ISP – Mesazh informues mbi rëndësinë dhe natyrën e zgjedhjeve vendore 2023 (II)

Kushtetuta e RSH përcakton parimin se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Në një sistem demokratik qeverisjeje zgjedhjet janë mekanizmi më efikas që lidh qytetarët me sistemin. Qytetarët ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve.

Shqipëria ka zhvilluar tetë zgjedhje vendore gjatë tranzicionit (1992, 1996, 2000, 2003, 2007, 2011, 2015 dhe 2019). Zgjedhjet e vitit 2023 janë të tretat me ndarjen e re administrative.

Me një traditë ende të brishtë të kulturës zgjedhore, të decentralizimit dhe të integritetit në politikë, zgjedhjet e 14 majit 2023 janë test i rëndësishëm për aftësinë dhe maturinë e Shqipërisë për të organizuar dhe zhvilluar procese zgjedhore në përputhje me standardet demokratike dhe parimet kushtetuese.

44 parti politike, 2 koalicione dhe mbi 23 mijë kandidatë janë pjesë e konkurrimit në këto zgjedhje. Midis kandidatëve ka emra me integritet dhe oferta programore që meritojnë vëmendje dhe vlerësim. Përtej statistikave jetësimi i standardeve të larta zgjedhore kërkon cilësi në përmbajtje, një proces të drejtë, konkurrues, aktiv dhe të besueshëm.

Zgjedhësit që votojnë për herë të parë duhet ta dinë se vota dhe pjesëmarrja janë të drejta dhe përgjegjësi.

Zgjedhjet bëhen me qytetarët dhe për qytetarët. Ato duhet të ofrojnë zgjidhje. Pjesëmarrja dhe përfaqësimi, konkurrimi alternativ dhe legjitimiteti i procesit, transparenca dhe llogaridhënia janë vlera thelbësore të demokracisë funksionale.

Koha për ndarje nga tranzicioni.
Koha për standarde, zgjedhje të lira dhe të drejta.

Kjo video bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA. Përmbajtja e dokumentit është përgjegjësi vetëm e autorit dhe e Institutit të Studimeve Politike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-mesazh-informues-mbi-rendesine-dhe-natyren-e-zgjedhjeve-vendore-2023-ii/