“Kur isha në spitalin e burgut të Tiranës në ’49-ën, mjekët sovjetik dhe shqiptarë, i bënë një ndëryrje eksperimentale një të dënuari, që e lanë pa…”/ Dëshmia rrëqethëse e ish-të burgosurit

Nga Tomorr Aliko

Memorie.al / Vetë pamja e jashtme e Kalasë së Gjirokastrës të kallte tmerrin. Tuneli kryesor të çonte në errësirën e bodrumeve, në sallën e madhe të burgut, ku dergjeshin qindra njerëz, mbi të cilët diktatura vepronte pa mëshirë. Ata që vendosnin fatin e viktimave ishin oficerët hetues, të dalë nga lufta partizane, me arsim fillor dhe ndonjë me të mesme. Një të tillë hetues kisha edhe unë. Tridhjetë muaj isha në mëshirën e tyre. Çarë nuk përdorën mbi trupin tim: korrentin elektrik, hekurin e skuqur, jelekun, lënien pa ujë, qëndrimin me një këmbë deri sa të binte të fikët, pa përmendur shkopinjtë, shqelmat e grushtet. Të gjitha këto bëheshin për të pranuar që isha agjent i Asfalisë Greke edhe pse e dinin se Asfalia më burgosi në Janinë.

Në burgun e tmerrshëm të Kalasë së Gjirokastrës…!

Atje ishte ferri i Dantes, ishte tmerri, skëterra. Kush e ka provuar dhe ka mbetur gjallë mund ta tregojë. Dhomat ose birucat, 2 m. me 3 m., në tavan një vrimë e vogël ku depërtonte një dritë e zbehtë, dyshemeja me çimento, e cila ishte gjithmonë me lagështirë. Shtresë ishte një dyshek me kashtë dhe një rrogoz i kalbur. Na jepnin 600 gr. bukë dhe asgjë tjetër. Çdo 15 ditë, me leje të hetuesit, lejohej ndonjë ushqim nga familja.

Nuk më harrohet kurrë nata e 22 gushtit 1946. Ishte mesi i natës. Hapet dera dhe futen hetuesi me dy policë. Më vunë hekurat në duar, u hapën dyert kryesore, më hipën në një “Xhip”-s dhe u nisëm. Nuk e dija ku po më çonin, por kisha dëgjuar se pushkatonin edhe pa vendime gjyqi. Ndaluam buzë lumit, afër varrezave të qytetit, vend i preferuar për pushkatime.

-“Ja të erdhi fundi,- më tha hetuesi. Vetëm një fjalë të shpëton jetën. Prano që je agjent i grekëve”.

Hetuesi binte era raki. Nga i dehuri, mendova, pritet gjithçka. I thashë xhelatit se nuk kam qenë dhe nuk bëhem agjent i asnjë shteti.

-Mos u lodh, zbato planin që ke marrë,- i thashë.

Megjithëse jeta është e dhimbsur, njeriu kur është para vdekjes bëhet më i fortë. Mbaj mend që thirra: Poshtë komunizmi! Rroftë Shqipëria! Në ato momente mendoja se këto fjalë i dëgjonte e gjithë bota. Njëri nga policët bënte gati automatikun. Hetuesi më qëlloi me shkelm në vend të hollë dhe unë mbeta pa ndjenja.

Nuk di sa zgjati kjo gjendje, vetëm kur hapa sytë dallova drejtorin e burgut, i cili më futi në makinën e tij dhe më çoi atje ku më kishin marrë. Asnjë fjalë nuk më tha kush për këtë. Tani më dukej vetja tjetër njeri, më i guximshëm, më krenar. Jetoja me vdekjen dhe atë e prisja nga momenti në moment. Pas kësaj ngjarjeje hetuesin xhahil nuk e pashë më.

Ditët dhe muajt kalonin. Disa herë përsëriteshin proces-verbalet, por qëndrimi im ishte i njëjtë. Më provokuan me një spiun, burrë plak, i dënuar me burg të përjetshëm. Ia kisha dëgjuar emrin si luftëtar i 1920-ës në Vlorë me Selam Musanë. I tregova atij ato që nuk i kisha thënë në proces-verbal. I hapa zemrën matufit plak edhe për faktin se njeriu ka nevojë të rrëfehet para se të vdesë. Kjo m’i shtoi më tepër vuajtjet. Nuk dua t’ia zë me gojë emrin se, nuk dua që fëmijët e tij të mbajnë turpin e babait të tyre.

