Forum diskutimi në UMB mbi adresimin e sfidave për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Zgjedhjet dhe praktikat pozitive dhe negative të përfaqësimit. Shqipëria dhe sfidat e standardeve zgjedhore. Aktorët politikë dhe roli i qytetarëve, transparenca dhe pjesëmarrja, monitorimi dhe reagimi, dekriminalizimi dhe integriteti, roli i individit dhe i programeve, personalizimi politik dhe retorika konfliktuale, partitë si media dhe mediat si shtojcë e partive, produkti zgjedhor dhe sa zgjedhjet bëhen zgjidhje. Këto janë disa nga temat që diskutohen në proceset tona zgjedhore, përfshirë zgjedhjet e majit 2023.

Në kuadër të diskutimit mbi integritetin zgjedhor dhe problematikat e sistemit tonë përfaqësues, Instituti i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi një forum debati me Klubin “Qeverisje dhe Politikë” të Universitetit “Marin Barleti” në Tiranë. Aktiviteti është pjesë e projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme. Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, të cilin ISP po e zbaton me mbështetjen e programit MATRA të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

Dy ekspertët e njohur Dr. Erion Kristo dhe Prof. Ervin Karamuço diskutuan problematika të ndryshme lidhur me aktualitetin dhe sfidat e raportit midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve, sistemit zgjedhor dhe pjesëmarrjes, rolit dhe përgjegjësisë së votuesve të rinj si dhe mbi pjesëmarrjen e akademikëve dhe studentëve në zbatimin e reformës zgjedhore dhe në rritjen e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.

Aktiviteti u shoqërua me pyetje dhe komente nga studentët pjesëmarrës. Gjetjet e diskutimeve të njëjta të zhvilluara edhe në universitete të tjera, do të jenë pjesë e rekomandimeve të ISP për komisionin e ardhshëm të reformës zgjedhore në parlament.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/forum-diskutimi-ne-umb-mbi-adresimin-e-sfidave-per-zgjedhje-te-lira-dhe-te-ndershme/