“Duhet të thellohemi sa më shumë për, të gjetur materiale për veprimtarinë armiqësore të Kiço Ngjelës, Vasil Katit, me shokë, që t’ja japim Partisë.…”/ Akuzat e Musin Kroit nga Pekini, dhjetor 1975

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Kimitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1975, ku ambasadori shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, me anë të një raport-informacioni dërguar dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Ministrisë së Tregtisë dhe për njoftim sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, u bën me dije për, mbledhjen e zhvilluar në përfaqësinë e tregtare në Pekin, lidhur me analizën e bërë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme në Tiranë në gushtin e vitit 1975.  Raport-informacioni i plotë i ambasadorit Behar Shtylla, lidhur me diskutimet e bëra në mbledhjen e përfaqësisë tregtare shqiptare në Pekin, të mbajtur në datat 27 dhe 28 tetor të vitit 1975, ku përveç ambasadorit Shtylla, morën pjesë edhe Musin Kroi dhe Abdulla Dautaj, si zv/Sekretari i Organizatës bazë të Partisë. Mes diskutantëve të shumtë në atë mbledhje, e morën fjalën edhe Hysni Hoxha, Ilia Pulluqi, Liri Pulluqi, Skënder Thëllimi, Sotir Doraci, Reshit Kërtusha, të cilët bënë kritika dhe hodhën akuza ndaj disa ministrave si: Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, e gjithashtu edhe ndaj disa kuadrove dhe funksionarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, si Andrea Manço, Sami Muhameti, etj., duke e konsideruar punën dhe veprimtarinë e tyre si armiqësore, që i kishin sjellë dëme të mëdha Partisë dhe popullit.

                                                                Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ambasadori shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Ministrisë së Tregtisë dhe për njoftim sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me mbledhjen e bërë në përfaqësinë e tregtare në Pekin

AMBASADA E R.P. TË SHQIPËRISË

             PEKIN

  4.12.1975

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

DREJTORISË SË I-rë

MINISTRISË SË TREGTISË

Shokut Marko Xega

                                            Për njoftim Komitetit Qendror të PPSH-së

                                                           Sektorit të Jashtëm

                                                                       T I R A N E

Bashkëngjitur ju dërgojmë një informacion mbi mbledhjen e Përfaqësisë Tregtare në Pekin, lidhur me analizën e Tregtisë së Jashtme që u bë në gusht të 1975 në Ministrinë e Tregtisë në Tiranë.

                               Ambasadori

                                Behar Shtylla

                                                               I N F O R M A C I O N

Mbi mbledhjen e analizës së Përfaqësisë Tregtare në Pekin.

Mbledhja u zhvillua në datat 27-28 Tetor 1975, nën frymën e vendimeve të Plenumit të 7 të K.Q., dhe mbi analizën e Tregtisë së Jashtme në Tiranë në datat 27-28 gusht 1975.

Në të, merrnin pjesë të gjithë punonjësit e përfaqësisë tregtare sh. Behar Shtylla, sh. Musin Kroi, dhe Zv/Sekretari i Organizatës bazë të Partisë, sh. Abdulla Dautaj.

 5. Tefta Pulluqi

Tha se solidarizohet, me propozimin për masat e marra ndaj Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit. Ka konstatuar se këtu në Kinë, për sjelljet arrogante të Andrea Manços dhe Sami Muhametit, Kiço Ngjela nuk reagonte. Ajo, solli rastit e mbledhjes së analizës së përfaqësisë në Pekin në vitin 1972, gjatë së cilës ishte dhe delegacioni tregtar ku, merrnin pjesë dhe këta.

Industrial-impeksi, nuk gjen treg për të shitur konfeksionet për vitin 1976, dhe nga ana tjetër ka, mjaft detyrime pa plotësuar për kontratat e vitit 1974 dhe 1975 me Kinën. Këto mund t’i realizojë gjatë vitit 1976. Detyrë tjetër është përvetësimi i sektorit që i la Liri Lika. Premton se do të punojë për të riparuar dëmin që bëri armiku, dhe ta likuidojë atë sa më parë.

 6. Reshit Kërtusha

Tha se është dakord me masën e propozuar ndaj Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit. Sjell një rast kur Andrea Manço, bëri çmos që të mos shkonin në Jugosllavi, inxhinieri i Uzinës ‘Dinamo’ dhe Reshit Kërtusha, të cilët do siguronin pjesët e këmbimit të “Gaz”-eve sovjetike, sepse ai donte të dërgonte ata që i serviloseshin.

Kur këta dy shokë, shkuan në zyrën e tij për t’i thënë se ishin caktuar nga Ministria e Tregtisë për të shkuar në Jugosllavi, dhe kërkuan udhëzimet përkatëse, Andrea Manço, në mënyrë përçmuese, i’u tha që të ktheheshin nga kishin ardhur, pasi Ministria e Tregtisë, ishte një tigër prej letre.

Premton se do të shtojë përpjekjet për të përvetësuar sektorin, e për realizimin e kontratave të prapambetura të pjesëve të këmbimit.

