“Klithmat kundër regjimit në poezitë e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, duket sikur i ndeshim te ‘Tabir Saraji’ i Kadaresë…”/ Refleksione mbi jetën e veprën e dy poetëve të pushkatuar

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

                               -NAZMI SEITAJ, RINGJALL SHOKËT E TIJ MARTIRË TË POEZISË –

Memorie.al / Qysh kurse jam njohur me fatin tragjik të tyre, nuk e di se me kë mund t`i krahasoja jetët dhe veprat e dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ndoshta me atë të Josif Brodskijt që ja nxiu jetën policia e fshehtë sovjetike (KGB-ja) dhe atë të Osip Mandelshtamit, poezinë e të cilit Ahmatova, e quante të një harmonie hyjnore. Sa herë më binte rruga andej nga Librazhdi, ndaloja tek ai grupi skulpturor me dy kokat e tyre që klithnin, dhe sepse më dilte para syve ajo pllaka e mermertë në varrin imagjinar të Starokuncit, ku fare thjeshtë dhe po aq madhërishëm shkruhej: “Kujtimit të ndritur të O. E. Mandelshtamit”.

E dija se edhe dy poetët tanë të pushkatuar më të rinj se ata, nga stalinistët barbarë shqiptar, ishin mjaft të talentuar, disidentë dhe apostuj të lirisë dhe ndofta nuk kishin nevojë për fjalë të tjera. Por ja që isha gabuar. Rasti e solli që një njeri dhe shkrimtar i mrekullueshëm, Nazmi Seitaj, më solli disa libra të tijat dhe midis tyre: “Ngadhnjimi i shpirtit”, kushtuar dy miqve të tij të ngushtë, Gencit dhe Vilsonit. Ai thosh se aty kishte kujtime dhe tregime, por jo; u ndodha para një romani të jashtëzakonshëm, i cili zbulonte edhe një cilësi tjetër të tyre, qenien “fanar intelektual”, sikurse shprehej për Mandelshtamin, nobelisti Brodskij. I botuar në vitin 2007 nga “Globus R”, e Petraq Ristos, çuditem sesi është heshtur ndaj një vepre të tillë letraro – artistike dhe sidomos historike.

Një vepre me të vërteta që i lartësojnë ato dy figura derisa të vendosen pa drojë në mes atyre me të cilët letërsia jonë duhet të mburret. Me “njolla” në biografi, pra njëri me babanë e arratisur dhe tjetri i cilësuar si familje kulaku, pasi paskëshin strehuar diversantë, duke qenë djem fshati, të larguar nga detyra e arsimtarit, që ruanin bagëtinë e punonin me kazmë, që largonin arinjtë në pyll me ura zjarri, që kryenin shërbimin ushtarak në reparte pune me të deklasuarit e tjerë, me të drejtat më elementare të mohuara, me shkollim të cunguar, të ndjekur në çdo hap nga spiunët dhe përherë nën kërcënimin e intrigave të sigurimit, ata kishin një vullnet titanik për dije e kulturë.

Lexonin pa u lodhur, duke kërkuar ngado për libra të autorëve më të shquar, shpesh dhe të ndaluar, ata gjenin forma dhe mënyra të pabesueshme për të mësuar gjuhë të huaja, përkthenin dhe shkruanin vetë poezi nga më të bukurat edhe pse e dinin se nuk do t`u botoheshin. E gjenin kënaqësinë te muzika, tek ajo superiorja që kishte dalë nga mendja, shpirti dhe dora e Bet`hovenit, Moxartit, Shubertit e Verdit me shokë. Njihnin me imtësi trashëgiminë e mjeshtërve të muzikës së pavdekshme, deri krijimtarinë e tyre operistike. Ja si shprehej Genci: “Duhet ta dinë të gjithë se ne nuk jemi fatkeq, se ne nuk jemi të mjerë. Shpirti ynë ngazëllen, sepse është i pushtuar nga tingujt madhështorë të Beet`hovenit”. Kurse Vilsoni: “Fati ynë është i bardhë. Atë e ka shenjtëruar “Titani i dhimbjes njerëzore”. Ne jemi të lumtur, sepse e kemi gjetur dritën e jetës te “Simfonia e Fatit”. Mjerë ai që nuk ka mundur ta ndiejë shkulmin e simfonive të Beet`hovenit”.

