“Ibrahim beu, krahu i djathtë i znj. Çiller, priti në vilën e tij, konsullin Berisha dhe ambasadorin Shkupi, të cilëve u dha letrën me ultimatumin për Greqinë…”/ Kujtimet e ambasadorit shqiptar, për ngjarjet e ’97-ës

Nga Prof. Dr. Muhamed Mufaku

-Arnautët e Turqisë republikane dhe kontributi i tyre për kauzën shqiptare –

Memorie.al /Në fund të vitit 2021 u botuan në Tiranë, kujtimet e diplomatit, ambasadorit, aktivistit dhe shkrimtarit Mal Berisha, me titull “Ambasador i pushtetit të butë” (Tiranë, Edualb 2021) me gati 550 faqe. Kujtimet u promovuan dy herë në Shqipëri, kurse është dashur të promovohen edhe në Kosovë sepse, Kosova e ka hisen e vet në këto kujtime. Mal Berisha i përket një gjenerate të re të Shqipërisë demokratike e pas vitit 1992, e cila punoi si për Shqipëri (me mandat) ashtu edhe për Kosovë (pa mandat), në çdo vend ku ka punuar. Ç’është e vërteta, ky mision i përbashkët i diplomacisë shqiptare, del në shesh më 2009-ën me qeverinë e Prof. Dr. Sali Berishës, kur lobimi për njohje të Pavarësisë të shpallur të Kosovës, u bë pjesë përbërëse e diplomacisë shqiptare në Lindjen e  Mesme. Kështu, z. Mal Berisha erdhi në nëntor të vitit 2009, në një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me në krye Edit Harxhin, për të kërkuar njohjen e Kosovës në Egjipt, Liban e Siri, ku unë e kisha nderin të takohem me ta. Në Damask, nuk kishin ardhur vetëm për Kosovën, por edhe për shqiptarët e Sirisë, ku kishin kujdes të takohen me një një numër të madh në një natë që ende  mbahet në mend, më ç’rast u paraqiten shumë kërkesa e shumë premtime.

Libri i ri ka vlerë të veçantë për diplomacinë e re kosovare, sepse tregon një qasje më ndryshe të diplomacisë që reflekton “pushtetin e butë”, ose Soft Power, për shtetin që e përfaqëson. Mirëpo, pasi që kjo qasje bazohet në prezantimin sa më shumë të kulturës, atëherë kultura shqiptare e prezantuar nuk përfshinte vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën. Kjo shihet më se miri në dy mandate të ndryshme të Mal Berishës, në Stamboll 1992-1997 dhe në Londër 2012-2015, të pasura me aktivitete të ndryshme kulturore nga Shqipëria si dhe nga Kosova.

Zbulimi i arnautëve të Turqisë

Në këto kujtime, autori Mal Berisha, tregon se si u nis më 1992-in për në Stamboll, për të filluar punën si Konsull i Shqipërisë në Stamboll, një qytet që e mahniti atë jo vetëm me bukurinë e kulturën e saj, por edhe me praninë e madhe dhe të ndjeshme të arnautëve në Turqi.

Vërtetë ishte një moment historik si për Shqipërinë demokratike si për Turqinë e re demokratike e dal prej ankthit të grusht-shteteve ushtarake. Kështu, një arnaut i njohur (Muhamed Akaya), i tregonte se si ai vinte në Konsullatë gjysmë të maskuar, sepse çdo vizitë aty, shikohej me dyshim nga autoritetet turke, kurse pas 1992-it, Konsullata nuk kishte më “detyra” ideologjike por, vetëm mision kulturor që ishte me rendësi për arnautët e Turqisë.

Në këtë kontekst u bë edhe vizita e parë të Presidentit Turgut Ozal në Shqipëri në verë të vitit 1992, i cili erdhi në një kohë kritike për Shqipëri dhe ndihmoi shumë për stabilitetin e afirmimin e Shqipërisë. Mirëpo, ky mik i sinqertë i shqiptarëve, vdiq papritmas në prill 1993, gjë që krijoi një rast që Mal Berisha të lidhet me shokun e fëmijërisë, Presidentin Sali Berisha, që të jetë prezent në përcjelljen e Ozalit dhe ta hapë Shqipërinë më shumë në botën demokratike.

