“Krahas diktatorësh gjakatarë si: Idi Amin, Zhan Bedel Bokasa, apo Dyvalje, gazetari italian, fuste dhe Nexhmije Hoxhën e Mira Millosheviç…”! / Refleksione pas një interviste në gazetë‘Panorama’

Nga Eugjen Merlika

                                            -“DINJITETI” I SHQIPËRISË SOCIALISTE –

 Memorie.al / “Identikiti i zotërinjve të së keqes”, titullohet një artikull i shkurtër i së përjavshmes italiane “Panorama”, të datës 24 korrik 2003. Është një koment shumë i shkurtër i librit “Fjala e djallit” të gazetarit italian Rikardo Oricio, një paraqitje me pakë penelata prej tij e asaj gjëje që është e përbashkët te të gjithë diktatorët, të vjetër e të rij, identikiti i tyre, që në Nuremberg u pagëzua me shprehjen “Banaliteti i së keqes”.

Krahas diktatorësh gjakatarë si: Idi Amin apo Zhan Bedel Bokasa, si Dyvalje apo Negusi i kuq, Mengistu, gjeneralësh puçistë, si Noriega ose Jaruzhelski, në analizën e shkrimtarit, hyjnë dy zonja, përfaqësuese të komunizmit ballkanik, si: “Vejusha e zezë e Shqipërisë, Nexhmije Hoxha” dhe e “pabesa Mira Millosheviç”. Është interesant fakti se, autori i trajton me mjaft mirëkuptim “përbindëshat” e librit të tij. Ai mundohet të hyjë në thellësi të “arsyeve” të tyre, që kanë mbetur të gjithë besnikë të së shkuarës së tyre, ideve e bëmave të saj. “Kanë të gjithë një zakon shumë të keq – ankohet gazetari – i përgjigjen pyetjeve duke bërë të tjera pyetje që, të venë në vështirësi”.

 “Çfarë t’i thuash stalinistes Hoxha, që ironizon: oh, po, bash një demokraci e bukur është Shqipëria e sotme. E ndyrë, e papunë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë. Së paku Shqipëria socialiste kishte dinjitet”, shprehet autori i librit dhe i artikullit të revistës. Në veshët e gazetarit Oricio, që ka njohur pak ose aspak Shqipërinë Socialiste të zonjës Hoxha e, që sheh sot atë të dishepullit të saj, zotit Nano, këto fjalë tingëllojnë deri diku bindëse e jo fyese. Sigurisht nuk mund të kenë të njëjtin tingëllim në veshët e atyre shqiptarëve që kanë jetuar deri diku normalisht, në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, madje janë një fyerje e madhe për atë masë njerëzish që nga “armiqtë e klasës”, skllevërit e padeklaruar të socializmit, e deri tek fshatarët e drobitur nga skamja e padija. Shumë nga epitetet, që zonja Hoxha ja vesh vendit të saj sot, i shkojnë për shtat më së miri Shqipërisë së konceptuar pranë zjarreve partizane, nga Miladin Popoviçi dhe bashkëshorti i saj “legjendar”

E ndyrë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë ishte në tërë kuptimin e  fjalës Shqipëria Socialiste. Një vend, në të cilin një apartament strehonte dy familje, ku gatuhej në banjo, ku grumbulloheshin pesëqind veta në një kazermë ushtarake internimi  e, pesëdhjetë në një dhomë burgu, ku nuk përdoreshin deri së voni pluhurat larëse, ku sapuni ishte i racionuar, ku kanalizimet e ujërave të zeza diku nuk ekzistonin e diku nuk funksiononin, ku kazanët e plehrave nuk njiheshin fare, ku nuk respektoheshin as normat më parake të higjienës industriale apo, të mbrojtjes së ambientit, ku mizat e mushkonjat shëtisnin të patrazuara në pjesën më të madhe të lokaleve publike, ku pluhuri dhe balta ishin shoqëruesit e përditshëm të çdo hapi që hidhte qytetari e më shumë fshatari, nuk mund të quhet një vend i pastër. Nëse një pjesë e këtyre dukurive është e pranishme dhe sot, askush nuk mund të provojë se ato janë gjëra të reja. Shqipëria paskomuniste paraqet, në një masë jo të papërfillshme, dukuri dhune në shumë pamje e nivele të saj.

