“Kur banonim në Gjirokastër, Enver Hoxha i propozoi disa herë Aurelias për fejesë dhe pasi mori refuzimin e prerë të saj, ai u betua që…”/ Kujtimet e italianit, nipi i ish-portierit të Kombëtares shqiptare

Nga Aldo Renato Terrusi

Pjesa e katërt

                                                    RIKTHIMI

Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonët dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezullt në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio-farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.

Vijon nga numri i kaluar

Xhiakomo dhe Xhaviti, të ulur tashmë ne kolltukë njësh,

vazhdojnë të risjellin në jetë kujtimet e tyre. Thuajse në majë të gishtave, Spartaku u sjell dy kafe ekspres dhe ulet krah nesh, ndërkohë që dy shokët e ngushtë, të pa shqetësuar, thellohen në kujtimet e tyre mes buzëqeshjesh e lotësh.

“Epo, pas dyzet e sa viteve kushedi sa emocione duhen

jetuar edhe një herë! Si thua Toli?

“Sigurisht, më mirë t’i lëmë vetëm. Gjithsesi, mua me vajti vonë, duhet të kthehem në ambasadë, do vij t’ju takoj në mbrëmje”.

“Mirë Toli, shihemi. Mirupafshim”.

Para se të largohet, Xhaviti na fton për dreke ne shtëpinë e tij ditën tjetër:

“E ke parasysh, shtëpia që ti e njeh mirë, ka mbetur po ajo, të kujtohet”? thotë duke iu drejtuar dajës.

“Do vijmë, aty nga ora 13.00”, i përgjigjet Xhiakomo.

“Dajë, doli prapë kohë e mirë, si thua të bëjmë një shëtitje të shkurtër dhe pastaj të kërkojmë ndonjë restorant të mirë”?

“Po, sigurisht. Shkojmë”.

Drejtohemi përgjatë bulevardit kryesor për nga stadiumi.

Pak më tej, në të majtën tonë, bie në sy Mauzoleu i Enver Hoxhës, të cilin e pamë me të mbërritur, një ndërtesë në formë konike, mbi sipërfaqen e jashtme të së cilës ndër këmbehen pjesë qelqi e të tjera me çimento. E lartë rreth 15 metra me një diametër rreth 40 m., dallohet dukshëm nga shtëpitë e varfra përreth. Pyesim një kalimtar nëse di ndonjë restorant të mirë, i cili me një italishte të përsosur na tregon një të tillë pas ish-vilës së Enverit, ku mund të shkohet lehtësisht me këmbë. Disa dhjetëra metra më tej dhe në mes të një parku, ja ku del një vilë e madhe dykatëshe në formë katër këndore e në stil të viteve ’40-të. Në anën e pasme gjejmë bar-restorantin që na treguan: spartan, por i pranueshëm. Lokali, një ndërtesë e ulët e ndërtuar së fundmi, quhet ‘Capriccio’ dhe ka edhe një sallë restoranti dhe një piano-bar të bollshëm.

Zëmë vend afër dritares me pamje nga vila e Enverit, mbi të cilën bëjnë hije pisha dhe eukalipte. Në restorant nuk ka shumë njerëz. Një kamerier servil, na pikas menjëherë që jemi italianë dhe gati sa si besohet që mund të shpërfaqë kulturën e tij për përtejdetit, bazuar në programe televizive, makina dhe futboll.

Me mirësjellje ia presim shkurt dhe i kërkojmë të hamë ndonjë ushqim tradicional. Në veçanti, më kujtohet cilësia e një buke të verdhë e bërë me miell misri që haja kur isha fëmijë, besoj quhet babanaz ose kallamoq. Ende më kujtohet aroma e saj kur e nxirrnin gjyshërit e mi prej furre në shtëpizën në Vlorë. Dajës i pëlqen të theksojë se babanazi është buka e zezë, ndërsa kallamoqi është ajo me miell misri. Kamarieri ua di emrat, por nuk njeh as njërën, as tjetrën. Sa keq!

