“Edhe pse ishim shumë të varfër e unë vishja opinga, rrija pas telave te fusha që quhej ‘terreni’, duke parë lojtarët e ‘Skënderbeut’, si….”/ Dëshmia e mjeshtrit të futbollit korçar dhe Kombëtares

Nga Vepror Hasani

Pjesa e parë

Memorie.al / E kishim lënë të takoheshim në një nga lokalet e Korçës. Pashë që ai po vinte me “Kadillakun” e tij, kështu e quante ai biçikletën, më të cilën del çdo ditë…! Pasi porositëm, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport-, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot, nisi të më rrëfente një nga historitë e tij të futbollit: “Gjithçka për qëndrimin tim në ekipin e ‘Partizani’-t ose jo, kishte mbetur në dorë të gjeneralëve…” nisi të më tregojë ai.

“Ah, telat me gjemba, nuk kam për t’i harruar kurrë”, tregon ‘Mjeshtri i Merituar’ i Sportit, Theodhor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport; futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot…! “Nuk e di pse më kanë mbetur kaq gjatë në kujtesë. Ndoshta ata tela me gjemba janë fëmijëria ime. Gjembat e telave më shfaqeshin çdo të diel.

Ishte kjo ditë kur unë nisesha me vrap drejt këndit sportiv të qytetit të Korçës, ku zhvilloheshin ndeshjet mes “Skënderbeu”-t dhe skuadrave të tjera të vendit. Në atë kohë fushën e futbollit e thërrisnin “terreni”. Kështu e kishin quajtur për herë të parë që nga viti 1925. Ajo pjesë fushe ishte e rrethuar me tela me gjemba. Vrapin e ndaloja vetëm kur mbërrija para telave.

Ne fëmijëve nuk na lejonte askush të hynim brenda, por mbeteshim me shpresë se dikush do të na ndihmonte. Përveç telave, rojet e fushës i vinin rreth e qark atij territori dhe hyrja në “terren” ishte e vështirë. Ishte njëlloj si të kaloje kufirin. Çdo të diel gjendesha aty dy orë para fillimit të ndeshjes, por gjithçka ishte dëshpëruese. Në atë kohë isha vetëm 9 vjeç. Ishte viti 1950. Rrija dhe prisja aty. Jo shumë para fillimit të ndeshjes shfaqeshin të rriturit. Ata hynin drejt e brenda, nuk i ndalonte askush. I shikoja me zili. Doja që atë çast edhe unë të isha i rritur. Ndonjë prej tyre merrte ndonjë fëmijë për dore dhe e fuste brenda. Pikërisht në këtë kohë lutesha edhe unë: “Xhaxhi më merr edhe mua me vete, xhaxhi më merr edhe mua…”, por ata merrnin vetëm ndonjë fëmijë që e njihnin. Unë mbetesha përsëri aty. Tortura e qëndrimit prapa telave në shumë rase do të më ndiqte deri në moshën 16 vjeç”.

Babai im

“Babai im nuk vinte në sport, sepse i duhej të punonte për të mbajtur familjen. Pas çlirimit ekonomia jonë kishte filluar të rrënohej. Jetonim kohën e varfërisë, ushqeheshim me bukë misri. Veshjet tona ishin rroba të arnuara e këpucë të vjetra. Unë vishja dhe opinga, sepse rronin vite më shumë. Skamjen e shtynim me sot e me nesër. Babai paguante rregullisht tatimet e dyqanit, ku shiste çikërrima, ndërsa për vete nuk na mbetej asgjë. Jetonim duke bërë ekonomi në varfëri. Racionet e bukës i ndanim me këtë. Koha kalonte duke shtyrë ditët një nga një, në pritje ankthi ç’na sillte e nesërmja. A mund të imagjinohet në ç’varfëri jetonim! Në shtëpinë tonë bëhej nami, kur unë ose vëllai kishim humbur ndonjë kopsë.