Në spitalin e Burgut të Tiranës

Pas 5 vjetëve e sollën në spitalin e burgut të Tiranës ku isha edhe unë. U drodha i gjithi kur e pashë. Për një moment mbulova kokën me batanije, më vinte turp ta shikoja. I pafytyri, më erdhi te koka e krevatit, u ul në gjunjë dhe më kërkoi falje. E largova duke i thënë: ti je një kufomë për mua dhe e kam për turp të merrem me ty. U sëmura më shumë, nuk doja ta shihja me sy, por, shyqyr, pas një jave e operuan dhe nuk e prunë më në dhomën time.

I fundit që më mori në pyetje, ishte një hetues, oficer madhor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Thoma Karamelo, besnik i ministrit Koçi Xoxe, i cili dallohej nga hetuesit e tjerë për kulturën që kishte. Përfundimisht, proces-verbali u mbyll dhe mbas disa ditëve më çuan në birucat e ‘Burgut të Ri’ të Tiranës, po të njëjtat biruca, vetëm se kishin dritare dhe dhoma ishte më e madhe. Këtu kalova edhe katër muaj të tjerë, derisa më nxorën në gjyqin ushtarak.

E dija se ishte marrë vendimi i dënimit tim nga Sigurimi Shtetit dhe gjyqi ishte krejt formal. Më 30 shtator 1947, dy policë, si më vunë hekurat, më hipën në një “Xhip”-s. Njëri prej tyre, duke më treguar automatikun, më thotë: “Ky nesër mbrëma do të këndojë”. Mendova se të gjithë donin gjak. E pashë me përbuzje.

U gjenda në një sallë gjyqi. Prokurori dhe tre gjyqtarë prisnin gjahun e tyre. Kishin disa shkresa mbi tavolinë. Si më pyetën për identitetin, lexuan procesverbalin. Prokurori vuri në dukje rrezikshmërinë që paraqisja, tradhtinë ndaj atdheut, duke i kërkuar kështu trupit gjykues dënimin tim kapital. Kryetari kërkoi nga unë fjalën e fundit, e cila nuk kishte asnjë vlerë, mbasi çdo gjë ishte vendosur.

U thashë se nuk kam kryer asnjë krim dhe atdheun nuk e kam tradhtuar asnjëherë. Trupi gjykues dhe prokurori u tërhoqën nja 5 minuta. Vendimi ishte: burg i përjetshëm. M’u duk se u lirova. Më nxorën dhe më shoqëruan për në ‘Burgun e Vjetër’ të Tiranës, ku mbas 17 muajve ndodhem midis shokëve të idealit dhe të vuajtjeve. Isha dobësuar aq shumë, sa mezi qëndroja në këmbë.

Në të ashtuquajturën: “Infermieri e burgut”

Gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e diktaturës (17 vjet), vazhdimisht kam qenë i izoluar në të ashtuquajturën “Infermieri e Burgut”. Mbyllja atje ishte një masë preventive për mos përhapjen e sëmundjeve infektive. Gjithashtu, atje na ishte rezervuar dhe “dhoma e vdekjes”, në godinën përballë Spitalit Civil dhe nën mbikëqyrjen vigjilente të policisë dhe operativëve të Sigurimit të Shtetit. Kjo godinë e vjetër me dy kate, kishte marrë emrin “Spitali i Burgut”.

Në njërën dhomë të katit të sipërm, qëndronin policët, infermieri dhe pastruesja. Dhoma tjetër, e cila kishte pesë shtretër prej hekuri, rezervohej për ndonjë të privilegjuar me sëmundje patologjike, kurse ata me T.B.C., dergjeshin në bodrumin e katit të poshtëm që u emërua “Dhoma e vdekjes”, e pajisur me katër shtretër. Muret e asaj dhome kullonin ujë nga lagështia, ngaqë ishte gjysëm metër nën tokë.

Më kanë shtruar tre herë në këtë “Spital”, jo për të më kuruar, por për të më shkurtuar jetën e për të më çuar në dynja tjetër. U kam lidhur buzën disa bashkëvuajtësve, e ende tingëllojnë në veshët e mi amanetet, rënkimet, psherëtimat dhe mallkimet ndaj regjimit barbar që u mori jetë. Policëve shpirt ligj, nuk u bënte fare përshtypje mandate që u jepnin familjeve të të vdekurve. “Shkoni kërkojeni nëpër varreza” – u thonin.

…Gjatë gjithë periudhës birucë – burg, kam pasur pranë “Dorën e Zotit”, e cila më mbronte, më jepte forcë, guxim dhe shpresë, për të përballuar vështirësitë. Dikush, besimin tek Zoti e ka me të dëgjuar, ndërsa unë e kam provuar dorën e tij.