Siç ndodh normalisht, na këshillojnë pjatat e ditës (me gjasë, vetëm ato kanë), që për ne prapë është shumë mirë. Pjatancat janë të këndshme dhe po aq të veçanta. Pas drekës duam të njihemi me kuzhinierin dhe na e plotësojnë dëshirën. Pas pak vjen e prezantohet një riosh pak lozonjar dhe simpatik:

“Kuzhinieri jam, më kërkuat gjë?”

“Po, sigurisht, donim të dinim recetat…”!

Na tregon se ka ndjekur një kurs gastronomie në Brindisi, prandaj dhe gjuhën e flet mirë. Duket i habitur, por i përkëdhelur në sedër nga komplimentet tona dhe unë nxitoj t’i kërkoj recetat e pjatave të pakmëparshme. Nuk ka klientë të tjerë, ndaj Boriçi, kështu e quanin, ma shuan me kënaqësi kureshtjen. Shkruaj:

Antipasta (Raki meze)

Rakia është një pije që shoqërohet me meze, domethënë copëza mishi qingji, djathë i bardhë deleje dhe ullinj.

Nga Selaniku, shpërngulja për në Gjirokastër

Vitaliano bashkëpunonte me të vëllanë, që ishte drejtues i një firme ndërtimi që i shkonin punët fjollë. Marrëdhëniet i kishin shumë të mira dhe shoqëria e tyre forcohej duke dhënë rezultate të kënaqshme. Familja e Vitalianos e ndante banesën me një familje refugjatësh armenë, që kishte një djalë me emrin Vahan. Ai i binte violinës, por stononte shumë. Por as edhe bezdia e atyre tingujve, nuk arriti të pakësonte harmoninë e atyre dy bashkësive. Jeta aty ishte më së shumti e qetë. Gratë i ishin përkushtuar mbarëvajtjes së shtëpisë dhe kujdesit të fëmijëve e burrave. Burrat, pasi ktheheshin të lodhur prej punës së përditshme, ulur në oborr, para një gote rakie dhe të mbështjellë nga tymi i duhanit, fillonin e komentonin për faktet e ditës.

Vitaliano kishte një qen gjahu metis që e quanin Buk. Kafsha, pasi ishte bërë tashmë ‘pjesëtar zyrtar’ i familjes, ishte mësuar të sillte në shtëpi blerjet e bëra në ushqimoren afër. Kthehej shumë krenar duke mbajtur në gojë rripin e një koshi plot me ushqime. Ndodhi një ditë që kur po kthehej e sulmoi një qen tjetër dhe patatet u derdhën në trotuar. Buk-u, pasi e kishte përzënë qenin që e sulmoi, i mblodhi patatet një nga një, i vuri në kosh sërish dhe i çoi në shtëpi. Që aty u kthye edhe në legjendë të lagjes. Vitalianoja dhe i vëllai Xhuzepe më në fund ia arritën ditës që të mund të ndërtonin një banesë të vërtetë, një vilë dykatëshe. Familja u vendos në katin përdhes dhe ia la me qera katin e parë një argjendari të pasur bashkë me të shoqen. Motrat e mia, Aurelia dhe Karmeni, arritën ta shndërronin atë që më parë ishte një djerrinë në një kopsht të këndshëm Përballë shtëpisë, ndërkohë që Vitalianoja mori në pronësi një kafaz pëllumbash.    Pasi e shitën vilën në Selanik, ishte e padiskutueshme shpërngulja në Shqipëri e gruas dhe fëmijëve. Me ndihmën një punëtori, Vitaliano ngarkoi në kamionin e tij amerikan Diamond plaçkat dhe familjen e vet dhe me vullnetin e Zotit, arriti ta vinte në punë atë mjet të hallakatur që dukej se do të shpërbëhej nga një çast në tjetrin.

