Kalendari Historik 16 Tetor 2023

1888 – Lindi në Gjirokastër Hysni Babameto,  Ishte patriot, mësues matematike dhe  edukator shqiptar një ndër pionierët e parë të arsimit shqiptar të shekullit XX të cilit i shërbeu me devotshmëri për 52 vite. I detyruar, për arsye shëndetësore të braktisë studimet universitare në Fakultetin e Mjekësisë të Stambollit, ai ju kushtua me entuziazëm misionit të shenjtë të mësuesit në vendlindje. E nisi detyrën tij në moshë shumë të re, në vitin 1910 dhe i kushtoi kësaj karriere fisnike më shumë se gjysmë shekulli duke filluar në Gjirokastër, për ta vazhduar pastaj në Shkodër, Korçë dhe përfundimisht që prej vitit 1929 në Tiranë. U largua nga bankat e shkollës  në vitin 1962 në moshën 74 vjeçare. U shqua si metodist në mësimdhënien e matematikës, si edukator i brezave dhe gjeneratave të tëra, por mbi të gjitha në karrierën e tij të stërgjatë që kaloi nëpër kufijtë e shumë sistemeve të ndryshme politike të Shqipërisë të shekullit XX, profesor Babameto u shqua për patriotizmin dhe shqiptarizmin e tij. Ai është dhe autor i një varg tekstesh të matematikës. Që në moshë të re u bë nga pionierët e pare të arsimit, që nën kushtet e okupacionit otoman dhe të reaksionit xhon-turk, hidhte hapat e para plot shpresë. Më 1947, u lejua të kthehej në Tiranë. Në fillim, për një periudhë kohe shërbeu në Gjimnazin e Tiranës dhe në Politeknikumin e Tiranës. Më tej u rikthye në Pedagogjike, në shkollën e tij ku shërbeu deri në fund në hije edhe për shkak të djalit të tij të dënuar politikisht. U largua nga bankat e shkollës vetëm për arsye të shëndetit në vitin 1962 pasi i shërbeu për 52 vjet shkollës shqipe.

1908 – Lindi në Gjirokastër Enver Hoxha – diktatori i Shqipërisë. Hoxha përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direket për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”. Regjimi dyzetvjeçar i tij u karakterizua nga zhdukja e opozitës politike e intelektuale, represioni i vazhdueshëm politik në të cilin përfshiheshin kampet e detyrueshme të punës, pushkatimet pa gjyq dhe ekzekutimet e antikomunistëve të piketuar. Dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi i Shtetit. Gjithashtu, diktatura komuniste, u karakterizua nga metodat staliniste të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij, që kërcënonin pushtetin e tij personal. Pjesa më e madhe e kësaj shtypjeje u bë përmes armës së Sigurimit të Shtetit.

1923 – Themelohet në Californi, kompania e famshme amerikane e filmave të animuar për fëmijë Walt Disney. Kjo kompani u krijua nga dy vëllezërit Walt dhe Roy Disney. Përgjatë 95 viteve të ekzistencës së saj, kjo kompani do të prodhonte disa nga filmat e animuar, më të famshëm në historinë e kinematografisë botërore. Disa nga këto janë, Mickey Mouse, Pinocchio, Snow White and the Seven Dwarfs, Cinderella, The Jungle Book, etj. Asetet totale të kësaj kompanie arrijnë në 100 miliardë dollarë. Kjo kompani, është shpallur si një nga më të suksesshmet e shek XX dhe fillim-shekullit XXI.

1927 – Lind në Gdansk të Polonisë. Nobelisti i fmshëm gjerman Gunther Grass. Grass do të fitonte Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1999. Gjatë karrierës së tij letrare 55 vjeçare ai, do të spikaste për publikun e gjerë me veprat, The Tin Drum, Cat and Mouse, Dog Years, Crabwalk, dhe What Must Be Said. Gunther Grass do ti përkiste zhanerit dramatist në letërsi, dhe ai gjithashtu, do të përshkruante mjaft mirë edhe rrymën e realizmit magjik. Në të kaluarën e tij Grass, kishte shërbyer në repartet e ushtrisë naziste, gjë për të cilën kërkoi falje vite më vonë.

1929 – Lindi në Gjirokastër Petro Zheji, ka qenë arsimtar, përkthyes dhe gjuhëtar. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave. Studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës.  Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqëror dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet.  Si një nga përkthyesit më elitarë, ai ka rreth 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov. Nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter”, “Sojliu mendjemprehtë”, “Nipi i Ramonit”,  “Vilet e zemërimit”, “Njeriu i padukshëm” etj.

1946 – Në Nuremberg të Gjermanisë, ekzekutohen me varje 10 kriminelët nazistë të Luftës së Dytë Botërore. Më kryesori i tyre Hermann Goring, do të vetë-vritej me një kapsulë cianuri pak minuta përpara ekzekutimit. Të gjithë të ekzekutuarit me varje, do ti përkisnin rangut më të lartë të kupolës naziste, duke përfshirë këtu, ministra, marshallë, gjeneralë, dhe njerëz të afërt të Hitlerit. Ky vendim u pasua më vonë nga disa mijëra ekzekutime ndaj kriminelëve të tjerë nazistë të luftës në mbarë Europën.

1968 – Në Lojrat Olimpike Mexico 68, dy atletë afro-amerikanë Tommie Smith, dhe John Carlos, gjatë nderimit me medalje në podiumin e nderit, do të nderonin me simbolin e njerëzve me ngjyrë. Ky simbol do të konsistonte në ngritjen e krahut lart, duke mbledhur dorën në formë grushti. Nga ky gjest që ata bënë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, do ti përjashtonte përgjithmonë nga garat në këtë eveniment sportiv. Smith dhe Carlos, deklaruan më pas se këtë veprim e bënë për të nderuar të gjithë komunitetin afro-amerikan në SHBA.

2002 – Rihapet pas mijëra vjetësh që nga shkatërrimi i saj, Biblioteka e famshme e Alexandrina-s  në Egjipt. Kjo bibliotekë u restaurua nga qeveria egjiptiane dhe sot është një nga qendrat më të mëdha kulturore dhe letrare në të gjithë Mesdheun. Punimet për rikonstruksionin e saj kushtuan 220 milionë dollarë. Përpos bibliotekës digjitale, në të ekziston e disponueshme për lexuesit dhe studiuesit edhe biblioteka e vjetër e cila, disponon me miliona vëllime kryeveprash në koleksionin e saj.

2007 – Shuhet në moshën 26 vjeçare, këngëtari i famshëm maqedonas, Tose Proeski. Proeski do të vdiste gjatë një aksidenti automobilistik në Kroaci. Ai do të cilësohet si një nga këngëtarët më të mëdhenj maqedonas të të gjitha kohërave. I njohur ndryshe edhe si Elvis Presley i Ballkanit, ai do të numëronte plot 8 albume dhe 5 bashkëpunime gjatë karrierës së tij. Funerali i Proeski-t do të mbahet mënd si një nga më madhështorët në këtë vend, pasi varri i tij shumë shpejt u kthye në një vend pelegrinazhi. Ai do ta prezantonte Maqedoninë në Eurosong-un e vitit 2004 në Stamboll.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-16-tetor-2023/