Kalendari Historik 1 Janar 2023

1920 – Lindi në  Vlorë Shaban Demiraj,një gjuhëtar, albanolog dhe akademik i njohur shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë viteve 1993 – 1997. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, ç’ka përbën në vetvete rekord të këndshëm. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, etj. Ai drejtoi me aftësi shkencore dhe administrative për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989). I përgatitur shkencërisht me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, gjithherë i njerëzishëm. Kohëzgjatja në këtë funksion flet vetë. Profesor Sh. Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, madje ndaj Gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur. Me punë dhe prodhim ai i ka ngritur monument vetes. Ka përkthyer romanin Martin Iden të Xhek Londonit (1995), me gjuhë të krehur, larg ndikimeve e ndërtimeve të pastra angleze, shembull për përkthyes të tjerë. Një jetë e tërë e mbushur me studim, me kërkim, me krijimtari shkencore të qëndrueshme, jetëgjatë. Sepse është i tillë, u zgjodh anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), iu dhanë titujt e lartë Profesor (1972), Mësues i Popullit (1977), Profesor i merituar 1990, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1989), kryetar i saj (1993-1997), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1996), anëtar i Akademisë Qendrore Europiane të Shkencave dhe të Arteve (1997), anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës (2000), nënkryetar i A.I.E.S.E.E. (Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Europës Jug-lindore (1994-1998). Laureat i dy Çmimeve të Republikës, të klasit të dytë (1979) dhe të klasit të parë (1989). Është dekoruar me Urdhrin Mjeshtër i Madh i Punës (2000). Është Qytetar Nderi i Vlorës (2001).

1934 – Ishulli Alcatraz në bregun e San Francisco-s, do të kthehet në një nga burgjet federale të sigurisë së lartë më të famshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë ishull-burg prej 20 hektarësh, përgjatë 56 viteve të ekzistencës së tij kanë vuajtur dënimin disa nga eksponentët më në zë të botës së krimit në SHBA si, Al Capone, Mickey Cohen, George Kelly, dhe Robert Stroud. Por vetëm 3 të burgosur mundën të arratiseshin nga ishulli me not, trupat e të cilëve nuk u gjetën kurrë.

 

1937– U lind më 1 janar në Elbasan Demir Hyskja. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes. Në vitet 1951-1955 përfundoi shkollën e mesme të ndërtimit. Teknik ndërtimi në vitet 1955-1962 dhe më tej aktor në teatrin “Skampa”. Gjatë punës 30-vjeçare në teatër ka realizuar mbi 50 role kryesore. Për Kinostudion “Shqipëria e Re” ka realizuar 24 filma artistikë dhe dokumentarë. Është dekoruar disa herë me dekorata të shkallëve të ndryshme, deri tek “Naim Frashëri i Klasit të Parë”. Në vitin 1969 nderohet me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 nderohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Është zgjedhur katër herë radhazi deputet në Kuvendin Popullor.

 

1942 – Nënshkruhet në San Francisco, nga 48 vënde të botës, Deklarata e Kombeve të Bashkuara. Kjo deklaratë do të formalizonte kështu edhe aleancën ndërmjet shteteve anti-nazi-fashiste të udhëhequra nga të ashtuquajturit Katër të Mëdhenjtë ku bënin pjesë, SHBA, BRSS, Britania e Madhe, dhe Kina. Më pas kjo deklaratë do të nënshkruhej edhe nga shtete të tjera të çliruara nga pushtimi nazist si Shqipëria.

 

1946 – Lind në Sao Paulo të Brazilit, Rivellino, një prej futbollistëve më në zë të këtij vëndi. Rivellino do të spikaste me talentin e tij në Kombëtaren Braziliane të futbollit duke u shpallur Kampion Bote në Meksikë 1970, si dhe duke zënë një vënd nderi në Gjermani 1974, dhe Argjentinë 1978. Për afësitë e tij të jashtëzakonshme në futboll ai do të mbiquhej Goditja Atomike.

 

1951Lindi në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit, Jakup Krasniqi, politikan shqiptar dhe ish-President i përkohshëm i Kosovës. Ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjatë Luftës së Kosovës ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në nëntor të vitit 2020 u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës. Në zgjedhjet e lira pas pushtimit më 1992-1998 deputet në parlamentin e Kosovës. Në seancën e parlamentit të ri të Kosovës më 9 janar 2008, dalë nga votimet e 17 nëntorit 2007, Jakup Krasniqi zgjidhet Kryetar i Parlamentit të Kosovës. Në vitin 2014 së bashku me Fatmir Limaj formuan partinë e quajtur Nisma për Kosovën. Tani është Kryetar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie.

 

1959 – Merr fund me sukses pas një periudhe 6 vjeçare Revolucioni Komunist Kubanez i udhëhequr nga Fidel Kastro dhe Ernesto Che Guevara. Pas disa muajsh luftimesh të ashpra forcat guerilase revolucionare kubaneze të quajtura Barbudos (mjekroshët), marrin kryeqytetin Havana nën kontrollin e tyre. Fidel Kastro shpallet udhëheqësi i Kubës komuniste ndërsa lideri pro-amerikan Fulgencio Batista arratiset për në Meksikë.

 

1993 – Shpërbëhet në mënyrë paqësore, shteti i Çekosllovakisë, duke ia lënë vëndin kështu krijimit të dy shteteve të reja të Europës Qëndrore, Çekisë me kryeqytet Pragën dhe Sllovakisë me kryeqytet Bratislavën. Pas përfundimit të Revolucionit të Kadifejtë, Nobelisti Vaclav Havel do të bëhej Presidenti i parë i Çekisë post-komuniste. Çekia dhe Sllovakia, në vitet në vijim, do të përjetonin një rritje të ngadaltë ekonomike.

 

1999 – Hyn në fuqi në 12 shtete të Bashkimit Europian, përdorimi i monedhës së përbashkët Euro. Në vitet që do të pasonin zgjerimin e BE-së, Euro, do të bëhej monedhë zyrtare e të gjitha shteteve të kësaj organizate me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Danimarkës. Por monedha zyrtare europiane, pas vitit 2010, do të binte ndjeshëm në vlerën e saj në raport me dollarin, duke sjellë vetë-vetiu një rënie të ekonomisë europiane.

 

2007 – Rumania dhe Bullgaria, bëhen antaret më të reja të Bashkimit Europian. Pas pranimit të një sërë vëndeve të Europës Qëndrore dhe Lindore, antarësimit në BE-së do ti bashkangjiteshin edhe Sofja dhe Bukureshti zyrtar duke u bërë kështu brezi i tretë i shteteve ballkanike që antarësohen në këtë organizatë pas Greqisë dhe Sllovenisë. Por njëkohësisht këto dy shtete do të rradhiteshin, si më ekonomitë më të dobëta të unionit europian.

 

2012 – Vdes në Shkup në moshën 94 vjeçare, Presidenti i parë i Maqedonisë, Kiro Gligorov. Gligorov, do ta udhëhiqte shtetin e vogël të Maqedonisë drejt një ndarjeje paqësore nga Federata Jugosllave në vitin 1991. Ai do ti mbijetonte një sulmi me bombë në eskortën presidenciale të tij, dy vjet më vonë nga atentatorë ende të panjohur. Shteti maqedonas që formoi Gligorov-i, në përbërje të tij do të kishte 40 përqind të popullsisë shqiptare.

 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kalendari-historik-1-janar-2023/