“Diktatura e proletariatit, vazhdimisht do të prodhonte ‘armiq të betuar’, ajo nuk do të ndalej përpara asnjë lloj krimi…”?/ Dëshmitë e njeriut që vuajti 20 vite burg politik dhe u nda sot nga jeta

Nga TOMOR ALIKO 

-Gjatë 50 vjetëve të diktaturës, me gjyqe speciale të montuara, u eliminua truri i kombit shqiptar- Këto pasoja janë të shumta, por më e rëndësishmja është: “Prishja e njeriut, për të cilën ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Vaslav Havel, ka thënë: “Komunizmit do t’i falja çdo gjë, veç prishjes së njeriut”. –

Memorie.al / Armiku më i madh i demokracisë është komunizmi, prandaj është detyrim moral të hidhet dritë mbi të vërtetën historike, sepse në çdo segment të saj do të gjejmë heronj e luftëtarë, që atdheut i dhuruan gjënë më të shtrenjtë jetën, prandaj me energji të shumëfishuara të mundohemi pa u lodhur për pasqyrimin e të vërtetës. Kush më mirë se ne të mbijetuarit politikë, mund ta bëjë këtë! Me çdo kusht duhet të pasqyrohet e vërteta dhe ne duhet me korrektësi dhe ndershmëri të themi vetëm të vërtetën. Komunizmi shqiptar me gjithë terrorin e pashembullt, nuk mundi të gjunjëzonte antikomunistët, të cilët mbetën deri në fund të jetës atdhetarë të nderuar. Krimi komunist shqiptar mban mbi shpinën e tij një pafundësi krimesh, ku spikat roli drejtues i Partisë Komuniste nën udhëzimet direkte të Enver Hoxhës dhe klanit të tij, të cilët nuk ishin gjë tjetër veçse vasalë të Jugosllavëve nëpërmjet të ashtuquajturit “vllazërim” me armikun shekullor të kombit tonë.

Në prag të të ashtuquajturit “çlirim”, kur populli shqiptar priste një fillim të mbarë, vendosjen e bashkim-vllazërimit si dhe nisjen e proceseve demokratike? Pikërisht në ato ditë nga 28 tetori deri në 16 nëntor 1944, Tirana papritmas gjendet përballë terrorit masiv. Filluan ekzekutimet pa gjyq ndaj nacionalistëve, patriotëve, intelektualëve dhe ish-funksionarëve të shtetit. Tirana u mbyt në gjak. Me urdhër të komandantit të përgjithshëm diktatorit Enver Hoxha, ishin krijuar njësi speciale partizane që, me lista “kundërshtarësh” në duar, merrnin peng, vrisnin në rrugë e para syve të familjarëve. Kjo masakër nisi krahas hyrjes së brigadave partizane në Tiranë. Sipas dëshmive të personave okularë, numri i të ekzekutuarve ishte më shumë se 100 vetë. Kjo ishte dëshmia më e saktë e atij kalvari, që pagëzoi me gjak, dhunë e terror pemën e pretenduar të lirisë së shqiptarëve, e cila për gjatë një gjysëm shekulli të çmendur, do të rezultonte se ishte pema e genocidit ndaj shtresës elitare të shoqërisë shqiptare, që ndër kohëra pati treguar se ishte një shtresë fisnike në sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare. Ata që i shpëtuan plumbave ishin të burgosurit e parë, për të cilët u hapën dyert e burgut të vjetër dhe burgut të ri, si dhe qelitë e hetuesisë. Natyrisht edhe këta do të merrnin dënimin dikush me vdekje, dikush me burgim.

Le të fillojmë me Gjyqin e parë Special të Tiranës. Më 31 dhjetor 1944, në Burgun e Vjetër të Tiranës, numëroheshin më shumë se 600 burra, të cilët ju nënshtruan një hetuesie të rreptë nga hetues të ardhur drejtpërdrejt nga malet. Ata i nxorën në gjyq, njëfarë “Nurembergu Shqiptar”, në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, të iniciuara nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore. Ky gjyq u zhvillua në mars-prill 1945, në sallën e ish-Teatrit Popullor. Po zhvillohej një nga gjyqet më absurde dhe më të pamotivuar nga ana juridike, jehona e të cilit do të oshtinte gjatë në veshët e shqiptarëve, si një kambanë ogurzezë, që paralajmëronte tragjeditë dhe makthet e ardhshme….! Grupi i gjyqtarëve jep dënimin: “Në emër të popullit”, duke çuar para grykave të zjarrit 17 burra shteti, që nuk kishin kryer asnjë krim, përveç se kishin qenë shtetarë të denjë, të vendit të tyre. Në lozhën e sallës së gjyqit qëndronte vetë ai, udhëzuesi i këtij skenari makabër, Enver Hoxha, i rrethuar nga fanatikët e tij besnikë, duke vëzhguar me imtësi çdo detaj të zhvillimit të gjyqit .

