“Kur e pyetëm Che Guevarën, për takimin e tij sekret me Mehmet Shehun në vitin 1960, në Tiranë, ai na tha…”/ Takimi i panjohur i tre funksionarëve shqiptarë, me heroin e revolucionit kubanez

Nga Afrim Imaj

Memorie.al / Ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që atëhere dhe ai pretendon se është i vetmi shqiptar ende i gjallë, që ka takuar dhe ka biseduar me Che Guevarën. Fillimisht ka qenë një përqafim i ngrohtë me heroin e mitologjisë revolucionare, siç quhej asokohe, në një dhomë të vogël në Havanë. Pastaj Che-ja ka shfrytëzuar rastin për të shprehur konsideratat për vizitën sekrete që kishte bërë me herët në Tiranë. “Shqiptarët më kanë falur dhuratën më të çmuar”, kishte thënë ai, duke kujtuar “Kallashnikovin” Made in Albania, që ia kishte dhënë Mehmet Shehu. Në vazhdim, bisedimet janë përqendruar në çështjet e situatës dhe problemet e rajonit. Në rrëfimin e tij, 90 vjeçari Mihallaq Gjinikasi, risjell të plotë historinë e takimit me njeriun-legjendë në Havanën e largët, ne verën e nxehtë te vitit ‘64…!

Zoti Mihallaq, Ju keni qenë pjesëtar i delegacionit të vetëm shqiptar, që ka vizituar Kubën. Çfarë kujtoni nga takimet në Havanë?

Ishte një vizitë zyrtare me ftesë të qeverise kubaneze, për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të fitores së Fidel Kastros, kundër diktatorit në Santiago de Cuba. Pjesëtarët e delegacionit fillimisht, u propozuan nga autoritetet politike dhe mandej u zyrtarizuan nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila përgatiti dhe agjendën e vizitës. Për vetë kufizimet ideologjike të kohës, u mendua që delegacioni të kishte një përbërje modeste, duke anuar më shumë nga dimensioni shtetëror. Ideja ishte që në Havanë, të shkonim jo si përfaqësues të linjës partiake. Sidoqoftë për Tiranën, ishte një vizitë me interes, duke pasur parasysh ngjarjet e vrullshme me protagonist Fidel Kastron dhe Che Guevarën.

Kush ishin pjesëtarët e delegacionit shqiptar që morën pjesë në festimet e Fidel Kastros?

Delegacioni kryesohej nga Bilbil Klosi, ministri i Drejtësisë së asaj kohe. Në të bënte pjesë Josif Pogaçe, ambasadori ynë në Havanë dhe unë. Pra tri veta gjithsej.

Çfarë detyre kryenit në periudhën kur u caktuat në delegacionin shqiptar, që mori pjesë në festimet e Kastros në Kubë?

Në atë kohë, isha sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në Vlorë, por në delegacion. nuk u thirra me ketë cilësi. Aty shkova si deputet i Kuvendit Popullor, përfaqësueses i zonës elektorale të Skelës. Edhe dy koleget e tjerë, në të gjitha takimet zyrtare, u paraqiten me funksionet shtetërore, pa e përmendur në asnjë rast, pozicionin politik në forumet e Partisë së Punës.

Bëhet fjalë për fillimin e viteve ‘60-të?

Më saktë për korrikun e vitit ‘64. Me sa më kujtohet, ai ishte delegacioni ynë i parë, por edhe i fundit në Kubë.

U kujtohet linja që udhëtuat për në Havanë?

Nga Tirana fluturuam për në Pragë. Aty fjetëm një natë. Të nesërmen, udhëtuam në drejtim të Anglisë. Pastaj me një avion të veçantë, deri në Havanë. Një udhëtim i lodhshëm gjithsesi, që zgjati dy dite, e dy net…!

Kush u priti në aeroportin e Havanës?

Veç zyrtarëve të protokollit, kishin dalë për të na pritur edhe përfaqësues të Partisë Komuniste. Kishte gjithashtu luftëtarë të shquar, që njiheshin si figura publike në atë periudhë në Kubë. I tërë aeroporti i Havanës, kishte marrë pamje festive. Atë ditë mbërritën aty me dhjetëra delegacione të vendeve të ‘Demokracive Popullore’, por edhe nga vende të tjera neutrale. Kishte sakaq miq e të njohur personalë të Fidel Kastros e, të Che Guevarës, që vinin nga të katërta anët e globit.

Cila ishte axhenda e delegacionit shqiptar, gjatë qëndrimit në Kubë?