Më pas im atë e braktisi edhe dyqanin, sepse nuk lanim dot tatimet. Nisi punë si bojaxhi në një ndërmarrje shtetërore. Pas kësaj sikur nisëm të ndiheshim më mirë. Përpiqeshim të kullandriseshim që të mos dukeshin të varfër. Me gjithë varfërinë që na ndrydhte ruanim si sytë e ballit një palë petka për sebepe. Në atë kohë kur shikoja babanë midis burrash qenia më lumturohej. Ashtu si vishej dhe si mbahej, tregoheshin me gisht burrat në atë kohë. Për festat fetare, familjare e kombëtare ose në rast vdekjeje, kishte vetëm një kostum: atë që veshi kur vuri kurorën e martesës në kishë.

Coha e kostumit kishte ngjyrë pak më të lehtë se kapela republikë, me ngjyrë blu të errët, kur drita nuk ishte e plotë ajo dukej si e zezë. Mbante një kravatë me fushë, ku dallonin shirita të hollë, kuq e zi. Babai në atë kohë hynte në sërën e burrave që mbante kravatë dhe republikë. Kjo mënyrë veshjeje i kishte mbetur nga koha e paraçlirimit. Që të gjitha këto i sillja ndërmend në ato çaste duke qëndruar prapa telave. Lojën mund ta vështroja vetëm që andej. Në fillim zija vend afër dhomave të zhveshjes. Ato ndodheshin në cepin juglindor të fushës së vjetër, (terrenit), prej aty lojtarët dilnin për nxehje dhe për lojë”.

Para ndeshjes

“Qëndroja prapa telave dhe vështroja që aty se si shumë njerëz hynin e dilnin. Vetëm unë, (ashtu si shumë fëmijë të tjerë) nuk hyja dot. Vështroja me zili se si punëtorët e fushës, punonjësit e klubit “Skënderbeu”, gjyqtarët, zyrtarët, policët, kryetari i bashkisë, shefi i policisë dhe shumë të tjerë lëviznin kaq lirshëm në brendësi të “terrenit”. Vetëm unë nuk isha atje. Por nuk ishte vetëm kjo. Kishte dhe ditë kur ndihesha shumë më keq. Kjo gjë ndodhte në ndeshjen e parë të sezonit. Në të tilla raste shihja se si një grup djemsh dhe vajzash me lule në duar hynin në “terren” për t’u dhënë lule gjyqtarëve dhe lojtarëve. Në këto raste mendoja: “Si nuk e kam edhe unë këtë fat”.

Fëmijët që sillnin lule ishin të përzgjedhur. Kjo gjë më linte të çuditur. Unë isha një nga nxënësit më të mirë në mësime dhe kisha filluar të shfaqja talentin tim në lojën e futbollit dhe në atletikë. Përse emri im nuk u bënte ndonjë përshtypje! Kisha një dëshirë të papërmbajtshme që edhe unë t’u çoja lule lojtarëve, t’i prekja me duar dhe pastaj kur të dilja nga “terreni” t’u tregoja shokëve se çfarë më kishin thënë ata, dhe çfarë u kisha thënë unë. Ëndërroja. Nuk ishte gjë e vogël të ishe brenda “terrenit”, veçanërisht kur një pjesë e lojtarëve dilte për nxehje dhe prisnin që t’u vinin edhe shokët e tjerë.

Ky ishte një moment i veçantë: dëgjoheshin thirrje, përshëndetje, bëhej zhurmë, shtoheshin lëvizjet, futbollistët takoheshin me rivalët e tyre, me shoqëruesit, me vendasit, gjyqtarët, etj. Ishte një gjë shumë e bukur. Pas nxehjes lojtarët i jepnin dorën e fundit rregullimit të uniformës së ndeshjes dhe të rreshtuar në dy kolona, me 3 gjyqtarët e lojës, bënin poshtë fushës së lojës, sepse “terreni” ishte 5-6 metra nën nivelin e sheshit përpara godinës së zhveshjes. Vetëm fishkëllima e parë e bilbilit të “referit”, siç e quanim ne korçarët gjyqtarin në atë kohë, shuante atë zallamahi tunduese. Pas kësaj nisnin emocionet. Lum ai që kishte kapërcyer telat me gjemba”.

