ISP deklaratë: Lidhur me përgjegjësitë për reformën zgjedhore 2023

Kuvendi i RSH ka ngritur në shkurt 2022 një komision të posaçëm parlamentar “për Realizimin e Reformës zgjedhore”, me objektiv “hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse”.

Komisioni nuk funksionoi normalisht dhe Kuvendi e zgjati mandatin e tij 6 muaj në shtator 2022, dhe së fundi, me 23 shkurt 2023 vendosi zgjatjen edhe 6 muaj të tjerë, në një vendimmarrje, në të cilën për ironi, u dokumentua mungesa në votim e dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Z.Gjiknuri dhe Z.Alibeaj.

Zgjedhjet vendore zhvillohen në maj 2023, pra në më pak se 90 ditë, ndërkohë që Komisioni nuk ka ende asnjë produkt zyrtar. Pra, Komisioni nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga objekti i punës sipas vendimit të Kuvendit në shkurt 2022, – trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE-ODIHR të vitit 2021 dhe ato më përpara, të KQZ, të partive dhe natyrisht as të organizatave të shoqërisë civile. Në seancën e fundit të punës së tij në dhjetor 2022, pati disa propozime, por palët përdorën veton kundër njëri-tjetrit, duke pamundësuar vendimmarrjen.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) është angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve lokale dhe standardeve të demokracisë përfaqësuese, të integritetit dhe transparencës në zgjedhjet 2023 dhe 2025. Bazuar në këtë angazhim dhe në misionin e vet qytetar e publik, ISP shpreh shqetësimin sesi një prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare nuk ka arritur të përmbushë misionin e tij, dhe për pasojë, ka pamundësuar reformën zgjedhore në disa elementë thelbësorë të saj.

ISP shpreh habinë sesi Kuvendi merr vazhdimisht vendime për shtyrje mandati, pa marrë në shqyrtim punën, gjendjen, produktin dhe ecurinë gjatë mandateve kohore në dispozicion. Vendimmarrjet në Shqipëri, përveçse procedurale, duhet të jenë edhe transparente edhe llogaridhënëse, dy elementë thelbësorë që janë injoruar në këtë rast. ISP shpreh edhe keqardhjen, që partitë parlamentare, të cilat kanë mandatin, legjitimitetin dhe përgjegjësinë për të jetësuar reforma dhe përmbushur detyrimet ligjore dhe politike, janë vetë pjesë e dështimit të reformës dhe të abuzimit me mandatin parlamentar të Komisionit.

ISP i bën thirrje Kuvendit të vendosë reformën zgjedhore në prioritetet e tij, Komisionit të Reformës që të mblidhet dhe të trajtojë sa më parë ato rekomandime që lejon koha në dispozicion për trajtim, si dhe të dy institucioneve të mbajnë premtimin politik dhe detyrimin ligjor për gjithëpërfshirjes, transparencë dhe llogaridhënie.

ISP apelon edhe KQZ, zyrën e delegacionit të BE dhe Prezencën e OSBE, si dhe çdo aktor shtetëror dhe institucional të përfshirë, median dhe shoqërinë civile, të ushtrojnë ndikim pozitiv që Kuvendit të përmbushë detyrimet e tij ligjore dhe që zgjedhjet e vitit 2023 të kenë një bazë ligjore e administrative më solide dhe më funksionale.

Zgjedhjet nuk bëhen për partitë, bëhen për qytetarët. Standardet e tyre janë thelbësore për jetësimin e demokracisë funksionale dhe për parimet kushtetuese ushtrimit të vendimmarrjes.

Deklarata ne PDF: ISP – Deklarate lidhur me pergjegjesite per reformen zgjedhore 2023

Instituti i Studimeve Politike (ISP)


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-deklarate-lidhur-me-pergjegjesite-per-reformen-zgjedhore-2023/