“I dënuari S.R., i dërgoi letër Enverit, për një organizatë armiqësore, që do rrëzonte pushtetin me dhunë dhe kryetar i saj, ishte …”/ Dëshmitë e rralla të ish-Operativit të Burgut të Burrelit

Nga Afrim Imaj

Pjesa e dytë

Memorie.al / “Unë, Operativi i Sigurimit i Burgut të Burrelit, që bashkëjetova me ‘armiqtë e popullit”! Megjithatë, do të mundohem që edhe këtë deklaratë; “ta respektoj” në thelbin e saj. Them në thelbin e saj, se format që ka përdorur Sigurimi i Shtetit, si: rrjeti sekret, teknika operative, survejimi, kontrolli postar e të tjera, tashmë kanë dalë në pazar. Në tregimet e mia, do mundohem të jem i saktë. Për të qenë sa më i vërtetë, jam i detyruar të përmend, edhe emra konkretë, por asnjëherë ata që duhet të mbeten sekret. Këto kam vendosur t’i marr me vete në varr. Me mbarimin e Shkollës së Ministrisë së Brendshme, fillova punë me përfytyrimin që na kishin krijuar për “armiqtë e klasës e të atdheut”. Këtë imazh, në praktikë nuk e ndesha ashtu siç na ishte predikuar dhe gradualisht në ndërgjegjen time, filloi të zbehej. Një ndikim të fuqishëm, në ndryshimin e konceptit të krijuar tek unë për armikun e klasës, ka luajtur “bashkëjetesa”, me të dënuarit e burgut të Burrelit, për shumë vite me radhë.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Ball për ball me atentatorin e Enverit

Edhe pse hetimi ndaj Avdulit vazhdoi dy-tre vjet dhe ai u shtrëngua me të gjitha format, për të treguar bazat e FRASH-it në Shqipëri, nuk u arrit asgjë në këtë drejtim. Gjatë këtij procesi, me të u takua edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Rexhep Kolli, por çdo gjë rezultoi e kotë. Në burg, Avduli, si asnjëri prej të dënuarve, nuk kishte asnjë ndihmë ekonomike. Edhe pse në këtë gjendje, ai nuk ndërmori veprime për të kërkuar ndihmë nga komanda e burgut. Pasi krijuam një farë afërsie, i rekomandova që t’u shkruante vëllezërve, për ta ndihmuar. Nuk e pranoi edhe këtë sugjerim, duke argumentuar shkurt: “Kur unë u hyra këtyre punëve, nuk i pyeta ata, prandaj edhe tani, nuk mund të kërkoj të më ndihmojnë”. Gjatë bisedave të mëvonshme me të, më tregoi edhe disa momente, që e pasuronin më tej profilin e tij, si patriot.

Ai ndodhej në Amerikë, kur Kina u pranua në OKB, gjë për të cilën, Shqipëria luajti një rol vendimtar. “Megjithëse kundërshtarë të regjimit të Enver Hoxhës, u ndjemë krenarë, kur stacionet televizive në Amerikë, njoftuan se Shqipëria e vogël, goditi me grusht të madh në OKB-në”, kujtonte ai përjetimet e asaj ngjarjeje. Gjatë bisedave me të, flisja edhe për disa nga të njohurit e mi nga Golemi, fshati i Avdulit. Pikërisht në këto momente, njeriu i egër zbutej, sytë i mbusheshin me lot dhe psherëtinte, duke thënë se; i ishte djegur shpirti për fshatin e tij. Duke ndier këtë gjendje, mendova të kaloj në një plan tjetër. Pavarësisht nga afërsia që krijuam, nuk mund ta neglizhoja faktin që ai, ishte një kundërshtar i vendosur i regjimit komunist dhe, si i tillë, kishte pak gjasa të tregonte bazat e FRASH-it në Shqipëri. I kisha kërkuar disa here, të më fliste për këto baza, por ai shmangej.

