“Gjatë një fjalimi të mbajtur më 27 prill 1987, Sllobodan Millosheviçi deklaroi, me një ton dramatik dhe emocional, se në Kosovë, ishte…”/ Libri i ri i studiuesit dhe diplomatit të njohur

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e njëzetenjë

                        MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI

                                                  SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                                       (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Ne e kemi pushtuar atë shumë herë tashmë (1912, 1918, 1944, 1989, 1999), por thjesht nuk kemi ditur se çfarë të bëjmë me të. Në shekullin XX Beogradi provoi të gjitha metodat e dhunshme: zhvendosjen graduale, dëbimet masive, administratën ushtarake, kolonizimin. Por, për shkak të një politike të tillë serbët e Kosovës kanë vuajtur gjithmonë. Si rregull, çdo valë e dhunës së ushtruar nga Beogradi është shoqëruar me përkeqësim të gjendjes dhe me dëbimin e serbëve të Kosovës. Ndër mitet më të popullarizuara “miti i Kosovës” fiton pa vështirësi vlerësimin “Dega e Artë, Një studim në magji dhe fe”. (1)

1 – Damian Pavlica – Kosovski mit je srpska sramota, grijeh, genocid, laz, obmana i prevara. (Miti serb për Kosovën, një vetëmashtrim, mashtrim, gënjeshtër dhe gjenocid i turpshëm.) – Drini 25 Korrik 2020 dhe Agjencioni Floripress. 17 dhjetor 2021.        

                                                                      ****

Daniela Jovanoviç asistente në Collège O’SullivanUQAM/ Universiteti i Quebec-ut në Montréal: 

Një nga këto plagë, “e arshivuar në kujtesën kolektive” të popullit serb, është beteja e Fushës së Mëllenjave e 1389 (ose beteja e Fushë Kosovës, kos do të thotë mëllenjë në serbisht). E ngritur në rangun e një miti kombëtar për serbët duke filluar që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kjo ngjarje shënon humbjen e trupave kristiane kundër turqve dhe shndërrohet në pikënisje të një epoke të re të pushtimit otoman, që do të zgjasë mëse 500 vjet.

Dhjetë vjet më pas, pikërisht në të njëjtën datë, patriarku i Kishës ortodokse serbe, Monsinjor Pavle, do të bënte një meshë përkujtimore, (shërbim i të vdekurve), për princin Lazar, rënë heroikisht në fushën e betejës në 1389, përbri trupave kristiane (që rigruponin serbet, boshnjakët, por gjithashtu edhe shqiptarët katolikë).

Kjo betejë simbolike ka mbetur e gdhendur në kujtesën e popujve sllavë dhe ka frymëzuar një numër të madh këngësh popullore dhe poema epike serbe. Kronistët kanë përshkruar heroizmat e dymbëdhjetë kalorësve, që nën urdhrat e Milosh Obiliçit hynë në kampin turk për të vrarë Sulltan Muratin I. Princi Kraleviç Marko, po ashtu dhe vëllezërit Jugoviç, që mbetën në fushën e betejës, i përkasin gjithashtu kësaj linje të heronjve të glorifikuar nga tradita. “Sipas legjendës, princi Lazar u vizitua nga një engjëll në vigjilje të betejës.

Engjëlli e vuri atë para zgjedhjes : të fitojë betejën ose të fitonte mbretërinë e Qiejve , të fitonte mbretërinë e kësaj bote, apo mbretërinë qiellore…Në zgjedhjen e tij kristiane, sipas traditës që qarkullon nga Kisha, princi Lazar angazhoi të gjithë popullin serb. Duke u sakrifikuar për mbrojtjen e krishterimit, serbët do të pranonin kështu dimensionin e tyre të një populli qiellor”.

(Jean-Arnault Dérens, Laurent Geslin, Të kuptosh Ballkanin. Histori, shoqëritë, perspektivat, Paris, Non Lieu, 2007. Fq. 25 ) (1)

1 – Daniela Jovanoviç. Université du Québec à Montréal. Mémoires blessées des balkans. La paix aux frontières de l’ethnicité en ex-Yougoslavie. Mémoire présenté  par Daniella Jovanovic août 2008. (Universiteti i Kebekut në Montreal. Kujtime të plagosura të Ballkanit. Paqa në kufijtë e etnicitetit në ish-Jugosllavi. Gusht 2008). Fq.107.

