“Fshatarët vendosën me i dërgue një letër Enver Hoxhës, ku u ankojshin për zboret ushtarake, që i pengonte në punët e buqësisë dhe kur ma kërkuen me ja shkru un, u thashë…”/ Kujtimet e fratit të famshëm

Nga At Zef Pllumi

Memorie.al / Stërvitjet ushtarake janë gjella kryesore e të gjitha diktaturave. Ushtria asht nji organizëm i verbtë, i pagojë e i pamend, i cili mbahet gjallë vetëm me veshë: Gatitu! Para! Mbrapa! Urdhno! Kjo asht çizmja e hekurt që shtyp pa mëshirë çdo të drejtë dhe çdo dëshirë njerëzore: asht zemra dhe mendja e çdo tiranie. Në Shqipni me këto armë, Partia Komuniste zhvilloi veprimin e saj më të madh: vrau, preu, dogji e shkatrroi çdo gja të bukur e të mirë, pushkatoi njerëz të pafaj, deri që vendosi robnin skllavopronare nën emnin e Partisë. Të gjitha këto i bani nën strehën e “Shokut Tito” e, ma vonë nën hijen e “Stalinit të Madh” e të “Bashkimit të Madh Sovjektik”.

                                                                    ZBORI E RADHAT

Por aty kah vjeti 1960-’61, këto marrëdhanie u prishën keq, sepse Hrushovi tradhtoi fenë komuniste’ tue kërkue largimin e Enver Hoxhës nga pushteti në Shqipni. Shqipnia u lidh me “Kinën e Mo Ce Dunit“, që ishte larg prej nesh nji muej ditë. Prandej, deri të na vinte ndihma e saj, duhej me qindrue na vetë. Kështu filluen stërvitjet ushtarake ose, siç thirreshin me nji fjalë të huej, zboret, pa të cilat në Shqipninë e asokoshme nuk mund kuptohej jeta.

Dega Ushtarake e Shkodrës, na dërgoi të gjithëve lajmin me u mbledhë në Theth. Prej Kirit po vjen At Sebastjan Dedaj, pse dhe atij i kish ardhë lajmi, me u paraqitë në Theth. U nisëm të dy bashkë. Kur mbrrijtëm atje, gjetëm të mbledhun së paku pesëmijë burra, të gjithë të ndamë si-mbas katundeve të ndryshme: këtu Plani, atje Kiri; këtu Shala, aty Shoshi. Këtë mbledhje e kryesonte Gjeneral Hito Çako dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, Bilal Parruca.

Mbas tyne vijshin disa tjerë. Këta të dy na mbajtën edhe dy fjalime të gjata (kurrë nuk mund baheshin të shkurtra) për gjendjen politike ndërkombtare, mbasi këtu mbrendë gjendja kje gjithmonë “e shkëlqyeshme”. Thalbi i fjalimeve ishte se; Mao Ce Duni e kishte sigurue Shqipninë, edhe kishte deklarue botnisht se çdo fuqi kapitaliste o revizjoniste, edhe sikur këta t’ishin koalicjone superfuqish, po të guxojshin me sulmue Shqipninë, do të zhdukeshin prej faqes së dheut, mbrenda pak orëve.

Tue kenë, pra, se Shqipnia tash ishte ba kërthiza e botës e, fener ndriçues i popujve, duhej të mbahej me çdo kusht derisa të vinte Kina me e ndihmue. Si rrjedhim i kësaj logjike politike, duheshin marrë masat e mbrojtjes ushtarake, për me luftue kundra kapitalizmit e revizjonizmit.

Mbas atyne fjalimeve, nji ushtarak i naltë filloi organizimin e turmës, tue i nda e tue i përzie ndër skuadra, brigada, etj. Mandej na dha urdhën që, kur të ndigjojshim alarmin, që ishte dy të shtime armësh, të vrapojshim me u paraqitë n’atë vend të caktuem për çdo katund, e aty merrej urdhni, se çfarë detyre caktohej.