Nga format e ndryshme të punës së organeve të Sigurimit, si nga hetuesia, agjentura, kartoteka, teknika operative, etj., disponoheshin mjaft të dhëna, që bënin fjalë për bazat e FRASH-it në Shqipëri, Greqi, Itali dhe Jugosllavi. I nisur nga ky fakt, si dhe nga predispozitat patriotike të Avdulit, mendova të kërkoja ndihmën e tij, për të zbuluar agjentët në shërbim të zbulimeve të huaja, me synime grabitqare kundër sovranitetit të Shqipërisë. Tashmë, Avduli ishte miqësuar shumë me shokun e dhomës Sh. N. Sapo ai ndahej nga takimet me mua, “zbrazej” tek ai, për të gjitha ato që i konsideronte “ngacmime”. Ky moment, u shfrytëzua për të regjistruar bisedat, që do të zhvilloheshin midis tyre. Nisur nga kjo situatë, përgatita një plan të detajuar, ku parashikoja “bombardim” psikologjik të gjithanshëm, me veprime të avancuara dhe niciativa personale të pa aplikuara më parë.

Parashikoja të merrja kontakt me të afërmit e tij në Gjirokastër e, t’iu tregoja atyre se, Avduli ishte kapur dhe se kishte vite që vuante dënimin në burgun e Burrelit. Fakti i arrestimit të tij, mbahej akoma sekret. Në varësi edhe me situatën që do të krijohej, kisha parashikuar, të organizoja një takim ndërmjet tyre, madje duke e çuar Avdulin, deri në Golem…! Me Avdulin, takohesha pothuajse përditë, duke qëndruar për orë të tëra, së bashku në birucë. Më vonë, takimet me të, i realizoja në një nga zyrat e komandës së burgut. Çështja kombëtare, ishte thembra e Akilit për Avdulin. Ai më dëgjonte i rënë në mendime dhe i çarmatosur nga mjetet e tij propagandistike. Për mua, kjo fliste shumë. Kishte filluar të lëkundej dhe nuk ishte pak. Nga një kundërshtar i flaktë, tani ishte bërë “i bindur” dhe kishte të paktën durimin, të dëgjonte, pa të kundërshtuar, siç ndodhte më parë.

Paralelisht me përpunimin ideologjik, ishte planifikuar edhe përpunimi psikologjik, duke shfrytëzuar lidhjet e tij në Gjirokastër. Ai, që në fillimet e njohjes tregohej aq indiferent kur bisedonim për të afërmit e tij, tashmë fliste më mall. Nuk i kishte parë vëllezërit dhe motrat, qysh nga koha që ishte arratisur, 25 vjet më parë. Kishte dobësi e ndiente mall, veçanërisht për babanë, Hakan Banushi, për të cilin i ishte mbushur mendja, që nuk rronte. Kur gjeta rastin e përshtatshëm, shkova në Gjirokastër. Aty organizova edhe takimin me babanë dhe vëllezërit e Avdulit. Pasi u takova me xha Hakanin, ai më përshëndeti, mblodhi veten dhe i dha drejtim bisedës: “Ne mor bir, për Avdulin, kemi dëgjuar legjenda nga më të ndryshmet. Thoshin se erdhi diversant, dogji, vrau, preu, u arratis përsëri, e ku ta di unë. Ai, nuk rrinte dot pa ardhur të më takonte, me çdo çmim. Megjithatë, ti i’a di historitë dhe ne presim t’i mësojmë me padurim”.