Miti i betejës do të shndërrohej në rivendikim tokësor serb vetëm nga mesi i shekullit XIX, gjatë ngritjes së nacionalizmit modern, pas fitimit të autonomisë së Serbisë në vitin 1830. Pas një “paranteze” të gjatë të përfaqësuar nga sundimi otoman, shteti i ri serb provon kështu të vendosë, në djepin e tij mesjetar të Kosovës, qendrën e gravitetit të fushës së aksionit të tij politik dhe nacional.

Që nga vitet 1850 principata serbe, autonome pas një numri kryengritjesh në vitin 1804, që u udhëhoqën nga Karagjorgjeviçi në rajonin e Shumadisë, kërkon të zgjerohet dhe të gjejë territoret e saj të vjetra. Perspektivat e saj për zgjerim në Veri dhe në Perëndim janë bllokuar nga vetoja e Vjenës, nga Perandoria e Habsburgëve.

Kështu ministri Ilia Garashanin (i mbiquajtur “Bismarku serb” nga David MacKenzie), nëpërmjet një orientimi të ri strategjik të përcaktuar në Proklamatën e tij të famshme (Naçertanie), kthehet drejt jugut, me idenë e rifitimit të “Serbisë së Vjetër” (Kosova). Që këtu Kosova bëhet një qëllim parësor për politikën e Beogradit, i cili, për të përligjur kërkesat e tij territoriale, do të mbështetet në traditën letrare, mistike dhe fetare lidhur me Kosovën.

Luftërat Ballkanike të 1912-1913 përfunduan duke ia bashkuar Kosovën Serbisë dhe Patriarkati ortodoks serb, i restauruar në vitin l920, do të gjejë rastin të ngrejë rajonin në rangun e “mitit të shenjtë të kombit”. E paraqitur si simbol i qëndresës dhe ruajtjes së trashëgimisë serbe, Kosova është ende sot e mbingarkuar ideologjikisht si guri themeltar, që mishëron betejat dhe sakrificat kundër zgjedhës osmane, shekullarizimin, “presionin demografik” shqiptar…(1)

1 – Daniela Jovanoviç.  Université du Québec à Montréal.Mémoires blessées des balkans. La paix aux frontières de l’ethnicité en ex-Yougoslavie. Mémoire présenté  par Daniella Jovanovic août 2008. (Universiteti i Kuebekut në Montreal. Kujtime të plagosura të Ballkanit. Paqa në kufijtë e etnicitetit në ish-Jugosllavi. Gusht 2008). Fq.109-110.         

Në vitin 1878 krijimi i Lidhjes shqiptare të Prizrenit shënon manifestimin e parë të hapur të nacionalizmit shqiptar bashkëkohor, që i kërkon Perandorisë krijimin e një vilajeti shqiptar autonom (njësi administrative e ndarë në sanxhakë), që do të bashkonte katër vilajetet – të Vuçiternit, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit. Afirmimi i njëkohshëm i dy nacionalizmave, atij shqiptar dhe atij serb, çoi në shpërthimin e dhunës së parë ndëretnike në Kosovë, pas një konfrontimi në Sanxhakun e Nishit (Serbia jugore), nga ku u dëbuan 50.000 shqiptarë drejt Kosovës në vitet 1877-1878.

Kosova, e perceptuar në një farë mënyre si “vendi i heronjve”, zë një vend mitologjik në imagjinatën kombëtare të serbëve. Po atë vend përcaktues gjenealogjik zë ajo tek shqiptarët, që e shohin atë si “toka e të parëve”. (2)

                                                                   **** 

Dejan Dimitrijeviç – profesor i antropologjisë – Universiteti Lumière

Lyon 2:

Miti i Kosovës ka qenë me të vërtetë një shtyllë e nacionalizmit serb dhe është instrumentalizuar në gjysmën e dytë të viteve 1980. Nuk mund të mos merret parasysh se ai u vendos si element qendror i identitetit nga Sllobodan Millosheviçi, ndërsa një gjë e tillë nuk është bërë që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë (S. Ceroviç, 2001). Kosova ishte me të vërtetë një burim për identitetin serb, por ajo u rikthye në plan të parë falë një rrethane të veçantë.

Përpara se të zhytej në nacionalizëm shoqëria jugosllave karakterizohej nga një demokratizim politik relativ, i cili lejonte shprehjen publike të kujtesës kolektive serbe. Kjo na lejon të vëmë re se Beteja e Kosovës (1389) shfaqet vetëm në mënyrë shumë të kufizuar në media dhe në prodhimtarinë letrare.