 7. Musin Kroi

Tha se konkluzionet e mbledhjes, kanë rëndësi të veçantë për përfaqësinë tregtare, se detyrat nuk mbarojnë me një mbledhje, se puna në Tregtinë e Jashtme nuk ka ecur mire, pasi ndikimi i Partisë atje, ishte i dobët.

Shoku Musin, theksoi se përfaqësia tregtare, ka kapur mjaft çështje dhe i ka bërë problem, dhe për këtë është ndihmuar dhe nga shoku Behar. Mirë është që këto të radhiten dhe të njoftohet Komiteti Qendror.

Mendoj se këto do i vlejnë K.Q. dhe Qeverisë për, të parë punën armiqësore të Kiço Ngjelës. Duhet të thellohemi sa më shumë për të gjetur materiale, që të vërtetojnë veprimtarinë armiqësore të Kiço Ngjelës, Vasil Katit, me shokë që t’ja japim Partisë, më mirë vonë se kurrë.

Çështjen e tregtisë me Japoninë, dhe me Iranin, ka karakter politik pasi, ka të bëjë me shpartallimin e bllokadës. Ne të shohim që të marrim kontakte dhe me vende të tjera të Azisë, si p.sh., Singaporin.

 8. Behar Shtylla 

Në fund e mori fjalën shoku Behar i cili, tha se mbledhja pati rezultat pasi, shokët diskutuan mirë. Gjithashtu theksoi se: puna armiqësore në Tregtinë e Jashtme, nuk është e ndarë nga puna armiqësore në Naftë. Tani Partia, ka marrë masa dhe puna është vënë në vijë të drejtë.

Duhet të thellohemi akoma dhe më tej, theksoi ai, pasi puna armiqësore e Kiço Ngjelës është njëkohësisht politike dhe ideologjike. Është i gjithi një front i bashkuar armiqësor, që nga Fadil Paçrami, e deri tek Beqir Balluku, që nga Abdyl Këllezi, e deri tek Kiço Ngjela.

Sepse gjërat nuk janë të rastit si, p.sh., Sami Muhameti njeriu i Kiço Ngjelës, ka dalë dhe si njeri i lidhur me Beqir Ballukun. Lipe Nashi, ishte i lidhur me Beqir Ballukun, ashtu si edhe me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, e Kiço Ngjelën.

Ne, duhet të reflektojmë për këtë situatë që kanë krijuar ata. Edhe në marrëdhëniet me Kinën, të shikojmë rrënjët e të thellohemi. Shoku Theohar, informoi përfaqësinë tregtare, mbi zhvillimin e mbledhjes së analizës së Tregtisë së Jashtme në Tiranë, si dhe bëri autokritikë.

Ai, ka përgjegjësinë e tij si kuadër i vjetër dhe me eksperiencë që është. Nga këto gabime ai, ka nxjerrë mësime dhe gjatë mbledhjes në Tiranë, ai vetë e konstatoi këtë gjë dhe bëri mirë që diskutoi për herë të dytë. Asnjëri, nuk mendon ta vërë Theoharin me këta armiq.

Të gjithë ndjejmë përgjegjësi se, po t’i kishim parë gjërat me një sy tjetër, do ta kishim ndihmuar me kohë Partinë. Në rast se na dalin gjëra të tjera, edhe Theohari, por edhe të gjithë ne, t’ja themi Partisë.

Ne, propozuam masa për Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin që, në mbledhjen kur punuam materialet e Plenumit të 7-të. Por me dëmet materiale që Kiço Ngjela e Vasil Kati, i kanë bërë Shtetit dhe Partisë, kjo çështje, do të shikohet më tej e, ti kalohet organeve gjyqësore.

Të gjithë shokët ta kenë mirë situatën në dorë. Secili, në sektorin e vet, por edhe një për të gjithë, e të gjithë për një. Edhe unë dhe shoku Musin, do të ndihmojmë për Tregtinë. Në marrëdhënie me shokët kinezë, të udhëhiqemi kurdoherë nga politika e Partisë sonë.

Moszbatimi në kohë i kontratave, ka të bëjë me ndërtimin e socializmit në të dy vendet tona. Si detyrë konkrete, të ndjekim plotësimin e vitit 1975 (eksport-import), si dhe të bëjmë studimin për eksportin tonë. Të përgatitemi e të punojmë energjikisht për vitin 1976, ku dhe jemi mbrapa.

Të shpejtojmë fillimin e bisedimeve në grup pune me Ministrinë e Tregtisë së Jashtme të Kinës. Nga Tirana, të kërkojmë të na plotësojë të dhënat e kërkuara, të dërgojë specifikimet për ato që nuk janë plotësuar, etj.

Të zbërthehet marrëveshja e 5 vjeçarit dhe të pasqyrohet në vitin 1976. Të përgatitemi që tani për planin e punës së vitit 1976. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/duhet-te-thellohemi-sa-me-shume-per-te-gjetur-materiale-per-veprimtarine-armiqesore-te-kico-ngjeles-vasil-katit-me-shoke-qe-tja-japim-partise-akuzat-e-musion/