“Duke i larguar nga mjerimi ekstrem kooperativist, pasi kishin shpëtuar nga buka e misrit në fshatrat e tyre, kapterët e burgut të Spaçit…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit nga Vlora

Nga Agim Gani Hamiti

Memorie.al/ Agim Gani Hamiti lindi në Vlorë në vitin 1947 dhe ai i përket një familjeje të persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që me ardhjen e tij në pushtet në fundin e vitit 1944. Më 1956-ën, kur ishte ende fëmijë, Agimi së bashku me familjen u internua në fshatin Dukat të rrethit të Vlorës. Më 1978-ën, arrestohet dhe dënohet me 14 vjet heqje lirie, duke u akuzuar për “veprimtari armiqësore”. Vuajti 10 vjet e gjysmë, në burgjet e diktaturës komuniste. Mbas vitit 1991, Agimi vazhdoi studimet dhe u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Aktualisht jeton në Francë. Ka botuar romanin “Odiseja e një dedektivi”

                                                                        SPAÇI

                                                                                                   “Burgu, kjo greminë e përuljes njerëzore…”!

                                                                                                                                 (Xhek London)

Çdo kalimtar që shkel për herë të parë në Spaç, pushtohet vetvetiu nga një apati e përgjithshme, e ngjashme me atë që provon njeriu kur, pa dashje, bëhet dëshmitar i një jete në agoni. Edhe sikur udhëtari në fjalë të mos jetë i vetëm, duke hyrë në pusin e madh natyror, që përbën ky vend, ai do të ndjejë nevojën e një heshtjeje soditëse për t’u thelluar në botën e ndjenjave të tij të befasuara.

Nga të gjitha anët vendi është i rrethuar nga një varg kodrash të larta, që po t’i shikosh nga gropa e Spaçit, për shkak të relievit tepër të thyer, të krijojnë përshtypjen e dy vargmaleve në formë gjysmërrethi, vendosur përballë njëri-tjetrit. Në dy pikat simetrike të takimit të tyre, në juglindje e në veriperëndim, shtrati i ngushtë e i thellë i një përroi hap dy dritare natyrore të këtij hauzi të madh.

Shkurret, që mbulojnë pjesërisht shpatet e kodrave rrethuese, i nënshtrohen një lufte të rreptë me natyrën për të mbijetuar egërsinë e kësaj toke shterpe, në procesin e shpërndarjes. Rrënjët e tyre gjysmë të dala mbërthehen fort, duke depërtuar anash gurëve të djegur bojë kafe ose nëpër të çarat e pllakave të shtresëzuara. Gjethet e tyre mund të shikohen të shpalosura në diell vetëm për pak orë, mbasi, sapo fillon të nxehtit, ato tkurren për të ngadalësuar avullimin e ujit të siguruar me shumë vështirësi.

Në përgjithësi, sipërfaqja e tokës është ngjyrë kafe në të murme dhe del shtresa-shtresa në formë pllakash të thyeshme. Me sa duket acidi sulfurik, mjaft i pranishëm në të gjithë ujërat rrjedhës të kësaj zone, është faktori kryesor i procesit të shpërbërjes të sipërfaqes normale të tokës. Syri mund të të zërë bar shumë rrallë, vetëm në ndonjë vend të qëndrueshëm, ku mund të ketë mbetur ndonjë copë toke, të cilën rastësia e ka favorizuar për t’i shpëtuar pushtetit shkatërrimtar të acidit.

Edhe shtrati i thellë me anë të thepisura i përroit, i cili gjatë verës mbetet pothuajse i thatë, mban ngjyrën e kripërave acide. Këto dukuri të strukturës së paqëndrueshme të sipërfaqes së tokës bien edhe më shumë në sy për shkak të pjerrësisë së theksuar të shpateve rrethuese.

Mbasi ta ketë soditur një copë herë të mirë këtë copë tokë, viktimë të reaksioneve kimike dhe agjentëve atmosferikë, udhëtari i ardhur rishtas në këto anë, për të kthjelluar disi vorbullën e ndjenjave të tij të trazuara, do ta shprehte befasimin sipas mënyrës së tij, zakonisht në përshtatje me profesionin që ushtron:

Po qe se është barì do të belbëzojë me vete:

“Këtu as dhëmbi i deles s’paska ku të ngjisë një fije bari, pa le më gjuha e lopës”!

Në rast se është murator, si të marrë dy copa guri e t’i përplasë me njëra-tjetrën, duke parë se si do t’i bien të thërrmuara te këmbët, do të buzëqeshë me mosbesim, duke mërmëritur:

“Dy gurë nga këta nuk i vendoske dot mbi njëri-tjetrin, pale që një lugë gëlqere nuk e bëke dot me ta”.