Gjatë një fjalimi të mbajtur më 27 prill 1987, S. Millosheviçi deklaroi, me një ton dramatik dhe emocional, se në Kosovë ishte në lojë uniteti dhe e ardhmja e vendit. Deri atëherë ai ishte një nga anti nacionalistët më të zjarrtë brenda Partisë. Kështu ai e vendosi çështjen e Kosovës në qendër të debatit politik dhe e shndërroi Kosovën në simbol të të gjitha vështirësive serbe, duke riaktivizuar premtimin e ringjalljes që përmban mesazhi mesianik i mitit të Betejës së Kosovës. (1)

1 – Daniela Jovanoviç.  Université du Québec à Montréal.Mémoires blessées des balkans.La paix aux frontières de l’ethnicité en ex-yougoslavie. Mémoire présenté  par Daniella Jovanovic août 2008. (Universiteti i Kuebekut në Montreal. Kujtime të plagosura të Ballkanit. Paqa në kufijtë e etnicitetit në ish-Jugosllavi. Gusht 2008) Fq. 111-113.     

2 – Po aty. Fq. 115-116.

Gjatë një fjalimi të mbajtur më 27 prill 1987, Sllobodan Millosheviçi deklaroi, me një ton dramatik dhe emocional, se në Kosovë ishte në lojë uniteti dhe e ardhmja e vendit. Deri atëherë ai ishte një nga anti nacionalistët më të zjarrtë brenda Partisë. Kështu ai e vendosi çështjen e Kosovës në qendër të debatit politik dhe e shndërroi Kosovën në simbol të të gjitha vështirësive serbe, duke riaktivizuar premtimin e ringjalljes që përmban mesazhi mesianik i mitit të Betejës së Kosovës. (1)

                                                                          ****

Dejan Iliç – kronist i portalit Peščanik:

Më 1 maj 1985 flamurtari i Ushtrisë Popullore Jugosllave, Gjorgje Martinoviç, punonjës i Qendrës Kulturore të Gjilanit, shkoi në një spital lokal me lëndime të rënda të brendshme të shkaktuara nga futja e një shisheje qelqi me forcë në rektum. Martinoviçi ka thënë se teksa punonte në arë është sulmuar nga dy persona që flisnin shqip.

Me kalimin e kohës rasti Martinoviç, “i cili ndërthur pamje të forta të vuajtjeve të serbëve nën turqit dhe të maskulinitetit serb të përdhosur nga një shqiptar primitiv, mizor dhe me fiksime seksuale, është bërë një simbol qendror i çështjes së Kosovës.” Çfarë ndodhi në të vërtetë më 1 maj 1985 – askush nuk u interesua më. Njerëzit zgjodhën një nga dy versionet e ngjarjeve, të udhëhequr nga qëndrimi i tyre për çështjen serbo-shqiptare.

Gjorgje Martinoviç vdiq në shtator 2001. Me rastin e vdekjes së tij, gazetat e Beogradit e rindërtuan të gjithë këtë çështje…  Martinoviçi ishte dhe mbetet metaforë për vuajtjet serbe. Në vitin 1986, OOUR në Beograd botoi 50,000 kopje të librit Rasti Martinoviç. Në vitin 1989, imazhi më mbresëlënës i Martinoviçit si martir serb u pikturua nga Miça Popoviç. Që kur u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Popoviçi ua paraqiti studiuesve veprën e tij “1 Maj 1985”.

1 – Dejan Dimitrijeviç. Frontières symboliques et altérité : les guerres en ex-Yougoslavie. (Kufijtë simbolikë dhe tjetërsia: luftërat në ish-Jugosllavi). Etude Balkanique 2002/1 (nr.9). Fq. 93-113.

Kjo tablo nuk është vetëm piktura më e madhe që ai ka bërë ndonjëherë, por edhe një nga më të mëdhatë në pikturën jugosllave të pasluftës. E frymëzuar nga piktura e shekullit të 17-të “Martirizimi i Shën Bartolomeut” të Jose de Rivera, ajo e përshkruan Martinoviçin në një kryq të ngritur nga shqiptarët, me një shishe, që e kërcënon atë në mënyrë frikësuese. Për muaj të tërë piktura e Popoviçit u vendos në vitrinën e galerisë në rrugën kryesore të Beogradit. Poetët serbë i kënduan Martinoviçit si martir me kurorë me gjemba, ose u kushtuan këngë “Shisheve të Gjorgje Martinoviçit”.