Pa dashur që xha Hakani të lodhej me sqarime të panevojshme, ndërhyra: “Atëherë, më dëgjoni me kujdes! Avduli u nis nga Amerika për në Shqipëri, me një shokun e tij shqiptar nga Mali i Zi. Më 7 prill 1975, kaluan kufirin në Hanin e Hotit, ku u kapën nga rojet kufitare. Kaloi rreth 2 vjet në hetuesi dhe u dënua me vdekje. Presidiumi i Kuvendit Popullor, ia ktheu në 25 vjet heqje lirie. Pra, ka rreth 10 vjet, që është kapur dhe ka mbi 7 vjet në burgun e Burrelit. Po kaq kohë, ka që e njoh dhe unë. Me të takohem pothuajse përditë. Marrëdhëniet tona, kanë qenë dhe janë të mira, prandaj jam dhe sot këtu. Por duke qenë kështu, do të thoni ju, pse nuk ju kam njoftuar më parë. Edhe kjo ka një shpjegim.

Avduli, për ju fillimisht, mundohej të tregohej indiferent dhe të mos e shfaqte mallin. Duke u munduar të argumentonte qëndrimin e tij, më thoshte: ‘Unë i kam të mijtë e këtë s’mund ta mohoj. Por njëkohësisht, nuk kam të drejtë morale, të kërkoj të më ndihmojnë, sepse, nuk i pyeta kur u hyra këtyre punëve. Kam ardhur nga Amerika në Shqipëri, për të përmbysur regjimin, gjë që vëllezërit e mi, mund të mos e dëshirojnë, prandaj mendoj, t’i lë të qetë. Ky ishte fati ynë dhe unë do t’i nënshtrohem atij…’! Xha Hakani u ngrit dhe më përqafoi si të isha djali që i kishte munguar kaq kohë. Kështu bënë edhe Hodoja dhe Zijai, dy vëllezërit e Avdulit.

E vërteta e organizatës, që do përmbyste Enverin nga qelitë e Burrelit!

Pikërisht për këtë, më thirri në zyrë zëvendësministri i Brendshëm. Monologun e tij, e ndiqja gati si i përhumbur. “Nga informacionet që kemi, nga disa burime,- vazhdoi kumtimin ai,- është organizuar një grup, me qëllim përmbysjen e pushtetit popullor. Të implikuarit kryesorë të kësaj organizate, janë duke vuajtur dënimin në burgun e Burrelit. Kjo veprimtari, shtrihet edhe në disa burgje të tjera. Megjithatë, të gjithë ndiqen në përpunim, me dosje agjenturore, përveç disa të dënuarve të Burrelit, ku kemi dhe burimin kryesor të këtij informacioni…”!

Duke e marrë heshtjen time si aprovim, zëvendësministri vazhdoi: “Jemi pra, para një situate reale. Tani, nuk ka mbetur gjë tjetër, vetëm të sigurojmë prova ligjore, për të shkuar drejt goditjes së krerëve të saj”.

Si ndenji pak i kthyer nga unë, vazhdoi përsëri, duke thjeshtëzuar bisedën: “Ne e dimë që ti, në burgun e Burrelit, ke pasur marrëdhënie të mira, me të dënuarit. Pikërisht për këtë të kam thirrur”, përfundoi ai. U mundova të përgjigjesha natyrshëm, duke hezituar ta pranoja detyrën. Zëvendësministri, që më së fundi e humbi durimin, m’u kthye hakë-rryeshëm: “Mbaruam bashkë, mund të largoheni”! Sa dola nga zyra e tij, ndesha ballë për ballë me B.D. E kuptova që priste tek dera, pikërisht për të më takuar. Me të njihesha prej disa vitesh. I fola për çështjen që kisha konsumuar me zëvendësministrin. B.D., mu kthye qortueshëm: Ky problem është diskutuar në nivele të larta. Kundërshtimi yt, do konsiderohet si kundërvënie dhe do ta mbajnë vath në vesh. Nuk i bihet murit me kokë. Prandaj, mos u largo. Do bisedoj unë me zëvendësministrin dhe takoje përsëri…”!

