“Kryetari i Parlamentit tha; për interesin e atdheut e të nderit të shqiptarëve, u vendos, që Mbretëresha bashkë me Princin, të largohen nga Tirana…”/ Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit

Nga Hysen Selmani

Pjesa e dymbëdhjetë

Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

                                         Vijon nga numri i kaluar

“Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, e kryetari Shtatmadhorisë, gjeneral Gustav Myrdash dhe N/kryetari i Shtatmadhorisë, N/kolonel Sami Koka dhe Baron Kishner, dhe si ndihmës i komandantit të Ushtrisë, kolonel Shefki Shatku, sipas urdhrave të dhëna me kohë. Po ua konfirmoj edhe një herë, se, e gjithë përgjegjësia e mosplotësimit dhe të zbatimit të mbrojtjes së Atdheut, jeni ju përgjegjës dhe më keni dhënë të gjitha sigurimet e plotësimit, përsa i përket planit të paraqitur, e kjo mjafton për vijat e para. Pra, deri tani të viheni në krye të detyrës e, të keni të plotësuar të gjitha mungesat, se koha nuk pret. Dhe duhet ta dini veten, se jeni në luftë dhe tani nuk ju pengon asgjë, për çdo lëvizje ushtarake dhe mobilizimi, se ajo që na pengonte më përpara, ishte fakti që mos të binim në sy, të aleates sonë Italisë.

Ajo sot, është e vendosur të na sulmojë ushtarakisht, pra ju viheni në krye të detyrës së shenjtë, që ju përket për mbrojtjen e Atdheut, duke mos lejuar shkeljen e tokës sonë, pa gjak. E dimë, si ne dha bota mbarë, se Ushtria jonë, e pa armatosur dhe e vogël, kundër një fuqie të madhe kolosale, rreth 50 herë më e madhe se e jona, e armatosur me armët më modern, nuk mundemi ta ndalojmë. Por, ta marrë vesh bota mbarë, se shqiptari nuk përulet për të drejtat e veta, por vdes me nder. Dhe, po ju siguroj se: gjaku i pastër i ushtarit tone, ka për të siguruar independencën e Shtetit vetë, me plot ndershmëri e ngadhënjim, përpara botës së qytetëruar. E përgjegjësia është mbi ju, e nuk ka asnjë justifikim, duhet qysh në këtë minutë, të jemi të gatshëm për të kryer detyrën, se koha nuk pret tani. Ju përgjegjësit e Ushtrisë Kombëtare, të viheni në krye të detyrës të shenjtë dhe ju shtrëngoj dorën, duke ju thënë, që Zoti qoftë me Ushtrinë tonë trime”.

Pas kësaj, komandantët menjëherë dolën. Kjo ishte fjala para Asamblesë Kombëtare, e Lartmadhërisë. Pasi komandantët dolën, Mbreti, hipi për pak minuta lart, e la mbledhjen të bisedojnë. Ajo që pritej, ishte ndonjë lajm prej komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, mbi plotësimin e disa qendrave që ende nuk janë plotësuar, pasi përgjithësisht, ishin urdhëruar për t’u sistemuar në bazat e caktuara, kujton adjutanti.

Asambleja Kombëtare ora 12 e mbrëmjes

Pasi doli Mbreti Zog, mbledhja mori në shqyrtim sa i përket Madhërisë së Saj, Mbretëreshës të sëmurë, dhe të Princit Trashëgimtar, që akoma nuk kishte mbushur 30 orë, për mënyrën e vendosjes së tyre në një vend të sigurt dhe të përshtatshëm. Po ashtu dhe sa më shpejt, që të dilnin nga Tirana, kujton adjutanti.

