Gjetje të anketimit: Perceptimi mbi të drejtat e njeriut para dhe pas 1990

Kryerja e sondazheve lidhur me perceptimet e të rinjve mbi  periudhën komuniste 1945-1990, si dhe trashëgiminë e saj ka qenë dhe mbetet një sfidë e vështirë dhe ende e pakonsumuar. Në dallim nga praktikat pozitive të shumicës së vendeve ish-komuniste, tashmë anëtare në BE, në Shqipëri nuk kemi nisma të tilla periodike të institucionalizuara dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucioni që ka përgjegjësi kushtetuese lidhur me arsimimin nuk ka programe, nisma, database, të dhëna të referueshme dhe as produkte shkencore lidhur me këtë problematikë.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ndërmori nismën e komunikimit me brezin e ri të shkollave të mesme në disa qytete, duke promovuar kulturën e memories dhe të dialogut mbi të kaluarën (shih https://muzeuimemories.info ) . Gjatë vitit 2023, në koordinim me ambasadën e Republikës së Çekisë dhe mbështetjen e programit Transition të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë, Instituti i Studimeve Politike (ISP) organizoi forume debati, ekspozita dhe anketime në disa qytete: Vlorë, Dibër, Durrës, Korçë, Shkodër, Tiranë, etj. Pjesë e aktiviteteve ishin disa komponentë: zhvillimi i një anketimi me të rinjtë, paraqitja e një ekspozite informuese për të rinjtë, diskutime me pjesëmarrjen e mësuesve, ekspertëve, përfaqësuesve nga ambasada dhe ISP, si dhe individëve të ftuar.

 

GJETJE DHE KONKLUZIONE
Në aspektin e përgjithshëm të projektit, vlerësojmë se:

I. ISP konstatoi se të gjitha shkollat e kontaktuara, publike dhe private, treguan interes për bashkëpunim dhe mirëpritën ekspozitën dhe zhvillimin e debatit, një tregues i konceptit të hapjes së shkollës dhe i përpjekjeve të tyre për të përfituar sa më shumë njohuri përmes aktiviteteve plotësuese mësimore, mesazhe që përcolli projekti i ISP.

II. Të rinjtë mirëpritën idenë që gjetje e rekomandime të aktiviteteve dhe debatit shoqërues të mund të adresohen në MAS për trajtim të mëtejshëm institucional, duke e shikuar projektin si mundësi e mirë dhe mekanizëm i munguar i komunikimit të të rinjve, nxënës e studentë, me autoritetet vendimmarrëse arsimore në MAS.

III. Në aktivitete pati pjesëmarrje masive të të rinjve, interes për ekspozitën jo vetëm të të rinjve pjesëmarrës në debat. Shumë prej të rinjve preferuan komunikimin në anglisht, një tregues i formimit të tyre dhe i përpjekjeve për të përcjellë imazh progresiv të shkollës dhe gjeneratës që përfaqësojnë.

IV. Stafi i ISP konstatoi se në shkolla dhe universitete private, si dhe në takime ku morën pjesë të rinj që vinin nga mjedise dhe angazhime jopublike, kishte shumë më tepër diskutime cilësore, pyetje dhe interes për diskutim mbi problematikën e trajtuar në projekt, si dhe për ndjekjen e ekspozitës informative “Shqipëria 1945-1990, shteti dhe shoqëria”, ofruar nga Instituti. I njëjti vlerësim vlen edhe për personelin mësimor të angazhuar në këto debate.

V. Nga përvoja e diskutimeve me të rinjtë rezultoi se interesin kryesor i të rinjve ishin pyetjet lidhur me krahasimin e periudhës komuniste midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera lindore, në rastin konkret, Çekisë, si dhe përshtypje më të madhe për ta krijuan të dhënat mbi sistemin e kufizimit të ushqimit përmes tollonave, burgjet e shumta, elementët e censurës mbi të drejtat dhe uniformiteti i jetës shoqërore. Këto dy elementë, nevoja për qasje krahasuese dhe informuese, si dhe nevoja për informim të thelluar jo vetëm politik për periudhën 1945-1990 do të duhet të jenë pjesë e prioriteteve për shkollat dhe sistemin tonë arsimor.

