Kalendari Historik 28 Shtator 2022

1928 – Shkencëtari dhe biologu i famshëm skocez Alexandër Fleming, zbulon në laboratorin e tij kurën për eliminimin e baktereve. Në atë që më vonë do të quhet edhe si Penicilina, kjo kurë luftonte një sërë sëmundjesh të rrezikshme dhe vdekje-prerëse në atë kohë si sifilizin dhe gonorrean. Për këto dhe të tjera zbulime, Fleming do të laureohej me Çmimin Nobel në Mjekësi si dhe, ai do të konsiderohej si një ndër 100 shpikësit e shekullit.

 

1934 – Lind në Paris, aktorja dhe këngëtarja e famshme franceze Brigitte Bardot. Përgjatë karrierës së saj, Bardot do të bëhej e famshme me interpretimet në filmat, Act of Love, Helen of Troy, Viva Maria, dhe Les Femmes. Gjithashtu ajo, do të njihet edhe si një aktiviste e shquar për të drejtat e kafshëve. Bardot do të konsiderohej edhe si Marilyn Monroe e Francës, për shkak të bukurisë së saj. Ajo do të dekorohej me urdhrin e Legjonit të Nderit.

 

1944 – Trupat e Ushtrisë së Kuqe sovjetike, çlirojnë kampin e përqendrimit të Klooga-s në Estoni. Gjatë hyrjes së ushtrisë sovjetike në këtë republikë baltike, u zbuluan shumë qendra grumbullimi dhe depërtimi të hebrenjve dhe të robërve rusë drejt kampeve në Gjermani. Një nga më të tmerrshmet ishte dhe Klooga, ku përgjatë tre viteve do të humbnin jetën mbi 3 mijë vetë, nga kushtet e rënda të punës dhe trajtimit atje. Po aq të tjerë do të mbijetonin deri në fund të luftës, nga ky kamp.

 

1970 – Presidenti i Egjiptit, Gamal Abdel Nasser, vdes pas një ataku kardiak në Kajro në moshën 52 vjeçare. Ai do të ishte një nga eksponentët kryesorë politikë dhe ushtarakë të këtij vendi i cili, do të përfshihej në Revolucionin e vitit 1952. Gjatë këtij revolucioni, forcat ushtarake egjiptiane do të dëbonin mbretin Farouk (me origjinë shqiptare) si dhe do të restauronin Republikën Presidenciale. Vetë Nasser-i, do të bëhej udhëheqësi i parë i saj, dhe do ta udhëhiqte atë deri në vdekjen e tij.

 

1975 – Në Londër, ndodh e ashtuquajtura pengmarrja e shtëpisë Spaghetti. Tre persona të armatosur, hyjnë në një restorant italian të quajtur Spaghetti dhe marrin peng stafin dhe klientët e tij. Policia britanike ndërhyn duke liruar pengjet dhe duke i arrestuar të tre pengmarrësit. Ata deklaruan në polici se e kryen këtë akt si shenjë përkrahjeje ndaj popullsisë me ngjyrë dhe asaj indiane në Britani. Të tre pengmarrësit ishin me origjinë afrikane.

 

1978 – Vdes papritur në moshën 65 vjeçare Albino Luçiani i njohur ndryshe si Papa Gjon Pali i I-rë. Pas rreth një muaji në krye të Selisë së Shenjtë në Vatikan, Papa Gjon Pali, do të gjendej i pajetë në dhomën e tij të gjumit. Sipas dëshmive ai, ndërroi jete si pasojë e një ataku kardiak edhe pse, autopsia nuk u krye kurrë. Ekzistojnë një mori teorish konspirative, të cilat hedhin dyshime të forta rreth vdekjes së tij të parakohshme, pas vetëm 33 ditësh qeverisjeje të shtetit të Vatikanit.

 

2018 – Në rajonin e Sulawesi-t në Indonezi, shkaktohet një cunami me magnitudë 7.5 ballë të shkallës Rihter. Si pasojë e dallgëve të mëdha, mbi 5000 persona do të humbnin jetën, dhe afro 12.000 do të plagoseshin. 667 do të konsideroheshin të humbur, dhe 70.000 të evakuuar. Ky do të ishte një nga tërmetet më të forta nën-ujore në Indonezi, pas tsunamit të Dhjetorit të vitit 2004, ku do të humbnin jetën 230.000 vetë.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-28-shtator-2022/