Ma mbushi mendjen dhe të nesërmen u paraqita përsëri te zëvendësministri. Sa u përballa me të, ma preu shkurt: Nëse ke ardhur me mendjen që kishe dje, më mirë shko!”. Aty për aty i lashë të kuptonte se kisha ndërruar qëndrim. “Dakord atëherë,- u çlirua ai, dhe filloi t’u bëjë një përmbledhje të shkurtër porosive të djeshme. – Siç të thashë,- vazhdoi,- çështja është e një rëndësie të veçantë. Ti do të studiosh dosjen agjenturore “Dhelpra” dhe pastaj do planifikosh detyrat që do të ndjekësh…”

Të fshehtat e dosjes “Dhelpra”…!

Sa shkova në Burrel, tërhoqa nga kartoteka dosjen agjenturore “Dhelpra”. Në të, bëhej fjalë për një organizatë të fshehtë, që drejtohej nga të dënuarit e Burrelit. Veprimtaria e saj, shtrihej në burgun e Tiranës, në atë të Spaçit, Qafë-Barit, etj. Si qëllim, kjo organizatë, kishte përmbysjen e qeverisë së Hoxhës dhe marrjen e pushtetit. Ishte përpiluar edhe platforma e saj, madje edhe lista e qeverisë së ardhshme hije. Të implikuarit kryesorë, ishin: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Daut Gumeni, Avni Aliko, Abdulla Sallaku, Pjetër Arbnori, etj. Jashtë burgut, e implikuar kryesore, ishte Liri Belishova dhe pas saj, personi me numër 117, i cili koordinonte veprimet e organizatës. Numri 117, qe konspirativ, sepse ishte person i veshur me pushtet. Ndër të implikuarit, më bëri përshtypje emri i një agjenti, që mbahej në lidhje nga ana jonë. Vlerësimi për të ishte pozitiv.

Sinqeriteti i tij, ishte vërtetuar shumë herë me mjetet e teknikës operative dhe me agjenturën paralele. Megjithëse, takimet me të ishin të vazhdueshme dhe të rregullta, edhe pse kishte dhënë disa informacione të rëndësishme, asnjëherë nuk kishte folur, për ekzistencën e një organizate të tillë. Nga ana tjetër, më tërhoqi vëmendjen fakti se, ndërsa numri i të implikuarve, ishte tepër i madh, numri i burimeve prej nga siguroheshin të dhënat, direkt ose indirekt, ishte tepër i kufizuar. Asnjë nga këto burime, nuk bënte pjesë në rrjetin sekret informativ të Sigurimit. Logjika në këtë rast, bënte që të mendoja për fabrikim të dhënash dhe krijimin e një organizate imagjinare. Në të kundërt, ndodheshim para një organizate tepër serioze, që planifikonte detyra për të dezinformuar organet e Sigurimit dhe për t’i shpëtuar rrjetit tonë sekret. Në këtë rast, furtunën e kishte shpërthyer një letër që i kishin adresuar Enverit, pikërisht nga burgu i Burrelit…!

Puçi që zbulonte letra dërguar Enverit…!

Nga seleksionimi i të dhënave të dosjes agjenturore, rezultonte se; raportet për organizatën dhe pjesëtarët e saj, vinin prej denoncuesit S.R. nga Dibra. Ai, në një letër që i dërgonte Enver Hoxhës, i shkruante për të me hollësi, për të implikuarit dhe mënyrat e koordinimit të veprimeve, si dhe për fakte konkrete. Ai shkruante se, shkëmbimin e mesazheve, të dënuarit e bëjnë me anën e të dënuarit Avni Aliko. Ishte pikërisht ky, një nga të dënuarit, që njihej nga të gjithë bashkëvuajtësit për karakter të fortë. Avniu, i biri i “Heroit të Popullit” Asim Aliko, ishte dënuar me 25 vite, për tendencë arratisjeje. Në burg bënte detyrën e llogaritarit dhe kështu i krijohej mundësia të kontaktonte me të gjithë. Sipas S.R., për të dërguar mesazhe tek të dënuarit në burgjet e tjera, përdoreshin ata që gëzonin besimin e organizatës, kur shkonin për vizita mjekësore në Spitalin e Burgut në Tiranë.