U deshën dy ditë udhëtim për të përshkuar rrugën prej 200 kilometrash nga Selaniku në Sinanaj, duke përshkuar rrugë të pakalueshme, rraskapitëse dhe të këqija. Natën ndaluam në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, te rrethuar nga ushtarakë grekë e shqiptarë, nën kontrollin e italianëve dhe anglezëve.

Ditën tjetër, në mbrëmje vonë, mbërritëm në binanaj, një vend që më së shumti ngjante me një fushim banjash se sa me një qendër urbane. Në errësirë nuk e gjetëm dot shtëpinë që kishim marrë me qera dhe kështu fjetëm të gjithë në makinë. Në mëngjes, pak para se të dilte dielli, edhe pse me batanije dhe veshje të trasha, i ftohti ishte aq therës, sa duhej të ndiznim motorin e kamionit që të ngroheshim disi. Më në fund, pas shumë gabimesh e ngatërresash rrugësh si pasojë e mjegullës së vazhdueshme, arritëm në prag të banesës së re.

Vila e vogël, e mbështjellë prej mjegullës dhe e humbur aty në mes të fshatit, kishte një hije disi te fantazmat: ishte një ndërtim i vjetër që gati sa s po shembej, me mure llaçi e druri që tregonin edhe të çara të dukshme. Çatia rakitike as që bëhej fjalë të të jepte siguri dhe bari i harlisur e mbështillte sikur donte t’i merrte frymën. Pasi hapëm trinën kërkëllitëse dhe gjithë pluhur, duhej të çanim udhën nëpër rrjetat e merimangave. Dy dhoma të errëta, një kuzhinë e nxirë nga tymi, një banjo alla turke dhe lavamani prej guri në gjendje të mjerueshme e hundë shpues nga aroma e keqe. Për fat të keq, duhej t’i bënim ballë ligjit të rëndë të mbijetesës: pavarësisht ankesave të gruas dhe murmuritjeve të kalamajve, duhej të përshtateshin. Vitaliano nuk e humbi toruan. Me ndihmën e punëtorëve të vet, forcoi çatinë, futi karton në të çarat e mureve për të thithur lagështirën dhe kositi barërat e këqija. Gratë, me fshesa të vogla e të mëdha, bënë ç’ishte e mundur për ta pastruar atë karakatinë.

Disa ditë më vonë, mama Ema, ndërkohë që po mundohej të ndizte oxhakun në kuzhinë, dëgjoi ulërimat e Karmenit që po luante në dhomë. Një gjarpër kishte nxjerrë kokën nga mbushjet e kartonit. Reagimi i parë ishte t’u kërkonin ndihmë fqinjëve dhe punëtorëve të Vitalianos, për ta përzënë gjarprin, që gjithaq ishte trembur nga gërthitjet dhe kishte hyrë në strofullën e vet. Punëtorët dhe banorët e zonës nuk ua këshilluan këtë veprim, përkundrazi, e quajtën me fat këtë ngjarje, sepse vendi ishte mbushur plot minj dhe gjarpërinjtë ishin armiqtë e tyre të betuar dhe përveç kësaj, nuk përben rrezik për njerëzit. Pra, ato të çara u pa se ishin thjesht shtëpiza e një familjeje të mirë ushqyer gjarpërinjsh. Kështu që për nja një vit, deri kur përfunduan punimet e urës, qemë të detyruar të bashkëjetonim me një bashkësi zvarranikësh, që për më tepër, nuk të binte në qafë.