“Duke diskutuar dhe pasi Zonat Veri-Lindore nuk janë tanimë të përshtatshme nga dyshimet jugosllave, siç e marr për bazë Shkodra dhe Homeshi, këto u lanë vetëm se në Jug. Dhe, sa për në Jug, u pa më e arsyeshme në çdo pikëpamje, ku në ato zona do të vendosej edhe qendra e Qeverisë, është Korça. Ky ishte vendi më i sigurt, për vendosjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës, e Princit Trashëgimtar. Pra, kjo u pa më e drejtë. Pasi u rrahën mendimet, duke studiuar pikë për pikë mundësitë dhe ngjarjet eventuale që mund të lindin, u pa më e përshtatshme, Korça dhe krahinat e saj, dhe kështu njëzëri, mbledhja e Asamblesë Kombëtare, vendosi që sot, Madhëria e Saj Mbretëresha, me Princin Trashëgimtar, të nisen prej Tirane për në Korçë”.

Zog I-rë Mbreti Shqiptarëve, hyri në mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë Kombëtare, në orën 12 të natës datë 6 Prill 1939. Por, sa u ul Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli, në emër të Asamblesë Kombëtare, i parashtroi vendimin e marrë kështu: “Lartmadhëri, Parlamenti dhe Qeveria së bashku, duke marrë parasysh ngjarjet eventuale, që mund të na lindin minutë më minutë, për interesin e Atdheut e, të nderit të shqiptarëve mbarë, e për të qenë të lirë në veprimet që Atdheu lyp prej nesh, vendosi që: Madhëria e Saj, Mbretëresha, bashkë me Princin Trashëgimtar, qysh sot të dalin nga Tirana, për në Korçë, ai vend u caktua më i përshtatshëm”.

Mbreti nuk pranon fillimisht, që të largohet Mbretëresha dhe Princi Leka. “Ajo, do të vuajë njësoj si të gjithë familjet e tjera shqiptare, që do t’i vriten djemtë. Tani të shikojmë detyrën e atdheut”, thotë ai. Por, pas pak, fjalën e merr Mehdi Frashëri dhe pas tij, Pandeli Evangjeli. Ky i preçizon Mbretit se, duhen marra masa që, edhe ai duhet të largohet, sepse, realiteti është i vështirë. “Të gjitha dëshirat e lutjet e të gjithë këtyre të tjerëve, janë të miat, se jam plak. E pra, jepna fjalën se, e pranoni vendimin e Përfaqësuesve të popullit, se nuk ulem, pa e marrë fjalën tuaj. Sepse ky vendim, nuk është marrë për hatër, por lidhen interesat e kombit me to historikisht”, thotë Pandeli Evangjeli. Por në Tiranë, ka aguar mëngjesi. Më 7 prill 1939 dhe në orën 4 të mëngjesit, Mbretëresha dhe Princi Trashëgimtar, u nisën prej Tirane, për në Korçë, me drejtimin për në: Krrabë, Elbasan, Librazhd, Qafë –Thanë dhe Pogradec e Korçë. U përshëndet Mbretëresha me Kryeministrin Kotta, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Ekrem Libohovën dhe me kolonel Hysen Selmanin e u nisën. Ndërkohë, një orë më vonë, flota italiane ka hyrë në Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. Nga raportimet e para, ashtu si pritet janë vetëm pak forca që i mbrojnë portet Lamtumirë Shqipëri.

Tiranë, 7 prill 1939 – Ora 10.30 e mëngjesit

Zogu I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, në këtë orë shkoi në stacionin e Radio-Tiranës dhe i drejtoi shqiptarëve dhe botës mbarë, një thirrje e përkrahje, kundër Italisë fashiste, duke vënë në dukje se; forcat e mëdha të saj dhe armët më moderne për në det, ajër e tokë, sulmoi Shqipërinë, ku po luftohet pa armë dhe krejtësisht të izoluar nga bota. Pas mesazhit të Mbretit Zog, në radio, më pas foli edhe Mehdi Frashëri, duke i dhënë botës të kuptojë, se Italia fashiste, e armatosur me armët më moderne, sulmoi Shqipërinë e vogël, e të pa armatosur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve, nga deti, toka dhe 300 aeroplanë, manovrojnë mbi qytetet shqiptare, duke bombarduar një shtet të vogël e të pa armatosur!