Trupi gjykues i përbërë nga: Koçi Xoxe kryetar, gjeneral -lejtnant, Hysni Kapo anëtar, kolonel, Beqir Balluku anëtar, nënkolonel, Faik Shehu anëtar, nënkolonel, Bilbil Klosi anëtar, major, Medar Shtylla anëtar, mjek, Halim Budo anëtar, jurist, Gaqo Floqi anëtar, jurist dhe prokuror Bedri Spahiu, dënoi me pushkatim: Fejzi Alizoti, Javer Hurshiti, Kol Tromara, Konstandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Ismail Golemi, Tahsim Bishqemi, Terenc Toçi, Zef Kadarja, Shyqyri Borshi, Beqir Valteri, Bahri Omari, Dik Cani, Aqif Përmeti, Daut Çarçani dhe Gustav Mirdash. Ndërsa me burgime të rënda, u dënuan: Koço Kota, Ibrahim Biçaku, Xhevat Korça, Qemal Vrioni, Et’hem Cara, Xhevit Leskoviku, Jakov Mile, Ndoc Naraci, Tefik Mborja, Rrok Gera, Mihal Zallari, Koço Tasi, Akile Tasi, Fiqiri Llagami, Lazer Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterna, Bajram Pustina, Nedin Kokona, Refat Tartari, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Sokrat Dodbiba, Shuk Gurakuqi, Refat Begolli, Anton Kozmaçi, Mihal Sherko, Rok Kolaj, Vangjel Goxhomani, Zija Bejleri, Gjergj Bubani, Isan Libohova, etj.

Pas Gjyqit Special të vitit 1945, arrestohen dhe burgosen 3 personalitete politike, dy prej të cilëve ishin anëtarë të Regjencës në vitet 1943-1944: Lef Nosi dhe Pater Anton Harapi, si dhe kryeministri i asaj periudhe, Maliq Bushati. Të tre i nxorën në Gjyqin e Lartë Ushtarak, në janar 1946 dhe i dënojnë me vdekje, pushkatim, duke i futur në gropën e përbashkët në “Kodrën e Priftit”, ku gjendeshin të pushkatuarit nga Gjyqi Special i Tiranës, prill 1945.

Në vitet 1945-1948, nacionalizmi shqiptar pësoi persekutimin më barbar që ka njohur historia. Diktatori Enver Hoxha, ngarkoi ministrin e Brendshëm të atyre viteve, gjeneralin Koçi Xoxe, për kryerjen e këtij misioni, i cili me anë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave Ushtarake, vuri në zbatim direktivat e Byrosë Politike për, asgjësimin e nacionalistëve shqiptarë. Në këto rrethana, elementët kundërshtarë nisën të grumbullohen dhe të reflektonin rreth këtij uzurpimi të dhunshëm të vetëdijes kolektive shqiptare…! Pasqyra, ishin zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945. Këto zgjedhje edhe pse u monitoruan nga perëndimorët dhe kryesisht nga anglo-amerikanët, liria e tyre u mbyt nën tam-tamet delirante të partisë shtet, nën terrorin policor ndaj elementëve të dyshuar si opozitarë të regjimit komunist. Piketohen elemente nga Fronti i Rezistencës, Legalitetit dhe nga grupimi Social-Demokrat.

Këta ishin intelektualë të ndershëm, që e donin ndryshe vendin e tyre e, jo me thikë pas shpine, sipas stilit agjenturor jugosllav që dominonte udhëheqjen e re shqiptare. Emra të tillë si: Sami Qeribashi, Qenan Dibra e Musine Kokalari, ishin figurat e para intelektuale dhe politike që ju kundërvunë diktaturës. Me ta u bashkuan dhe intelektualë të tjerë, si: Suat Asllani, Baltaz Benusi e shumë të tjerë. Një ndër më të spikaturit opozitar, ishte dhe intelektuali Gjergj Kokoshi, ish-ministër i Arsimit në Qeverinë e Parë të Enver Hoxhës, që edhe pse ishte pjesë e Luftës Nacionalçlirimtare, kishte deklaruar në Këshillin Antifashist: “Aty ku nuk ka pluralizëm, nuk ka demokraci”.

Në janar të vitit 1946, Sigurimi i Shtetit dhe struktura të tjera të diktaturës, shpërthyen një valë të madhe arrestimesh në mbarë vendin. Burgosën të gjithë anëtarët e “Bashkimit Demokratik” në Tiranë dhe rrethe, e i nënshtrohen torturave më çnjerëzore në hetuesi, thjesht për faktin se kishin guxuar, sipas Kushtetutës, të dilnin në opozitë me pushtetin, në themel të të cilit ishte dhuna dhe përjashtimi, mashtrimi dhe demagogjia në sistem.

Gjykata e Lartë Ushtarake me kryetar Frederik Nosi, (major), Veledin Hyseni dhe Nexhat Hyseni anëtar, (kapitenë të pare), dënoi me pushkatim 9 veta: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Xhatit Koka, Mehmet Beshiri, Mahmut Meniku, Hivzi Gole, Shaban Balla, Ali Kavaja dhe Talat Drini. Ndërsa me burgime të rënda, u dënuan: Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Suat Asllani, Baltaz Benusi, Prof. Çoka, Kol Rodhe, Nefail Shikuli, Reiz Hasho, Hasan Kalaja, Stefan Bumçi, Musa Dizdari, Llazar Papapostili, Anton Dukagjini, etj.