Kështu, një vizitë tjetër e ish-Presidentit Berisha në Stamboll,(në dimër të 1995-ës), do të zbulonte se të njëjtin hotel (‘Hilton’) ishte edhe Presidenti izraelit, Ezer Wiesmanin, të cilët u takuan pa komplekse pas një përpjekje të thjeshtë të Mal Berishës me një kolege izraelite që e takoi në atë hotel.

Kontributi i arnautëve për kauzën e Kosovës deri më 1999-ën

Qëndrimi i z. Mal Berisha në Stamboll, ishte rast të zbulojë ç’janë arnautët e Turqisë dhe ç’potenciale e kanë në shoqërinë, ekonominë dhe politikën e atij vendi. Fati i Kosovës ishte pikërisht një tregues ç’mund të bëjnë ata në vitet më të vështira të Kosovës. Rrëfimi fillon me një vizitë të Enver Talit, (një aktivist kosovar i ikur në Turqi), i cila ia  ka marrë kryeministrit të Kosovës në mërgim, një autorizim si përfaqësues i “Republikës së Kosovës”.

Ai autorizim mbeti në letër, derisa disa figura të arnautëve (Hayri Içli Kelmendi e të tjerë), vendosin të përurojnë në muajin dhjetor të atij viti “Përfaqësinë e Republikës së Kosovës”, me një ceremoni të madhe në Hotelin “Haliç” në qendër të Stambollit, kuptohet me një miratim të heshtur nga organet turke. Hapja e kësaj përfaqësie e tërboi Beogradin, por treshja më e lartë në shtetin turk (Presidenti S. Demirel, kryeministresha Tansu Çiller dhe Kryetari i Parlamentit H. Cindoruk), kishte dhënë mbështetjen e vetë për këtë veprim. Kështu, tashmë “Republika e Kosovës”, kishte vetëm dy përfaqësi: në Tiranë dhe në Stamboll.

Hapja e kësaj “Përfaqësi të Republikës së Kosovës” në Fatih të Stambollit, siç dëshmon z. Mal Berisha në kujtimet e tij, kishte një rol të madh për shqiptarët e Kosovës në ato vite të vështira: atje vinin për ndihmë të ikurit nga Kosova, vinin për shërim, shkollim e shërbime tjera e “gjëra të zakonshme, në rrethanat e jashtëzakonshme”!

Mobilizimi i arnautëve për Shqipërinë më 1997-ën

Megjithatë, përkushtimi i arnautëve të Turqisë për kauzën shqiptare, u pa më se miri në moment shumë të rëndë për fatin e Shqipërisë, në mars 1987. Atëherë, gjatë rebelimit në jug të Shqipërisë, dolën në shesh pretendimet e vorio-epirotëve që nuk kanë pushuar prej Pavarësisë më 1912-ën.

Në ato momente të rënda, Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Kranis Idiotis, zbriti me një helikopter në Kalanë e Gjirokastrës (kuptohet pa lejen e Tiranës), prej nga i’u bëri thirrje “Grupeve të Shpëtimi Kombëtar”, që të mblidhen e të përmbysin pushtetin e ligjshëm shqiptar, për ta vendosur administratën greke në vend. Kuptohet, ato momente ishin sfida e madhe për fatin e Shqipërisë, që do të kishin reflektimin e madh edhe për fatin e Kosovës.

Në ato momente kritike, Mal Berisha ishte në kontakt me Ambasadorin e Shqipërisë në Paris, shkrimtarin Besnik Mustafa. Ai mori vesh se Ambasadori bëri një përpjekje me Senatin Francez, por e mori prej tij këtë porosi: “Mal, nëse nuk bëhet diçka atje nga Turqia, mos mbaj shpresë se këtej do të vijë ndonjë e mirë. Shpresa mbetet atje ku je”!