Ndeshja

“Vazhdoja të qëndroja prapa telave. Të ishe i pranishëm në momentin e fillimit të ndeshjes ishte edhe më bukur. Sa herë kishte raste për gola, ose kur ekipi ynë shënonte, atëherë nga turma që rrethonte fushën në formë elipsi shpërthente një oshtimë që të krijonte ndjesinë e një uragani. Oshtima dëgjohej në çdo cep të qytetit, sepse jehona e saj e dallgëzuar shtrihej fushës, përplasej tutje faqeve të kodrave pranë qytetit dhe vetëm pasi kalonte një farë kohe gjithçka binte në heshtje. Vetëm po të ishe në brendësi të “terrenit” mund t’i shihje nga afër “gjigantët”, kështu i quaja unë ata njerëz që luanin futboll. Për mua, pasimet, trillimet, krosimet dhe veçanërisht gjuajtjet që herë-herë përfundonin në portë më dukeshin një mrekulli e vërtetë.

Gjëra të tilla mund t’i bënin vetëm jashtëtokësorët. Shpesh herë e përfytyroja veten duke luajtur me ta. Më dukej sikur kisha marrë topin dhe po sulmoja drejt portës… “Mendimet e mia ndërpriteshin me fishkëllimën e “referit”. Pikërisht ky ishte momenti, kur që të gjithë fëmijët nisnin të lëviznin, ndihej një farë shqetësimi mes tyre. Ishte koha kur ndeshja sapo kishte filluar. Fëmijët vështronin ku ndodheshin rojet dhe përpiqeshin të gjenin një vend nga ku mund të hynin. Ata që ishin më guximtarët, pasi kalonin telat me gjemba duke u zvarritur poshtë tyre, sapo dilnin që andej, vraponin së paku 10-15 metra për të hyrë mes njerëzve që rrethonin fushën.

Kishte roje që nxitonin të kapnin “shkelësin e kufirit”, por turma i fuste fëmijët brenda vetes dhe i zinte çdo shteg rojës për të kontrolluar. Vetëm unë nguroja ta merrja këtë lloj guximi. Nuk kisha frikë nga ndonjë shpullë as nga ndonjë shkelm, por hyrjen pa leje në “terren” e konsideroja gabim. Rregullat i mendoja si tabu. Përpiqesha të mos i shqetësoja prindërit dhe të bëhesha nxënës i mirë. Më kujtohet si sot, librat i mbanin në çantë prej rrobe, i quanim “pece”, ndërsa shkruanim me perikolle, lapsa grafiti, në pllaka grafiti me kornizë dërrase në madhësinë e një fletoreje shkolle. Isha një nga nxënësit më të mirë të shkollës “7 Nëntori” në Korçë”.

Lojtarët

“Qëndrimi prapa telave po më bëhej edhe më i vështirë, veçanërisht kur fillova të mësoja emrat e lojtarëve. Ai që mbante numrin 2 ishte Veriga, në portë ishte Kita. Pastaj do të njihja edhe lojtarët e tjerë: Xhuvi Mborjen, R. Shollën, P. Milen, N. Andrean, G. Stratin, V. Prodanin. dhe më pas R. Shëllirën, K. Koçen, Z. Çelën, E. Dvoranin, G. Laron, N. Kolën, M. Prodanin etj. Të rriturit thoshin vetëm fjalë të mira. Flisnin me pasion dhe i zbukuronin “bëmat” e tyre, krosimet, fintet dhe veçanërisht golat. Edhe në sofatet e portave flitej veç për ta. Rrija i dëgjoja kur flisnin për futbollistët dhe gati hutohesha me ato që tregonin.

Ata e dinin që shumë gjëra i zmadhonin, por i besonin edhe vetë ato që thoshin. Për të parë ndeshjen vinin edhe banorë të fshatarëve të fushës, por më të për-kushtueshmit vinin nga Arrëza, Dardha, Selca, Strelca, Sheqerasi, Lozhani, Podgorija etj., të cilët detyroheshin të bënin 5-6 orë rrugë në këmbë. Kjo gjë e kthente futbollin në një legjendë të madhe për mua. Ndërsa humbja e “Skënderbeut” vlerësohej si një gjëmë. Lexohej në sytë e të gjithëve. Pas ndeshjes tifozët dilnin në rrugë krejt të heshtur, disave u ikte goja, ecnin kokulur drejt shtëpive të tyre. Kishte dhe nga ata që shanin: “Po e kam thënë unë, nuk është futbollist ai, bën mirë të lërë topin dhe të shkojë të shesë peshk”. Në rastet që nuk arrija të hyja dot brenda terrenit, gjeja mundësinë të merresha dhe me kujtime të tilla”!

