Kalendari Historik 17 Tetor 2022

1937 – Vdes në moshën 74 vjeçare në Crosby të Anglisë, oligarku i pasur dhe pronari i kompanisë së famshme White Star Line, Joseph Bruce Ismay. Ismay, së bashku me babain e tij do ta themelonin dhe drejtonin këtë kompani gjigante udhëtimesh për vite me radhë. Do të ishte pikërisht Joseph B. Ismay ai që do të financonte, ndërtimin e transoqeanikut më të madh të të gjitha kohërave RMS Titanic. Gjithashtu Bruce Ismay do të ishte dëshmitar i mbytjes së anijes së tij në Prill të 1912, në oqeanin Atlantik,ku vetë ai së bashku me 705 pasagjerë të tjerë do të arrinin të shpëtonin nëpërmjet varkave.

 

1943 – Në Azinë Jug-lindore do të përfundonte, ndërtimi i hekurudhës së Burma-s. Kjo hekurudhë do të ndërtohej nga trupat pushtuese japoneze të cilat, shfrytëzuan rreth 250 mijë civilë vendas dhe 60 mijë robër anglo-amerikanë. Nga kushtet tejet të këqija të punës, 90 mijë civilë dhe më shumë se 12 mijë anglo-amerikanë do të mbeteshin të vdekur. Kjo hekurudhë është e gjatë 415 km, dhe lidh nëpërmjet tyre shtetet e Burma-s dhe Thailand-ës. Ajo u shfrytëzua nga trupat aleate të cilat, e çliruan këtë rajon në Korrik të 1945.

 

1945 – Në Buenos Aires të Argjentinës me mijëra protestues do të përkrahnin lirimin e Juan Peron-it nga burgu i ishullit Martin Garcia. Kjo do të njihet edhe si dita e themelimit zyrtar të Peronizmit. Juan Peron do të burgosej nga junta ushtarake argjentinase e kryesuar nga Gjenerali Arturo Rawson. Lëvizja Peroniste do të ishte një nga organizatat politike më të mëdha dhe më kryesore në historinë e këtij vendi. Edhe në ditët e sotme, partitë kryesore të Argjentinës, në programet e tyre do të kenë idetë e kësaj lëvizjeje.

 

1961 – Në Paris do të ndodhte një nga masakrat më të mëdha që pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth 250-300 protestues algjerianë do të qëlloheshin me armë zjarri nga policia franceze. Mbi 500 të tjerë do të plagoseshin. Kjo masakër u urdhërua nga Maurice Papon që ishte njëkohësisht edhe shefi i policisë së Parisit. Papon, një përkrahës i De Gaulle-it do të akuzohej për depërtimin e mijëra hebrenjve gjatë periudhës së luftës. Ai do të orkestronte arrestimin dhe burgosjen e mijëra luftëtarëve algjerianë gjatë periudhës së Luftës për Pavarësi.

 

1966 – Në 23rd Street të New York-ut do të shpërthente një zjarr i fuqishëm. Ky zjarr do të shkaktohej nga përzierjet kimike ngjyrosëse në një studio punimesh druri. Si pasojë e gjithë ndërtesa do të digjej dhe 12 zjarr-fikës do të vdisnin nga pasojat e flakëve. Disa prej tyre do të mbeteshin të asfiksuar, ndërsa pjesa tjetër do të vdisnin nga plagët e marra. Kjo tragjedi pas atyre të 11 Shtatorit, do të jetë një nga më të rëndat në historinë e këtij qyteti.

 

1972 – Lind në Missouri të SHBA-së, këngëtari dhe rrepisti i famshëm amerikan Marshall Bruce Mathers i njohur ndryshe edhe si Eminem. Eminem, gjatë karrierës së tij 25 vjeçare do të prodhonte 10 albume, ku më të njohurat janë, The Eminem Show, Recovery, Revival, dhe Kamikaze. Eminem do të kishte shumë duete dhe bashkëpunime me këngëtarët e tjerë të famshëm amerikanë dhe botërorë. Ai do të nominohej me 362 çmime muzikore ku do të fitonte 156 prej tyre.

 

1979 – Nënë Tereza fiton Çmimin Nobel. Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfrit e të varfërve”. Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës. Tereza tha: “Me anë të gjakut, unë jam Shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës. Sa i përket zemrës time, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezusit. Ajo fliste rrjedhshëm pesë gjuhë – Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindi- ajo bëri udhëtime të rastit jashtë Indisë për arsye humanitare.

 

1989 – Në Loma Prieta të San Francisco-s, do të biente një tërmet me magnitudë 6.9 ballë i shkallës Mercalli. 63 persona do të humbnin jetën dhe 4000 të tjerë do të plagoseshin. Të pastrehët do të llogariteshin në mbi 25 mijë vetë. Dëmet materiale të shkaktuara nga ky tërmet përllogariteshin në 6 miliardë dollarë. Ky do të ishte një nga tërmetet më të fuqishme në zonën amerikane të Paqësorit, e njohur ndryshe si pllaka tektonike e Los Angeles-it.

 

 

2003 – Në kryeqytetin e Taiwan-it, Taipei, do të inagurohet një prej ndërtesave më të larta në botë. Gradaçeli i quajtur ndryshe Taipei 101, do të jetë 510 metra i lartë dhe do të përbëhet nga 101 kate. Ai do të kushtonte afro 60 miliardë dollar, dhe do të ishte një investim kolosal i qeverisë taivaneze. Kjo strukturë e lartë arkitekturore do të shërbejë si qendër tregtare dhe një nga objektet më të famshme të argëtimit në këtë vend. Taipei 101 do të jetë simbol i zhvillimit ekonomik të Taiwan-it.

 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-17-tetor-2022/