Kështu që e gjithë familja, siç ishte, ndoqi nga pas firmën e Vitalianos. Morën me qera një shtëpi shumë mikpritëse në pjesën e epërme të qytetit; prej aty, përgjatë kurrizit, mund te shijoje një panoramë të mrekullueshme. Si gjithë qytetet e nënshtruara bastisjeve të pushtuesve të dikurshëm, edhe Gjirokastra ishte ndërtuar në funksion të nevojave të veta mbrojtëse. Qyteti i vjetër varej për kodre me shtëpitë e veta me çati karakteristike të mbuluara nga rrasa të mëdha guri të murrme. Arkitektura tradicionale e qytetit të vjetër ishte shumë e bukur dhe e mirëmbajtur, shtëpitë nuk kishin ballkone, por shumë dritare ngjitur njëra me tjetrën me korniza të punuara. Nga përpara tyre kishte veranda shumë elegante, të cilat zbukuronin fasadat, ndërsa të tjera më të vogla ishin të ndërtuara në cepat e banesave, duke u mbivendosur te njëra-tjetra, nëpër rrugicat e tatëpjeta dhe të ngushta të qytezës. Rrugicat ishin shtruar me kalldrëm, me një simetri shumë të kujdesshme,por ku kishin lënë gjurmë thellësisht rrotat e qerreve që shkonin në ara.

Drejt fushës po ndërtoheshin lagje të reja. Përbri shtëpisë sonë ishte ajo e Enver Hoxhës. Vitalianoja dhe babai i Enverit u njohën dhe u miqësuan. Shpesh takoheshin për shkak të pasionit të përbashkët për gjuetinë dhe bënin shaka në gjuhën turke, të cilën e njihnin që të dy. Paratë për qiranë e asaj shtëpie të bukur, shumë shpejt nuk mjaftonin më, pasi puna po pakësohej dhe nuk ishte e lehtë të mbaje një familje të madhe, të cilës i ishte shtuar edhe nëna e Emës, Serafina, të cilës i kishte vdekur i shoqi para pak kohësh. Morëm me qera një apartament të vogël sipër një furre, por shumë shpejt u pa se ishte plot me minj të uritur që brenin gjithçka. Gjarpërinjtë i duruam për thuajse një vit, po tani të duroje dhe minjtë as që bëhej fjalë, ndaj u detyruam të bënim gati plaçkat edhe një herë. U shpërngulëm në një apartament në rrugën kryesore që të çonte drejt qendrës së qytetit.

Vitalianoja, pasi ra dakord me të zotin, e kurseu qiranë duke ndërtuar si këmbim një verandë në katin e parë të asaj ndërtese. Firma e tij filloi të njihej dhe ta kërkonin për rindërtimin e banesave dhe shtëpive të disa familjeve italiane që kishin ardhur aty prej pak kohësh. Kështu që mirëqenia filloi përsëri të na trokiste ne derë. Mes rruginave të ngushta të Gjirokastrës, Enveri, atëherë njëzetvjeçar, takoi për herë të parë Aurelian, që në atë kohë ishte 16 vjeç. Kur u fejua Tahiri, një prej djemve të të zotit të shtëpisë së Vitalianos, u bë një festë e madhe, ku u ftuan shumë të rinj të mëhallës, midis të cilëve Aurelia, Karmeni dhe Enveri. Gjatë festës, të gjithë, të rinj e jo te rinj, këndonin e kërcenin nën tingujt e mandolinave. Rreth oxhakut, të ulur në shilte dhe sixhade, hëngrën e pinë me bollëk dhe aty nga mbrëmja, sidomos të rinjtë, nuk mund të rrinin dot në këmbë. Kjo ishte hera e dytë që Enveri pa Aurelian dhe aty i ra në kokë.

Aurelia ishte vajzë e bukur, e gjatë, këmbëhollë, me fytyrë të rregullt, flokë gështenjë, të kuqërremtë dhe me kaçurrela, vështrim shpenguar, me karakter të fortë, elegante në lëvizje dhe në veshje. Një vajzë e huaj, shumë e ndryshme nga vajzëria e qytetit, e cila tërhoqi menjëherë vëmendjen e të riut Enver.

