“Duke parë dëmet e mëdha që shkaktonte lumi Drin në zona pjellore të Shkodrës, si; Stajkë, Ashtë, Beltojë dhe në gjithë fushën e Trushit e atë të Zadrimës, Rrok Gera, zhvilloi…”/ Historia e panjohur e ministrit të Zogut

Nga Arben Pustina

Pjesa e njëmbëdhjetë

                                                       -Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –

PARATHËNIE

Memorie.al / Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.

Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur.  Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

   MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS

Në një tjetër letër drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, me 17 shkurt 1939, ministri Gera bënte të ditur se Legata në Romë, kishte njoftuar Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, se nuk kishte bërë asnjë përçapje për marrjen e lejeve në fjalë, por edhe konsideronte, se përpjekjet që i kërkonte Ministria e Ekonomisë Kombëtare për nxjerrjen e lejeve, nuk përputheshin me atë, çfarë kjo Legatë vlerësonte se duhej të bënte. Madje Legata i sugjeronte Ministrisë, të hynte në bisedime me E.I.A.A, sa u përkiste eksporteve shqiptare të leshit, drejt Italisë. Më në fund, pas mesit të muajit shkurt 1939, Ministria e Punëve të Jashtme, i dërgoi Ministrisë së Ekonomisë, një listë lejesh eksporti, por dhe ajo listë ishte e pjesshme, pasi kishte leje vetëm për një numër mallrash eksporti, ose leje për sasi të vogla.

Edhe një herë, në shkresën e tij nr.385, të datës 20 shkurt 1939, Rrok Gera i lutet Ministrisë së Jashtme, të nxiste Legatën tonë në Romë, të kërkonte më shumë leje, sidomos për lëkurët, leshin dhe ullirin, sepse përndryshe, ekonomia shqiptare rrezikonte krizën. Lidhur me marrëveshjen e re tregtare me Italinë, përfaqësuesi ynë diplomatik në Romë, njoftonte Kryesinë e Këshillit Ministror nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, se gjatë bisedimeve të atjeshme, zyrtarët italianë i kishin deklaruar se çështja e primeve konsiderohej e mbyllur, pasi qeveria shqiptare kishte hequr dorë zyrtarisht prej tyre. I pyetur nga diplomati shqiptar, nëse ai e vlerësonte si tërheqje nga favoret që gëzonte Shqipëria, faktin e denoncimit të Akordit me E.I.A.A, prof. Ciucci kishe deklaruar: …” Nuk ashtë vetëm denoncimi i akordit me EIAA-n, por ashtë letra për renuncimin e Qeverisë Shqiptare në këto të drejta, letër që Ministria e Ekonomisë Kombëtare (Zoti TOÇI), i dha Legatës Italiane, kur unë qeshë në Tiranë….”!

Këmbëngulës në punën e tij, diplomati ynë e kishte pyetur zyrtarin italian, se mos ndoshta ai e konfondonte rastin, me letrën e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare për heqjen dorë nga primi për leshin e për peshkun (Letra konfidencjale datë 25 shkurt 1938), por italiani kishte thënë që jo, sepse bëhej fjalë për tjetër gjë. Dhe në fakt bëhej fjalë për letrën e 28 tetorit 1937, me anë të së cilës denoncohej konventa me E.I.A.A. Ndërkohë përfaqësuesi ynë në Legatën e Romës, vlerësonte në shkresën e tij për Ministrinë e Jashtme, se çështja duhej sqaruar mirë, pasi Shqipëria mund të humbiste kështu shumë avantazhe ekonomike të përfituara me shumë mundim, ndaj, lidhur me denoncimin e konventës me E.I.A.A, ai kërkonte autorizimin e Ministrisë, që gjatë negociatave zyrtare me autoritetet italiane, të deklaronte se Qeveria Mbretërore nuk kishte dijeni për të, ose të thoshte se Qeveria nuk kishte aprovuar një letër a veprim të tillë. Vlerësimet e diplomatit tonë në Romë për çështjen, na kujtojnë përfundimet në të cilat kishte arritur Gera ne korrikun e 1938-tës (dhe që i’a kishte bërë të ditura Këshillit të Ministrave), sipas të cilave, denoncimi i konventës me E.I.A.A. kishte shkaktuar praktikisht vetëm anulimin e interesave shqiptare dhe jo anulimin e ndërmjetësimit të E.I.A.A, ndaj veprimi i bërë në 1937-tën nga paraardhësi i tij, ishte krejt i parregullt dhe i papajtueshëm me ruajtjen e interesave të shtetit.