Është e drejtë të pranohet se në kapërcyellin 1990-1991, u shmang një përleshje, në përmasa të mëdha, mes popullit e rinisë studentore e të qyteteve nga një anë, që kërkonin lirinë e ndërrimin e sistemit dhe forcave konservatore të “vullnetarëve të Enverit”, nga ana tjetër, që ishin të vendosura të ruanin me çmimin e gjakut “pushtetin e popullit”. Mendoj se, pavarësisht nga motivet përcaktuese, zonja Hoxha ka meritën e saj në shmangien e një gjakderdhjeje të tipit rumun. Ndofta llogaritë e bëra në ata çaste historike, vendimtare për vendin, më vonë nuk kanë dalë të sakta, ndofta diçka nuk ka shkuar siç duhej. Prandaj zonja Hoxha ndoshta është penduar për qëndrimin e atëhershëm, deri aty sa të shprehet në një intervistë të kohëve të fundit: “Po, mua personalisht, si dhe shokëve të mi, na bren shumë ndërgjegjja, që s’ditëm të bëjmë atë që duhej bërë për mbrojtjen e fitoreve të pushtetit popullor dhe për këtë mendim pendesë mund të japim llogari para popullit…”!

Sa keq që ndofta të vetmen gjë të mirë që mund t’i ketë bërë popullit të saj tani, në muzgun e jetës, ajo don t’a mohojë, t’a hedhë poshtë, t’a quajë një krim, për të cilin duhet të japë llogari. Është diçka e natyrshme për të që mos përdorimin e dhunës t’a quajë tradhti ndaj “idealeve”, me të cilat u brumos që në të ritë e saj. Dhuna kishte qenë mjeti i vetëm me të cilin ishte ndërtuar sistemi komunist në Shqipëri e gjetkë. Ata që, në forma të ndryshme, kishin dashur t’a pakësojnë apo t’a shmangin, ata që kishin dashur t’i jepnin një “fytyrë njerëzore” përbindëshit komunizëm, zonja Nexhmije i kishte vulosur, gjatë gjithë jetës së saj prej “First Lady”, me nofkën e tradhtarit, të revizionistit, të oportunistit. Dhuna e pushtetit të saj u bë proverbiale për Evropën, duke e kthyer vendin e saj në “tokën e fshikulluar nga persekutimet”, siç e ka përkufizuar Papa Gjon Pali II-të.

Nëse bota e lirë do të kishte qenë më shumë koherente ndaj parimeve të drejtësisë historike e më pak dashamirëse ndaj real politikës, do të kishte shpallur Shqipërinë e zotërinjve Hoxha, ‘Vendin klasik të martirizimit në Evropë’, mbasi shifrat e krimeve të çdo forme, marrë në raport me numrin e popullsisë, nuk kanë të krahasuar as me “epopenë staliniane të gulagëve”. Zonjës Hoxha, pamja e Shqipërisë së sotme i fut trishtim, jo për demokracinë e parealizuar mirë, por sepse do të kishte dashur t’a shihte të rreshtuar përkrah Kubës së Fidelit apo, Koresë së Kim Jong Ilit.

Edhe sot ka dhunë në Shqipëri, dhunë banditësh e dhunë Shteti. Kjo e dyta i ka rrënjët thellë, në mendësinë e trashëguar nga Instituti i saj i Studimeve Marksiste – Leniniste, që e konceptonte shoqërinë njerëzore një arenë lufte të përjetshme e të papajtueshme mes klasave e në gjirin e tyre. “Qytetërimi i një epoke është, plehu i pasardhëses”, shprehet dijetari e kritiku anglez, Siril Konoli. Shqipëria e dhunshme, që denoncon zonja Hoxha, është vazhdimi logjik dhe real i gjysëm shekulli shteti të dhunës, bijt e të cilit, të konvertuar në demokraci, nuk qenë të aftë t’a ndërtojnë atë larg kontureve të saj. Sikur dikush, në epokën e mbretërimit pa kurorë të zonjës Hoxha, të kishte guxuar t’i thoshte një gazetari të huaj fjalët që ajo qëllimisht i ka thënë Oricios, nuk e marr me mënd se ku do të mbaronin pasojat e dënimit të tij. Besoj se i mjafton vetëm ky fakt asaj, për të kuptuar ndryshimin ndërmjet “ligjeve të forta” të “Diktaturës së Proletariatit” të regjimit të saj e tolerancës së një demokracie që, me gjithë malet e mangësive, ruan përsëri fytyrën e saj.

