“Kadri, na bëri përshtypje për ato që thua për Hysni Kapon, sepse ti, në një të ardhme, do thuash: ja si po na persekuton Partia ne dy vlonjatëve…”! / Debatet e Enverit në Byro, 8 tetor ‘82

Dashnor Kaloçi

Pjesa e njëzetë e pestë

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                      TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                              PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Pas thirrjes që t’u bë në Sekretariatin e Komitetit Qendror më 20 Shtator, nuk e bëre këtë dhe shkon më tej, sa i parashtron Byrosë Politike një autokritikë sa për të kaluar radhën, për të na hedhur këtu pluhur syve, për të lënë përgjegjësinë e madhe dhe fajin që të takon jetim, dhe sidomos për t’jua lënë këto të tjerëve. Të bën përshtypje fakti që ke shtuar 6 faqe shtojcë në autokritikën tënde, vetëm për sa u tha e për sa nuk u tha në Pezë për ty, kështu apo ashtu, në vend që të thelloheshe në ato ngjarje me aq rëndësi që kanë ndodhur, në shkaqet dhe përgjegjësitë e tjera që ke për të ndihmuar Partinë për sqarimin e kësaj situate dhe në këtë punë kaq të madhe intensive politike që bëri e po bën Partia, për zbulimin deri në rrënjë të komplotit të madh të armikut Mehmet Shehu dhe të këlyshëve të tij, agjentë të shërbimeve të huaja, komplotistë shumë të rrezikshëm.

Duke lexuar shtojcën e autokritikës tënde, kuptova se i gjithë qëllimi yt, ishte që të kritikohej shoku Prokop që sipas teje “kishte gabuar”. Por kryesorja që del në këtë shtojcë shoku Kadri, është ajo që ty të është krijuar një psikozë kaq e rëndë, një sedër dhe një dyshim kaq i madh, për ato që dëgjoje saqë, ti e thua vetë që njoftove dhe shokun Ramiz në Komitetin Qendror. Megjithëse si gjithnjë në mënyrë të matur, në rrugën dhe në kohën e duhur, Komiteti Qendror i Partisë, me rastin e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, si dhe në mitingun e madh që u organizua në Pezë, mori masat për të dhënë sqarimet e nevojshme, ashtu siç vepron në çdo rast.

Vihet pyetja: Përse ky eksitim kaq i madh i yti, sa që shkon deri aty sa të fyesh me fjalë banale me termin “kastravecllëk” shokun tënd, anëtarin e Byrosë Politike, me shprehje që janë të huaja për gjuhën tonë?! Kur ne, kemi vërejtje për njëri tjetrin, i’a bëjmë pa ndrojtje shokut, po kjo që bëre ti tregon veçse mospërfillje dhe mendjemadhësi, dhe njëkohësisht edhe frikë e shqetësim për ato që dëgjoje, mendoj unë. Kur njeriu e ka ndërgjegjen të pastër, një eksitim dhe veprim i tillë i maskuar me shqetësimin e mbrojtjes së unitetit apo të interesave të Partisë, etj., flet dhe për atë se ekziston diçka e vërtetë në këto që kanë ndodhur, që ti pikërisht as atë në autokritikën që ke bërë me shkrim, dhe as sot këtu në Byronë Politike, nuk e thua, dhe nuk e zbërthen.

Kjo është, jo vetëm logjika e këtij fakti, por del edhe nga përvoja shumëvjeçare e veprimtarisë së Partisë dhe Byrosë Politike, gjatë analizave që kanë bërë çdo herë në raste të tilla. Duke ju referuar dokumenteve që na vunë në dispozicion nga Komiteti Qendror, del qartë përgjegjësia e madhe dhe faji që ke ti Kadri, për vetë faktin se 15 vjet pas ndërprerjes së marrëdhënieve me sovjetikët ti, njoftove Komitetin Qendror lidhur me çështjen e bashkëpunëtorëve të Sigurimit në radhët e studentëve tanë jashtë shtetit. Por edhe atëherë kjo gjë, ndodhi me një rastësi, kur u zbulua problemi i Malo Harshovës, pasi para kësaj date, d.m.th., para vitit 1975, Komiteti Qendror i Partisë, nuk ka pasur asnjë dijeni, dhe asnjë njoftim, për këtë çështje, siç e thotë tekstualisht shoku Hysni Kapo, në shënimin që na ka lënë, dhe që ne e kemi lexuar, dhe na e lexoi përsëri sot këtu shoku Ramiz.