Ndër të tjera, S.R., shkruante se; për organizatën, kishin dijeni edhe të dënuarit e Burrelit, Mersin Vlashi e Gjet Kadeli. Këta sipas tij, ishin tipa të lëkundur, të cilët me pak punë mund të bashkëpunonin me Sigurimin dhe të tregonin gjithçka. Në pamje të parë, letra e S.R., kishte shumë fakte të vërteta. Ishte e vërtetë që Daut Gumeni, Avni Aliko, Abdulla Sallaku e Pjetër Arbnori, kishin marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin. Ndërkohë, kishim të dhëna edhe nga burime të tjera që, Avni Alikua, përcillte letra nga njëri krah në tjetrin. Gjithashtu, kishte të dhëna që të dënuarit, e përdornin kaushin e Tiranës, kur shkonin për vizita mjekësore, për të shkëmbyer mesazhe. Të bënte përshtypje që, gjendja e reparteve të tjera, njihej mjaft mirë nga të dënuarit e Burrelit. Ata informoheshin ndër të parët, për arrestimet e reja, për proceset hetimore të tyre, etj. Në të njëjtën kohë, ata ishin ndër të parët që mësonin për lëvizjet e të dënuarve, nga njëri repart në tjetrin, si dhe transferimet e oficerëve që shërbenin në to.

Protagonistët e prapaskenës

Përveç letrës, që kishte marrë Enveri nga burgu i Burrelit, në dosjen agjenturore, kishte edhe dy letra që i drejtoheshin Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë nga të dënuarit K.L., i burgut të Qafë Barit dhe U.N., i Spaçit. Edhe në to, flitej për këtë organizatë, duke evidentuar si drejtues kryesorë: Daut Gumenin, Avni Alikon, Abdulla Sallakun dhe Pjetër Arbnorin. Nga krahasimi që u bëra dy letrave, me atë të S.R., konstatova disa momente, që të linin të dyshoje se ata kishin koordinuar me njëri-tjetrin, para se t’i përpilonin. Sidoqoftë, këto ishin vetëm dyshime, që duhej të vërtetoheshin, ndryshe rrëzoheshin. Nga kontrolli në kartotekën e Drejtorisë së Kamp-Burgjeve, rezultonte se S.R., së bashku me dy të dënuarit e tjerë që informonin për këtë organizatë, kishin qenë bashkë në të njëjtën kohë, në kaushin e Tiranës. Po në atë periudhë, aty kishte qenë edhe bashkëpunëtori i Sigurimit, “Korabi”. U takova me të. E pyeta për ditët që kishte qenë në kaush në Tiranë.

Në raportin me shkrim që më dha, informonte: “Gjatë ditëve që isha në kaush më kanë bërë përshtypje të veçantë, marrëdhëniet e S.R., me të dënuarin K.L., të repartit të Spaçit dhe U.N., të repartit të Qafë Barit. Sjelljet e tyre, më bënë të mendoja se ata po thurnin diçka me njëri-tjetrin. Ky raport, nuk vërtetonte gjë, por shtonte më tepër dyshimet e mia. Ata kishin dalë dëshmitarë, kundër të dënuarve që morën pjesë në Revoltën e Spaçit dhe atë të Qafë Barit. Ky fakt, ndoshta i bashkonte me S.R., sepse edhe ai, njihej nga të dënuarit e të gjitha Reparteve të Riedukimit, si i tillë. Megjithëse S.R., u evidentua nga ana ime, si një burim jo i sigurt, në masat e mëtejshme, u planifikua që ai “të mbahej afër”, nga ana jonë dhe herë pas here, t’i kërkonim sqarime, për problemet që ngrinte në letrën drejtuar Enver Hoxhës. Që të mos krijonim dyshime, e përdorëm si bashkëpunëtor, pa qenë i tillë, duke e instruktuar, për mënyrën e sjelljes me të dënuarit, që ai implikonte.