Duke i’u rikthyer çështjes së lejeve, kemi edhe një letër tjetër të Gerës, me nr. 385/5, datë 25 shkurt 1939, ku Ministri i Ekonomisë Kombëtare kërkonte më shumë angazhim nga Legata në Romë për lejet e eksportit shqiptar: …”duhet t’i jepet tërë kujdesia, duke bërë përçapjet e duhuna pranë autoriteteve t’atjeshme për lëshimin e lejeve dhe sidomos atyre të leshit, lëkurave për sasi të plotë, qitrove, vezëve dhe gjasë së gjallë, që nuk janë lëshuar leje krejt këtë semestër, se përndryshe dëmi i ekonomisë së vendit t’onë, do të jetë shumë i madh”. Lidhur me një marrëveshje të re të mundshme me Italinë, Rrok Gera udhëzonte Legatën, që në përpjekjet e saj për realizimin e kësaj marrëveshjeje, të fokusohej në atë çka kërkonte vendimi i Këshillit të Ministrave i 31 dhjetorit 1938 dhe mos të shpërndahej në ide të ndryshme. E rëndësishme për Gerën, ishte që eksportet shqiptare të bazoheshin në kriterin e tregtisë së lirë nëpërmjet shpërndarjes së lejeve në sa më shumë firma italiane:……”është e vërtetë se tregtari shqiptar, si çdo tregtar tjetër, nuk ka qeder tjetër se kush ja blen mallin, po njëkohësisht kërkon të dijë se çmimi i blerjes do të jetë i bazuar jo në çmuesin e nji personi, ose Shoqnie, po te nji kriter i shëndoshë, ku bazohet çdo tjetër tregtar, domethënë te tregu i lirë, se pa ditur se si do të shesi, nuk mund të dijë si të blejë. Kjo gjë është demonstruar shumë mirë nga eksperienca e dy vjetëve të kaluara. Në vjetin 1937, kur u dhanë leje për lesh edhe tregtarëve të tjerë italianë perveç Shoqnisë E.I.A.A, çmimet u naltësuan nga 90 Fr. ari kuintali që ofronte E.I.A.A, me 150 dhe 160 Fr. ari kuintali”.

Por gjithë sa ndodhte lidhur me eksportet tona në Itali, duket se ishte preludi i diçkaje shumë më të rëndë, siç ishte pushtimi italian i Shqipërisë, që do realizohej pas pak javësh. Qëndrimi i Romës sa u përket marrëdhënieve me Shqipërinë gjatë muajve të fundit, tregonte veç paturpësi e arrogancë…! Gjithsesi, sikurse e pamë, Rrok Gera bëri detyrën, me përkushtim, me këmbëngulje, pothuaj çdo ditë në kontakt të vazhdueshëm me Kryesinë e Këshillit të Ministrave, me Ministrinë e Punëve të Jashtme, apo me Legatën tonë në Romë, duke nxitur dhe të tjerët të këmbëngulnin, të kërkonin, të vinin përgjegjësit para përgjegjësisë, për të arritur sa të ishte e mundur, më të mirën në favor të ekonomisë shqiptare. Veprimtaria e një tjetër kompanie italiane në Shqipëri, A.M.M.I., erdhi duke u zgjeruar dhe, në fund të gushtit 1938, ajo gjendej në fazën e kërkimit të zonave mineralmbajtëse. Nga këto kërkime dilte se në disa zona të Pogradecit, kishte një përmbajtje të lartë mineral kromi. Nga llogaritjet dhe analizat e bëra në vend nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare, rezultonte se A.M.M.I., kishte një fitim që llogaritej nga 16.10 fr. ari, deri në 26.10 fr. ari për ton dhe, si rrjedhojë, ishte me mjaft leverdi.

