ISP deklaratë lidhur me mbarimin e afatit të Komisionit të Posacëm për Reformën Zgjedhore dhe pritshmëritë për reformë

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore i kërkuar në fillim të legjislaturës 2021 dhe i ngritur më 2022 e konsumoi mandatin e katërt parlamentar pa arritur të përmbushë qëllimet e veta dhe as të jetësojë ndonjë element të reformës zgjedhore.

Debatet rreth legjitimitetit dhe bashkëdrejtuesit dominuan aktivitetin e tij dhe vetëm muajve të fundit komisioni organizoi procese të pjesshme dëgjimore me organizata të shoqërisë civile, parti politike dhe institucione të përfshira në proceset zgjedhore.

  1. Dështimi i Komisionit është në thelbin e tij dështim i Kuvendit të Shqipërisë për të adresuar përgjegjësitë e veta lidhur me nevojën e vendit për reformë zgjedhore funksionale, gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kuvendi u mjaftua me zgjatjet e mandatave kohore pa analizuar, debatuar apo kërkuar llogari lidhur me produktin, si dhe duke krijuar idenë e gabuar se reforma do të bëhej.
  2. Dështimi i Komisionit është edhe dështim i vizionit, aftësisë dhe integritetit të partive kryesore politike përbërëse, sidomos aty drejtuese të komisionit, të cilat lejuan që të mbivendosin interesat politikë të ditës mbi interesin dhe përgjegjësinë publike, institucionale dhe ligjore për reformë zgjedhore. Ato injoruan thirrjet nga shoqëria civile, qytetarët, partnerët ndërkombëtarë dhe e trajtuan reformën si çështje e brendshme e partive me veto drejtimi.
  3. Çështje thelbësore si vendimet e Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës, herësin dhe kandidatët e pavarur, sugjerimet e Komisionit të Venecias, si dhe propozime e ide konstruktive që iu bashkëngjitën rekomandimeve të patrajtuara të ODIHR, por edhe problematika shqetësuese që lidhen me legjislacionin jo efektiv mbi partitë politike, mbi financimet elektorale dhe periodike, si dhe mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore në fushatë elektorale, – mbeten ende pa adresim nga Kuvendi, ndonëse Shqipëria ka hyrë një vitin zgjedhor.

Në rrethanat e reja kur Kuvendi ka paralajmëruar se një nënkomision brenda Komisionit të Ligjeve do të adresojë çështjet zgjedhore, pra një strukturë e paqëndrueshme, me mandat më të kufizuar dhe pa garanci për rezultate konkrete, Shqipëria rrezikon të shkojë në zgjedhjet e vitit 2025 pa reformë zgjedhore.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) apelon Kuvendin të ndryshojë qasje dhe të reflektojë nga dështimi, për të mundësuar dhe garantuar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili të adresojë jo vetëm rekomandimet e ODIHR/OSBE dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe pritshmëritë publike dhe rekomandimet e shoqërisë civile për reformim të sistemit përfaqësues, barazi dhe standarde, integritet dhe transparencë.

Ky është testi dhe kushti i parë që Shqipëria duhet të bëjë në procesin e përafrimit me BE, një status që kërkon nga vendi kandidat zgjedhje të drejta dhe të pranuara gjerësisht, demokraci funksionale dhe respekt ndaj vlerave të lirisë, integritetit dhe të shtetit të së drejtës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/isp-deklarate-lidhur-me-mbarimin-e-afatit-te-komisionit-te-posacem-per-reformen-zgjedhore-dhe-pritshmerite-per-reforme/