Vërtetësinë e këtij fakti ti, nuk ke se si ta vësh në dyshim sepse ai, është i dokumentuar. Po të ishte gjallë shoku Hysni, të njëjtën gjë do të të thoshte. Lidhur me këtë gjë unë, dënoj madje me shumë neveritje edhe thënien tënde në autokritikë që “mungesa e shokut Hysni, vështirëson punën dhe shpjegimet e tjera”. Unë këtë e konsideroj si një akuzë që ti orvatesh t’ja bësh kundër shokut Hysni, si një tjetër përpjekje nga ana jote, për të shkarkuar përgjegjësinë që ke. Por dije, se nuk mund të njolloset figura e shokut Hysni me orvatje të tilla.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ore për korrektësi.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Të lutem shumë unë, kështu e kam menduar dhe kështu e interpretova që kur e lexuam atë material. Po të ishte ndryshe, pse të bëhej ajo orvatje?!

SHOKU HEKURAN ISAI: Atë përshtypje na jep kjo të gjithëve.

TË GJITHË SHOKËT: Të gjithëve na ka bërë përshtypje.

SHOKU ENVER HOXHA: Të gjithëve na ka bërë përshtypje kjo madje ti, e bën këtë për një të ardhme se thua: “ja të dy ne vlonjatëve, po na persekuton Partia”, more vesh?! Ja këtë kishe ndër mënd ti?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mua, më revoltoi shumë ky qëndrim shoku Enver, prandaj dhe e dënoj.

SHOKU RITA MARKO: Të tërëve, na bëri përshtypje kjo.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ajo që tha Kadriu, ishte akuzë kundër shokut Hysni, plus dhe ndaj vetë Byrosë Politike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, dhe akuzë ndaj Byrosë Politike, sikur ajo është e paaftë, dhe se këto cështje kanë qënë të mbyllura.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, posi.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Orvatje të tilla, për të errësuar faktet që flasin vetë nuk mund të qëndrojnë dhe me të drejtë neve na lind pyetja: Pse, dhe me ç’qëllim i bën të tilla orvatje Kadri Hazbiu?! Për mua është e qartë se, për të shpëtuar nga përgjegjësia dhe nga fajet e rënda që bien mbi të, për t’u lënë këto dhe të tjerëve, për t’i ndarë dhe për të lehtësuar vetë veten, për tu justifikuar dhe me mungesë të kujtesës gjoja se u kishte folur dhe për këtë ose për atë fakt, por nuk mban mënd se ku, dhe kur.

Të gjitha këto që je orvatur të bësh, nuk qëndrojnë, nuk kanë asnjë bazë justifikimi, përkundrazi ato i justifikon mungesa e sinqeritetit. Prandaj duhet të përpiqesh që t’i tregosh çdo gjë haptazi Partisë, siç ka ndodhur dhe me të tjerët, duke treguar shkaqet dhe rrjedhojat e përgjegjësisë tënde. Por para vitit 1975, dhe menjëherë pas vitit 1960, kur ne premë çdo marrëdhënie me sovjetikët, përse ti Kadri nuk e njoftove Komitetin Qendror, jo thjesht për një fjalë goje, por zyrtarisht dhe në takime të drejtpërdrejta me shokun Enver, me të cilin kishe lidhje ashtu siç po na thua?!

Këtë ti duhet ta bëje, jo vetëm për të dhënë një informacion thjesht me karakter informativ për listat e bashkëpunëtorëve që kishin marrë në lidhje sovjetikët dhe që ti e dije, që shumë nga këta bashkëpunëtorë sovjetikët i dinin, dhe që me ta mbanin lidhje, por si Ministër i Punëve të Brendshme dhe si anëtar i Byrosë Politike ti, duhet t’i parashtroje Komitetit Qendror dhe masat konkrete të hollësishme që duheshin marrë menjëherë si prerjen e lidhjeve të tyre si bashkëpunëtorë, rekomandimi i emrave të tyre Partisë, për ti pasur parasysh në vendosjen e tyre në punë të ndryshme, etj. Ashtu siç e kërkojnë normat e Partisë. Ti e dije që agjentura sovjetike ata, i njihte dhe shumë prej tyre i kishte edhe bashkëpunëtorë, sepse këto dalin në dokumente.