Në shtator 1938 u zhvilluan bisedime mes përfaqësuesve të ndërmarrjes italiane dhe përfaqësuesit të qeverisë shqiptare, ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, në lidhje me kushtet e dhënies së koncesionit për A.M.M.I. Më 6 shtator, përfaqësuesi italian i A.M.M.I., i paraqiti Gerës kërkesën për ekskluzivitet të kërkimit të mineralit të kromit dhe shoqëruesve të tij në të gjithë Shqipërinë. Shpenzimet për kërkime do të përballoheshin tërësisht prej shoqërisë A.M.M.I., e cila pretendonte të përjashtohej nga çdo taksë e tatim, si dhe kërkonte të drejtën, që çdo shoqëri që do të merrte më vonë të drejtën për përpunimin industrial të mineraleve të nxjerra, t’i paguante asaj një kuotë shpenzimesh. Gjithashtu, A.M.M.I. kërkonte që dëmet që eventualisht mund t’u shkaktoheshin të tretëve, t’i merrte përsipër qeveria shqiptare, e cila do të kishte të drejtën t’ua kalonte shoqërive që më vonë mund të përfshiheshin në përpunimin industrial të mineraleve. Gjithnjë sipas përfaqësuesit italian, qeveria shqiptare do të kishte të drejtën të merrte pjesë në fitimet, me një kuotë prej jo më shumë se 35 %.

Kjo kuotë mund të zëvendësohej, me pëlqimin e palëve, me një të drejtë ndaj çdo ton minerali të eksportuar. Më 9 shtator 1938, pasi kishte analizuar kërkesat e palës italiane, në emër të qeverisë shqiptare, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Gera, i deklaroi përfaqësuesit të A.M.M.I., se qeveria shqiptare ishte e gatshme t’i jepte koncesionin kësaj shoqërie, por vetëm për zonën e Pogradecit dhe atë të Kukësit. Ndërkohë, Rrok Gera kërkoi që, për zhvillimin e veprimtarisë së A.M.M.I.-t në këto zona të krijohej një shoqëri italo-shqiptare, një kuotë e kapitalit të së cilës, do t’i jepej falas shtetit shqiptar. Për administrimin e shoqërisë në fjalë, për kontrollin e prodhimit e të shitjes së mineralit, do të caktoheshin dispozita të veçanta. Sa për propozimin që qeveria shqiptare të shlyente pagesat për dëmet ndaj të tretëve, Gera theksonte se kjo ishte e papranueshme. Për arsye të ndryshme, bisedimet e zhvilluara në shtator 1938, u arrit të përfundonin vetëm më 29 mars 1939, me dhënien e koncesionit A.M.M.I.-t për kërkime dhe shfrytëzim të kromit dhe shoqëruesve të tij në të gjithë territorin shqiptar, por kjo me kusht që kapitali italian të krijonte një shoqëri italo[1]shqiptare me një kapital fillestar prej 500.000 fr. ari, e cila do të quhej A.M.I.A. (Ndërmarrja Minerale Italo-Shqiptare).

Kapitali i A.M.M.I.-t në këtë shoqëri shkonte në 51 %, ndërsa 49 % e kishte shteti shqiptar. Sikurse kuptohet lehtësisht, ky ishte rasti i dhënies së një koncesioni të negociuar mirë, që rezultonte me leverdi për shtetin shqiptar dhe vendin në përgjithësi dhe që ishte arritur pas studimeve e analizave të plota. Duke u rikthyer pak në kohë, shohim se në numrin e saj të 29 qershorit 1938, gazeta “Drita”, komentonte një vizitë pune që bënë në atë kohë në zonën e Shkodrës ministri i Brendshëm dhe ai i Ekonomisë Kombëtare (Gera):…“Në kurr nji rasë, nuk ka tërhjekun interesimin e publikut t’onë ardhja e ministrave ndër ne, si kësi heri ajo e Z. Ministrit të Brendshëm dhe t’Ekonomisë Kombëtare, të cilët erdhën në Shkodër të shtundën me 25 të vazhduesit e u kthyen më 26. Kurrnji herë s’ka ngjallë shpresë ma të madhe përfitimi për vend, një vizitë ministrash. Si Zotni Ministri i Brendshëm i cili drejton përkohësisht edhe Ministrinë e Punëve Botore, ashtu edhe ai i Ministris Ekonomis, kishin paralajmërue ardhjen e tyne. Z.Ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, me konstatimin e tij, disponoi qi të hapet krediti i nevojshëm nga fondet që disponon Dikasteri i Ekonomisë, për sistemimin e këtyne ujnave. Ministri i Ekonomisë Kombëtare, vizitoi ndërkohë edhe rrugën q’i po ndërtohet prej Bogë e në Theth. Dy ministrat mbas këtij veprimi u kthyen në Tiranë, t’ue lanë përshtypjen ma t’mirë në popull për interesimin e tyne mbi nevojat ma kryesore të vendit dhe për dispozitat q’i dhanë, për t’u krye nji pjesë e madhe e këtyre nevojave…”.

