“Ekzekutimet i bënim në Porto-Romano, por për ndonjë të fortë fizikisht, kryhej ‘ekzekutimi i thatë’ brenda në qeli, ku me një levë…”/ Dëshmitë e rralla të ish-prokurorit të Durrësit

Nga Agim Musta

Pjesa e dytë

Memorie.al / Agim Musta ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 1930-ën, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Tiranë. Pasi u diplomua në Fakultetin Gjuhë-Histori, për një dekadë ka shërbyer si mësues historie në rrethet e Sarandës, Kuçovës dhe Tiranës. Në vitin 1962, u dënua nga Gjykata Ushtarake me 13 vjet burg, për veprimtari antikomuniste. Pas viteve ’90-të, Agim Musta është angazhuar me shkrime dhe publicistikë duke botuar në shtypin e kohës, kryesisht me temën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe krimet e tij. Po kështu gjatë kësaj periudhe kohe, ai ka botuar edhe disa libra, si: “Dosjet e gjalla”, 1994; “Kush ishte Enver Hoxha”? (si bashkautor), 1996; “Burgjet e shtetit burg”, 2000; “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, 2001, “Kështu ka ndodhur”, 2003, etj. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, bën fjalë për një nga personazhet më të urryera të regjimit komunist të Enver Hoxhës, gjeneral-major, Nevzat Haznedarin, hetuesin e tmerrshëm e mizor që vet autori i ka vënë epitetin “Gjenerali i zi”, si dhe shkrimin “Poligonet e vdekjes”, në të cilin preket problemi i pazgjidhur ende i gjetjes së vëndeve ku ekzekutoheshin viktimat e diktaturës komuniste (nga viti 1944 deri në 1990-ën) dhe eshtrat e mbi 6000 të zhdukurve nga ai regjim gjakatar.

POLIGONET E VDEKJES…!

Sa njerëz janë ekzekutuar në Shqipëri gjatë viteve të terrorit komunist, askush nuk e di me saktësi, por vendet ku janë pushkatuar shumica e tyre, dihen dhe janë emërtuar nga populli “Poligonet e vdekjes”. Janë vrarë njerëz të rrëmbyer nga rruga në periferi të qyteteve. Janë vrarë partizanë pas krahëve, nëpër shkrepa dhe lugina, të varrosur nga fshatarët, pa mësuar kurrë, se kush ishin! Janë vrarë të pafajshëm, pa vendim gjyqi, të paregjistruar në asnjë fletë, emrat e të cilëve figurojnë të gjallë në zyrat e gjendjeve civile dhe askush nuk e di se ku janë groposur.

Janë vrarë qytetarë, në tentativë për të kaluar kufirin dhe trupat e tyre janë djegur nga komandat e postave kufitare, të spërkatur me naftë. Janë ekzekutuar njerëz, buzë greminave dhe kufomat e tyre janë hedhur në humnerë, ku nuk shkelin dot as bishat e egra. Janë pushkatuar qytetarë buzë përrenjve dhe lumenjve dhe kufomat e tyre kanë përfunduar në detra dhe liqene. Kanë vdekur të burgosur në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe të burgjeve dhe trupat e tyre pa jetë, janë hedhur në grumbullimet e plehrave të qyteteve.

Gjatë viteve 1945-1948, në shumicën e rasteve, ekzekutimet e “armiqve” bëheshin ditën, për t’u futur tmerrin qytetarëve. Kështu u ekzekutuan në Tiranë, në muajin maj të vitit 1945, në dritën e diellit, 17-të ish- personalitete të larta të shtetit shqiptar, në vendin e quajtur “Kodra e Priftit”, disa metra në të djathtë të Fabrikës së Porcelanit në Tiranë.

Dy ditë përpara ekzekutimit, punëtorët e bashkisë nën mbikëqyrjen e oficerëve të Sigurimit, kishin hapur një gropë, jo shumë të thellë. Pa kaluar as një javë nga ekzekutimi, gropa u zbulua nga vjedhësit e varrezave, të cilët kanë kujtuar se personat e rëndësishëm të pushkatuar, do të kishin sende me vlerë, por u larguan të zhgënjyer, duke i lënë kufomat e pambuluara nga inati, pasi vrasësit, para se t’i pushkatonin, iu kishin grabitur gjithçka me vlerë.