Tregon kujtesë të shkurtër zonja kur e quan zhelane Shqipërinë e sotme. Ndofta atë të djeshmen ajo e njëjtësonte me të famshmin “Bllok të udhëheqjes”! Ndofta e ndryrë në kullën e saj të fildishtë, nuk e dinte se nënshtetasit e saj, në pjesën e tyre më të madhe, mburreshin se ishin rritur me bukë misri, se për të blerë një litër qumësht, duhet të zinin radhën në ora një të natës, se një kostum me stofin e kombinatit, mund t’ja lejonin vetes vetëm ditën e martesës, për t’a mbajtur deri në ditën e qivurit, se për të patur një televizor, nuk mjaftonte paga e një viti pune, se as që mund të ëndërronin për të patur një automobil të tyrin, se ishte një ëndërr të jetonin në Tiranë, apo në Durrës! Se sa zhelanë kishin qenë shqiptarët e  kuptuan mirë kur zonja Hoxha dhe regjimi i saj kriminal, nuk ishin më në gjendje të vendosnin për fatin e tyre. Vërshuan me qindra mijëra në botën, deri atëherë të panjohur, e ballafaqimi me të i bëri të kuptojnë më mirë mjerimin, të cilin kishin lënë mbrapa në  vendin e tyre.

Ka ende mjerim në Shqipëri, ka edhe pabarazi. Do të kishte patur më pak, sikur “Bijtë e Nexhmijes”, që morën në dorë drejtimin e vendit, mbas shembjes së komunizmit, të kishin patur ide më të qarta e ideale më të forta. Kanë  ende shumë probleme shqiptarët, disa shumë të mprehta, disa të reja e të panjohura, por në tërësi, kanë më pak se nën “gubernën” e zotit Hoxha dhe të bashkëshortes së tij. Besoj se janë shumë të paktë ata që venë në dyshim vërtetësinë e këtyre fakteve, siç bën “Vejusha e zezë e Shqipërisë”.

Qenkërka e etur për dollarë Shqipëria e sotme, një zbulim i padëgjuar! Zonja Hoxha ndoshta kujton ende me mall parullat: “kundër lavdisë personale”, “kundër interesit personal”, “kundër pronës private”, “lufta për bukën është luftë për socializmin” e të tjera pallavra të këtij lloji, me të cilat ishin mbushur fasadat e mureve të godinave. Kujton kohën kur të gjithë shqiptarët ishin të inkuadruar në kooperativat bujqësore apo ndërmarrjet  shtetërore e punonin vetëm për socializmin, mbasi për ta mendonte “pushteti i popullit” që i kishte katandisur në argatë me mëditje, sa për të mbajtur frymën gjallë. Atëhere shqiptarët nuk ishin të etur për dollarë, por Shteti i tyre po, deri në atë pikë sa t’ja u grabiste me forcë qytetarëve të tij këtu brenda e me dredhi emigrantëve që i dërgonin familjeve, duke ja këmbyer me një të gjashtën e vlerës, si mbas përkatësisë klasore.

Në vend që të qesëndisë shqiptarët që rendin të fitojnë dollarët me të gjitha mjetet, zonja Hoxha do të bënte mirë të vlerësonte energjitë dhe aftësitë e tyre që, në kushtet e lirisë, me gjithë keq drejtimin e Shtetit, shpërthyen e po japin rezultatet e tyre. Sikur liria e nismës të mos ju kishte munguar për gjysëm qindvjeti, e sikur të kishin patur qeveritarë në lartësinë e detyrës në këto vite, Vendi i tyre sot nuk do t’ja kishte zili askujt. Mjerisht këtë të vërtetë nuk don t’a shohë e t’a njohë zonja. Për të Shqipëria socialiste, ndryshe nga kjo e sotmja, “kishte dinjitet”!

Ajo vazhdon t’i besojë miteve të dinjitetit: “Kështjellës së pamposhtur të socializmit në Evropë”, “Qëndresës ndaj rrethimit imperialisto-revizionist”, “Luftës titanike të PPSH-së në mbrojtje të marksizëm-leninizmit”, atij të një populli të lirë, grusht bashkuar rreth partisë e udhëheqësit të saj që gjen lumturinë në punën për ndërtimin e socializmit. Ajo e ka të pamundur të besojë se të gjitha ato parulla, për stërhollimin e të cilave rrogëtoheshin një mori shkrimtarësh, historianësh, artistësh e funksionarësh të të gjitha niveleve, s’ishin tjetër veçse një ortek gënjeshtrash që, i nisur nga maja e piramidës, zbriste me vërtik poshtë, duke trumhasur mendjet e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Në të gjitha këto gënjeshtra ajo shihte “dinjitetin” e Shqipërisë socialiste, pa çka se ajo ishte e mbushur me njerëz të burgosur për idetë e tyre, të internuar për prejardhjen e tyre, të uritur, të skamur, të drobitur, të kthyer në kope, të mbyllur në një vathë hermetike…!

