Integriteti i partive & zgjedhjeve: Forum me të rinjtë në Kukës

Zgjedhje, reformë zgjedhore, zgjedhje, reformë zgjedhore……, por më shumë sesa procedurat ligjore dhe debatet periodike mbi to ka rëndësi themelore integriteti i procesit, i subjekteve konkurruese dhe i vetë kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkie e këshilltarë. Gjatë viteve disa deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë lokalë dhe funksionarë të lartë shtetërore kanë dhënë dorëheqjen për shkak të dekriminalizimit. Pritshmëritë publike janë më të larta sesa rezultatet e arritura, kryesisht për shkak të natyrës sesi veprojnë partitë politike, sistemit të dobët të parandalimit të hershëm të kandidatëve me rekorde kriminale, si dhe ndikimeve informale në fushata dhe vendimmarrjet politike.

Sfida për politikë të pastër vijon të jetë prioritet dhe nevojë jetike për vendin.
✅A mund të kemi në Shqipëri parti të vërteta demokratike dhe llogaridhënëse?
✅A mund të kemi një sistem konkurrimi të hapur të bazuar në merita dhe aftësi?
✅A ekzistojnë mekanizma që sigurojnë kandidatë më me integritet në zgjedhje?
✅A mund të kemi fushata zgjedhore më transparente dhe me integritet?
✅A është e ndërgjegjshme shoqëria për pasojat e kriminalizimit të politikës?
✅A njihen sa duhet nga qytetarët pasojat e korrupsionit në politikë?
✅A mund të jetësohet ndryshimi cilësor përmes votës dhe reagimit qytetar?
✅A mund të ketë rinia rol më aktiv në presionin pozitiv për reforma në përfaqësim?

Këto dhe tema të tjera u shtjelluan në debatin me të rinjtë në Kukës, në kuadër të angazhimit të ISP në projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.

Falënderim të veçantë për Qendrën YES në Kukës për bashkëpunimin, për kontributin e ekspertëve të angazhuar dhe pjesëmarrjen e interesin e treguar nga të rinjtë gjatë diskutimit.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/integriteti-i-partive-zgjedhjeve-forum-me-te-rinjte-ne-kukes/