Në fillim u banë prova, nëse ecte në rregull ky mekanizem i “gadishmërisë”, ma vonë u caktuen dy ditë për çdo muej me kenë me armë në dorë. Kur erdh vjeshta, dërguen nji listë tepër të gjate, t’atyne që do të shkojshin me punue ndër objekte ushtarake. Aso kohe patën fillue vetëm me tunelet. Prej Dukagjinit, i ulshin në Podgorë, afër Koplikut, dhe i mbajshin për me zgavrue malet, tue çilë galeri të shumta me dinamit.

Këto tunele, kjenë ndër fazat e para të çmendjes strategjike, pse ma vonë filluen strehimet e mëdha e të vogla, si për çdo lagje e për shumë zyre, deri që mbrrijtën te bunkerat me madhësi të ndryshme, të cilët shëmtuen të gjithë truellin shqiptar, prej bregut të detit, deri n’alpet e nalta. Kjo pregatitje ushtarake nuk u mjaftue vetëm me djelm e burra; asaj i tha mendja, me e ba “gjithë popullin ushtar”.

Këtë parrullë e përsëriste për kreni. Më pat ra rasa nji herë me takue nji togë, o nji kompani, nuk di t’i përcaktoj sak këta emna çetash ushtarake, pra ishte nji çetë grash e varzash që, ashtu të veshuna siç ishin, me pushkë ngrefun, në kuadrate të rreshtueme, pa ndalë hapin ushtarak, pa prishë kuadratet, i ranë vaut të lumit, anë e m’anë, tej e përtej e kaluen tue u zhytë deri në sjetull dhe duelën m’anë tjetër, tue kullue ujë e vijuen rrugën në bregun tjetër.

Sa me urrejtje e vrojta atë pamje të shëmtueme: atë oficerin idjot, që printe e dy oficerat në fund, un, po të mujshem, do t’i kishem akuzue si kriminela të njerëzimit. Dami që i sollën Shqipnisë këto zbore e “pregatije ushtarake”, asht i pallogaritshëm; thohet se vetëm bunkerat me hekur-beton, mbrrijtën numrin tetëqind mijë, pa numrue galerite e tunelet, ndër të cilat u punue për tridhjetë vjet rresht, tue i marrë shpirtin “popullit ushtar” e, tue shpenzue materjalet e ndërtimit kot së koti.

Atje në malsi, njizetepesë ditët e zborit fillojshin në dhetëditashin e parë të shtatorit e, mbarojshin në fillim të tetorit. Kjo ishte koha ma e randsishme, për marrjen e fryteve të tokës, kryesisht misrit. Mueji i shtatorit ndër malsi, asht ai ma i randsishmi për bujqsinë. Bujku punon tanë vitin, mbjell, krasit, prashit, herr e vadit e, në fund mbledh frutin.

Por në kohën e të korrave, e gjithë bujqsia paralizohej jo vetëm prej shinave të vjeshtës, të cilat e mykshin o e kalbshin misrin e rrushin, por tash edhe prej zborit. Prandej malsorët, ishin të dispruem nga ky shkatrrim ekonomik. Nji ditë po vijnë aty nja pesë a gjashtë vetë, bashkë me Kryetarin e Kshillit, Tom Lucin, dhe më thanë:

– “Patër, kemi ardhe te ti, me na shkrue nji letër, me e qëndisë ashtu si din ti, pse duem me e dërgue atje nalt në qeveri, madje me e shti aty, se zbori në këtë kohë pune kaq të randësishme, na duket sikur bahet për sabotim”.

– “E kuj doni me ia drejtue këtë letër”?

– “Enver Hoxhës, se tjetërkush nuk kryen punë”!

– “Po a e keni ndie atë prrallën e mijve, që u mblodhën e vendosën me i vue në qafë dacit nji kumbonë? Po u pvsë: kush ia ven kumbonën në qafë maçokut të madh”?

– “E kemi mendue edhe atë punë. Ti me na e shkrue nji letër të bukur, nënshkruejmë nji për shtëpi edhe caktojmë nja shtatë a tetë veta, që të kërkojnë takim me Enverin e, t’ia japin letrën në dorë. Si thue”?