Ndërsa një gjeolog do të deklaronte entuziast:

“Aq sa e zymtë duket në pamje, aq e praruar është në brendësi”. Këtë aludim do ta bënte për bakrin e saj, që përmban edhe një përqindje të ulët ari.

Një specialist i çështjeve policore, me ta parë këtë gropë si të përgatitur nga ekskavatorë gjigantë, pa u menduar gjatë, do të shprehej shkurt dhe qart: “Një burg natyror”.

Bashkërendimi i mendimeve të dy specialiteteve të fundit qe ai, me sa duket, që nxori në dritë vendimin e kobshëm qeveritar, në saje të të cilit, në pranverën e vitit 1968, në këtë vend të ngrihej një kamp pune i rëndë, i detyruar për të burgosurit politikë.

Kështu pasi toka kombëtare ishte nginjur së thithuri djersën dhe gjakun e armatës së kokëqethurve të flijuar nga regjimi komunist, i erdhi radha nëntokës të kërkojë revanshin. Vargut të gjatë të kampeve famëkeqe të punës së rëndë të detyruar të burgjeve të deriatëhershëm po i shtoheshin adresa të reja: Miniera e kobshme e Spaçit dhe simotrat e saj të mëvonshme.

Të gjitha këto adresa jetë thithëse u furnizuan me kontingjentet e të dënuarve politikë të regjimit komunist. Me Spaçin fillonte kështu era e re e shfrytëzimit nëntokësor të viktimave politike, jetën e të cilave Drejtoria e Kampe-Burgjeve e llogariste me shifra vagonësh me mineral.

Çdo fillim është i vështirë, por puna e detyruar në minierë, për kushtet e të burgosurve politikë, përmbante në vetvete një sistem të tërë fillimesh që krijonin një grumbull vështirësish në progresion. Tani e tutje ata do të ishin të detyruar të punonin në mungesë të plotë të dritës së diellit dhe efekteve kurative të saj për organizmin.

Të burgosurit do të thithnin tani ajrin e kompresorëve të përzier me një koktej të vërtetë gazrash, tymrash, avujsh uji të ndotur dhe erën e rëndë të dekompozimit të minjve të ngordhur e të kalbësirave të minierës. Gjatë punës tre turnëshe do të digjeshin në vazhdimësi tonelata të tëra diamanti.

Tymi i vazhdueshëm i llambave të karbitit do të jepte ndihmesën e tij modeste për ndotjen e tërësisë së ajrit që do të thithnin të burgosurit në frontet e tyre të punës. Era e rëndë e këtij ajri u shkaktonte të vjella njerëzve që hynin për herë të parë në minierën mesjetare të Spaçit. Mushkëritë e të burgosurve, duke thithur nga ky ajër, dorëzonin një nga mukozat e tyre në luftën e vrazhdë për një ekzistencë torturuese në emër të shpresës.

Në frontet e punës të piritit, ku temperatura luhatej midis 35-40 gradë celsius, burimet nëntokësore të ujërave me përqindje të lartë acidi sulfurik, pikonin vazhdimisht mbi trupat e zhveshur të të burgosurve, që nuk duronin dot nxehtësinë. Duke u përcëlluar lëkurën, acidi u krijonte plagë të tilla që ua kthenin në torturë, të burgosurve, zhveshjen dhe veshjen në punë e në fjetore.

Në tërësi gjendja e kushteve të punës i përgjigjej një niveli mesjetar. Norma e detyruar shumë e lartë që u kërkohej përditë ose përnatë të burgosurve nga kërbaçi i pakursyer i policisë, bënte që kushtet e sigurimit teknik të figuronin vetëm në letër, të shënuara sa për formalitet nga personi i lirë. Të burgosurit nuk punonin dot asnjëherë brenda kushteve të parashikuara të sigurimit të jetës, as në ato raste kur kishte vetëm disa orë që nga frontet e punës kishin nxjerrë njerëz të vdekur.

Baza materiale, që shërbente për të krijuar kushte pune më normale (shina, pjatina, çikrikë, dërrasa, etj.)çohej nëpër sektorë të tjerë,ku punonin punëtorë të lirë, ndërsa mungesat e mëdha që krijoheshin qëllimisht në Spaç “i plotësonte” policia.

Në gjithë këtë mjedis makabër më pak se çdo gjë kushtonte i burgosuri dhe ai i paguante të gjitha dëmshpërblimet, si palë gjithmonë e mundur e një lufte të shfrenuar që ndërmerrte barbarisht forca mbi të drejtën.