Enveri ishte një djalosh i bukur, brun, i shkathët, simpatik, pak mendjemadh, me ide politike radikale. Në moshën 16 vjeçare, kishte qenë mes themeluesve të shoqërisë së studentëve të Gjirokastrës, përshkuar nga shpirti demokratiko-revolucionar, ku kishte mbajtur rolin e sekretarit. Udhëhoqi protestën e studentëve progresistë, kur selia e tyre u mbyll nga qeveria një vit pas themelimit. Më pas, Enveri iku nga Gjirokastra dhe shkoi në Korçë, ku vazhdoi studimet në liceun francez të qytetit. Aty Enveri lexoi për herë të parë Manifestin e Partisë Komuniste të cilin, ia dha një punëtor me emrin Koci Bako dhe po në këtë kohë mësoi edhe për Revolucionin Socialist të Tetorit. U zhyt në leximin e atyre ‘filozofive të reja’ që e mbushën me entuziazëm dhe i shërbyen si baza për prirjet e tij politike. Ndërsa Aurelia sapo kishte mbaruar gjimnazin e murgeshave franceze të Selanikut dhe ishte bërë zonjushëza e shtëpisë.

Vendi ishte i vogël dhe shpesh vështrimet e Aurelias dhe Enverit ndesheshin. Çfarë nuk bëri djaloshi për t’u miqësuar me Aurelian! Kalonte shumë më shpesh para shtëpisë sonë për të rënë sy. Me ndihmën e të motrës Xhemiles, i solli edhe disa pusulla. U prezantua te prindërit tanë dhe kështu u bë mik me ta.

Aurelias i rrëfeu krenarinë e tij prej patrioti dhe vullnetin e rebelimit ndaj politikës shqiptare të kohës. U përpoq ta bindte ta ndiqte në idealet e tij. Por idetë e Aurelias ishin shumë larg nga ato të shokut të saj. I propozoi edhe të fejoheshin, por mori si përgjigje një refuzim të prerë: shokë po, por asgjë më shumë. Enveri nuk u dorëzua dhe vazhdonte të mendonte për atë vajzë aq të ndryshme nga gjithë të tjerat që kishte njohur. I sillte dhurata, vazhdonte t’i propozonte vazhdimisht. Pritja e vajzës, sa herë ai kthehej nga Korça, ishte shumë e vakët. Por as Enveri nuk ishte tipi që e lëshonte aq lehtë prenë. Familjet përkatëse njiheshin, kishin respekt, por nuk kishin shumë hyrje-dalje. Këtë ndryshim e vuloste arsimi dhe niveli shoqëror, përveçse dhe kombësia.

Familja jonë gëzonte njëfarë lartësie dhe rëndësie shoqërore që vinte si pasojë e firmës së ndërtimit dhe nga përkatësia e rrethit të ngushtë të komunitetit të mrekullueshëm Italian. Familja e Enverit, me të atin punëtor dhe nënën shtëpiake, bënte një jetë të thjeshtë dhe ishte e lidhur rrënjësisht pas traditës shqiptare. Motra e Enverit, Xhemilja, ishte shoqja e vërtetë dhe e vetme e Karmenit, e cila ndjehej përherë e mposhtur nga personaliteti i fortë i Aurelias. Xhelozia e lehtë për motrën e madhe, e bukur dhe në qendër të vëmendjes, e shoqëroi për gjithë jetën. Karmeni dhe Xhemilja, shoqëroheshin sepse pak a shumë, plotësonin njëra-tjetrën. Karmeni ndjehej e mbrojtur nga Xhemilja, që ishte disa vite më e madhe se ajo, ndërsa Xhemilja, ndjehej e rëndësishme para asaj vogëlusheje gjithë hidhësi, por të trishtuar e të vetmuar.

Në verën e vitit 1930, Enveri mbaroi me rezultate shumë të mira studimet në Liceun e Korçës dhe po atë vit fitoi një bursë studimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Monpelje, Francë.