Pra kush më shumë, e kush më pak nga këta, paraqet njëfarë rrezikshmërie, që duhet patjetër të merret parasysh. Kush më shumë se ti, duhet t’ja ngrinte si problem Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike, kurse ne të tjerët nuk dinim gjë fare për këtë çështje?! Kjo bisedë sipas rregullit, duhet të ishte bërë dhe për këtë duhet të njoftohej Komiteti Qendror. Por ti, jo vetëm që nuk e bëre këtë menjëherë pas vitit 1960, që sipas mendimit tim duhet të kishe vepruar dhe më parë. Pasi marrëdhëniet tona me hrushovianët kishin kohë që ishin acaruar.

Por këtë gjë ti, nuk e bëre as më vonë, por e bëre fare rastësisht siç i thonë “si kofini pas të vjele”, se ti fole vetëm nga zori dhe nga vështirësia pas një kohe shumë të gjatë, pasi kjo çështje doli në shesh. Si rezultat i kësaj shumë nga këta njerëz, u ngritën në përgjegjësira të ndryshme, madje njëri prej tyre deri në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, siç është rasti i Kristaq Qarrit.

Kur janë shqyrtuar kandidaturat e të tillë elementëve si ky në Byronë Politike, përse ti shoku Kadri nuk je ngritur për t’ja thënë Byrosë që e dije se ky ishte në atë listën atje, derisa njiheshe me këto të dhëna që ne t’i kërkuam tani?! Në bazë të normave të Partisë kur kuadrot, lëvizin dhe jepen të dhëna biografike për secilin, kudo në të gjitha instancat, aq më tepër në Byronë Politike, duhen vënë gjithçka, çdo shënim që mund të jetë i nënvizuar me bojë të kuqe, pra si anët pozitive ashtu dhe ato negative.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ato, i dogji Kadriu.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po i dogji, por nuk duhet ta kishte lënë kujtesa, aq më tepër kur është çështja që të vendoset kuadri, në një vend me përgjegjësi të veçantë, siç është rasti i Drejtorisë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, që ka të bëjë me gjithë ato sekrete ushtarake shumë të rëndësishme. Mos është dhe kjo “harresë” apo “lajthitje e kujtesës”?! Jo. Kjo, e rëndon akoma dhe më shumë përgjegjësinë tënde Kadri, që këtë ti në autokritikë nuk e nxjerr, dhe nuk e analizon, por e kalon si një fakt të thjeshtë të njohur. Ne, u njohëm dhe me një mori materialesh tepër sekrete që nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në emër të shokut Kadri, si Ministër i Punëve të Brendshme, firmosur nga armiku Llambi Peçini, i janë dërguar zyrtarisht Komitetit Shtetëror të Sigurimit Sovjetik, KGB-së.

Ky, është një tjetër faj shumë i rëndë nga ana jote, shoku Kadri. Të bën përshtypje fakti që, ndërsa në Sekretariatin e Komitetit Qendror ku asistova edhe unë, kur Kadriu u ballafaqua me këto materiale i pranoi, dhe i pohoi se ashtu janë, dhe nuk krijoi asnjë dyshim për vërtetësinë e tyre, madje ai shtoi se duhet të jenë më shumë dokumente të tjera. Këtu këtë veprim, u përpoq ta justifikojë duke thënë se, të tilla kanë qenë në atë kohë marrëveshjet me Bashkimin Sovjetik, dhe marrëdhëniet me këshilltarët sovjetikë, dhe organet nga të cilat vareshin ata në vendin e tyre.

Pra në autokritikën e tij Kadriu, bën një mohim të asaj që pohoi në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror, duke u përpjekur të thotë se një veprim të tillë e ka bërë Llambi Peçini, prapa shpinës së tij. Mirëpo si mund ta bënte një gjë të tillë, dhe në një mënyrë kaq të hapur e të dokumentuar, Llambi Peçini duke pasur parasysh faktin që ai ishte armik, një agjent i rekrutuar që në atë kohë, kur një veprim i tillë e rrezikonte atë që të demaskohej e të zbulohej?! Unë kam bindjen e plotë se ato, janë bërë dhe dërguar në Bashkimin Sovjetik, me miratimin e shokut Kadri Hazbiu si Ministër i Punëve të Brendshme, siç thuhet në dokument dhe me porosi të tij, gjë që e rëndon edhe më shumë përgjegjësinë e Kadriut, dhe e ngarkon atë me një përgjegjësi shumë më të madhe.