Tiranë, më 7 prill 1939 – ora 7 pasdite

Në këtë kohë, Parlamenti duke studiuar mirë gjendjen, si edhe heshtjet e protestave, vendosi të tërhiqet nga Tirana, në krahinat e Korçës. Kjo pasi, vendimi i parë qe marrë për në Shkodër e Homesh, u anullua nga sjelljet e Jugosllavisë, që ishin shumë të dëmshme. Kjo bëri që, të përkrahej me çdo lloj mjeti, propaganda fashizmi. Jo për tjetër, vetëm se sot për të keqen tonë e, nesër për të zezën e Jugosllavisë, nuk na lejojnë. Që tani, kanë filluar duke qarkulluar propaganda se; Shkodrën, do ta okupojnë jugosllavët, që u qenka dhënë si shpërblim prej fashizmit. Gjithashtu, fashizmi në të gjithë anët e botës, lajmëronte se; në Shqipëri ka shpërthyer një kryengritje e madhe kundër qeverisë, e kërkojnë pa masë ndërhyrjen e ushtrisë italiane.

Pas gjithë këtyre. Parlamenti bashkë me Këshillin e Shtetit, në orën 7 të mbrëmjes, porsa u err, u nisën për në Pogradec, në drejtimin Krrabë – Elbasan – Librazhd – Qafë-Thanë – Pogradec, hë për hë, aty do të qëndronin, duke patur me vete dhe një stacion radio R.3, për t’u lidhur me qeverinë, si dhe ishin marrë masat, për sigurimin e tyre dhe të vendit. Mbreti Zog, bashkë me Qeverinë, akoma ndodhet në Tiranë. Është ora 8 e mbrëmjes dhe përpiqej, duke rrahur mendime për çdo mënyrë, me komandantët, që të bëhej prej rezervës një mësymje, pasi armiku është tepër i frikësuar. Ai nuk përparon dhe është sistemuar në lartësinë e Shijakut. Në Vorë, Prezë, Yzberisht, Valijas, akoma ndodhen forcat e vogla tonat, e ndërsa kreshnikët, ende nuk janë afruar. Ndërsa tani, zhvillohet një propagandë e madhe gjithandej.

Mbreti Zog, prap bëri shumë tentative si pranë anglo – francezëve dhe pranë Turqisë, Greqisë e Jugosllavisë, se nuk dëshironte ta linte vendin, pa një luftë të fortë. E pastaj, ishte i vendosur që për 6 muaj, ta vazhdonte luftën në rrëzat e maleve të Shqipërisë, sepse, kishte bindjen e plotë, se lufta europiane, nuk kishte për të kaluar vitin, kështu i vendosur që lufta e përgjithshme, ka zënë brenda në Shqipëri. Por, fatkeqësisht, e këshillonin të largohej jashtë Shqipërisë, se mund të shkaktohen ngjarje jo të dobishme, për Shqipërinë.

Tiranë, 7- 8 prill 1939

Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, kryetar i Shtatmadhorisë, gjeneral Gustav Myrdash, komandanti i Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, në orën 1 pas mesnate, u paraqitën para Lartmadhërisë së tij, Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve. Ata i parashtruan se: jo që nuk ka asnjë mundësi, për një përgatitje qoftë edhe e vogël, por një kundërmësymje, është e pamundur. “Tani, komandantëve të zonave, nuk japin asnjë përgjigje. Përveç kolonel Ali Rizasë, që tani pas ngjarjes së Gjirokastrës, është tërhequr në grykat e Këlcyrës, por vetëm me kompaninë e Rojës së Kufirit, nën kapiten Dod Nikollën, ndërsa kapiten Haxhi Xhilaga, me dy kompanitë e kursit, është tërhequr në Gjirokastër”.

Ata i parashtruan Mbretit: “Madhëri, tani lipset të tërhiqeni nga Tirana, sepse Madhëria juaj, po ashtu dhe Qeveria, se nuk ka asnjë arsye për të ndenjur këtu, se mos të pësojmë ndonjë ngjarje të padobishme”.

