ISP: Mbështetje për dialogun politik, por thelbësore janë 4 rekomandime për parlament funksional

Instituti i Studimeve Politike (ISP) mirëpret dialogun politik në Kuvend që çon në rikthimin e normalitetit në aktivitetin parlamentar. Prej tetorit 2023 palët politike refuzuan kërkesa dhe propozime që tani u pranuan, dhe vetë Kuvendi e strukturat drejtuese injoruan përgjegjësinë e reflektimin që tashmë e shfaqën brenda pak ditësh. Akordi i fundit konfirmoi drejtësinë e apelit të vazhdueshëm të ISP-së dhe të shoqërisë civile mbi përgjegjësinë direkte të liderëve politikë për të evituar kriza të tilla, për të pasur sens mase dhe qasje institucionale, për të respektuar parimet e parlamentarizmit dhe të drejtat kushtetuese, si dhe për t’i kursyer energji e kohë të çmuara vendit dhe shoqërisë.

Ne jemi krenarë që me tryezat tona jopublike dhe bashkëpunimin intensiv me Kuvendin dhe aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mund të kemi kontribuar sadopak në nxitjen e dialogut politik dhe institucional, një funksion bazik dhe klasik i një parlamenti në sistem demokratik.

Duke njohur sfidat dhe nevojat prioritare të vendit, ISP apelon më tej që:

I. Kuvendi t’i rikthehet funksioneve të veta kushtetuese në sistemin politik, duke ofruar nivel më të lartë parlamentarizmi, funksion reformator ligjbërës dhe zgjedhor, kontroll parlamentar mbi pushtetin ekzekutiv, rol proaktiv mbikëqyrës dhe përfaqësim cilësor. Në çdo rast, aktet dhe nismat e pritshme parlamentare nuk duhet të cenojnë pavarësinë e institucioneve, sidomos të atyre të drejtësisë.

II. Fryma konsensuale parlamentare duhet të trajtojë me prioritet disa vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese ndaj parlamentit, të cilat deri tani padrejtësisht janë injoruar.

III. Palët politike në parlament duhet të adresojnë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse dhe transparente të gjitha çështjet prioritare të reformës zgjedhore, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sugjerimet e Komisionit të Venecias, rekomandimet e ODIHR/OSBE dhe të shoqërisë civile.

IV. Kuvendi rekomandohet të shfrytëzojë klimën konstruktive parlamentare për të nisur procesin e reformimit të akteve të brendshme rregullatore, përfshirë Rregulloren e Kuvendit, ligjin për statutin e deputetit dhe disa elementë të evidentuar gjatë jetësimit të standardeve të Kodit të Sjelljes dhe të dekriminalizimit.

ISP do të vijojë të monitorojë Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar, si pjesë e kontributit civil dhe qytetar për një parlament sa më përfaqësues, transparent dhe llogaridhënës.

 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-mbeshtetje-per-dialogun-politik-por-thelbesore-jane-kater-rekomandime-per-kuvend-funksional/