Forum diskutimi në AU: Sfidat dhe problematikat mbi zgjedhjet e lira dhe të drejta

Zgjedhjet dhe përfaqësimi, roli i qytetarëve dhe institucioneve zgjedhore, respektimi i standardeve dhe rekomandimeve të ODIHR/OSBE dhe sfidat e Shqipërisë për më shumë demokraci funksionale ishin disa prej temave të diskutuara në aktivitetin e zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike me studentë të shkencave politike të Albanian University.

Ekspertët e zgjedhjeve dhe përfaqësimit, Dr. Dorjana Pano dhe Prof. Ervin Karamuço paraqitën gjetjet kryesore të ISP gjatë monitorimit të legjislacionit zgjedhor dhe rolit të institucioneve, si dhe problematikave të funksionimit të partive politike, si dhe vendimmarrjet e KQZ, të institucioneve të tjera lidhur me standardet zgjedhore.

Shqipëria ka një bazë legjislative dhe përvojë tashmë tri dekada me proceset zgjedhore, ka eksperimentuar vazhdimisht me sisteme zgjedhore si dhe ka një numër të madh aktorësh politikë konkurrues, gjithsesi vendi vijon të jetë ende larg standardeve të shtetit të drejtës të përcaktuara nga Kushtetuta dhe parimeve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias. Në jetësimin e një demokracie më aktive, më përfaqësuese, ku transparenca dhe llogaridhënia janë cilësi solide, rol të veçantë kanë edhe institucionet universitare, studentët dhe shoqëria civile, media dhe aktorët e tjerë me ndikim në jetën publike.

Të rinjtë studentë dhe ekspertët shkëmbyen opinione lidhur me këto problematika, duke theksuar edhe nevojën e investimit shtetëror e shoqëror në forcimin e kulturës politike dhe demokratike.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/forum-diskutimi-ne-au-sfidat-dhe-problematikat-mbi-zgjedhjet-e-lira-dhe-te-drejta/