Integriteti zgjedhor: Kandidatët, partitë dhe zgjedhjet vendore. Gjetje dhe rekomandime

Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Tiranë gjatë periudhës Dhjetor 2022- Dhjetor 2023 po realizon projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”. Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë në parandalimin dhe shfaqjen e ndikimeve të panevojshme përmes angazhimit, monitorimit, ngritjes së kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit, si dhe përmes informimit të një grupi të rëndësishëm të aktorëve dhe palëve të interesuara për të siguruar implementimin e drejtë dhe të lirë nga ndikimet e panevojshme në procesin zgjedhor. Qëllimi i projektit u realizua nëpërmjet monitorimit të akteve nënligjore të institucioneve kompetente lidhur me dekriminalizimin dhe verifikimin e integritetit, monitorimit të listave të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë, organizimit të forumeve dhe tryezave të hapura për çështjet e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies, publikimeve, “alert sistem”, fushatave, monitorimit të medias dhe hartës së riskut.

Projekti u përqendrua në periudhën parazgjedhore dhe fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Zgjedhjet vendore ishin të parat pas vendimit të BE për të nisur bisedimet në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian. Si të tilla, ato ishin thelbësore dhe test mbi integritetin dhe standardet e tyre, procesin në raport me zgjedhjet e mëparshme dhe aftësisë e Shqipërisë për të krijuar mekanizma të besuar zgjedhorë. Disa raporte, deklarata dhe qëndrime të ISP, por edhe të organizatave të tjera të shoqërisë civile, si dhe raporti paraprak i ODIHR vlerësojnë se zgjedhjet ishin larg pritshmërive dhe nevojave prioritare të vendit, duke shënuar një proces me shumë problematika në listën e gjatë të proceseve të tilla gjatë tranzicionit. Qytetarët vijojnë të mbështetin fuqishëm procesin e dekriminalizimit dhe “politikës së pastër”, pavarësisht zgjatjes së procesit prej vitit 2015. Megjithatë, 7 vite nga nisja e dekriminalizimit pothuaj gjysma e qytetarëve mendojnë se integriteti dhe cilësia e kandidatëve në zgjedhje nuk ka ndryshuar. Vetëm një e treta e qytetarëve sheh progres të dukshëm në forcimin e institucioneve demokratike për shkak të dekriminalizimit, në përfaqësimin e qytetarëve nga partitë aktuale, në llogaridhënien aktuale të politikës, në ambiciet e individëve të inkriminuar për t’u tërhequr nga ambiciet e ndikimit politik.

Gjetjet e këtij raporti dhe rekomandimet e ekspertëve të ISP do të vijojnë të mbeten pjesë e angazhimit të ISP edhe pas përfundimit të projektit, duke ndjekur shqyrtimin e tyre nga komisioni i ardhshëm i reformës zgjedhore në parlament, si dhe në aktivitetet vendimmarrëse të KQZ, të Prokurorisë dhe të organeve të tjera, përfshirë edhe atë të partive politike në të ardhmen.

ISP falënderon stafin e ambasadës së UK në Shqipëri për komunikimin profesional dhe efektiv, falënderon Komisionerin Shtetëror për bashkëpunimin, median për hapësirën e ofruar, si dhe kolegët e shoqërisë civile, që morën pjesë në aktivitetet tona dhe iu përgjigjën pozitivisht edhe pyetësorit të zhvilluar nga ISP lidhur me performancën dhe standardet zgjedhore.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/integriteti-zgjedhor-kandidatet-partite-dhe-zgjedhjet-vendore-gjetje-dhe-rekomandime/