Ai “dinjitet”, mbështetej mbi terrorin, mbi faktin se askush nuk guxonte të thonte hapur të vërtetën se lufta për marksizmin, ishte luftë për kolltukun, se qëndresa ndaj rrethimit ishte alibia e të ashtuquajturës udhëheqje, që drejtonte Shtetin, për të mbuluar paaftësinë e saj dhe dështimin e gjithë politikës ekonomike, nëse mund të quhej e tillë. Në këtë mënyrë merrnin një kuptim thirrjet e vazhdueshme për “sakrifica”, që shkaktonin simfonitë e pambaruara të zorrëve të shqiptarëve. Ai rrethim që, në të vërtetë, ishte një vetë ndarje nga bota, idetë e ndryshimet e saj, kishte vetëm një qëllim të caktuar: të ruante skeptrin e zotërinjve Hoxha.

Ndryshimet e “erës pas staliniste”, u mirëpritën në fillim nga “Oborri i Kuq i Tiranës”, u arrit madje të bëhej pajtimi edhe me “Kryerevizionistin” Tito, si mbas dëshirës së shkopit drejtues të Moskës. Por, kur erdhi kërkesa prej andej për ripërtëritjen e udhëheqjes, për zëvendësimin e “Mbretit” dhe të “Kancelarit” të tij, fantazma e Marksit, si në një “ëndërr të një nate vere”, filloi të shëtiste në ‘Bllok’ duke kërkuar mbrojtjen e parimeve. Atëherë u pi gjak me një tjetër “mbrojtës parimesh”, që mbretëronte në shtetin më të populluar të botës e, Shqipëria “dinjitoze”, u bë thjesht “zëdhënësja e Kinës në Evropë”.

Kaluan disa vite në të cilat, me paratë e kinezëve e me punën e papaguar të të burgosurve, që shtoheshin tashmë jo vetëm nga radhët e “armiqve”, por dhe nga “lufta në gjirin e klasës punëtore”, u ndërtuan fabrika e kombinate që, për një kohë të gjatë, u trumbetuan si krenaria e Shtetit të industrializuar shqiptar, që “hidhte valle në gojë të ujkut”. Kur Shqipëria, me ndërrimin e sistemit, u ballafaqua me botën e industrializuar dhe kërkesat e saj, u kuptua se ato “vepra”, kishin qenë relike të antikuariatit të teknikës, që kishin peshuar si kulari mbi qafën e ekonomisë, duke thithur si shushunja djersën e shqiptarëve. Edhe ky ishte një nga aspektet e dinjitetit, për të cilin, ende sot, ndjehet krenare zonja Hoxha.

Ndërkaq dhe Mao Ce Duni u “matufeps” e tradhtoi vijën marksiste-leniniste e cila, në versionin e saj origjinal të një shekulli më parë, i mbeti në dorë si pishtar zotërinjve Hoxha, të cilët e çuan përpara si marathonomaku. “Feneri ndriçues i socializmit në Evropë”, rifilloi ecjen në “Dimrin e vetmisë së madhe”, me parullën, atëherë lapidare, ”Bar do të hamë e nuk gjunjëzohemi”! Këto vite, në të cilat deliri donkishotesk i udhëheqësve, u gërshetua me satërin mbi kokat e tyre, në kujtesën e zonjës Hoxha, ndoshta mbeten si kampionë të “dinjitetit të Shqipërisë Socialiste”.

Ishin vitet kur lëmoshat e të mëdhenjve të Lindjes, nuk vinin më e ato të Perëndimit, të kushtëzuara me reformat e demokratizimin, nuk pranoheshin, vite të gjata të një vdekjeje të ngadaltë të ekonomisë e të varfërimit skajor të banorëve të Shqipërisë, veçanërisht të atyre të fshatrave që ishin dy të tretat e vendit. Parimi “me forcat tona”, i shpalosur fuqishëm në tribunat e kongreseve të Partisë, ishte kthyer në një nxitës për të marrë secili “pjesën e vet”, nga pasuria e përbashkët. Një popull i tërë u brumos me idenë se Shteti, sado pak, duhet zhvatur, ide që gjeti pastaj zbatimin e plotë në vitet 1991-’92, apo më 1997, kur bastisja i kaloi të gjithë kufijtë.