Ndër të tjera, ai informonte se; po bënte çmos, për të bindur Mersin Vlashin e Gjet Kadelin, që të denonconin aktivitetin e organizatës. Një ditë, në dhomën ku ndodhej S.R., e Mersini, ndodhi një grindje, midis disa të dënuarve. Kjo u shfrytëzua për të realizuar veprimet tona operative. Disa nga të dënuarit, u futën në biruca, ndërsa tre të tjerë u transferuan në dhoma të ndryshme. S.R., dhe Mersini, u izoluan në dy biruca që ndodheshin në krahë të njëra-tjetrës. Të dyja këto ishin pajisur me mjetet e teknikës operative, për përgjimin e bisedave. Nga përgjimi, rezultoi se S.R., bisedonte me Mersin Vlashin, nëpërmjet një kodi, që përdorin të dënuarit për të komunikuar, kur ndodheshin në dhoma, që ndaheshin nga i njëjti mur. Ishte pak a shumë, si puna e kodit “Mors”. Sipas bisedës së bërë, rezultonte se S.R., bënte përpjekje ta bindte Mersinin, që edhe ky, të denonconte organizatën e krijuar. Për të vazhduar më tej, vendosëm për t’i bashkuar ata në një birucë të dy bashkë.

Vetëm nëpërmjet këtij veprimi direkt, do bëhej i mundur sqarimi i pozitës së S.R., si dhe niveli i vërtetësisë së informacioneve që ishin siguruar deri në atë kohë, për ekzistencën e organizatës. Nga përgjimet e tyre, rezultoi se S.R., mundohej ta bindte Mersinin, që të bënte një letër për Operativin e burgut dhe ta njoftonte për organizatën, por ai nuk e pranoi një propozim të tillë. Pas kësaj situate, për Sigurimin, u qartësua çdo gjë. U vërtetua se S.R., ishte një fabrikant profesionist, i prodhimit të provave të rreme. U planifikua ndërhyrja e menjëhershme për ndalimin e tij.

Nëse ai do të vazhdonte akoma presionin ndaj Mersinit, kishte rrezik që, ky i fundit të thyhej. Shiriti i magnetofonit me bisedat e S.R., me Mersinin, u deshifrua dhe u qep në dosjen agjenturore “Dhelpra”. Po ashtu, edhe konkluzionet e krahasimit të thënieve të S.R., me bisedat e incizuara. U vërtetua përfundimisht se S.R., nuk ishte i sinqertë. Të gjithë të dënuarit e Burrelit, mendonin për të se ishte i tillë dhe nuk e përtypnin dot faktin që, Sigurimi i “vlerësonte” informacionet e tij. Ishte momenti që edhe të dënuarit, të mësonin se ne, nuk pranonim askënd të shpifte. U vendos pra, të bëhej demaskimi i S.R.

Sy më sy me mashtruesin

Të nesërmen e thirra S.R., në zyrën e komisarit të burgut. Që në fillim, i thashë: “Letrën që i ke dërguar Enver Hoxhës dhe gjithë ato që ke kallëzuar deri tani, për organizatën që kanë formuar të dënuarit, lidhjet e tyre, me njerëz jashtë burgut, platformën që kanë, e të tjera hollësi, unë i kam studiuar me shumë kujdes. Tani kërkoj, ta riprodhosh dhe një herë. Përpara se të fillosh të flasësh, dua të të them se, në qoftë se do të ketë ndryshime, me ato që do thuash tani, ruaj të drejtën të mendoj, se ato nuk janë të vërteta. Atëherë po të dëgjoj”.

S.R., filloi të flasë për ato që kishte shkruar në letër, por tani me një ngarkesë emocionale të veçantë. Herë pas here, thoshte se, për këtë situate, kishin dijeni edhe të dënuarit Mersin Vlashi e Gjet Kadeli, të cilët tremben të denoncojnë, por me pak presion e ndonjë premtim të vogël, mund të pranojnë të bashkëpunojnë.