VI. Në rastet e debatit, ku morën pjesë mësuesit dhe stafi drejtues i shkollës, përvoja ishte komplekse dhe në kontrast me pritshmëritë. Bazuar në njohuritë paraprake, drejtuesit e shkollave dhe mësuesit janë individë të formuar, të arsimuar, të përzgjedhur dhe me njohuri të thelluara në zhvillimin e debateve dhe aktiviteteve të tilla. Rasti i një drejtuesi shkolle, i cili ndërhyri me arrogancë në debat me të rinjtë, duke mbrojtur trashëgiminë e E.Hoxhës dhe duke fajësuar Perëndimin se ata kanë shpikur komunizmin, ndaj “duhet të na japin llogari përpara se të na kërkojnë llogari pse ne e zbatuam keq komunizmin”, është tregues domethënës për nivelin kritik të drejtimit dhe formimit të drejtuesve në sistemin arsimor.

Lidhur me anketimin e zhvilluar, gjetjet kryesore janë:

I. Brezat e rinj 18-20 vjeçarë janë brezi i parë që nuk ka pasur prindër ish-të përndjekur politikë ose ish-pjesë e nomenklaturës komuniste, një ndryshim i rëndësishëm social në raport me mundësinë e një qasjeje të re më neutrale ndaj së kaluarës.

II. Mbi 70% e të rinjve kanë perceptim negativ ndaj së kaluarës komuniste të Shqipërisë, vetëm 4.3% e të rinjve kanë mendim pozitiv ose shumë pozitiv ndaj saj.

III. Më shumë se gjysma e të rinjve kanë vlerësim neutral për sistemin e sotëm politik dhe tranzicionin, kuota të njëjta ndajnë vlerësimet pozitive dhe negative.

IV. Rreth 25% e të rinjve informohen mbi të kaluarën nga familja, 16% nga shkolla dhe procesi mësimor, 13% nga librat, 11% nga media dhe 10% nga interneti.

V. Rreth 88-90% e të rinjve kanë perceptim e përgjigje të sakta lidhur me të drejtat e njeriut të refuzuara ose censuruara gjatë sistemit komunist.

VI. Mbi gjysma e të rinjve ndjehen me fat që jetojnë në kohën e sotme, kur shohin ose lexojnë lajme mbi të kaluarën komuniste, 16% kanë kuriozitet për të mësuar më shumë, vetëm 5% ndjehen të lodhur nga debati mbi të kaluarën.

VII. Gjysma e të rinjve i konsiderojnë fatkeqë prindërit e tyre dhe brezat më të vjetër që jetuan nën diktaturë, si dhe mbështesin kompensimin e viktimave politike. Rreth 5% mendojnë se shteti sot nuk ka përgjegjësi dhe rreth 7% i mendojnë brezat e vjetër si bashkëfajtorë në atë regjim.

VIII. Shumica e të rinjve beson tek parimet kushtetuese dhe shteti ligjor, që garanton të drejtat e njeriut, 12% mendojnë se ato duhet të mbrohen vazhdimisht, rreth 10% mendojnë se ato ekzistojnë vetëm teorikisht dhe pothuajse të gjithë besojnë se Kushtetuta e shteti janë garanci, jo faktori ndërkombëtar.

 

REKOMANDIMET KRYESORE

I. Institucioni i shkollës do të duhet të jetë shumë më aktiv në informimin e vazhdueshëm të të rinjve për historinë, të kaluarën komuniste, nevojën e dialogut dhe të reflektimit, për vlerat e demokracisë dhe konceptet e të drejtave të njeriut, si dhe të nxisë mendimin e pavarur kritik dhe alternativ.

II. Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe strukturat përgjegjëse brenda saj do të duhet të reformojnë programet mësimore që lidhen me historinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe shoqërinë e hapur, duke ofruar më shumë orë mësimore, sidomos orë të hapura diskutimi, vizita në vendet e memories, shkëmbime të përvojave me modele pozitive në vende të tjera dhe brenda vendit.

III. Konceptet që lidhen me historinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe shoqërinë e hapur, të kaluarën e errët komuniste, krimet kundër njerëzimit duhet të bëhen pjesë e konsiderueshme e kurrikulës së detyruar dhe asaj me zgjedhje që në moshat më të hershme. Përvoja shumë të mira mund të konsultohen në këtë drejtim nga vende evropiane me standarde të larta demokracie (Çekia, Polonia, Hungaria, etj.)