Por ata dinin gjithashtu përmendësh edhe Pushkinin, Lermontovin, Paustovskin, Poen, Nolin, Lasgushin etj., etj., dhe kërkonin dikë për të diskutuar rreth tyre. Se masa e gjerë atje në kooperativë a ndërmarrje, jo vetëm që nuk ua kishte ngenë, por edhe ishte larg këtyre gjërave, ndërsa me ata më të mençurit, ishte me rrezik, se nuk dije se kujt t`i besoje. Por njeriu sesi është ndërtuar: ai shpesh orientohet nga ajo që e quajmë intuitë. Dhe intuita i çoi ata te Nazmiu, i cili jo vetëm nuk i zhgënjeu, por dhe u qëndroi deri në fund besnik, Ata kishin gjetur të barabartin, burrin e zgjuar, me zemrën sa bota, dhe me karakter të fortë. Dhe mbi të gjitha, me një memorie të habitshme që edhe pas shumë vitesh nga vrasja e tyre, i sjell me saktësinë më të madhe kujtimet për ta. Natyrisht që këtu autori i librit ka vënë plot gjëra nga vetja, nga kultura e tij. Por kemi të bëjmë me biseda letrarësh, madje mjaft të kualifikuar dhe ato, qoftë dhe afërsisht, aty janë vërtitur.

S`duhet harruar se Genci që babai i kishte vënë emrin e Mbretit të ditur Ilir që luftoi me legjionet e konsullit romak Anici, merrej me gjuhësinë dhe Vilsoni, që e kishte atë emër nga presidenti amerikan, mik i shquar i yni që bëri aq shumë për Shqipërinë, merrej me përkthime. Në disa pika, jeta e tyre, vetëformimi dhe atdhedashuria e tyre i ngjan asaj të birit të paharruar të Çamërisë. Bilal Xhaferrit. Të dy ata edhe pse të paepur në urrejtjen ndaj sistemit diktatorial komunist, kishin ndjenja të holla dhe një shpirt delikat dhe ashtu sikurse na i përshkruan Nazmiu, shpesh e gjenin frymëzimin, ngushëllimin, por edhe lumturinë te natyra. Edhe vetë ky autor, si të qe nxënës i filozofit Seneka, sa herë shkonte tek ata në Bërzeshtë, natyrën na e jep të idealizuar. E pikturon atë me ngjyrat e nuancat më të bukura e optimiste, Edhe krahasimet atje i gjen. Kur flet për krijimtarinë e Gencit thotë: “Poezitë i shpërthenin nga shpirti e nga nga zemra, siç shpërthente në pranverë lëndina plot me lule të reja”.

Ka një lidhje proverbiale intelektuale mes atyre tre poetëve; ata sikur të kishin pasur për mësues vetë Epikurin që thosh se “Nga të gjitha gjërat që dija siguron për të pasur një jetë të lumtur, e mira më e madhe është miqësia”. Nazmiu jetonte nga viti 1951 në Elbasan, ku nuk i mungonin shokët, miqtë e të njohurit, por ai atje e kishte mendjen, tek ata të dy. Në ditë të nxehta me diell, në rrebeshe shiu, në baltë e në të ftohtë, do shkonte t`i takonte dhe të bënte “orë letrare” me ta. Vështirë të gjesh një shembull të ngjashëm. Ndofta vetëm te “Tre shokët” e Remarkut, ku mbizotëron miqësia midis O. Kaslerit, G. Lencit me Robert Lokampin, treguar aq bindshëm nga ky i fundit. Se dhe fundin e patën pak a shumë si i tyre; më shumë se shekspirian. Se te gjeniu anglez, janë vrarë, por për pushtet e shumë, shumë për dashurinë, por jo për poezitë e shkruara prej tyre. Se ato qenkëshin disi pesimiste.

Po si mund të ishin poezitë e sinqerta në realitetin e trishtuar e mjeran shqiptar të atyre viteve? Dhe pikërisht te kjo anë e asaj dukurie nga më të shëmtuarat, përqendrohet autori i këtij libri. Ai nuk ndalet te tmerret e torturat e hetuesisë, as te dëshmitarët e poshtër e pa dinjitet, madje as te pushkatimi i tyre, groposja shkel e shko e rivarrimi. Atij i ka mjaftuar të na njohë deri në imtësi me vlerat e larta njerëzore, kulturore, artistike, shpirtërore, me dëshirën përvëluese për liri. Ai e ka parë më të arsyeshme që duke na i portretizuar, ashtu siç ishin, me njerzillëkun, dashurinë për jetën, për vajzën që Vilsoni njohu në tren, të cilës i çon më pas një tufë me lule (pra si Robi me Patin), ngazëllimin kur u vinte miku në shtëpi, çuarjen e një shporte me mana ushtarëve të rraskapitur nga puna e lodhshme, kujdesin për të mos u hapur telashe të tjerëve me “biografinë” e tyre të mallkuar, mirënjohjen për këdo që i kishin ndihmuar dikur, qoftë edhe për të gjetur librin e Mysesë “Mimi Penson” etj.