Futbolli

”Edhe kur nuk arrija të hyja brenda fushës, vazhdoja të qëndroja aty deri në përfundim të ndeshjes. Në të vërtetë futbolli më pëlqente shumë. Në atë kohë nuk e dija që do të bëhesha futbollist që do të luaja në ekipet e kryeqytetit dhe me kombëtaren. Kur isha i vogël luaja në fushat e lagjes. Më e vogla ishte sa një fushë volejbolli, më e madhja afër sanatoriumit, ishte sa një fushë hendbolli. Para nesh kishte luajtur një brez më i madh, Ndreçi Marjani, Angji Pilika, K. Kaçe, Zhani Pilika, Pandi Osmanlli, Jani Monosapi, Guri Trebicka. Edhe ne luanim kur sheshet ishin të lira. Më pas kur të vjetrit u larguan, ishim zotër të fushave të futbollit.

Bënim “maçe” kështu i quanim ndeshjet mëhallë me mëhallë për zonat në kufi. Luanim me top lecke, sepse top llastiku dhe topa lëkure i shikonim me dylbi. Topat i sajonim me shirita plaçke të vjetër në gjerësinë e një gishti. Plaçkën e merrnim fshehurazi nga e zonja e shtëpisë. Shiritat i mbështillnin rreth një plaçke që krijonte bërthamën. Për ta bërë kompakt e për të forcuar e shtrëngonim fort. Bënim një lidhje speciale për ta bërë sferike. Me këtë zanat merreshin shumë nga djemtë. Erdhi një çast që u detyrova të futem edhe unë në valle. Tashmë isha një nga fëmijët që spikatja në lojën e futbollit dhe të atletikës, por gjithnjë kisha menduar se talentin tim askush nuk e vinte re. Ndoshta nuk u interesonte”.

Fillimet

”Kur ende nuk i kisha mbushur 16 vjeç nisa punë si kamerier te bar- bufe “Republika”. Lokali nuk kishte shumë punë. Gjatë gjithë ditës gati rrinte bosh. Një pasdite qershori në lokal erdhën dy burra. U drejtuan drejt meje dhe më thanë: Kemi ardhur për ty, nëse pranon, kërkojmë të përfaqësosh ndërmarrjen tonë në kampionatin tonë të atletikës. Thellë nga shpirti u shkëput një shkëndijë që elektrizoi gjithë qenien, më ngacmoi sedrën. Ishte sfida e parë në jetë: një banko – provë e aftësive të mia sportive. Udhëhoqa garën 800 m me të rritur në moshën 16- vjeçare. 5 metrat e fundit më kapi e me kaloi atleti Pandi Nika. Kalova finishin, duke u rrëzuar në tokë, por u çova shpejt. U çudita. Tek unë u turrën trajnerë, atletë dhe sportdashës.

I fundi erdhi Pandi, më kapi për dore e më tha: “Më more titullin kampion”,- pastaj qeshi e vazhdoi,- do të shihemi në kampionatin kombëtar. Për të gjithë kishte qenë befasuese se si një adoleshent mund të udhëhiqte garën deri në fund. Pas kësaj, në vitin 1957 mora pjesë në kampionatin kombëtar të atletikës për të rinj. Megjithatë, mendja më kishte mbetur te futbolli. Gjithnjë i kujtoja ndeshjet prapa telave me gjemba. Po atë vit u nisa për studime në Tiranë në Politeknikumin “7 Nëntori”. Kishte qenë Tirana ajo që do të më jepte emrin që kam dhe sot. Megjithatë, tashmë sa herë u kthehem kujtimeve të fëmijërisë, nuk e di pse më dalin para syve telat me gjemba. Ndoshta ato kanë mbetur si pjesë e jetës time”./Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/edhe-pse-ishim-shume-te-varfer-e-une-vishja-opinga-rrija-pas-telave-te-fusha-qe-quhej-terreni-duke-pare-lojtaret-e-skenderbeut-si-deshmia/