– “Si t’ju thom? Mirë se po e shkruej un, edhe ju po e nënshkrueni, po kush jane ata të shtatë shaljanë o, shtate shoshjanë, që e çojnë tek Enveri? Mendoj se do të veje puna si e shkodranëve me Vezirin, me ‘filin’ e me ‘fileshën’”.

Paska ardhë nji Vezir i ri në Kala të Shkodrës, edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala, nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit. Mirë po fili tash e pare, hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët.

Prandej, kur nuk e xeshin dyerët e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh e i fuqishëm, sa të shtinte frigën. Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush mund i delte para.

Të gjithëve u hini hataja. Prandej në nji ditë xhuma (e prende), gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba, punës t’atij filit të Vezirit. Folën e folën, diush thumbit, dikush patkonit, me shkue atje nalt në kala e, me i thanë Vezirit këto fjalë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru.

Ai fil po then dyerët e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej atij fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatrron gjithshka, se nuk e durojmë ma”.

Populli i Shkodrës caktoi aty për aty dhetë vetat që të shkojshin te Veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani ma i mendshëm se tjetri e gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste Veziri.

Ata e dijshin që Veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët, dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të Vezirit.

Kjo dihej. Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: “Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e, kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje”. “Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun”. Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: “Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka randësi. Kam nji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e, nuk kam si e la vetem: a më lejoni”? “Shko”!

Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: “Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllun në Pazar, se paskam çilsin në xhep. Po shkoj vetëm sa me dorëzue çilsin: barabar, si shtatë si gjashtë. A më lejoni”? Kështu me radhë, njani mbas tjetrit, paraqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbrrijtën te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë.

Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? “Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e, tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë, janë për me ia thanë Vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’duhet i dyti? Njani ka për t’i folë. A qesim short, kush me hi, o un o ti”? “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjale, flas un”.

“U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot”; doli tjetri e u largue. Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e, ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, për me folë me Vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e, me u qitë kafe, atyne që vijshin me peshqesh në dorë. Ata që bijshin ankimet e popullit, jo vetëm që i priste me tureçka, por nganjiherë, nuk e nxierrshin as kryet prej andej.

Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshem, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, më ka dërgue për me t’u falë nderës”. “He, ju, bini dy kafe”, urdhnoi Veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës, për gëzimin e madh që i ke dhanë, tue pru njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija, kur e shofin me sy. Frigë…?!

Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin, se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimben degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës. Por i gjithë mileti, ka nji marak të madh: Aman, o Vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue, as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh, me e pa fileshën: si do të jetë ajo”?!

Ndërkaq erdh kafja e turkut e gota e ujit në tabake e, Veziri foli: “Ndigjo, o burre i mirë, thueji miletit të Shkodrës, se do të baj çmos me ua plotsue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem, kam me u prue edhe fileshën!“ Mbas nja dy muejsh, nëpër rrugët e Shkodres po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotsonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsri te Xhamija e Tophanës.

“Ku janë ata që dërguem me folë me Vezirin”? “Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te Veziri shkova vetëm un. A mendoni ju, se Pasha don ma shumë bahçet tuaja, se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryet tem, se bahçet tueja”!

“Po, a ia ke thanë Pashës fjalët tona”?! “Të gjitha ia thashë, fjalet e miletit: se si fili hap dyer e rrënon mure, then pemët me gjithë degë…! Po ju kalanë e keni njaty, aty asht edhe Vezir Pasha e, në kjoftë se bahçet tueja u dhimben ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e, folni me Vezir Pashën”. Mbasi ua kallxova prrallën malsorëve, u thashë se ishem gadi me e shkrue letrën, por drueja se, mbas “filit”, vinte edhe “filesha”…! Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/fshataret-vendosen-me-i-dergue-nje-leter-enver-hoxhes-ku-u-ankojshin-per-zboret-ushtarake-qe-i-pengonte-ne-punet-e-buqesise-dhe-kur-ma-kerkuen-me-ja-shkru-un-u-thashe-kujtimet/