ISP tryezë me partitë, komisionin, ekspertët dhe partnerët mbi reformën territoriale 2026 – Instituti i Studimeve Politike

Reforma administrativo-territoriale është prioritet, nevojë dhe sfida kryesore aktuale. Ajo ka impakt mbi organizimin shtetëror, ushtrimin e demokracisë, shërbimet ndaj qytetarëve, zhvillimin ekonomik, si dhe raportet ndërvepruese midis shtetit e qytetarëve, – i përfshin të gjithë dhe standardi kërkon një reformë afatgjatë, të qëndrueshme dhe funksionale.

A ka vullnet dhe ide alternative për reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse?
A jemi në kohë për reformën e kërkuar dhe cili është impakti i saj në zgjedhjet 2027?
A kemi mësuar nga gabimet dhe përvojat e të shkuarës?
A kemi qasje strategjike ndaj reformës dhe cilat janë bazat ku ajo do të mbështetet?
A kemi pushtet vendor funksional, autonom dhe efektiv në ushtrimin e qeverisjes dhe ofrimin e shërbimeve?
A reflekton ndarja territoriale dhe pushteti vendor konceptet e decentralizimit, trendët e migrimit, projektet zhvillimore dhe nevojat e shoqërisë dhe qytetarëve?
A ka qeverisja vendore kompetenca e përgjegjësi të mjaftueshme, burime njerëzore dhe financiare mbështetëse dhe a përputhet mandati i kryetarit të bashkive (i vetmi zyrtar i zgjedhur direkt nga qytetarët), këshillave (përfaqësim politik), qarkut, etj, me pritshmëritë qytetare, mirëqeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien?
Cili është roli në këtë proces i bashkive, komuniteteve lokale, ekspertëve, institucioneve, qeverisë qendrore, parlamentit dhe partnerëve ndërkombëtarë?
Shqipëria, – në bisedime për anëtarësim, a mund të sillet në reforma të tilla me standardet e vendit kandidat potencial për BE?

Këto e tema të tjera plotësuese ishin pjesë e tryezës së radhës organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) “Reforma administrativo-territoriale 2026: Për një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe efektiv”. Aktiviteti bëhet në kuadër të projektit Cluster One, mbështetur nga ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta.

Debatit konstruktiv dhe profesional në moderimin e Lutfi Dervishi i kontribuan Asli Cetinel (Chargé d’Affaires a.i. MVU), përfaqësuesit politikë, – Ministri i Pushtit Vendor Ervin Demo, bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm Arbjan Mazniku (PS) dhe Luciano Boçi (PD), deputetët Edmond Haxhinasto (PL), Jorida Tabaku (PD, Ermal Elezi (PS) dhe Eno Bozgo (PD) anëtarë të komisionit; si dhe përfaqësuesit nga ekspertiza dhe shoqëria civile, Adelina Farrici (Shoqata Kombëtare e Bashkive), Alba Dakoli (Fondacioni FLAG), Agron Haxhimali (Instituti i Bashkive), Erjon Tase (ASP), Arjan Durmishi (CSDG), etj. Pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësuesit nga përfaqësitë kryesore diplomatike, delegacioni europian, OSBE, Helvetas, si dhe organizatave të tjera aktive në këtë fushë.

Për të pranishmit në tryezë ISP, bazuar në ekspertizën e tij, ofroi një Position Paper, analizë të thelluar mbi problematikat politike, juridike, teknike dhe ekonomike, si dhe vlerësime, sugjerime dhe rekomandime për një proces reforme me integritet, transparent, funksional dhe afatgjatë.

Dokumentet mund te aksesohen: https://isp.com.al/reforma-administrativo-territoriale-2026-konteksti-mesimet-nga-2014-pritshmerite-dhe-sfidat/

														</div></div>

This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-tryeze-me-partite-komisionin-ekspertet-dhe-partneret-mbi-reformen-territoriale-2026/