Të nesërmen e mbërritjes, morëm pjesë në demonstrimin festiv me rastin e përvjetorit të fitores së Fidel Kastros, kundër diktatorit në Santiago de Cuba. Ishte një tubim i jashtëzakonshëm, gati si ato që zhvilloheshin në Tiranë, në vitet e para pasluftës. Kastrua dhe Che-ja, ishin kryefjala e të gjithëve. Për orë të tëra, Havanën e pushtuan brohoritjet dhe këngët revolucionare. Festimet vazhduan deri afër mbrëmjes.

Çfarë aktivitete të tjera ndoqët, veç festimeve të Havanës?

Në fakt, kishte një program të përbashkët, për të gjitha delegacionet pjesëmarrëse të cilin, autoritetet vendase e ndoqën me rigorozitet. Për delegacionin tonë veç atij, u rezervuan edhe tri veprimtari të tjera. Një takim me ministrin e Drejtësisë, një vizitë në plazhin Zhiron, plazhi më i madh i Kubës dhe një bashkëbisedim, me Che Guevarën.

Pra takimi me Che Guevaren ishte parashikuar nga pala kubaneze?

Che Guevara, erdhi personalisht të na takonte në hotelin ku ishim vendosur, në Havanë. Takimi miqësor u zhvillua në një nga dhomat e këtij hoteli. Me sa morëm vesh më vonë, ai ishte interesuar që ditën e parë për delegacionin tonë dhe ishte përpjekur për të krijuar mundësinë e një takimi konfidencial.

Për herë të parë, takoheshit me Che Guevarën?

Të paktën unë, e takoja për herë të parë. Nga aq sa dija në atë kohë, kuptoja se Che Guevara, ishte një revolucionar i një tipi të veçantë. Kisha dëgjuar se kishte bërë edhe një vizitë sekrete në Tiranë, në vitin ’60-të, por tek ne, jehona e emrit të tij, ishte ndier më herët. Përballja me të, ishte diçka mbresëlënëse. Che-ja u paraqit në orën e caktuar, veshur me rrobat karakteristike, beretën klasike dhe këmishën ushtarake me dy xhepa të mëdhenj. U përqafuam si miq të hershëm.

Fillimisht na pyeti si ndjeheshim mes luftëtarëve kubaneze, si na dukej Havana, njerëzit e saj, me kë ishim takuar e, për çfarë kishim biseduar. Pastaj u fokusua te përvoja kubaneze, duke u ndalur te fitorja mbi Batistën dhe problemet ekonomike me të cilat përballej revolucioni kubanez. Gjithçka në ligjëratën e tij, i referohej termave; revolucion dhe përmbysje revolucionare, të cilat i perceptonte si zhvillime që nisin nga periferia dhe kulmonin në qendër. Pikërisht kështu vepruam në Kubë, saktësoi Che-ja dhe populli na kuptoi e, na mbështeti derisa përmbysem diktatorin Batista.

Pra Che Guevara, promovonte revolucionin që lind në periferi e, shpërthen në qendër, diçka që stononte me filozofinë e revolucionit, që proklamonte Enveri në Tiranë?

Kjo ishte një nga çështjet për të cilat nuk ndanim mendim të njëjtë me Che Guevarën. Sidoqoftë, ne nuk ishim aty për t’i mbushur mendjen mbi mënyrën marksiste-leniniste të realizimit të revolucionit. Che-ja në vetvete, përfaqësonte protagonistin e një përmbysje revolucionare, që gjithsesi kishte sjellë asokohe një realitet shpresëdhënës në Kubë.

Çfarë biseduat me Che Guevarën, për marrëdhëniet midis dy vendeve tona?

Kjo ishte tema më interesante e bisedimeve. Che-ja u tregua i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke pohuar se ka pasur presione nga të tretë, këtu nënkuptohej Bashkimi Sovjetik, për marrëdhëniet dypalëshe; Shqipëri-Kubë. Pavarësisht kësaj shtoi ai, ne i kemi të gjitha mundësitë, për t’i thelluar ato në të ardhmen. Në fakt në Tiranë në atë periudhë, ishte hapur Ambasada Kubaneze, por nuk kishte ardhur ambasadori. Ndërkohe ne kishim akredituar në Havanë, ambasadorin tonë. Che-ja mendonte se kjo situatë e kushtëzuar nga roli i Moskës, shumë shpejt do të zgjidhej, por sipas tij, duhej angazhim nga të dyja palët.

Institucionalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, ai e shikonte si një ogur të mirë, për një situatë të favorshme për fatet e revolucionit ndërkombëtar. Na premtoi se nga pala e tyre, do te kapërcehej shpejt ngërçi dhe do bëheshin përpjekje për një mjedis të shëndoshë bashkëpunimi. Në këtë pikë, Che-ja parashikonte plane të përbashkëta me të rinjtë e të dyja vendeve. Rinia u shpreh ai, është shpirti i revolucionit. Pa mbështetjen e saj, nuk bëhet fjalë për triumf e fitore. Kjo çështje u bë shkak që të përqendrohemi në problemet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk më kujtohen detajet që u trajtuan aty, por kam fiksuar interesimin e Che Guevarës, për ngjarjet në Qipro.

Cili ishte mendimi i tij, për konfliktin në Qipro?

Che-ja nuk shfaqi ndonjë mendim konkret, por u interesua të dinte vlerësimin tonë për konfliktin e atëhershëm, ndërmjet komuniteteve greke e turke në Qipro. Ju jeni afër zonës problematike dhe padyshim e keni më të qartë shkakun e këtij konflikti, tha ai, duke këmbëngulur për t’u njohur me natyrën e përplasjeve. Reagimi ynë, nuk duhej të tejkalonte qëndrimin politik të shpallur zyrtarisht dhe aty për aty, u përgjigjëm me gjuhen standarde. Për ne, i thamë, konflikti në Qipro është një çështje e brendshme e dy komuniteteve atje dhe duhet të zgjidhet midis tyre.

Çfarë përshtypje u bëri Che Guevara gjatë takimit?

Krejt ndryshe nga sa kisha dijeni. Aty mësova se Che Guevara, ishte doktor dhe një figurë poliedrike, me temperament të qetë dhe të shtruar. Si figurë e dytë pas Fidel Kastros, Che-ja ishte tërësisht i kundërt me impulsivitetin e tij. Në atë kohë, revolucioni kubanez njihej si një nga më të fuqishmit dhe më të vështirët. Nga sa mësuam aty, kuptova se pavarësisht faktit që Che, kishte mbajtur peshën kryesore në këtë revolucion, ai ishte lenë disi në hije, nga Kastro. Sidoqoftë ky i fundit, nuk kishte mundur t’i mohonte Che-së, njohuritë e tij në organizimin e shtetit të ri kubanez, sidomos në fushën e ekonomisë.

Si e kujtonte Che Guevara, vizitën që kishte bërë në Tiranë, në vitin 1960?

Ajo kishte qenë një vizite e fshehtë dhe Che-ja shpjegonte se nuk mund të shprehej, për një çështje të arkivuar sekret, me vullnetin e të dyja palëve. I vetmi impresion i tij, lidhej me dhuratën e veçantë që i kishte falur kryeministri i vendit, Mehmet Shehu. Bëhej fjalë për një automatik “Kallashnikov”, të markës ‘Made In Albania’, të cilën siç thoshte Che-ja, e kishte suvenirin më të çmuar në shtëpinë e tij.

Në çfarë gjuhe komunikuat gjatë bisedimeve me Che Guevarën?

Ai preferoi te komunikonim frëngjisht dhe ashtu ndodhi.

Ndonjë mbresë tjetër?

Che-ja ishte një njeri karizmatik, ku një rol jo të vogël luante pamja e tij fizike, me veshjen tipike të luftëtarit të sapo kthyer nga fronti. Ndoshta për këtë, u bë idhulli i mijëra të rinjve, kudo në botë. Nga ai takim, ruaj si kujtim të rrallë, një fotografi realizuar me kërkesën e Che-së dhe shume mbresa të paharruara. Ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli që atëhere dhe mund të them jo pa krenari, se unë jam i vetmi shqiptar, ende i gjallë, qe jam takuar dhe kam biseduar me Che Guevarën

Po vizita te tjera bëtë, gjatë qëndrimit në Havanë?

Në Havanë qëndruam rreth dy javë. Veç takimit me Che Guevarën, zhvilluam dhe takime të tjera me funksionarë të ndryshëm ku trajtuam çështjen e shkëmbimeve tregtare, midis dy vendeve. Nga pala kubaneze, u pranua pa hezitim kërkesa jonë, për të importuar sheqer e, për të eksportuar aty konserva të ndryshme. Ishte kjo një iniciativë me shumë interes, që filloi menjëherë nga zbatimi. Gjatë ditëve të qëndrimit në Havanë, patëm rastin të vizitonim fabrikën e sheqerit dhe atë të prodhimit të litarit, të cilat njiheshin si më të famshmet, e industrisë kubaneze.

