Kalendari Historik 3 Tetor 2022

1949 – Ndërron jetë Mid’hat bej Frashëri, një diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Ndër të tjera, ai ishte ndër etërit e nacionalizmit shqiptar. Në rininë e tij ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ishte ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komiteti “Shqipëria e Lirë”. Në botën e letrave, ai ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog. (i njohur si Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka), ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919). Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).

 

1952 – Britania e Madhe teston me sukses bombën e parë atomike të saj. I koduar ndryshe edhe si Operacioni Hurricane, ky testim u bë në ishujt Monte Bello, në Australinë Perëndimore. Me një fuqi goditëse prej 25 kilotonësh, bomba bërthamore britanike do të bëhej e treta në rang botëror, pas asaj amerikane dhe sovjetike. Por ndryshe nga dy super-fuqitë globale, Britania e Madhe nuk do të përfshihej në garën e ethshme të armatimit nuklear.

 

1963 – Në Honduras të Amerikës Qendrore, ndodh Grushti i Shtetit. Udhëheqësi ushtarak Oswaldo Lopez Arellano, rrëzon nga pushteti Presidentin legjitim Ramon Villeda Morales. Me qindra njerëz do të arrestoheshin, burgoseshin, dhe ekzekutoheshin gjatë këtij grushti shteti, tipik për vëndet amerikano-latine. Dy vite më vonë ushtria e Hondurasit do të ndihmonte  marinsat amerikanë, që të ndërhynin ushtarakisht në Republikën Domenikane.

 

1981 – Lind në Malmo futbollisti i famshëm suedez me origjinë boshnjake Zlatan Ibrahimoviç. Ibrahimoviç, do të debutonte me një sërë ekipesh të njohura europiane si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, dhe Manchester United. Përgjatë gjithë karrierës së tij 20 vjeçare ai, ka fituar afro 100 kupa dhe çmime individuale si një nga futbollistët më të mirë në botë. Ndërsa kombëtarja suedeze, padyshim e ka shpallur si lojtarin e saj më të suksesshëm ndër vite.

 

1990 – Pushon së ekzistuari shteti i Republikës Demokratike Gjermane, ose siç njihej ndryshe edhe si Gjermania Lindore. Pas shembjes së Murit të Berlinit disa muaj më parë, qeveria komuniste e gjermano-lindore deklaroi bashkimin e saj me atë Perëndimore në një shtet të vetëm. Në atë që sot quhet Gjermania Federale. Bashkimi i dy Gjermanive, do ti hapte rrugë rrëzimit të të gjitha regjimeve komuniste në Europën Qëndrore dhe Lindore. Helmut Kohl do të ishte kancelari i parë i saj.

 

1991 – Shkrimtarja jug-afrikane Nadine Gordimer, do të bëhet fituesja e Çmimit Nobel në Letërsi. Ajo do të ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër sistemit të apartheid-it. Gjatë karrierës së saj ajo, do të fitonte 31 çmime ndërkombëtare në zhanrin e saj të novelave dramatike. Dy nga veprat e saj My Son Story, dhe Crimes of Conscience do ti jepnin asaj këtë çmim të rëndësishëm pasi në to, përshkruhej jetesa e vështirë e njerëzve me ngjyrë në Afrikën e Jugut.

 

1993 – Dështon kapja e liderit të armatosur të Somalisë Mohamed Farrah Aidit nga marinsat amerikanë. E njohur ndryshe edhe si Beteja e Mogadisho-s, në këtë operacion ushtarak do të humbnin jetën 19 marinsa amerikanë, si dhe do të plagoseshin 75 vetë. Përfshi këtu dy paqeruajtës ndërkombëtarë. Nga ana e rebelëve somalezë do të kishte afro 500 të vrarë. Mohamed Farrah Aidit do të vritej nga rivalët e tij tre vjet më pas, gjatë një shkëmbimi zjarri.

 

2013 – Shuhet në moshën 69 vjeçare basketbollisti i famshëm rus Sergey Belov. Belov, do të debutonte me ekipin e CSKA-së së Moskës ku do të fitonte 11 kampionate kombëtare dhe dy kupa. Gjithashtu ai, do të përfaqësohej denjësisht në ekipin kombëtar të basketbollit të Bashkimit Sovjetik, ku në vitet 60-70 do të fitonte një sërë kampionatesh europiane dhe botërore (përfshi këtu dhe medaljen e arit në Mynih 1972). Ai do të klasifikohej nga FIBA si një ndër 50 basketbollistët më të mirë të shekullit XX.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-3-tetor-2022/