Krenar dhe ballëlartë, Enveri u kthye në Gjirokastër për pushimet verore. Vazhdoi të kërkonte Aurelian. I tregoi gjithë përvojën e vet franceze dhe i dhuroi një libër që ajo e ruajti me fanatizëm përgjatë viteve. Libri ‘Les cent vues de Paris’ me një dedikim dhe autograf, “En souvenir d’amitië Enver Hoxha stëudiant an Medicine. Gjirokastër 21 – VIII 1930”, përshkruante monumentet më të rëndësishëm të Parisit. Enveri u kthye në Monpelje për studimet, por në të vërtetë interesi i tij drejtohej përherë e më shumë kah politika. Ndiqte me interes të veçantë konferencat e Partisë Komuniste Franceze për shoqatat e punëtorëve. U zhvendos në Paris, ku u thellua në studimin e veprave të Marksit dhe Engelsit dhe provoi të vazhdonte universitetin.

I entuziazmuar nga leximet e reja mbi filozofinë marksiste, u kthye në Gjirokastër, duke u përpjekur ta bindte Aurelian të bëhej pjesë e atij zbulimi revolucionar, në të cilin ai tashmë besonte verbërisht. Aurelia nuk i kuptonte ato ide të çuditshme, kaq shumë të largëta nga bota e saj. Kështu që miqësia e tyre u zbeh, mendimet e tyre morën drejtime të kundërta. Mirëkuptimi dhe besimi i një kohe, ia lanë vendim moskuptimit dhe dyshimit.

Enveri vazhdonte të vërtitej sa në Paris në Gjirokastër, duke vendosur kontakte me ‘personat e padëshiruar’ nga Mbreti Zog i I-rë. Aurelia ndiqte mbarëvajtjen e shtëpisë, drejtonte me vendosmëri punët e shtëpisë dhe ishte shumë e rreptë me ne.

Gjatë njërës prej vizitave të tij të fundit në Gjirokastër, Enveri mori edhe refuzimin e patundur dhe përfundimtar të Aurelias. Këtë e konsideroi si një shuplakë dhe, mbushur me inat, i’u betua vetes së nuk do ta shihte më kurrë me sy atë grua.

Unë vazhdoja studimet e qëndrueshme në kolegjin e Piaristëve në Korfuz, nën kontrollin dhe tutelën e priftërinjve të rreptë dhe kërkues, por që ama në kohën e lirë luanin me kënaqësi futboll me fëmijët. Pushimet i bëja në shtëpi. Kisha një pasion shumë të madh për kafshët dhe kaloja shumë kohë në ‘kopshtin zoologjik’që kishte ndërtuar babai pas shtëpisë. Italianët gëzonin vlerësimin e të gjithëve: punonin dheu jepnin punë vendlindjeve.

Në komunitetin italian gëlonin takimet, mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit për çaj, flitej për politikë, ekonomi, tregti, zhvillim industrial, për problemet mes kombësive të ndryshme.

Kishin ngritur madje edhe një rreth të brixhit lojë të cilën vogëlushja Karmen e zotëronte mrekullisht. Edhe don Marioja, prifti katolik i Korfuzit, vinte në shtëpinë tonë, kur shkonte të mbante meshë në kishë. Xhuzepe Terruzi, lindi në Palermo në vitin 1900, por banonte në Pulia, në qytezën e Kastelanetës. Banonte me nënën Rozën dhe të motrën Kiara, me të cilat ishte shumë i lidhur. I ati Nikola, ishte marrosur pas një gruaje tjetër, i kishte braktisur gruan e fëmijët dhe jetonte me gruan e re ne Sala Konsilina në Kampania. Që nga ai çast, Xhuzepja nuk e pa kurrë më, duke ushqyer për të gjatë gjithë jetës përçmim. Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-banonim-ne-gjirokaster-enver-hoxha-i-propozoi-disa-here-aurelias-per-fejese-dhe-pasi-mori-refuzimin-e-prere-te-saj-ai-u-betua-qe-kujtimet-e-italianit-nipi-i-ish-portierit/