Gjinikasi: “Mysafir në shtëpinë e Eminguejit, me ftesë të Che Guevarës”

“Të vish në Kubë, e të mos shkosh në shtëpinë e Eminguejit, zëre se s’ke qenë fare”. Ftesa e Che Guevarës për të vizituar strehën e shkrimtarit të shquar, ishte disi e çuditshme, siç ishte i çuditshëm vetë ai. Kishim gati një javë në Havanë dhe të hutuar nga jehona festive e debateve politike, kishim harruar se ishim në vendlindjen e njërit prej korifenjve të letërsisë botërore. Ndërhyrja e Che-së, na zuri ne befasi. E mirëpritem me kënaqësi idenë e tij dhe i kërkuam të na ndihmonte për të vizituar shtëpinë e shkrimtarit të madh. “Nuk ka letërsia botërore një Eminguej te dytë”, shtoi Che-ja, duke veçuar karakterin shpërthyes e krenar të personazheve të tij, përballë mjerimit të një brezi të humbur.

Aty për aty, na tha se tri ditë më parë, kishin përkujtuar 3-vjetorin e vdekjes së poetit. Pastaj foli çaste të tëra për shkrimtarin e tij të zemrës. Të nesërmen në shoqërinë e njeriut që na besoi, shkuam mysafirë te streha e Eminguejit. Shtëpia e thjeshtë diku në periferi të Havanës, humbiste në një gjelbërim të ndezur. Njerëzit hynin e dilnin pa reshtur. Çdo gjë brenda, ishte ruajtur siç e kishte lenë i zoti. Kudo në faqet e murit, dalloheshin panoramat me lëkurë të kafshëve të egra. Po kështu edhe në dysheme. “Emingueji nuk preferoi kurrë tapet tjetër veç tyre”, na shpjegoi ciceroni. Një pamje kjo që të kujtonte folenë e një gjahtari, po sakaq ndjesia fashitej, kur afroheshe te tavolina e shkrimtarit.

Në syprinën mbi të, vështrimi i menduar i Eminguejit, dukej sikur sqaronte vizitorët. Pikërisht këtu, ka marrë jetë ‘Plaku dhe deti’,‘Lamtumirë armë’, ‘Për kë bien kambanat’, ‘Të kesh, a të mos kesh’, ‘Dëborërat e Kilimanxharos’, etj. Një pjesë e tyre sa kishin mbërritur tek ne. Të paktën brezi ynë, ishte njohur me to në shkolle. Sidoqoftë, momenti kur merrje në dore stilografin me të cilin ishin shkruar, ishte diçka e mrekullueshme. Sidomos për ne që vinim nga një kontinent i largët”.

Ditari i Che Guevarës, së fundi në shqip

Dorëshkrimet e Che Guevarës, ikonës së shekullit XX-të, siç e konsideron revista prestigjioze ‘Time’, janë zbardhur më së fundi dhe në shqip. Ka qenë përkujdesja e Shtëpisë Botuese “BOTART”, dhe e përkthyesit Piro Andoni, që kanë mundësuar botimin e librit. Ditari me mbresat nga ditët më dramatike të heroit të mitologjisë revolucionare. I shkruar në llogoret e luftës, atje ku Che u bë i famshëm, ky ditar është kthyer sot në një relike me vlerë të madhe, sidomos për brezin e ri, adhuruesin e zjarrtë të qëndresës së jashtëzakonshme të autorit, përballë padrejtësive, shtypjes dhe shfrytëzimit.

Libri përmban vlerësimet e personaliteteve të shumta për Che Guevaren, duke filluar nga; Benicio del Toro, Nelson Mandela, Rigoberta Menchu, Ariel Dorfman, Jean-Paul Sartre, e deri te Fidel Kastro. Një nga pjesët më interesante të botimit në shqip, janë kujtimet nga takimi sekret, i Ernesto Guevarës, me Mehmet Shehun në Tiranë në vitin 1960 dhe bisedimet e panjohura me delegacionin shqiptar në Kubeë, në korrikun e vitit 1964. Varianti i shqipëruar “Ditari i Che Guevarës”, i vënë në dukje të botuesit, është baza e skenarit të filmit e të Steven Soderbergh dhe Benicio Del Toro. Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-e-pyetem-che-guevaren-per-takimin-e-tij-sekret-me-mehmet-shehun-ne-vitin-1960-ne-tirane-ai-na-tha-takimi-i-panjohur-i-tre-funksionareve-shqiptare-me-heroin-e-revolucionit/