Fjalët profetike të ish – Kryegjyshit Bektashi, Dede Kamber Prishtës, i cili dha shpirt në duart e mia, më shtuan besimin se një ditë do të dilja nga burgu. I vura detyrë vetes, të ruaja të freskët memorien, të mbaja ditarë rreth kalvarit të vuajtjeve dhe fatmirësisht, kësaj ia arrita.

Duke qenë dëshmitar okular i shumë ngjarjeve, kam kujtuar ata që dhanë jetën duke rënkuar e psherëtirë në atë “Spital” të mallkuar, si: Vasil Papa, Shasivar Skënderi, Mirash Ivanaj, Ali Mema, Musa Gjylbegu, Temo Shehu, Iljaz Dema, Hajri Neviri, Dede Kamberi, Pjetër Piroli, Elez Paja, Isuf Kurti, Dalan Bako e shumë të tjerë, të cilët vdiqën pa u mësuar dot as emrin.

Antihumanizmi

“Ishte dhjetor i vitit 1949, në dhomën tonë spitalore na sjellin një djalë të ri. Mbasi e kishin torturuar në birucat e Burgut të Vjetër, e sollën aty për ta operuar. E kishin lënë të dergjej në çimento për tetë ditë në atë dimër të ftohtë, vetëm me një rrogoz të mykur që i kishte shërbyer si shtresë dhe mbulesë bashkë.

Në birucë, prej rrahjeve të rënda, njëra testikul e organeve seksuale, i qe infektuar dhe ënjtur pa masë. Kishte temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta. Doktori i burgut, Sededini e kishte përcjellë me një diagnozë që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike.

Si i’u hap kartela, të nesërmen hyri në dhomën tonë një kolos flokë verdhë, me bluzë të bardhë, i shoqëruar nga doktor shumë i njohur dhe një tjetër, që bënte punën e përkthyesit. Kolosi ishte një profesor nga Bashkimi Sovjetik. Si e vizituan e muarën në dhomën e infermierisë…!

-“Ti ke nevojë të operohesh, je i ri dhe kemi për detyrë të të shpëtojmë jetën” – i kishte thënë profesori sovjetik.

-“Jeta ime është në ndërgjegjen tuaj, prandaj veproi si ta shikoni më mirë, jam në dorën tuaj” – i qe përgjigjur i sëmurë.

Kështu u vendos që të operohej. Mëngjesin tjetër, mbasi i bënë nja dy injeksione, e morën për në sallë të operacionit…!  Kur u kthye në dhomë, mbas nja katër a pesë orësh, na tregoi ç’kishte ngjarë.

Në sallë, së bashku me profesorin sovjetik, kishin qenë një grup vëzhguesish që, me sa dukej, bënin praktikë kirurgjikale…! Gjatë ndërhyrjes nuk kishte pasur dhimbje, por më pas, kur i kishte dalë narkoza, kishte dëgjuar profesorin, që me anë të përkthyesit, shpjegonte:

“Kjo që përdorëm është metoda e profesorit Saborov, është rasti i tretë që po aplikojmë këtë gjë”.

Ndërsa njëri prej atyre që shikonin, i kishte thënë me zë të ulët shokut pranë: “Gjynah…”!

-“Shkova si cjapi te kasapi – na tha. – Tek mua bënë një eksperiment. Piu nja dy cigare rresht dhe nuk foli më…”!

Mbas një kohe të gjatë e dha rasti ta takoja në Tiranë. Ishim plakur, por u njohëm. U ulëm të pimë një kafe. Erdhi muhabeti dhe m’u drejtua:

– “Të kujtohet Danishi”?

– Po – i thashë.

– “Kur mësoi ç’u bë me mua atje në spital, refuzoi të operohej… dhe kishim të njëjtin diagnozë. Ai më pas u martua dhe lindi dy fëmijë. Kurse unë mbeta pa fëmijë…”!

– Unë u trondita, por e mbajta veten.

– Mos u mërzit – i thashë për ta ngushëlluar.

– “Jeta që hoqëm i ka këto…! Rëndësi ka që mbetëm gjallë…”. ma ktheu dhe pashë që një lot i shkau në faqe…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-isha-ne-spitalin-e-burgut-te-tiranes-ne-49-en-mjeket-sovjetik-dhe-shqiptare-i-bene-nje-nderyrje-eksperimentale-nje-te-denuari-qe-e-lane-pa-deshmia-rreqethese-e-is/