Rasti i Gjorgje Martinoviçit tregon qartë se abuzimi seksual i meshkujve mund të përdoret për të formuar perceptime dhe opinione – në këtë rast, për të krijuar një pamje të zymtë të vuajtjeve të kombit dhe perceptimin e kombit të vet si viktimë. Duke mitizuar një incident, Martinoviçi u shndërrua në një simbol të fuqishëm të vuajtjeve të komunitetit serb në Kosovë. (1)

1 – Dejan Iliç. Kruna od trnja. Couronne d’épines. (Kurora me gjemba. Kurora e pishave).

Pesçanik. 01/03/2009.

                                                                      **** 

Desimir Toshiç – shkrimtar, politikan, kritik i nacionalizmit serb dhe i influencës së Kishës Ortodokse:

Përse vuan Serbia dhe unë si serb? Ajo vuan sepse ndien se ka si mision për t’u bashkuar. Miqtë e mi nga një Serbi tjetër i thjeshtojnë të gjitha këto në imperializëm dhe hegjemonizëm. Po, por Serbia ka edhe ndjenjën e misionit. Ka njerëz që kanë një mision dhe ka njerëz që nuk e kanë, edhe nëse ia dalin. Mendimi im është se britanikët nuk kanë ndjenjën e misionit. Francezët kanë një mision. Revolucioni Francez kishte si mision që të sjellë demokracinë në botë. Po kështu, siç e dimë, edhe Rusia ka një mision. Rusia ka, së pari, një mision ortodoks, pastaj një mision komunist. Tani pyetja është të dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne kemi bërë gjithçka gabim që nga viti 1918, kështu që misioni ynë për fat të keq ka dështuar. Më vjen keq, shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që morën pjesë në këtë mision dhe për veten time. (1)

                                                                  ****

Dimitrije Bogdanoviçhistorian dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve:

Në këtë shikim e shtronte çështjen e Kosovës udhëheqësi socialist Dimitrije Tucoviç. Broshura e tij “Serbia dhe Shqipëria” ishte një dënim i përgjithshëm i politikës nacional-çlirimtare të ndërmarrë nga Serbia gjatë luftërave ballkanike, e gjykuar si hegjemoniste, serbomadhe dhe agresive. Ai nuk përfillte tragjedinë e popullit të tij, të nënshtruar ndaj sundimit turk, ndaj terrorit shqiptar. (2)

1 – Desimir Toshiç. Osveta Kosova.(Hakmarrja e Kosovës). Radio Pescanik. 22. 02. 2008.

2 –  Dimitrije Bogdanoviç. La question du Kosovo hier et aujourd’hui. (Çështja e Kosovës dje dhe sot). Revue des Etudes Slaves. 1984 (56-3). Fq.39

Pa hyrë në debat për burimet e opinioneve politike të Partisë Socialdemokrate Serbe [SSDS], mjafton të thuhet se kjo parti i kundërvihet ashpër jo vetëm luftërave të viteve 1912, 1913 dhe 1914, por mbështet edhe tezën e karakterit imperialist të këtyre luftërave të Serbisë dhe aleatëve të saj.

Një analizë e re kritike e opinioneve të Dimitrije Tucoviçit duhet të tregojë se ato bazohen në harresën e disa fakteve të rëndësishme historike dhe bashkëkohore, duke marrë, në mënyrë jo kritike, qëndrimin e palës tjetër në një konflikt historik tragjik – anën e nacionalizmit shqiptar. Është interesant të shihet se pamfleti i Dimitrije Tucoviçit përmban argumente propagandistike austriake kundër Serbisë, duke përfshirë shumë teprime, si “mizoria e ushtrisë serbe në rajonet lindore” apo interpretimi i “revoltës së arbanasve” të shtatorit 1913.

Tucoviçi e paraqet çlirimin e Kosovës – si jë “varg luftërash koloniale”, gjatë të cilave “ish lajmëtarët e çlirimit kombëtar mbanin flamurin e nënshtrimit kombëtar”, etj. Prandaj përfundimi i tij është i thjeshtëzuar dhe i njëanshëm: “Lufta që bën sot fisi arbanas është një luftë e natyrshme historike, e pashmangshme për një jetë politike të ndryshme nga ajo që kishte nën Turqinë dhe ndryshe nga ajo e detyruar nga fqinjët mizorë, Serbia , Greqia dhe Mali i Zi.