Komandantët, kur po i parashtrojnë Mbretit këtë gjendje të re të shkaktuar, shumë kritike, ishin tepër të shqetësuar e të tronditur. Mbreti Zog, menjëherë i urdhëroi që këto ngjarje, në hollësi të ja parashtrojnë Qeverisë dhe së bashku, si Qeveria ashtu dhe komandantët, të vijnë në pallat. Këtu do të diskutohet mbi largimin si edhe mënyra e tërheqjes. Natyrisht, duke lënë një fuqi në kryeqytet, që kryeqyteti mos të bjerë në dorë para një jave, kurse komandantët, i parashtruan se: “Këtë do ta studiojmë, po pa fryt, se forcat motorike italiane, tani po i afrohen Vorës dhe marshojnë mbi Rrogozhinë, se nuk jemi mirë dhe në asnjë mënyrë, nuk na lejon situata e rikrijuar, të marrim një masë, përsa është dëshira e Madhërisë Suaj”. Menjëherë, ata pastaj shkuan në Kryeministri.

Në këtë datë, në orën 2 pas mesnate, u mblodh Qeveria dhe komandantët në Pallat, pasi u morën hollësisht në bisedime. Përsa parashtruan komandantët, ata morën vendimin, për t’u tërhequr në Elbasan dhe më vonë në Librazhd e Pogradec. Në këtë të fundit, ndodhej edhe Parlamenti, bashkë me Këshillin e Shtetit. Menjëherë u morën masat e sigurimit mbi rrugën Peqin- Elbasan, për çdo ndodhi, ndërsa propaganda e madhe, orë në orë që zhvillohej prej Italisë dhe Jugosllavisë, gjoja se në Shqipëri, ka plasur një kryengritje shumë e madhe dhe janë kërkuar forcat italiane, të hyjnë në Shqipëri për të stabilizuar qetësinë e vendit. Pas këtij vendimi, në orën 3 pasmesnate, Madhëria e tij, Mbreti Zog, Qeveria Mbretërore dhe Komanda, liruan kryeqytetin e Tiranës dhe u nisën për në Elbasan, Librazhd, Qafë-Thanë. Mbreti, në Elbasan nuk qëndroi, po në Rrajcë – zonë e Librazhdit dhe Qafë – Thanë, qëndroi disa orë. Nga Qafë-Thana, urdhëroi komandën që të lidhej me Tiranën, Krrabën, Bejlikë dhe eventualisht edhe me vende të tjera, por nuk qe e mundur, se dukej që linjat telefonike, ishin të prera nga agjentët italo -jugosllavë.

Nga ora 10 e datës 8 prill 1939, arriti në Pogradec bashkë me Qeverinë. Aty, siç u përmend, ndodhej edhe Parlamenti. Mbreti menjëherë, urdhëroi Komandantët aty, të lidhen me Tiranën, Shkodrën, Burrelin, Dibrën, Kukësin, Beljikën, Elbasanin dhe Këlcyrën, me anën e radios R.3, ndërsa Kryeministrin, bashkë me kolonel Hysen Selmanin, i dërgoi në Korçë, për të hyrë mundësisht në kontakte me kryeministrin Grek, Metaksai, me anën e Konsullit Grek, në Korçë.

Qeveria Greke, shumë e frikësuar, jo që nuk na u përgjigj kërkesave tona, për një ndihmë armësh, por me këmbëngulje, insistuan që brenda 10 orëve, do të mbyllim kufirin, nga një notë shumë e ashpër italiane, e të tjera gjëra që në asnjë mënyrë prej grekëve, nuk pritej kurrgjë. Pastaj, shkuam në Prefekturë. Aty ishte Prefekti, Vili Vasjari. Qetësia e Korçës, ishte e mirë, megjithëse nuk kishte xhandarë.

Por menjëherë, urdhëruam kolonel Preng Pervizin, që me Garnizonin e Korçës, si edhe Batalionin e Instruksionit të Kufirit, që nuk kishte shkuar për Këlcyrë, i vumë në dispozicionin e Prefektit dhe u kthyem në Pogradec. Aty natyrisht, Qeveria bashkë me Parlamentin, nën kryesinë e Mbretit Zog, po bisedonin, duke rrahur të gjitha problemet. Kryeministri Kotta, i parashtroi mbi sa bisedoi me Athinën, si edhe mbi situatën e Korçës, Mbreti tha: “Kjo nuk na habit, se i kemi kuptuar me kohë, se që kur pashë bisedimet që pata me përfaqësuesit e shteteve të mëdha, si të Britanisë së Madhe, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vërtetua, se Musolinit, i ishte lënë dorë e lirë në Shqipëri.

