Integriteti i zyrtarëve të zgjedhur – Raport monitorues për qarqet Kukës, Dibër e Shkodër 2023-2024

Instituti i Studimeve Politike (ISP) është angazhuar në monitorimin dhe raportimin e ecurisë së procesit të dekriminalizimit dhe jetësimi i standardeve të integritetit nga partitë politike. Të dhënat janë mbledhur nga stafi monitorues i ISP dhe janë kryqëzuar me të dhënat e grumbulluara nga komunikimi zyrtar me institucionet, nga raportimet në media dhe nga raportimet e institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri.

Procesi i dekriminalizimit ka vijuar të shënojë progres në aplikimin në institucionet përfaqësuese dhe kushtetuese si dhe me administratën publike. Në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit pati më pak kandidatë me të shkuar kriminale. Pavarësisht kësaj, partitë politike vijojnë të promovojnë individë me rekorde kriminale në funksionet publike. Nga zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 rezulton se 9 kryetarë bashkie dhe 84 anëtarë të këshillave bashkiakë kanë probleme ligjore.

Ndërkohë, gjatë periudhës shator 2023-janar 2024, 15 këshilltarë bashkiakë në bashkitë e në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër kanë dhënë dorëheqje. Nga këta, 1/3 janë këshilltarë të PSD, 3 në Dibër dhe 2 në Pukë duke ngritur dyshime për pastërtinë e figurës dhe integritetit në përfaqësim. Kjo dëshmon se jetësimi në mënyrë integrale i parimeve të dekriminalizimit vijon të jetë sfidë për Shqipërinë.

Veprimtaria e organeve të reja të drejtësisë kundër korrupsionit në nivele të larta është intensifikuar. Për herë të parë gjatë dy dekadave të fundit individë me peshë politike të madhe në jetën e vendit janë proceduar nga SPAK, disa janë në masë arresti, ndërsa të tjerë janë dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit. Ish-kryeministri Sali Berisha është vendosur nën arrest shtëpie, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar i akuzuar për korrupsion, ndërsa ish-ministra dhe deputetë janë dënuar ose vijojnë të jenë nën hetim nga SPAK.

SPAK ka vepruar në Kukës, duke arrestuar ish-kryebashkiakun Safet Gjici, ndërkohë, edhe ish-nënkryetari i bashkisë Kukës, Granit Gjana, është nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera. Kryeprokurori i Kukësit, Xhevahir Lita është pezulluar nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pasi u arrestua nga SPAK si i dyshuar për lidhje korruptive me krimin e organizuar.

Megjithë kapacitetet e limituara njerëzore dhe presionet politike, SPAK po tenton të çrrënjosë kulturën e pandëshkueshmërisë në vend, duke komplomentuar kështu më shumë implementimin e parimeve të dekriminalizimit. Sfida kundër kulturës së pandëshkueshmërisë mbetet, por progresi është evident. Tentativa për të votuar një amnisti penale në Kuvend rrezikon që të cenojë progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit në
nivele të larta.
Megjithatë, zgjedhjet e fundit vendore të majit 2023, ku sipas deklarimeve të KQZ 10 kandidatë për kryetar bashkie dhe 28 kandidatë për anëtar të këshillit bashkiak u dërguan për hetim të thelluar në Prokurori, tregon se partitë politike dhe Shqipëria në tërësi kanë akoma rrugë për të bërë në promovimin, emërimin dhe zgjedhjen e kandidatëve të pastër dhe me integritet në funksionet publike. Jo të gjitha subjektet e dërguara për verifikim të thelluar ishin ose rezultuan individë me rekorde kriminale, por dyshimet e arsyeshme detyruan KQZ të referonte në Prokurori një pjesë të tyre, përfshirë edhe kryetarë bashkie. Individë me rekorde kriminale vijojnë të ushtrojnë ndikim në mënyrë informale në jetën politike dhe publike të vendit. Institucionet kanë treguar se në përgjithësi janë të prirura të bëjnë ndryshime në kornizën ligjore, por niveli i zbatimit në praktikë të ligjeve vijon të jetë problematik dhe sfidë për proceset demokratizuese dhe integruese të Shqipërisë.

Në pjesën e parë të këtij raporti, paraqitet në mënyrë të përmbledhur procesi i jetësimit të parimeve të dekriminalizimit nga partitë politike dhe institucionet kushtetuese në nivel kombëtar, si dhe lufta kundër korrupsionit në nivele të larta nga organet ligjzbatuese, me një fokus të veçantë tek puna e SPAK. Në vijim, nga niveli makro, në seksionin e dytë, raporti përqendrohet në monitorimin dhe analizimin e transparencës dhe llogaridhënien në zbatimin e standardeve të dekriminalizimit dhe integritetit për kandidatët, subjektet zgjedhore dhe institucionet vendore në qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës.

Ky raport realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike” të mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë. Projekti zbatohet në një koncorsium i drejtuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ).

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Informacioni dhe pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionin zyrtar të financuesve të tij apo Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Raporti i plotë mund të lexohet këtu:

Integriteti i zyrtarëve të zgjedhur – raport monitorues – qarqet DShK 2023-2024


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/integriteti-i-zyrtareve-te-zgjedhur-raport-monitorues-per-qarqet-kukes-diber-e-shkoder-2023-2024/