Policia ishte zgjedhur me një studim të posaçëm. Të gjithë personat në uniformë ishin mishërimi më karakteristik i injorancës së virgjër dhe urisë kronike të këtyre shkrepave të egër e primitivë.

Duke i shpëtuar nga mjerimi ekstrem kooperativist, uniforma atyre u kishte siguruar ushqim e veshmbathje vjetore falas, rrogë që nuk kishin guxuar ta imagjinonin dot kurrë, privilegjin e strehimit familjar në qytezën më të afërt industriale, si dhe vend pune të preferuar për gratë e tyre.

Në të ardhmen e afërt, fëmijëve të tyre do t’iu ofrohej bursë shteti për t’u shkolluar, mbasi babai i tyre shërbente në një vend pune “me rëndësi të posaçme”. Të vetëkënaqur tej çdo parashikimi, ata fillimisht jetonin si në ëndërr, mbasi kishin shpëtuar nga buka e misrit me racion e gjithmonë pa gjellë. Dhe kur atyre u thuhej se personat me kokë të qethur zero e uniformë bojë kafe të shpëlarë janë armiq të pushtetit në fuqi, sipas kodit të interesit vetjak, këtë thënie mëndja e tyre shterpe e deshifronte kështu:

“Këta duan t’iu heqin nga duart mirëqenien që iu ka siguruar pushteti që donin të rrëzonin…”!

E atëherë ata bëheshin aq agresivë, sa që duhej patjetër ndërhyrja e ndonjë oficeri të komandës së burgut, për të frenuar sadopak “patriotizmin” e tyre, vullkanik. Joshja e interesit material, ata i kishte thithur shpirtërisht, në ingranazhet e makinës së verbër shtypëse të shtetit.

Faktorët e shumtë që ndikonin në keqësimin e përgjithshëm të gjendjes së të burgosurve, duke u gërshetuar me njëri-tjetrin, fuqizoheshin e bëheshin edhe më kërcënues. Hyrjet e minierës, si gojë të hapura kuçedrash grykëse, thithnin tre turnet e punës 24-orëshe.

Avujt që nxirrnin në natyrë prej barkut të tyre të nxehtë, të krijonin përshtypjen se gjahu i gjallë që kishin gëlltitur dhe u lëvrinte nëpër rropullitë, i detyronte të çlironin energjinë e tepërt.

Shifrat e para të tonëve me mineral sollën dhe viktimat e para, numëri i të cilave erdhi duke u rritur vazhdimisht. Megjithëse ata njerëz ishin dënuar pafajësish me vite burgu, askush nuk përgjigjej për ri dënimin e tyre me vdekje, pa gjyq. Familjeve të viktimave u ndalohej me ligj tërheqja e kufomave të të afërmve të vdekur brenda telave me gjemba. Gjersa ata ishin dënuar pa kryer ndonjë krim, dënimi i tyre duhej përjetësuar.

Në proces-verbalet, që motivonin vdekjet aksidentale në minierë, kishte hedhur rrënjë e njëjta shprehje: “U aksidentua se nuk zbatoi rregullat e sigurimit teknik në punë”. Kur ndonjë i burgosur guxonte të kërkonte zbatimin e rregullave të sigurimit teknik në ndonjë front pune me rrezikshmëri të dukshme, policia e harbuar vërsulej mbi të duke bërtitur:

“Pse, aq të marrë e quani ju pushtetin e popullit sa të sigurojë edhe armiqtë e tij“?

Të shumtë ishin ata, që duke i zënë gjumi në galeritë plot lagështirë, nga lodhja sfilitëse e orëve të pasmesnatës, ftoheshin rëndë e përfundonin në një gjendje të pashpresë. Të tjerë gjymtonin vetveten, në ato rrethana ku shëndeti shërbente si një intensifikim i së keqes, vetëm e vetëm që të mund të shpëtonin nga puna e rëndë e detyruar, për vite e vite me radhë.

Kjo histori e dhimbshme, e shkruar me gjakun e viktimave të saj, do të bëhej kaq kërcënuese saqë as nënshtrimi i markës së lartë shqiptare nuk e përballoi dot pa shpërthimin e një revolte masive të të burgosurve politikë.

Ishte hera e parë që shprehej me zë të lartë e publikisht protesta kundër regjimit shtypës e poshtërues në majin e vitit 1973. Çmimi me të cilin u pagua ajo, qe tepër i shtrenjtë. Katër të pushkatuar dhe 86 të ri dënuar me një shumë të përgjithshme praj 1400 vjet burg (14 shekuj jetë njeriu!).

