Etika dhe integriteti në parlament: forum diskutimi me të rinjtë në Kukës

Kuvendi i Shqipërisë është institucioni kryesor në sistemin politik. Referuar pozitës kushtetuese dhe sfidave të aktualitetit, qytetarët presin që parlamenti të jetë funksional dhe përfaqësues, me integritet dhe transparent, llogaridhënës dhe burim stabiliteti e maturie në ushtrimin e demokracisë.

✅A përputhet kjo pritshmëri me bilancin aktual parlamentar?
✅A kemi të bëjmë me një parlament “tempull i demokracisë” apo katalizator i konfliktualitetit politik?
✅Sa njihet dhe respektohet Kodi i Sjelljes dhe Rregullorja e Kuvendit?
✅Cili është bilanci i jetësimit të praktikave të integritetit dhe transparencës?
✅Sa njihen dhe respektohen parimet e parandalimit të konfliktit të interesit?
✅Etika në komunikim, etika në sjellje, etika në vendimmarrje: cili është raporti i deputetëve me standardet etike?

Për të njohur dhe ndarë nga afër pikëpamjet e të rinjve mbi parlamentin Instituti i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi një forum diskutimi me të rinj në këndin amerikan në Kukës. Përveç ekspertëve të ISP-së pjesëmarrës në takim ishin deputeti Flamur Hoxha dhe përfaqësuesi i zyrës së deputetes Gerta Duraku.

?Gjatë takimit të rinjtë, kryesisht me nota kritike, shprehën vlerësimet e tyre mbi parlamentin dhe aktualitetin, si dhe trajtuan çështje që kanë të bëjnë me nevojën për përfaqësim më të madh të problematikave zonave qytetare, për modele pozitive politike dhe për një parlament më aktiv në mbajtjen e premtimeve dhe trajtimin e çështjeve shqetësuese për kategorinë që ata përfaqësojnë.

?Diskutimi nxori në pah rëndësinë e integritetit në përfaqësim dhe politikë, si rolin që duhet të ketë Kuvendi në sfidat kryesore të vendit, në forcimin e demokracisë, luftën ndaj korrupsionit, jetësimin e transparencës publike dhe llogaridhënies.

Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes dhe llogaridhënia”, i cili po realizohet nga ISP mbështetur financiarisht nga programi për demokracinë, Ambasada e SHBA në Tiranë.
ISP falënderon American Corner për bashkëpunimin, të rinjtë pjesëmarrës për interesin dhe diskutimet konstruktive, si dhe folësit që kontribuuan në këtë aktivitet.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/etika-dhe-integriteti-ne-parlament-forum-diskutimi-me-te-rinjte-ne-kukes/