ISP – Mesazh informues mbi rëndësinë dhe natyrën e zgjedhjeve vendore 2023 (I)

Të gjithë flasin për politikë, diskutojnë mbi parlamentin dhe partitë, mbi qeverinë dhe drejtuesit e radhës. Politika është përfaqësim dhe ushtrohet përmes zgjedhjeve. Qeverisja në Shqipëri bazohet në parimin e ndarjes dhe balancës së pushteteve: parlamenti miraton ligje, qeveria dhe institucionet e tjera i zbatojnë, entet kushtetuese garantojnë standardet e shtetit të së drejtës, qytetarët sigurojnë kontrollin përmes pjesëmarrjes, votës, konsultimit dhe llogaridhënies.

Në hierarkinë e qeverisjes, pushteti vendor zë vend të rëndësishëm. Qeverisja vendore është qeverisje pranë qytetarit. Ajo lidh qytetarët me sistemin, ajo zgjidhet direkt prej tyre, ajo merret me problemet e përditshme dhe të prekshme: çerdhet, kopshtet, shkollat, universitetet, rrugët, gjelbërimin, mjedisin, punësimin, infrastrukturën, urbanistikën, shërbimet sociale dhe publike, rregullin dhe jetesën në komunitet.

Si mund të kemi qeverisje më të mirë vendore? Qytetarët mund të ushtrojnë demokracinë direkte dhe llogaridhënien. Ata janë pushtet real, vota e tyre përcakton modelin dhe standardin e qeverisjes vendore, ata që ushtrojnë qeverisjen dhe ata që do të marrin vendime në emër të tyre. Qytetarët mund të zgjedhin me votë midis disa alternativave. Qytetarët mund të kërkojnë kontratë sociale dhe politike në përfaqësim.

Më 14 maj 2023 do të votohet për kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë. Pjesëmarrja aktive dhe vota e fshehtë dhe e lirë janë kushte për një qeverisje vendore më efektive, më të mirë dhe më llogaridhënëse.

Koha që zgjedhjet të ofrojnë zgjidhje.
Koha për standarde, zgjedhje të lira dhe të drejta.

Kjo video bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA. Përmbajtja e dokumentit është përgjegjësi vetëm e autorit dhe e Institutit të Studimeve Politike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-mesazh-informues-mbi-rendesine-dhe-natyren-e-zgjedhjeve-vendore-2023-i/