“Prandaj, pikëpamjet e socialdemokracisë serbe dhe veçanërisht të Dimitrije Tucoviçit në vitin 1914 kurorëzohen nga një vizion i komunitetit socialist, të federatës ose konfederatës së shteteve ballkanike. Në këtë bashkësi, në çdo rast,  Serbisë do t’i duhej të mjaftohej me kufijtë e vitit 1878, si kornizë përfundimtare shtetërore dhe kombëtare – dhe përveç Bullgarisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi do të kishim  më në fund edhe një Shqipëri të “bashkuar” – “Shqipërinë e Madhe”, “Shqipërinë në” kufijtë etnikë”, Shqipërinë me Kosovën brenda. (1)

1 – Dimitrije Bogdanović: Knjiga o Kosovu. (Libër mbi Kosovën). Srpska Akademija nauka i umetnosti. — Posebna izdanja. — Knjiga DLXVI. — Primljeno na 7. skupu Odeljenja jezika i književnosti, 25. decembra 1984, na osnovu prikaza samog autora. — Beograd, 1986.

                                                                      ****

Dimitrije Tucoviç: teoricien, një nga udhëheqësit e lëvizjes socialiste serbe, themelues i Partisë Social-Demokrate Serbe dhe një nga gazetarët më të mëdhenj politikë serbë të shekullit XX:

                                                            —

Shtypi ynë shovinist, i karakterizuar nga një miopi dhe egërsi e tejskajshme, e ka paraqitur, pa sukses, problemin e trekëmbëshave dhe krimeve të turqve si mënyrë për të bindur arnautët e padurueshëm.

Ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në polemikë me këtë shtyp lidhur me lëvizjen arnaute dhe pasojat e saj, pasi tek ai për këtë nuk mund të gjendet as masa më e vogël e njohjes së gjërave, ndërsa për gjendjen dhe aspiratat kulturore të këtij populli flitet zakonisht kuturu. (1)

Shtypi i Beogradit është edhe pa kurrfarë vlere, edhe reaksionar. Qoftë ai “opozitar”, qoftë ai “neutral” i shërbejnë qeverisë, hapin rrugën për ngjalljen e reaksionit, përgatitin shpirtrat që ta presin më me lehtësi shtypjen e lirisë …Që qeveria pati kaq kurajo të keqësojë ligjet politike dhe të ngjallë sistematikisht reaksionin dhe brutalitetin shtetëror, kjo gjë, në një masë të konsiderueshme, i kushtohet shtypit borgjez: pa diskutim ai ka qenë ndihmësi më i madh i qeverisë…Lexuesi le ta shohë këtë rol të turpshëm të gazetave të Beogradit.(2)

—–

Ka gazeta dhe njerëz, të cilët i kanë shpallur shqiptarët si banorë të egër dhe të tepërt të Gadishullit Ballkanik dhe të cilët shtrojnë përpara popullit serb detyrën që t’i zhdukë nga kjo botë. Për ruajtjen e “rregullit dhe të qetësisë” mobilizohet jo vetëm ushtria, por edhe parlamenti dhe të gjitha forcat reaksionare, të cilat shpikin arsye fantastike për përligjjen e dhunës, pa të cilën nuk ka plaçkitje e pasurim të shpejtë. Këtu borgjezia bëhet ortake me militarizmin, të cilin e vë në shërbim të vet, ajo vret e pret nëpër Shqipëri.

1 – Dimitrije Tuceviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Beograd 1980. Libri 3, fq. 402.

2- Dimitrije Tuceviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 4, fq. 492-493.                 

Shqiptarët prej kohësh kanë shprehur dëshirën për autonomi. Ata këtë aspiratë të tyre kanë dashur ta arrijnë në marrëveshje me serbët dhe me ndihmën e tyre. Kështu që  në vitin 1804, në kryengritjen tonë për çlirim, ka patur shqiptarë, ndërsa në marrjen e Beogradit më 1806, dëgjoheshin edhe thirrjet e tyre luftarake, si dhe ato në të gjitha gjuhët e Gadishullit Ballkanik, qeveria serbe përkrahu me simpati ekspeditat ushtarake të xhonturqve, që u dërguan për të mbytur në gjak kryengritjet shqiptare. (1)/Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/gjate-nje-fjalimi-te-mbajtur-me-27-prill-1987-sllobodan-milloshevici-deklaroi-me-nje-ton-dramatik-dhe-emocional-se-ne-kosove-ishte-libri-i-ri-i-studiuesit-dhe-diplomatit-te-n/