– Dëgjo këtu,- e ndërpreva. – Nga sa fole deri tani, mendoj se kam pasur të drejtë, që kam dyshuar. Ti je një mashtrues profesionist dhe pikë.

– Më vjen keq që më fyen,- tha ai dhe shtoi se, ishte gati që për çka thoshte, pranonte të ballafaqohej me Mersinin e Gjetën. Në këtë kohë, hapa derën dhe thirra oficerin e rojës, për të sjellë aty Mersinin. Kur erdhi aty, ju drejtova: – Sigurimi ka të dhëna, për një organizatë që kanë krijuar të dënuarit në burg dhe në reparte të tjera, me qëllim përmbysjen e pushtetit me dhunë. Për këtë, kemi informacion se, ke dijeni dhe ti. Nëse ke ndonjë gjë për të thënë, fol…!

– Dëgjoni zotni,- filloi ai. – Mos i besoni këto gjëra, se nuk ju nderojnë. S.R., duhet t’ju ketë thënë ndonjë gjë edhe për mua. Por ai njihet si mashtrues dhe bëni gabim që merreni me të. I thashë se, do sillja aty dhe S.R. Ai pranoi menjëherë. U fut S.R. në zyrë. I thashë se Mersini, nuk dinte gjë për ato që kishte pohuar ai.

– Është e kuptueshme që Mersini kështu do thotë, se ka frikë,- u përgjigj ai. – Po unë, dua ta këshilloj që të mos trembet, se Partia, do ta ketë parasysh rrezikun që na kanoset. Pastaj, iu drejtua Mersinit dhe i tha: – A nuk ishim bashkë ne në ajrim, kur na thirrën Avni Aliko e Pjetër Arbnori, para një viti dhe na propozuan që të futeshim në organizatën që kishin formuar. – Jo more zotëri,- reagoi menjëherë Mersini. – Nuk janë të vërteta këto. A doni të gënjej, që të marr njerëzit në qafë kot? Po i them edhe S.R., që mos të merret me këto lojëra, se është poshtërsi.

S.R., kërkoi të thoshte diçka, por e ndërpreva duke i thënë: – Nuk ka asnjë vlerë, ajo që do të thuash këtej e tutje. Hapa derën dhe i thashë policit, që ta çonte Mersinin në dhomën e tij. Mora në telefon oficerin e rojës dhe kërkova që të sillte aty Gjet Kadelin. Gjeta ishte me origjinë mirditor, me banim në fshatrat e Kurbinit. Ishte dënuar për tentativë arratisjeje dhe kishte shumë vite që vuante dënimin. Ishte tip impulsiv. Kur shikonte padrejtësi, nuk kishte frikë të bënte debat edhe me policët e shërbimit. – Pse më keni thirrur -, më pyeti ai sa u fut në zyrë. E fillova bisedën me të, duke u futur drejt në temë.

– Ti e njeh të dënuarin S.R., që e ke përballë. Ai pretendon se ti, ke dijeni për një organizatë të jashtëligjshme, që është formuar nga të dënuarit, për të përmbysur pushtetin popullor në Shqipëri. S.R., më ndërpreu fjalën, duke ju drejtuar Gjetës. – Mirë është të thuash të vërtetën, se Partia do t’ia nxjerrë kokën kësaj pune. Nuk lënë gjë pa zbuluar këta, prandaj trego, mos ki frikë. Fol tani, se nesër do të jetë vonë, e do të pendohesh.

-Dëgjo zoti operativ, – mu drejtua Gjeta. – Që ju të merreni me këtë njeri, kjo nuk ju nderon. Ky është modeli i mashtruesit, në radhët e të gjithë të burgosurve. Ky është një gënjeshtar i jashtëzakonshëm.

– Pavarësisht nga këto, – ndërhyra unë,- i pranoni ju pretendimet e S.R., se keni dijeni për ekzistencën e një organizate të krijuar në burgun e Burrelit?