Kështu, kontakti i parë ishte me Enver Talin e, ky kontaktoi një mik në Bashkinë e Stambollit (Burhan beu), që kishte lidhje të mirë me qeverinë dhe i propozoi Mal Berishës që, të nisen menjëherë me auto veturë për në Ankara, për një takim, “te një njeri shumë i rëndësishëm i politikës turke”. Kështu, më 13 mars 1997, në rrugë nëpër borë me auto veturë u nisen me Burhan beun për ta arritur në mëngjes në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara.

Babai i ambasadorit Skënder Shkupi, (Nënkolonel Ali Shefqet Shkupi), kishte qenë shok klase me Qemal Ataturkun, i cili gëzonte respekt për të. Kështu, me ambasadorin Shkupi, u nisen bashkë me Burhan beun, për takimin e premtuar. Takimi ishte me Ibrahim beun, i cili ishte “krahu i djathtë i Tansu Çiller-it, ndërsa kjo, krahu i djathtë i Sulejman Demirilit”. Sa për Tansu Çiller-in, z. Mal Berisha tregon se, ambasador Skënder Shkupi, ia tregoi se Çilleri vetë i’a rrëfeu në një rast se, ishte me prejardhje shqiptare nga Shkupi.

Takimi i premtuar u mbajt në vilën e Ibrahim beut, në kodrën e vilave të deputetëve të parlamentit në Çankayan të Ankarasë. Atje në fillim, “u përmenden lidhjet historike, vezirët, autori shqiptar i himnit turk, Mehmet Akif Ersoy”, e tjera, por ishte me rendësi pajtimi tani, se “Shqipëria ishte në një rrezik shpërbërje”.

Me këtë konkludim, Ibrahim beu bëri telefonata gati për dy orë dhe kur u kthye, i përcolli mysafirët me fjalët: “Besomëni që ju kam dëgjuar me shumë vëmendje. Do të bëhet më mira. Pa merak”! Pasi pyeti ku do të gjinden në orën 2 pas dite, ai i’u tha se, do të i’u vijë një oficer me një letër që duhet t’i përcillet Tiranës, menjëherë.

Në Hotel “Ankara” në orën 2 pas dite, u paraqit një oficer turk dhe e kërkoi me emër Mal Berishën dhe ai i dha një letër me një përshëndetje ushtarake dhe iku. Kur u hap dhe u lexua letra, dukej si mrekullia e vërtetë dhe i’u dërgua menjëherë Tiranës: “Vetëm një i tillë, mund ta ndalte dorën grabitqare të grekut, që po zgjatej drejtë vendit tonë të lodhur dhe të çoroditur”.

Ajo thjeshtë ishte një ultimatum Greqisë, në formë kumtese, ku thuhej: “Çdo tentative ushtarake ndaj Jugut të Shqipërisë, do të ketë si rrjedhojë ndërhyrje të lindje të atij vendi, në vijën kufitare ndarëse të lumit Maricaj”!

Ultimatumi pati efektin e madh kur u bë publik më 17 mars 1997, me anë të Tansu Çillerit, e sidomos kur u botua me detaje të nesërmen më 18 mars në gazetën “Hurriyet”. Ndaj më të drejtë, Mal Berisha shprehet: “Situata në Shqipëri menjëherë u lehtësua. Kjo deklaratë e lëshuar në atë kohë kritike, zbuloi edhe faktin se Turqia po e ndiqte me vëmendje shumë të madhe situatën në Shqipëri”.

Mirëpo, me ndërrimin e qeverisjes në Shqipëri, Mal Berisha u pushua nga puna në fund të vitit 1997 dhe shkoi në SHBA-ës për të punuar me lobin shqiptar, për kauzën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, pra deri në vendimin amerikan për intervenim ushtarak kundër Serbisë milosheviçiane, gjë që meriton një shkrim në vete. Kuptohet, një libër i tillë meriton të promovohet në Prishtinë, si shenjë nderimi për autorin dhe kontributin e tij për hir të një Kosove të lirë dhe të pavarur./ Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ibrahim-beu-krahu-i-djathte-i-znj-ciller-priti-ne-vilen-e-tij-konsullin-berisha-dhe-ambasadorin-shkupi-te-cileve-u-dha-letren-me-ultimatumin-per-greqine-kujtimet-e-ambasado/