Në fillim të vitit 1950, Ministria kobzezë e Punëve të Brendshme, urdhëroi që çdo degë Sigurimi në rrethe, të kishte poligonin e vdekjes. Në Tiranë kishte disa poligone të vdekjes, por më të rëndësishmit ishin buzë lumit të Tërkuzës dhe të Erzenit. Atje janë ekzekutuar me qindra viktima. Shumë prej kufomave, janë marrë nga ujërat e turbullta të lumenjve, ose janë ngrënë nga shpendët, e shqyer nga kafshët e egra. Tog-fjalët “Bregu i lumit”, u bënë sinonim i vdekjes. Kur dikush mallkonte rëndshëm ndonjërin, i thonte: “Të pafsha te Bregu i lumit”!

Një poligon tjetër i ekzekutimit në Tiranë ishte pranë Urës së Farkës, në lumin Erzen. Ja se çfarë më ka treguar bashkëvuajtësi im, Nuri Stepa, (i cili ka qenë shumë vite në Spaç dhe një nga organizatorët e revoltës në majin e 1973-it), që punonte si shofer para se të dënohej:

“Udhëtoja nga Elbasani në Tiranë, me makinën e ngarkuar me ullinj. Pa kaluar Urën e Farkës, një polic më bëri shenjë të ndaloja në vend dhe të shuaja dritat. Zbatova urdhrin dhe parandjeva se diçka e jashtëzakonshme do të ndodhte përtej urës. Ishte ora 11.00 e natës. Megjithëse hëna ishte e zbehtë, përtej urës dallova konturet e një “GAZ”-i të Sigurimit dhe të auto-burgut. Nga “GAZ”-i zbritën disa persona dhe nga auto-burgu u ulën në tokë dy persona, që policët i mbanin nga krahët. Pas tyre, nga dera e auto-burgut, hodhën në tokë, si një thes me kripë, një person të tretë, që e tërhoqën zvarrë nga këmbët.

Ai, me siguri do të kishte vdekur gjatë transportit me auto-burg, nga ndonjë atak në zemër. Në zallishte, afër këmbës së urës, dy viktimat i ekzekutuan duke i qëlluar me plumb, pas kokës. Pastaj të tri kufomat i shtynë me këmbë dhe i hodhën në një gropë, afër një gëmushe pranë urës. Sipër kufomave, hodhën diçka të bardhë, si pluhur gëlqereje. Me një lopatë xheniere, hodhën ca rërë dhe zhavorr dhe u larguan për te makinat.

“GAZ”-i dhe auto-burgu u kthyen në drejtim të Tiranës dhe polici, që ishte në bisht të urës, ia hipi motorit dhe u nis dhe ai në drejtim të Tiranës. U trondita aq shumë nga ai ekzekutim makabër që pashë atë natë, saqë duart më dridheshin kur kapa timonin. Kanë kaluar dhjetë vjet nga ajo natë dhe ajo skenë ruhet në kujtesën time, sikur të kishte ndodhur mbrëmë”.

Në vitet e pluralizmit shumë skelete të njerëzve të pushkatuar, u gjetën buzë lumit Erzen, si gropa e 22 të ekzekutuarve afër Urës së Beshirit, 12 km. në jug-perëndim të Tiranës, në shkurtin e vitit 1951, me rastin e të ashtuquajturit “incident” në Ambasadën Sovjetike.

Në Tiranë, ekzekutime janë kryer edhe tek Ura e Sharkës, afër Vorës, në tunelet e Qesarakës, në Malin me Gropa, në afërsi të Urës së Brarit dhe në ndonjë vend tjetër, të paidentifikuar deri më sot. Në Shkodër, bastioni më i rëndësishëm antikomunist në Shqipëri, si vend ekzekutimi, ishte caktuar Zalli i Kirit, nga Bardhaj, deri tek ura e lumit Kir. Në atë vend të mallkuar janë ekzekutuar me qindra të pafajshëm, sidomos gjatë viteve 1945-1946, pas “operacionit të spastrimit”, në Malësinë e Madhe dhe dështimit të Kryengritjes së Postribës.