– Absolutisht, jo! Këto janë trillime, të këtij që kemi përpara.

– Dakort, – ndërhyra unë, – nuk është nevoja të vazhdojmë më tej. Ti Gjet, mund të shkosh dhe na fal për shqetësimin, por ballafaqimin me ty, e kërkoi S.R., dhe jo unë. Të gjitha këto bisedime, Punëtori Operativ, Nduja, i transkriptoi dhe informacioni u evidentua në dosjen agjenturore. Ndjeva kënaqësi, jo vetëm pse kisha zgjidhur një problem të vështirë, por edhe se ishin vërtetuar dyshimet, që më lindën që në momentin e parë për kallëzimin e S.R. Ky i dënuar kishte veti të rralla mashtruese, aq sa po të mos e njihje, me tregimet e tij, kish rrezik të besoje edhe të pabesueshmen.

Letra që ai i kishte dërguar Enver Hoxhës, ishte vlerësuar shumë, duke u konsideruar tejet e besuar. Në bazë të saj, u çelën disa dosje përpunimi aktiv. Por veprimet e njëpasnjëshme operative, sqaruan plotësisht situatën, si dhe pozitën mashtruese të S.R. Tani, edhe ata që i kishin pasur bindje për ekzistencën e organizatës, po të lexonin dosjen agjenturore “Dhelpra”, e pasuruar edhe me të dhënat e reja, do bindeshin për të kundërtën. Pas kësaj, bëra demaskimin e S.R., përpara të gjithë të dënuarve, për kallëzim të rremë. E çova S.R., të prangosur, në çdo dhomë të burgut. Sakaq i porosita të dënuarit, që pas kësaj, të mos e keqtrajtonin S.R., pasi një gjë e tillë, mund të sillte pasoja për mua.

Fashikulli i fundit, i dosjes “Dhelpra”!

Nuk kaloi shumë dhe S.R., dërgoi një letër në Komitetin Qendror të PPSh-së, dhe një tjetër ministrit të Brendshëm, ku më akuzonte, se me dashje armiqësore, kisha mbuluar dhe mbrojtur një organizatë të rrezikshme, që kishin formuar të dënuarit e burgut të Burrelit dhe se kisha sulmuar, ata që mundoheshin të ndihmonin Partinë, për zbulimin dhe goditjen e saj. Në të, ai fliste edhe për “lidhjet e fshehta”, që mbaja me anëtarët e organizatës, duke përmendur Avni Alikon. Zëvendësministri i Brendshëm, që më kishte dhënë detyrën për zbulimin e organizatës, në burgun e Burrelit, kërkoi me urgjencë, të përgatitesha për të raportuar mbi punën e bërë, për këtë qëllim.

U ula e përgatita një informacion përmbledhës për të gjitha të dhënat që përmbante dosja agjenturore, përfshirë edhe përplasjen në birucë, me Mersin Vlashin, ballafaqimet dhe informacionet e teknikës operative, që fiksuan këto veprime. Mora me vete edhe shiritin origjinal, të këtyre bisedimeve. Gjatë takimit, zëvendësministri, i cili u njoh me të gjitha këto, pohoi se, dilte shumë qartë, që kishim të bënim me një mashtrues profesionist dhe një organizatë imagjinare.

– Ashtu siç ishim nisur, – theksoi zëvendësministri, – rrezikonim të futeshim në qorrsokak dhe të çonim në plumb njerëz të pafajshëm. Para se të largohesha, ai më porositi, të përgatisja një përgjithësim, për çështjen “Dhelpra” dhe dosja agjenturore, të arkivohej për interesa arkivore…! Memorie.al

                                          Vijon numrin e ardhshëm

Marrë nga Panorama. com

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/i-denuari-s-r-i-dergoi-leter-enverit-per-nje-organizate-armiqesore-qe-do-rrezonte-pushtetin-me-dhune-dhe-kryetar-i-saj-ishte-nje-funksionar-i-larte-deshmite-e-rralla-te-ish/