Edhe gazeta “Java”, vlerësonte vizitën e dy ministrave të rinj në terren, duke e dhënë si shembull edhe për anëtarët e tjerë të qeverisë: …“Ministrat tonë do të bënin shumë mirë sikur t’i vizitonin shpesh krahinat e Mbretërisë. Kjo do t’i ndihmonte të zgjidhnin shumë çështje të krahinave, të cilat ose nuk arrijnë në qendër, ose arrijnë të deformuara. Janë shumë çështje që qendrës i paraqiten si probleme të mëdha, kurse në realitet nuk janë dhe mund të zgjidhen edhe me një urdhër…”! Por vizita e dy ministrave në Shkodër, nuk ishte diçka me karakter propagandistik, apo thjesht një formalitet. Në faqet e shtypit të kohës kemi informacion për plane e studime për sistemimin e ujërave pikërisht në zonën e Shkodrës. Kështu, gazeta “Java”, në numrin e saj të datës 4 korrik 1938, shkruante se: Ministria e Ekonomisë Kombëtare, po punonte intensivisht për çështjet e bonifikimeve dhe kanalizimeve, ndaj ishte thirrur përsëri dhe profesor Carrante, i cili pritej t’u parashtronte ministrit dhe nënministrit të Ekonomisë Kombëtare, propozimet e tij në përfundim të studimeve të bëra:…“Siç informohemi, me anën e Drejtorisë së Ujërave, Ministria po kryen dhe pregatit për të kryer një seri veprash me shumë rëndësi në tërë krahinat e Mbretërisë. Këto vepra që janë duke u kryer, apo që po studiohen për tu kryer, bëhen pjesërisht me fondet e shtetit dhe pjesërisht me krahun e popullit”.

Po sipas “Javës”, fusha shumë pjellore e Trushit, në zonën e Shkodrës, ishte objekt studimi për një sistem kanalizimesh që të realizohej tërheqja e shpejtë e ujërave pas përmbytjeve që ndodhnin shpesh në atë zonë. Gazeta shkruante edhe për dëmet e shumta që shkaktonte lumi Drin në zona pjellore të Shkodrës, si: Stajkë, Ashtë, Beltoje dhe krejt fushën e Trushit. Sipas “Javës”, studimet përkatëse për sistemimin e këtyre zonave kishin përfunduar dhe ishte arritur në përfundimin se duhej ndërtuar një pendë ujëpritëse me një gjatësi prej 8 kilometrash, në një largësi të tillë nga buza e lumit Drin, që lumi të kishte mundësi zgjerimi në rastet e prurjeve të shumta. Gjithashtu, po studiohej mundësia e një ujë pritësi për shpëtimin e fushës së Zadrimës nga ujërat e lumit Gjadër. Duket se këto projekte e punime për sistemime ujërash, kanalizime e bonifikime, nuk do të ishin vetëm një aspekt i punës së Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, por do të ishin në vijim, një nga drejtimet kryesore të punës së këtij dikasteri. Kaq me zell ishte marrë kjo punë, sa nga mesi korrikut 1938, Ministria zhvilloi një mbledhje me strukturat e larta të saj, ku, nën drejtimin e Ministrit Gera, u diskutua mbi shkurtimin dhe rregullimin e personelit të dikasterit si dhe për shkurtimin e disa fondeve në funksion të shtimit, sa të ishte e mundur më shumë, të fondeve për punimet bonifikuese.