Dhe shihni sa pak kërkonin ata; Vilsoni: “Do të ulemi pranë ndonjë burimi, nën hijen e ndonjë ahu dhe do të lexojmë Viktor Hygonë”, në ndonjë ditë pushimi andej nga maja e Sopotit. Por edhe kjo nuk u realizua, sikurse nuk u realizua as përfundimi i “Nëntëdhjetë ditët e vjeshtës” nga ana e Gencit, pasi obskurantistët, armiq të kulturës dhe shpirtrave të lirë, u vunë prangat dhe i mbyllën në qeli. Nazmi Seitaj, e di mirë se brenda tij Vilsoni shprehej se: “Unë nuk do t`i shoh kurrë Francën dhe Parisin dhe do të vdes i helmuar. Parisi, arti dhe dashuria. O Perëndi, përse linda në këtë botë!” Kurse Genci nga ana e tij, ishte i ndërgjegjshëm se: ”Unë jam si Ezopi, më ngroh vetëm liria e vërtetë…! Kur të ndryshojë sistemi nga rrënjët, vetëm atëherë do të më ngrohë dielli… edhe sikur të mos jem gjallë, do ta ndiej ngrohjen e eshtrave të mia…”! Me të drejtë autori Nazmi Seitaj, e ka krahasuar atë me Sharl Lonsevillin e Kostandin Paustovskit, pra francezin liridashës dhe ëndërrues të lumturisë.

Por të dy ata ishin shumë më tepër se kaq; Alan Poe, poet i madh por krejt i kotë i Amerikës. Edhe ata, lirikë aq të ëmbël e mjaft të talentuar, nuk i duheshin gjë asaj Shqipërie. Përkundrazi, përbënin rrezik për diktaturën. Edhe atje, në atë humbëtirë ku jetonin. Se idetë, si edhe poezitë nuk njihnin barrikada; ato fare lehtë mund të kapërcenin çdo pengesë dhe të mbërrinin kudo, edhe në Kryeqytet. Dhe kjo ishte mëse e vërtetë, po të lexoje poezitë e Gencit; “O hënë, pse dole moj aq trishtuar, / Mos vallë për mua po mban zi? / Ç`më shikon ashtu me sy të lotuar, / Mos m`u sos jeta dhe unë s`e di? / Po edhe në vdeksha, jeta s`ka mbaruar, / Dhe pse shkruaj të fundmen poezi”! Ose “Saharaja”, e Vilsonit, që fliste fare haptazi kundër, duke akuzuar se ajo nuk dinte të ëndërronte, veç bluante gurë, s`ka as këngë, as lot të qajë, as miq, as shokë, dhe as bijë e as bir. Kaq guxim, ndofta vetëm te Tabir Saraj i Kadaresë, e kemi parë aso kohe.

Libri i Nazmi Seitajt, ka plot ngjarje e plot personazhe që në rrugëtimin e jetës së tyre, pleksen me fatet e heronjve tanë. Por ka aty edhe njerëz të liq e shtrembanikë. Qoftë se i kanë rrëfyer vetë poetët, qoftë kur ata i ka skalitur pena mjeshtërore e Nazmiut, ata të mbesin në kujtesë dhe nuk të hiqen lehtë nga mendja. I tillë është spiuni ‘Deko’ apo ‘Xhemaliu’ i fantaksur e nostalgjik që shpirtzi siç qe dhe matrapaz, qëndronte tërë kohës i futur në ‘Kadillak”-un e ndryshkur e gjithë pluhur, me goma të rëna, të djegura e të plasaritura. Dhe ky tipi zotëronte Enciklopedinë Franceze prej 40 volumesh. Seiti jo pa qëllim na i paraqet këta mostra; ai do të thotë: “Shihni sa larg tyre qëndrojnë Genci me Vilsonin. Sa të vlefshëm e të virtytshëm janë ata. Dhe shihni edhe sa poshtë kishte rënë ai sistem i degjeneruar i cili, pikërisht tek ata e gjente të mundshëm kërcënimin e tij”.

Por ata edhe atje ku ndodhen, në atë sheshin e Librazhdit, mbi një pellg uji, me ato kokat e tyre që duket se këlthasin, të kujtojnë kokën e prerë të Orfeut, i cili këndon përjetësisht atje në lumin Ebro. Veç Genci me Vilsonin, të bëhet jo vetëm se janë të gjallë, por edhe sikur deklamojnë vargjet e akmeiztit Mandelshtam i cili, prej satirës kundër Stalinit, vdiq i internuar në Siberi, duke thënë: “Pasi ma morët detin, vrapin, fluturimin / Dhe tokën me gjëmë ma mbytët vaj e lot / Ku dolët, ç`fituat? I qartë përfundimi: / Mërmërimën e buzëve s`ma hiqni dot.” Pra ata, metaforikisht janë përsëri në jetë mes nesh. Dhe një meritë të veçantë për këtë, ka edhe shoku i tyre i shtrenjtë, njeriu dhe shkrimtari i mrekullueshëm Nazmi Seitaj. Ama, një gjë është mëse e sigurt: Dielli i lirisë të paktën po u’a ngroh eshtrat. Memorie.al     

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/klithmat-kunder-regjimit-ne-poezite-e-genc-lekes-dhe-vilson-blloshmit-duket-sikur-i-ndeshim-te-tabir-saraji-i-kadarese-refleksione-mbi-jeten-e-vepren-e-d/