Kjo, jo vetëm nga aleati i tij, Hitleri, por tërthorazi, edhe nga bota demokratike. Sepse këtë të fundit, shpresonin se me  një qëndrim të tillë, do të shpëtonin nga një luftë e përgjithshme. Mjerisht, shembujt e Austrisë dhe të Çekosllovakisë, duke se nuk kanë qenë shumë të mjaftueshme, të kuptonin se qëllimi i bushtit: Berlin-Romë, ishte predominimi i Europës mbarë dhe në këtë drejtim, okupimi i Shqipërisë, nuk u paraqit si një zmadhim, për Italinë fashiste. Por më tepër, vlente si një krye-urë mësymje, kundër shteteve Ballkanike”.

Njëkohësisht, dy pikat e vërtetuan qartazi, qëllimin e Musolonit: e para, kur ushtria fashiste po grumbullohej në Brindizi dhe në Bari, Musolini, mundohej me premtime të ndryshme, ta bindte Mbretin Zog, të pranonte kushtet e tij, e dyta, Jugosllavia dhe Greqia, të kërcënuara nga nazifashizmi, u trembën, dhe me shpresë shpëtimi, i lanë dorë të lirë fashizmit në Shqipëri, duke i lënë të kuptonin njëkohësisht, Qeverisë Shqiptare, se nuk e shihnin me sy të mirë, qëndrimin e saj, kundër Italisë. Dhe ishin të shtrënguar, të mos lejonin asnjë lëvizje luftarake, në afërsi të kufirit të tyre.

Shqipëria pra, jo vetëm që nuk kishte asnjë shpresë përkrahje për materiale, por i mungonte dhe çdo ndihmë morale nga fqinjët e saj. Siç është përmendur dhe më parë se plani i Zogut, Mbretit të Shqiptarëve, ishte për të vazhduar qëndresën kundër fuqive fashiste, e pakta për gjashtë muaj. Por, duke mos pasur asnjë shpresë përkrahje, që ju refuzua kryekëput nga Fuqitë e Mëdha, dhe të fqinjëve të Shqipërisë, ky plan dështoi. Mbreti Zog, është munduar deri në minutën e fundit, që t’i bindte këto shtete, që të paktën, të mos pengonin tërthorazi qëndresën shqiptare, kur aeroplanët e Duçes, bombardonin portet e Shqipërisë, e fluturonin jo më lartë se 100 metra, mbi shtëpitë e qyteteve shqiptare. Shtetet e Ballkanit, bënin sehir dhe nuk na u përgjigjën.

Pogradec, 8 prill 1989, ora 5 pasdite

Në këtë datë, në orën 5 pasdite, duke u bazuar në gjendjen e vështirë të lartpërmendur, Parlamenti bashkë me Qeverinë, të mbledhur në formë asambleje, duke i studiuar me më imtësi rrethanat, si përjashta, po ashtu dhe të brendshmet, pas një bisedimi të gjatë, duke e gjykuar në përgjithësi, u pa se çdo veprim ushtarak, nuk do të sillte asnjë dobi, përkundrazi, mund të shkaktonte dëme. Ai vendosi, për herën e dytë, duke veshur Lartmadhërinë e Tij, Zogu i I-rë, me gjithë fuqitë kushtetuese, që të veprojë, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, bashkë me Qeverinë, për të mbrojtur lirisht dhe sa më mirë të drejtat dhe interesat e Kombit.

Kryeministri Kotta, në emrin e Qeverisë Mbretërore, si edhe të N/Kryetarit të Parlamentit, Hiqmet Delvina, me një përfaqësi deputetësh, në emrin e Parlamentit, shkuam dhe ja parashtruam Mbretit Zog, vendimin e Asamblesë Kombëtare, që u morr në lidhje me ngjarjet e ditës, qofshin nga shtetet e huaja, po ashtu dhe situatën e brendshme. “Duke parë se çdo veprim, nuk sjell asnjë veprim, duke u bazuar në fakte, ai vendosi daljen jashtë shtetit shqiptar”.

