ishte, duhej t’ia lironte atij vendin. Pra, pikërisht vendi ku u sfidua Zoti i madh e i durueshëm, që i dha kohë e vite të gjata pushteti përbindëshit, e që ai kriminel e mori si një mundësi t’i bënte kultin vetes e ta errësonte Hyjin e gjallë e të vërtetë, tamam pra prej atij vendi, si flaka e një qiriu, një fije lutjeje nuk ndërpritet e ngrihet si kërkesë që Mëshirë madhi të ketë dhembshuri për ata që gabojnë, të bëjë drejtësi për ata që shkelen me këmbë, të tregohet kur nuk duket e të lërë durimin e të hyjë në fushë të betejës në kohën e duhur.

Rastësisht e gjithë kjo? Nuk besoj! Vetëm se na duhet t’i marrim në konsideratë këto tipare të portretit të Hyjit të Izraelit, ashtu si na i ka sjellë Izaia, ashtu si i ka ndjerë ai, si ia ka zbuluar Jahveja, sepse nuk ia mundëson shumë kujt, por dëshmitarëve të përzgjedhur e këta, pastaj, të tjerëve, në shekuj. Ja se Profeti i largët në shekuj, na tregon këtë: Jahveja nuk duket kur keqbërësit hidhen pa skrupuj në sulm dhe ky Jahveja duron shumë, para se të dalë në fushë të betejës për luftën fitimtare. Ja se pikërisht aty ku dukej se fuqia e të keqes kishte sukses të padiskutuar, tamam në atë vend e keqja u thye. Sot mund ta konstatojmë lehtë se këto vende, simbole të triumfit të së keqes së përkohshme, janë vende simbol të shtënies përsëri në dorë nga Hyji i qiellit fitimtar.

Hyji duket sikur lëshon pe, sikur tërhiqet e largohet, sikur ia lë të poshtërve në dorë një popull, tamam ashtu si veproi me Jobin e shkretë, të cilin, pa dijeninë e tij, ia lëshoi në dorë Satanit që ta masakronte. A thua kështu bëri edhe me ne? A thua djajtë ia kanë kërkuar për do kohë këtë tokë dhe njerëzit e këtij vendi? Nuk e dimë. Ndoshta. Dimë vetëm se, pas provës së tmerrshme, Hyji i madh, pasi e pa forcën e qëndresës së Jobit, e shëroi, e liroi nga dora djallit e ia ktheu të gjitha gjërat që humbi e që iu morën. Edhe ne shqiptarët, pas kësaj prove të tmerrshme, na liroi e na i ktheu ato që humbëm përkohësisht: na e ktheu lirinë për të besuar në Zotin, kryesoren.

Pra, i njëjti fat edhe për ne? Po! E mos e vini në diskutim! Trilli i fillimit librit të Jobit, ai makinacioni inicial, që Zoti debaton me Djallin, kur ky i fundit ia kërkon Jobin që ta vërë në provë, dhe Hyji i Madh ia lë të bëjë me të çfarë të dojë me të, por vetëm të mos ia marrë jetën, a mendoni se është shpikje, punë përrallash? Jo!!! Të jeni të sigurt se jo! Pse? Sepse është fjala e Zotit. Nuk gënjen Zoti, se është e vërteta. Po a thua edhe fundi nuk është aspak i besueshëm? Që Pas provës ia kthente gjitha shtëpi, katandi, pasuri dhe fëmijë? Jo! As këtë mos e mendoni, as mos të tundoheni të jepni shpjegime të kota e të gabuara, duke hamendësuar se është folklor, sajesë orientale, sagë e lashtë si formë artistike, jo, jo! Sepse, edhe fundi i atij libri, është Fjala e Zotit.

Pra, të jemi të sigurt se nuk është shpikje letrare e antikitetit të Lindjes së mesme! Patjetër që jo. Pse? Ja, ejani krejt afër, afër fare dhe vërtetojeni. Do të gjeni rastin e vizionit që pati Papa Leoni XIII, kur me sy hapur, ndërsa po celebronte meshën në Vatikan, mëngjesin e datës 13 tetor të vitit 1884, pa lart, pak sipër altarit, pa duke debatuar demonin dhe Jezusin, tamam si djalli që debatoi me Hyjin e i kërkoi Jobin e shkretë që ta vinte në provë e të merrej me të; kështu edhe papa pa e dëgjoi se djalli i kërkoi kohë dhe përforcim të pushtetit të ndjekësve të tij që të shkatërronte Kishën dhe botën.

– “Sa kohë do?” – dëgjoi Papa Krishtin që e pyeti Djallin. Përgjigjja e demonit qe: – “Nga 75 deri në 100 vjet”! – “Mirë“, – i tha Jezusi – “do t’i kesh kohën dhe fuqinë e ndjekësve të tu, por Kishës sime nuk do të mund t’i bësh asgjë”! E ne e pamë se komunizmit, i’u dha kohë e mjaftueshëm dhe pamë djaj që bota nuk i kishte parë as në ato kohërat mizore e barbare. I’u garantua fuqizimi i pushtetit ndjekësve të demonit e kohë mjaft për të bërë hata e zullume. Por e pamë se, megjithëkëtë, edhe pse pati dhjetëvjeçarë në dispozicion e plot aradhe katilësh, djalli nuk fitoi. Dhe lëshoi gjithë çfarë zaptoi me dhunë e padrejtësi. Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-ishte-ne-sanatorium-ne-itali-nje-murgeshe-qe-e-pa-se-ai-po-vdiste-i-tha-po-lutem-per-ty-por-migjeni-me-arrogance-e-mosperfillje-iu-pergjigj-deshmia-e-studjue/