“Edhe pse batë njëmijë e një t’zezat, ne s’ditëm me urry, as me ba viktimën, as nuk kërkuam shpagim, as një ‘Rumani’ të dytë, por ju jeni…”/ Refleksione të ish-të përndjekurit politik nga Italia

Nga Dodë Melyshi

Memorie.al /Mbasi i batë njëmijë e një të zezat, mbasi t’tanët na i vratë (qe besa këto, para se me dekë, qenë asi burrash, që e shpaguan veten dhjetë fish), mbasi i lyet edhe me benzinë trupat e tyne, e i’u vutë flakën, mbasi i varët tek Mani i Lal Ndreut, n’mes të Rrshenit, deri në dekompozim, t’ue trishtue fëmijë, gra e pleq, mbasi ua humbët edhe varret Heronjve, e pastaj këto fëmijë, gra e pleq, i toritët nëpër kampe përqendrimi, mbasi na e dogjët Biblën para syve, e me të edhe Dhjetë Urdhnesat e tenZot, t’ue deformu e përlye një formim e moral shekullor, mbasi i zhvatet njerëzinë nga pronësitë, edhe ato ma jetike e elementare,…..

….mbasi na latë të pa veshur, të pa mbathur e të pa ushqyer, ani pse prindërit t’anë robtoheshin ditë e natë në punë (besa të paushqyer, latë edhe një pjesë të fëmijve të tuej: se i ‘pabuksi’ shekullor, s’ban hair kurrë mos raftë as familja e vetë në dorë të tij, jo ma e tjetrit!), mbasi stresuet tanë jetën baballarët tanë – ato Fisnikë të papërsëritshëm, t’ue i lanë nga pas ‘pulle poste’, si qenefin mbas kullet, turli lloj spiuni, hafije e opinge…,

….mbasi na privuet të drejtat elementare t’ue fillue nga shkollimi (ju sak jeni nxanës të shkëlqyer, po shkollat s’janë për ju, ç’po iu duhen librat!), mbasi na privuet edhe prej gjuhës amë,’vetëm rraca inferiore flet në paskajore’, e “nènès”, i thotë “nane”…, eee, shikoni se, vetëm rraca inferiore i thërret fëmijët me emër: “Gjergj, Gjin, Mare, Bardhe, Mark, Pjetër, Marie”, etj., etj., etj., pra duhen emra Jugu e Revolucioni…mbasi i batë pra njëmijë e një t’zezat, sot keni kurajo me na kërkue që këto mos të përmenden. Se asht turp…!

Morali juej na mëson se me e ba krimin, nuk ishte turp, ndërsa me e përmend sot, qenka e turpshme. Me hedh në laps e në letër me qëllim, që breznitë që vijnë t’i dine dy gjana: të reflektojnë e të nxjerrin ndonji mësim elementar, qenka e turpshme; “Je djalë i mirë, je familje e mirë, mos i përmend, gjana që kanë kalue…pse e përlyen vetin kot…”?!

Me përmend robi të VERTETA, që shënuen fatin e tre brezave, u “përlyka”, simbas moralit të qenieve të pamoralshme!

Ne s’ditëm me urry, as me ba viktimën. As nuk kërkuam shpagim, as nuk kërkuam hakmarrje. As një “Rumani” të dytë. Me fëmijët tuej, që nuk patën faje e që s’mund të kishin faje, u bamë serish shokë. S’mund t’ua donim të keqen.

Ne provuam vetëm indinjatën dhe mëshirën për ju e, shpirtin tuej të errët.

Po ju nuk meritoni as indinjatë as mëshirim, as falje. Ju jeni kategori e pandreqshme. Ju jeni një e keqe e përhershme, jeni rrugë pa kthim!

Ju s’bëheni kurrë njerëz! Ju kurrë s’do të bëheni njerëz. S’ka kishë as Papë që u’a lanë mëkatet!

Llumi i përhershëm i kësaj shoqërie! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/edhe-pse-bate-njemije-e-nje-tzezat-ne-sditem-me-urry-as-me-ba-viktimen-as-nuk-kerkuam-shpagim-as-nje-rumani-te-dyte-por-ju-jeni-refleksione-te-i/