Mbreti Zog, ishte tepër i mërzitur dhe akoma po shtrëngonte me çdo mënyrë komandantët, që të ndërlidhen me trupat në zonat e para. Sado të pakta, ato duhet që të tërhiqen në vijat e dyta, të caktuara më parë, si në: Vithkuq, Kukës, Martanesh, Qafë-Murrë, Neshtë dhe Pukë, e në këto qendra malore, me ato pakë armë dhe municione, ai priste që të caktohen në grupe çetash të vogla, që edhe lufta kundër okupatorit fashist, nuk prehet si dhe lëvizjet e tyre, janë të lehta, të kollajshme, e hë për hë, nuk e pranoi vendimin e Asamblesë Kombëtare.

Komandantët bënë çmos, për t’u lidhur me Komandën e Zonave, por ata nuk përgjigjeshin, më në fund u lajmërua se Grupi i III-të në Shkodër, me të gjithë forcat, ka kaluar kufirin e hynë në Jugosllavi, në Podgoricë, po ashtu dhe një pjesë e madhe e Kreshnikëve dhe oficerëve, kanë hyrë në Jugosllavi, si: major Murat Kaloshi, e shumë të tjerë. Po ashtu, major Abaz Kupi, Murat Basha, Hamza Drini, me 400 oficerët, kaluan në Dibër të Madhe, ndërsa zona në Bejlik të Elbasanit, si edhe Berati, nuk përgjigjen. Vetëm kolonel Ali Rizaja, po tërhiqet në Grykat e Këlcyrës e kapiten Ali Xhilaga, hyri në Gjirokastër.

Këtë ja parashtruan Mbretit dhe komandantët, nuk shihnin asnjë mënyrë për të plotësuar dëshirat e Mbretit. Edhe ministri i Brendshëm, ka humbur kontaktet me disa Prefektë e tani, nuk është aspak i kënaqur, mbi qetësinë e brendshme. Po ashtu në rrethet e Vlorës, të Prefekturës së Beratit, të Elbasanit dhe të Shkodrës, nuk përgjigjet askush. Tani mbetet ajo e Kukësit, e Dibrës dhe kjo e Korçës. Po ashtu, propaganda Jugosllave, është shumë e përhapur gjithandej dhe përpiqet për krijimin e një kryengritje, në disa vende të Shqipërisë, për të vërtetuar atë që pa masë, bëri Qeveria Italianë, para botës, duke shpifur se; në Shqipëri, ka plasur një revolucion i madh, e kërkojnë shkatërrimin e ushtrisë italiane, etj.

Mbreti Zogu i I-rë, mblodhi edhe njëherë komandantët, si dhe Ministrin e Brendshëm, për të thirrur disa persona me emër e për t’i ngarkuar, që ata të formojnë disa çeta në male, sepse influence e tyre, në popull, ka të bëjë shumë. “Qëllimi im, është – tha Mbreti, – mos të shuhet lufta kundër okupatorit, me çeta sado të vogla. Kam bindjen e plotë, se lufta e përgjithshme, europiane, nuk ka për të kaluar vitin. Kështu, të kemi disa qendra luftimi, në malet e Shqipërisë, që në atë kohë të ndërlidhen me ato shtete eventualisht, që do të jenë në luftë”.

Por, as komandantët, as ministri i Brendshëm, nuk kishin asnjë shpresë, mbi një veprimtari të tillë. Qeveria, bashkë me Parlamentin, i parashtruan Mbretit, duke i vënë në dukje, edhe ndodhira të rikrijuara, që nuk pajtoheshin aspak me interesat e Atdheut. “Madhëria Juaj, duhet që të pranoni vendimet e Asamblesë Kombëtare, se çdo orë, vjen duke u keqësuar nga propaganda armike” i thanë Mbretit. /Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kryetari-i-parlamentit-tha-per-interesin-e-atdheut-e-te-nderit-te-shqiptareve-u-vendos-qe-mbreteresha-bashke-me-princin-te-largohen-nga-tirana-kujtimet-e-kolonel-hysen-selman/