Një dhunë jashtë çdo konceptimi njerëzor shpërtheu mbi të burgosurit, të cilët qenë të detyruar t’i nënshtroheshin një sistemi të tërë torturash të shumëllojshme. Por, me siguri, revolta e ‘73-it e Spaçit është më e veçanta në historinë e njerëzimit përsa u përket viktimave të saj të dënuara nga gjyqi me vdekje.

Veç katër të ekzekutuarve, u krye dhe një varje në litar. Një gjykatë ushtarake dënoi me varje në litar “Tartin” fisnik, mikun besnik të të burgosurve, qenin, që ata e kishin rritur vetë. Të burgosurit e kishin gjetur këlysh të vogël dhe, me një kujdes të përbashkët, e rritën “Tartin” të shëndetshëm dhe mjaft komunikues.

Mirëpo, me kalimin e kohës ky qen, besnik i atyre që e ushqenin, e që e ledhatonin, filloi të shfaqte një dukuri “anti klasore”. Ndërsa ishte mjaftë i afrueshëm e i shoqërueshëm me çdo uniformë bojë kafe, “Tarti” u bë gjithmonë e më agresiv me uniformat jeshile të policisë së kampit. Këta të fundit kishin filluar të shqetësoheshin seriozisht nga sjellja e dyshimtë e këtij qeni.

Ata ishin orvatur dy herë t’i lanin hesapet me të, duke u përpjekur ta helmonin. Të burgosurit, e bashkë me ta edhe mjeku i dënuar i kampit, bënë çmos t’ia shpëtonin jetën qenit besnik. Falë organizmit të tij të fuqishëm dhe përkujdesjeve të pakursyera të të burgosurve, këta të fundit arritën t’ia shpëtonin jetën qenit dy herë. E treta ishte e vërteta. Kësaj here policia ishte e gjithëpushtetshme dhe mund të hiqte qafe pa vështirësi edhe një të burgosur (siç edhe kishte ndodhur) e jo më një qen të tyre.

Dhe në një nga ditët e fundit të majit 1973 një grup policësh, në sjelljen dhe karakterin e përbashkët të të cilëve nuk mund të gjeje dot kurrë aq fisnikëri sa në një gjest përgëzimi të Tartit, ashtu sikundër edhe në lehjet më të dëshpëruara të Tartit nuk mund të gjeje dot aq egërsi sa vetëm në thirrjen: “në rresht”, të njërit prej tyre, ky grup policësh pra, e varën “Tartin” e shkretë, i cili edhe në çastin e fundit që i hodhën lakun, nuk ua la pa ua kthyer reston uniformave të jeshilta, duke kafshuar kapter Nduen që e mbante veten si specialist qensh.

Në çastet fatale të shpirt dhënies, putrat e “Tartit” përpëliteshin në ajër sikur donin të mbërthenin policët, aq shumë të urryer për të. Ai, për habinë e këtyre të fundit, nuk kuiste, por, duke zgurdulluar sytë, lëshonte një hungërimë të mbytur që dëshmonte më shumë kërcënim e përbuzje, se sa frikë.

I habitur nga sjellja e çuditshme e qenit në këtë minutë fatale për të, kapter Prenga e shprehu përsëri dyshimin që kishte shfaqur për “Tartin”, kur ledhatonte uniformat bojë kafe dhe kërcënonte jeshilet: “U kam than un, or tëj, ky asht qen agjent, i futun me qëllim në kamp”.

Këtë herë policët nuk qeshën me këto fjalë, se “Tarti” po i habiste më shumë me mënyrën e vdekjes se sa me cilësitë e tij në jetë. Te këto krijesa të rritura nëpër honet më të thella të malësive të Mirditës, instinkti i komunikimit me kafshët ishte më i zhvilluar se shprehitë fillestare të qytetërimit.

Pikërisht për këtë arsye ata arritën ta kuptojnë “Tartin” për herë të parë e të fundit në jetë, tamam në këtë çast sublim. Sjellja e kafshës në litar ishte një mesazh proteste e përçmimi ndaj botës që e rrethonte, në të cilën barbaria njerëzore ekzekutonte, në emër të ligjit, fisnikërinë shtazore. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/duke-i-larguar-nga-mjerimi-ekstrem-kooperativist-pasi-kishin-shpetuar-nga-buka-e-misrit-ne-fshatrat-e-tyre-kapteret-e-burgut-te-spacit-deshmia-e-ish-te-burgosurit-nga-vlora/