Ekzekutime janë bërë edhe gjatë brigjeve të lumit Buna, në afërsi të Fabrikës së Çimentos, ku shpeshherë, kufomat e groposura, gjatë reshjeve, dilnin në sipërfaqe, ose merreshin nga valët e lumit. Ka pasur raste, që kufomat janë lënë në sipërfaqe, pa u groposur, të hedhur kapicë mbi njëri-tjetrin, siç ndodhi pas dështimit të Kryengritjes së Postribës. Kjo bëhej me qëllim, për t’u kallur tmerrin banorëve të Shkodrës. Shprehja “Të çofshin në Zall të Kirit”, u bë proverbiale në Shkodër dhe simbolizonte vdekjen nga plumbi.

Në Vlorë, poligonet e vdekjes ndodheshin te “Bishti i Kalldrëmit”, gjatë rrugës Vlorë-Kaninë, në Hambare, afër Fabrikës së Tullave dhe afër një ure të vogël, buzë rrugës nacionale, pa shkuar te Qafa e Koçiut. Ajo urë, u quajt nga populli i Vlorës, “Ura e Ballistëve”. Atje u ekzekutuan disa qindra ballistë, të dënuar dhe të padënuar, nga “gjyqet e popullit” të diktaturës komuniste.

Edhe sot e kësaj dite, çdo shqiptar i ndershëm, që kalon afër kësaj ure, kujton ata burra që u vranë, për të vetmin faj, se deshën Shqipërinë.

Në Gjirokastër, ekzekutimet kryheshin në “Sheshin e Zinxhirëve” dhe në Buduk, buzë lumit Drino.

Në Berat, poligonet e vdekjes ndodheshin në Uznovë, si dhe afër katundit Moravë, buzë lumit Osum.

Në Durrës, ekzekutimet bëheshin në Porto-Romano dhe në Bisht të Pallës.

Ja çfarë më ka treguar bashkëvuajtësi, Dervish Sulo, ish-prokuror i Durrësit, gjatë viteve pesëdhjetë:

“Të dënuarit me vdekje i ekzekutonin në Porto-Romano. Dikur atje ndodhej një fabrikë, për përpunimin e lëkurës dhe kishte shumë gropa, ku kishin hedhur mbeturina lëkurësh, të dekompozuara nga acidet. Kështu që, nuk ishte e nevojshme të hapnim gropa të reja për kufomat e të ekzekutuarve. E afronim “GAZ”-in afër një grope, zbritnim njeriun që do të ekzekutohej, e vendosnim para prozhektorëve të auto-burgut, të lidhur këmbë e duar dhe e ekzekutonim nga mbrapa, me automatik ose revolver.

Kur personi që do të ekzekutohej ishte i rëndësishëm, merrnim me vete edhe mjekun e Degës së Punëve të Brendshme, për të bërë pohimin me shkrim, për personin e asgjësuar. Në shumicën e rasteve, mjeku firmoste të nesërmen, pa ardhur në poligonin e vdekjes. Kur personi që do të ekzekutohej, ishte i fortë fizikisht dhe tepër agresiv, për të mos shkaktuar telashe, atij i bëhej “ekzekutimi i thatë” brenda në qeli, duke e qëlluar me levë hekuri pas kokës dhe ashtu pa bërë, as gëk dhe as mëk, e çonin në vendin e ekzekutimit.

Pas kryerjes së vrasjes, thirresha unë si prokuror dhe mjeku i Degës, për hartimin e raportit të ekzekutimit, që gjoja ishte hartuar në poligonin e vdekjes të Porto-Romanos. Natën vonë, kufoma hidhej në gropat e Porto-Romanos dhe thithej menjëherë nga mbeturinat e fabrikës. Brenda një kohe të shkurtër, ajo dekompozohej krejtësisht”.

Sipas ish-gjeneralit të Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, (i cili u burgos në vitin 1965 dhe pas disa vitesh u gjend i varur në spitalin-burg të Tiranës), pas vitit 1948, për zhdukjen e kufomave të njerëzve të ekzekutuar, përdorej gëlqerja e shuar, e cila me kalimin e kohës, dekompozonte jo vetëm kufomën, por edhe kockat e viktimës. Halim Xhelo pohonte se shumë kufoma të njerëzve të vrarë, janë përdorur si kadavra në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe u janë shitur edhe jashtë Shqipërisë, klinikave të spitaleve universitare.