IV. Qendrat e trajnimeve shtetërore dhe private duhet të mundësojnë ofrimin e moduleve të trajnimit me tematika mbi historinë e errët të së kaluarës komuniste për mësues jo vetëm të historisë dhe qytetarisë.

V. Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe strukturat përgjegjëse brenda saj do të duhet të investohen për emërime dhe përzgjedhje profesionale dhe me integritet të drejtuesve të shkollave, për jetësim të plotë të konceptit ligjor të depolitizimit dhe për formim të vazhdueshëm me metodat bashkëkohore të mësimit dhe reflektimit ndaj së kaluarës.

VI. Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe strukturat përgjegjëse brenda saj duhet të pasurojnë fondin e bibliotekave të shkollave dhe listën e lëndëve ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit me më shumë lëndë që lidhen me demokracinë, të drejtat e njeriut, drejtësinë tranzicionale, memorien shoqërore dhe proceset e reflektimeve të shoqërive ndaj së kaluarës komuniste.

VII. Tekstet e Historisë dhe të Qytetarisë, si lëndë bazë të formimit mbi problematikat e trajtuara në këtë anketim, do të duhet të reformohen nga MAS dhe të kalojnë në proces vlerësimi nga institucione profesionale me përvojë në tekste të tilla, si masë e rëndësishme për të evituar defektet e sotme dhe për të ofruar informacione të sakta dhe koncepte të plota të njëjta me modelet shkollore në vende ish-komuniste si Çekia, Sllovakia, Estonia, Polonia, Hungaria, etj, tashmë anëtare në BE.

VIII. Avokati i Popullit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave personale, Komisioneri kundër Diskriminimit, etj, si dhe institucione të tjera ekzekutive, që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, mund të kenë një rol më aktiv në investimin në kulturën demokratike në shkolla, në universitete, në diskursin publik, në tekstet mësimore dhe mbështetëse, si dhe përfshirjen e të rinjve në aktivitetet e tyre.

IX. Institucionet që merren me memorien dhe kujtesën historike, kryesisht, AIDSSH dhe ISKK, në koordinim me MAS dhe sistemin arsimor, do të duhet të përfshijnë edukimin shkollor dhe informimin e brezit të ri, si prioritet në agjendat e aktiviteteve të tyre vjetore.

X. MAS, drejtoritë rajonale dhe shkollat publike e private rekomandohet të nxisin me të gjitha mjetet në dispozicion debatin e lirë dhe të pavarur të të rinjve për tema dhe çështje të përfshira në këtë anketim, sidomos raportin me të kaluarën dhe konceptet e sotme mbi të drejtat e njeriut.

XI. Bashkitë respektive do të duhet të përfshijnë në kalendarin e aktiviteteve të tyre, në buxhetin vjetor dhe në prioritetet e punës, bashkëpunimin me shkollat për shndërrimin e tyre në qendra të formimit qytetar, si dhe mbështetjen e kërkesave të tyre lidhur me informimin më të mirë mbi të kaluarën, vlerat e demokracisë dhe procesin e integrimit evropian.

XII. Institucionet mund e duhet të përdorin mjetet online në dispozicion (muzetë online, informacionin cilësor online, broshurat online, etj.) për të pasuruar informacionet mësimore gjatë diskutimit mbi të kaluarën dhe standardet e të drejtave të njeriut.

XIII. Mediat kryesore, sidomos media publike dhe ato me licenca kombëtare, nxiten të krijojnë programe informative e debati me të rinjtë dhe për të rinjtë lidhur me memorien ndaj së kaluarës dhe konceptet e të drejtave të njeriut dje e sot, mbi formimin demokratik dhe rolin e të rinjve dhe të shkollës në sfidat e shoqërisë.

 

Raporti i plotë shqip mund të gjendet këtu:

ISP – Anketim me te rinjte, perceptimi mbi te drejtat e njeriut para dhe pas 1990

Permbledhje në anglisht mund të gjendet ketu:

ISP – Survey about the perception of youth on human rights (before and after 1990)

 

 

 

 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/gjetje-te-anketimit-perceptimi-mbi-te-drejtat-e-njeriut-para-dhe-pas-1990/