Në mbledhje u theksua se, për rregullimin e personelit të Ministrisë, si kriter bazë për mbajtjen në punë do të ishte përgatitja profesionale. Pra, një rrugë e dy punë: hiqeshin nëpunësit e paaftë dhe mblidheshin fonde shtesë për bonifikime. Në verën e vitit 1938, Ministria e Ekonomisë Kombëtare ndërhyri për të mbrojtur interesat e prodhuesve dhe për të mos lejuar spekulimet që bënin tregtarët në kohën e lëmit. Përsëri gazeta “Drita”, e cila pasqyronte më së shumti aktivitetin e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, shkruante me simpati në numrin e saj të 3 korrikut 1938, lidhur me këtë masë, e cila merrej në mbrojtje të prodhuesve vendas të grurit: “….Qeveria Mbretnore duke marrë parasysh spekulimet që bahen zakonisht në kohën e lëmit prej tregtarësh të ndryshëm, vendosi të ndërhyjë për të mbrojtur interesat e prodhimtarëve. Me këtë parim Këshilli i Ministrave, pas propozimit të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare që konstatoi nji tronditje të papritur në çmimin e grurit, që nga 18 franka ari që ka qenë kvintali, filloi të shitet nga 14 franka ari, e mori në bisedim çështjen dhe vendosi marrjen e masave të duhuna për sigurimin e çmimit të mirë të grurit. E para masë ishte dyfishimi i taksës doganore mbi grurin, që ishte caktue disa muaj më parë, në 6 franka ari për kvintal dhe ky ndryshim hyni në fuqi më 21 qershor 1938 dhe ka për qëllim praktik që gruni i ri i vendit, të shitet me çmime t’arsyeshme dhe në favor të bujkut…”!

Më vonë, në dhjetorin e 1938-tës, Ministria e Ekonomisë Kombëtare e pa të arsyeshme të ndërhynte përsëri me një projektligj për rregullimin e tagrit doganor të grurit e të misrit, me qëllim që gjërat të rregulloheshin një herë e mirë, në një balancë që ruante interesat e konsumatorëve e të prodhuesve, si dhe evitonte spekulimet e tregtarëve. Në raportin justifikues për këtë projektligj, ministri Gera theksonte se masat e marra deri në atë kohë (të cilat parashikonin taksa doganore tepër të larta për drithërat), me synim mbrojtjen e prodhuesve, kishin një vlerë praktike shumë të vogël, sepse, kur në vend prodhohej shumë drithë, në mungesë të një organizmi të aftë për mbajtur një çmim të brendshëm të mirë, çmimet uleshin për shkak të konkurrencës së prodhuesve. Në rastin tjetër, kur prodhimi ishte i paktë, ishte qeveria që ndërhynte duke zbritur taksat doganore me qëllim sigurimin e çmimeve më të ulëta për konsumatorin.

Ndërkohë, me këtë masë dëmtohej prodhuesi, i cili e kishte drithin më të shtrenjtë për shkak të shpenzimeve, të cilat ishin njëlloj si në rastin kur kishte shumë prodhim. Pasi vërente se problemi nuk ishte i lehtë për t’u zgjidhur (pasi problem më vete ishin spekulantët që importonin sasi të mëdha drithi në kohën e taksave doganore të ulëta dhe i shisnin ato shtrenjtë në kohën e taksave të larta), Rrok Gera pohonte se, për arritjen e një çmimi të balancuar për drithërat, duhej të përdorej “tagri i lëvizshëm” (eshelle mobil), në bazë të të cilit llogaritej taksa doganore në relacion me çmimet e jashtme, në mënyrë që çmimi i grurit të importuar të vinte në Shqipëri (me gjithë shpenzime) me rreth 20 fr. kuintali dhe ai për misër rreth 13.50 fr. kuintali. Gjatë debatit në Parlament, mbajtur më 25 janar 1939, Gera shprehu besimin se me këtë masë, qeveria u përgjigjej nevojave të konsumatorëve dhe kërkesave të prodhuesve si dhe evitonte spekulimet. Memorie.al

                                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/duke-pare-demet-e-medha-qe-shkaktonte-lumi-drin-ne-zona-pjellore-te-shkodres-si-stajke-ashte-beltoje-dhe-ne-gjithe-fushen-e-trushit-e-ate-te-zadrimes-rrok-gera-zhvilloi/