Çfarë dinjiteti mund të kishte një Vend i tillë, i ndarë nga pjesa tjetër e njerëzimit, në emër të një kompleksi megalomanie e narcizmin të drejtuesve të tij, të denja për Neronin? Dinjiteti i një Vendi qëndron, në aftësitë e tij për të shkuar përpara, për t’u matur me të tjerët në fushat e ndryshme të zhvillimit njerëzor, në art, shkencë, kulturë, ekonomi, standard jetese, respektim vlerash e parimesh të njohura e të sanksionuara në dokumenta e karta, të bashkësisë së popujve. Dinjiteti i një vendi matet me dinjitetin e qytetarëve të tij e, ky i fundit nuk mund të ekzistojë nëse mungon liria e mendimit, e shprehjes dhe e komunikimit të ideve, nëse individi asgjësohet në emër të bashkësisë. Diktaturat, edhe më të ndriturat si e Aleksandrit, Qezarit apo Napoleonit, pavarësisht nga pamja e jashtme, asnjëherë nuk kanë rrezatuar dinjitet. Mendimi i vetëm zotërues, aq më tepër i një mediokri, zhduk që në të parë çdo nismë që del nga rrethi i gjykimit të vet, e aty ku nuk ka rrahje idesh, nuk ka zhvillim, nuk  ka ecje përpara, nuk ka as dinjitet.

Një popull nën diktaturë është i prirur të nxjerrë në pah anët më të dobëta të karakterit të tij: putha dorjen, lajkat, bindjen e verbër ndaj autoritetit, të kënaqurit me pak, spiunllëkun, nënshtrimin ndaj çdo lloj padrejtësie e arbitrariteti, adhurimin e diktatorit, urrejtjen e verbër e përçmimin për kundërshtarët e regjimit. Të gjitha këto dukuri kanë qenë të pranishme në Shqipërinë e zotërinjve Hoxha, të cilët, me anën e forcës së regjimit, të dhunës e të frikës arritën të thyenin virtytet që shqiptarët i kishin trashëguar me shekuj.

Një vend që i kthen qytetarët e tij në kavje depersonalizimi, nuk mund të ketë dinjitet. Një vend që nuk di të vlerësojë pasurinë njerëzore të tij, që arrin të mohojë dhe një personalitet botëror, si Nënë Tereza, që i nxjerr eshtrat nga varri një gjeniu si Fishta, që e privon veten nga një shtresë intelektualësh që do t’ja kishte zili çdo vend i Evropës, nuk mund të ketë dinjitet e do të thosha, as të ardhme. Ai dinjitet ekziston vetëm në fantazinë e drejtuesve të tij, që shkëmbejnë shfaqjet e servilizmit me respektin e vërtetë. “Asgjë nuk është më i përçmueshëm se respekti i bazuar mbi frikën.” shprehet shkrimtari i njohur francez Albert Kamy.

Zonja Hoxha do të bënte mirë të thellohej në analizën e së shkuarës e të përgjegjësisë së saj vetjake në ngjarjet e saj, në vend që t’a mbrojë atë “me pallë zhveshur”. Lufta e saj i përngjet asaj të Don Kishotit me mullinjtë e erës, mbasi duhen kërkuar me qiri ata që ende vazhdojnë t’i besojnë “katekizmit” të saj. Të qesëndisësh, të kritikosh apo të shash Shqipërinë e sotme, nuk është një ndërmarrje e vështirë. Por ajo, që mban mbi ndërgjegje gjysëm qindvjeti të degradimit të saj, më duket se nuk ka të drejtë morale t’a bëjë.

Do t’i kujtoja një thënie të Dionizit plak që, në lashtësinë e qytetërimit predikonte: “Bëj në mënyrë që, fjala jote të jetë më e mirë se sa heshtja jote, ose hesht”! Memorie.al

Gusht 2003    

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/krahas-diktatoresh-gjakatare-si-idi-amin-zhan-bedel-bokasa-apo-dyvalje-gazetari-italian-fuste-dhe-nexhmije-hoxhen-e-mira-milloshevic-refleksione-pas-nje-interviste-ne-gaze/