Të paktën nga ato dokumente që lexuam, sepse siç dëgjuam sot, mendoj se duhet të ketë dhe një seri dokumentesh të tjera, del qartë se çfarë duhet t’ju jetë dhënë organeve të Sigurimit sovjetik. Në fakt Ministria e Punëve të Brendshme, është bërë në fakt një degë e Sigurimit sovjetik, duke ju dërguar në këtë mënyrë materiale tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë, madje të tëra dhe me karakter informimi, duke u justifikuar se gjoja i janë dërguar shkollës së Sigurimit në Bashkimin Sovjetik, për t’u njohur me përmbajtjen e tyre, studentët tanë që mësonin atje. Por ky justifikim, nuk është gjë tjetër veçse një mjegull për të mbuluar kanalin e informimit, për arsye në fakt se çfarë ju duheshin studentët tanë që mësonin atje, gjithë ato të dhëna, si ato që kishin të bënin me procesin e Liri Gegës dhe Dali Ndreut, dhe me deponimet e Dhora Lekës, e cila implikonte mbi 50 kuadro nga më të ndryshmit, etj?!

SHOKU HEKURAN ISAI: Më fal shoku Adil, këta kanë qenë elementë që në atë kohë ishin kuadro, por që edhe sot janë të tillë. Ç’ju duheshin studentëve tanë, emrat e të gjithë atyre që implikonte Dhora Leka me jugosllavët?! Çfarë konkluzioni do të nxirrte për mësimet studenti ynë, në Bashkimin Sovjetik me këto emra?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po dhe unë, atë po them ç’ju duheshin?! Ose ç’ju duheshin të dhënat për këtë apo për atë element antiparti?! Unë mendoj që të tilla të dhëna, madje as kur janë këtu në Shqipëri, që mësojnë në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk ka ç’ju duhen studentëve. Po sikur ta zëmë se ju duhen për tu bërë e njohur diçka, sidomos për metodën e punës armiqësore, kjo u ishte dërguar me kohë atyre.

SHOKU ENVER HOXHA: As këtyre këtu, nuk duhet t’ju jepen.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në Bashkimin Sovjetik jo që jo, nuk duhet t’ju dërgoheshin, por as edhe këtu nuk duhet t’ju jepeshin ato materiale. Kjo është logjika bindëse e këtij fakti, prandaj çdo justifikim për të mbuluar qëllimin e vërtetë e kësaj veprimtarie të dënueshme, nuk qëndron pasi bie përpara dokumenteve dhe logjikës.

SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe hajde gjeje tani se çfarë mund të kenë bërë sovjetikët me këto dokumenta.

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ka pasur shumë materiale komprometuese.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në autokritikën tënde ti Kadri, pretendon se paske pasur mendime të ndryshme për shumë çështje, ndër të tjera dhe për mënyrën e bashkëpunimit me këshilltarët sovjetikë. Kur ke pasur të tilla mendime, çfarë ke bërë ti për t’i sheshuar e vlerësuar, dhe pse nuk ja pate thënë Komitetit Qendror të Partisë, që të gjendej rruga më e drejtë, e të sqarohej e përcaktohej çdo gjë e lidhur me këto çështje, për të cilat ti kishe pikëpamje të tjera ?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po përse i kishe dhe çfarë mendimesh kishe ti?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ti nuk na thua gjë për atë se, me cilin i kishe këto mendime të ndryshme, cilat ishin këto mendime, dhe me kë ishe në debat?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Me Mehmet Shehun i kam pasur, shoku Adil.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, përse?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Për mënyrën e informimit, të këshilltarëve sovjetikë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po, si i sqarove?!

SHOKU ENVER HOXHA: Përse nuk erdhe tek unë të m’i thoje këto mendime të ndryshme?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë i kam ngritur ato në Byronë Politike, shoku Enver.

TË GJITHË SHOKËT: Oooo!

SHOKU ENVER HOXHA: E kemi, e kemi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Më falni shoku Enver por unë duke parë autokritikën e shokut Kadri, ku thotë t’ju referohemi dokumenteve të Byrosë Politike të viteve 1948-1951, ju referova atyre, dhe pasi e pashë të gjithë atë dokumentacion, lidhur me shokun Kadri, ka dy momente, ndaj më lejoni që t’jua lexoj ato.

SHOKU ENVER HOXHA: Lexoji. Memorie.al

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kadri-na-beri-pershtypje-per-ato-qe-thua-per-hysni-kapon-sepse-ti-ne-nje-te-ardhme-do-thuash-ja-si-po-na-persekuton-partia-ne-dy-vlonjateve-debatet-e-enverit-ne-byro-8-te/