Në burgun-ferr të Burrelit, “frontoja” e intelektualëve shqiptarë, gjatë viteve 1946-1990, kanë gjetur vdekjen mbi 350 të burgosur, shumica e të cilëve kanë qenë intelektualë të shquar, të diplomuar në universitetet më të mira të Amerikës dhe të Evropës. Çdo i burgosur, që vdiste nga uria, sëmundjet, trajtimi mizor, mbështillej me një batanije të vjetër dhe hidhej në një gropë, që ndodhej disa dhjetëra metra pas burgut, afër një qershie. Gropa ishte mbuluar me trarë dhe dërrasa dhe mbi to ishte hedhur një shtresë e hollë dheu.

Sa herë që vdiste ndonjë i burgosur, kufomën e tij e nxirrnin nga burgu kur errësohej dhe e hidhnin në gropën e përbashkët. Mbi kufomën hidhnin një sasi pluhur gëlqere të pashuar.

Qershia, kjo pemë e mrekullueshme, që japonezët e mbajnë si simbol lumturie, për të burgosurit e Burrelit dhe për familjet e tyre, u shndërrua në simbol vdekjeje. Fama e qershisë së Burrelit, i kaloi kufijtë me tela me gjemba të Shqipërisë dhe u bë frymëzim, për një kineast hungarez të arratisur në Perëndim, për realizimin e një filmi artistik me titullin “Qershia”.

Fatkeqësisht, në Shqipëri, “Qershia” e burgut të Burrelit, as nuk zihet në gojë nga historianët dhe artistët tanë. Pas mbylljes së burgut të Burrelit, në vitin 1990, për të zhdukur çdo gjurmë të krimit, buldozeri, rrafshoi çdo gjë që ndodhej pas burgut, duke mos lënë asnjë gjurmë nga gropa e përbashkët e kufomave.

Në vitet e pluralizmit, më kot u munduan familjarët e viktimave për të gjetur, qoftë edhe një kockë nga të afërmit e tyre, të vdekur në atë burg mizor.

Në Qarkun e Korçës, në përroin e katundit Shipskë, në vitet e pluralizmit, janë gjetur me dhjetëra kufoma njerëzish, të ekzekutuar nga komunistët gjatë viteve 1943-1944. Në gjymtyrët e skeleteve, duken qartë gozhdë të ndryshkura, gjë që tregon katërcipërisht, se viktimat, para se të ekzekutoheshin, janë torturuar mizorisht dhe janë gozhduar, si Krishti në Golgota.

Në Kënetën e Maliqit, në rrethin e Korçës, për tharjen e së cilës gjatë viteve 1946-1950, kanë punuar disa mijëra të burgosur politikë, ata që vdisnin nga puna e rëndë, nga torturat dhe sëmundjet, nuk i groposnin, por i hidhnin në llumin e kënetës.

Në vjeshtë, kur të burgosurit i dërgonin në burgjet nga kishin ardhur, shirat e furishëm që vinin, merrnin me vete llumin e kënetës dhe kufomat e dekompozuara, dilnin në sipërfaqe. Ato tërhiqeshin nga qentë e katundeve përreth kënetës, duke u bërë tmerr për fshatarët dhe subjekte për legjenda të llahtarshme. Në kampin burg të minierës së Bulqizës, gjatë viteve 1947-1957, kanë punuar, krahas të burgosurve ordinerë, disa qindra të dënuar politikë. Ata i hoqën nga Bulqiza, kur shpërtheu revolucioni hungarez, nga frika e plasjes së një revolte masive nga të burgosurit.

Në kampin burg të Bulqizës, gjatë 43 viteve të shfrytëzimit të minierës me të burgosur, mbi 700 vetë kanë gjetur vdekjen. Mjafton të përmendim, se një ditë të vitit 1969, nga shembja e një galerie, gjetën vdekjen 17 të burgosur. Për ata fatkeq, nuk u tha asnjë fjalë në kohën e diktaturës së kuqe. “Nekropoli” i Bulqizës, më i madhi i kampeve dhe i burgjeve të Shqipërisë-burg, u rrafshua para se kuçedra komuniste të nxirrte grahmën e fundit.

Për të ruajtur kujtesën historike të popullit shqiptar, u bie barra këshillave bashkiake të identifikojë poligonet e vdekjes dhe të vendosin në ato vende, pllaka përkujtimore, por kur do të bëhet një gjë e tillë?! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

 


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ekzekutimet-i-benim-ne-porto-romano-por-per-ndonje-te-forte-fizikisht-kryhej-ekzekutimi-i-thate-brenda-ne-qeli-ku-me-nje-leve-deshmite-e-rralla-te-ish-prok/