Më 8 nëntor 1946, ditën e premte, në sallën e Kinema “Nacional”, filloi gjykimi kundër 16 anëtarëve të akuzuar si “Grupit sabotator” për tharjen e kënetës së Maliqit. Fillon kështu një akt tjetër mizor i dramës njerëzore me ndëshkimin e të të ashtuquajturve “sabotatorë”, të tharjes së kënetës së Maliqit. Anëtarët e këtij grupi ishin, inxhinierë dhe teknikë, kuadro të aftë të përgatitur në shkollën shqiptaro-amerikane të “Harry Fultz”. Ata shiheshin me një frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit komunist. Ishte një gjyq me skenar të përgatitur me imtësi qysh më parë, i cili u hap në fillim të nëntorit 1946. Dështimi “gjoja”, i tharjes së kënetës së Maliqit ishte, pretekst dhe sfondi tragjik ku u luajt akti i turpit dhe ndëshkimit me jetën e intelektualëve të radhës.

Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë nga: Nënkolonel Gaqo Floqi, Kryetar dhe Kapitenët, Valedin Zeneli e Neshat Hyseni, anëtarë dhe Prokurorë, Nevzat Haznedari, dënoi me varje në litar: Abdyl Sharra, inxhinier, Kujtim Beqiri, inxhinier, i ri varur dy herë në litar, sepse herën e pare, i shpëtoi varjes dhe sipas ligjeve të pashkruara hyjnore, personi konsiderohet i pafajshëm dhe i falet jeta. Por, gjakësorët nuk i njohin ligjet e Zotit. Po nga kjo gjykatë, dënohen me pushkatim: Vasil Mano, inxhinier, Zyraka Mano, ekonomiste, bashkëshortja e tij, shtatzënë, që diktatura e pushkatoi me foshnjën në bark, Euxhenio Skaturo, inxhinier, italian, Mirush Përmeti, inxhinier. Ndërsa me burgime të rënda, u dënuan teknikët: Hans Vala, Mario Guarnjiri, Mihal Stratobërdha, Jani Vasili, Pandeli Zografi, mjeku italian Anastasio Ricco, etj.

Në vitin 1947, qeveria komuniste shqiptare ndërmori një ndër reprezaljet e saj më të mëdha, një terror shtetëror, “sepse një pushtet i marrë me dhunë, nuk mund të mbahej ndryshe, veçse me akte dhune”, por që përpara opinionit duhej të përligjte çdo ndëshkim që kryente. Kishin kaluar dy vjet nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1945. Për të mundësuar pra një “koperturë pluraliste”, për opinionin, në këto zgjedhje kishin fituar dhe disa kandidatë nacionalistë, si: Shefqet Beja, Kol Kuqari, Selaudin Toto, Sheh Ibrahim Karbunara, Kosta Boshnjaku, Riza Dani, Faik Shehu, Kol Rodhe etj., apo ndonjë kandidat i pavarur.

Mirëpo demagogjisë për, mendimin e lirë e të pavarur, shpejt do t’i dilte kallaji….! Opozitarët kundërshtarë u arrestuan dhe u akuzuan me akuza nga më të pabesueshmet, për rrëzimin e pushtetit popullor. Trupi gjykues, i përbërë nga: Major Niko Çeta dhe anëtarët, kapitenët Nexhat Hyseni, Mustafa Iljazi, me prokuror Josif Pashko, japin dënimin: Me varje në litar: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sulo Klosi. Me pushkatim: Sheh Karbunara, Enver Sazani, Selaudin Toto, Salim Kokalari, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Beqir Çela, Hysen Shehu, Pertef Karagjozi, Abdyl Kokoshi, Agathokli Xhitomi, Paolo Sagiotti, Kol Kuqari dhe Ferit Hysenbegasi, vdesin nga torturat në hetuesi, ndërsa i riu 22-vjeçar, Muhamet Prishtina, do të flijohet vetëm se ishte djali i patriotit Jahja Prishtina.

Dënohen me burgim të rëndë: Foto Bala, Gjovalin Vlashi, Ramazan Tabaku, Ram Marku, Irfan Pustina, Isuf Vrioni, Rustem Sharra, Sulo Konjari, Haki Karapici, Shefki Minarolli etj. Ekzekutorët e këtyre masakrave ishin prokurorët: Aranit Çela, Nevzat Haznedari, Petrit Hakani, Subi Bakiri, Siri Çarçani etj. Vendimet jepeshin “në emër të popullit”, nga gjyqtarë injorant, kriminelët Bexhet Mema, Myftar Grabocka, Njazi Meka, Abdyl Hakiu, oficerë të ardhur nga malet, të cilët zbatonin urdhrat e Sigurimit të Shtetit.

Historia e diktatorëve ka treguar se, çdo regjim për të përligjur aparatin shtypës si forcë dhunuese, ka nevojë të krijojë armiq. Kur nuk kishin kaluar as tre muaj nga i ashtuquajturi “Gjyq i Deputetëve”, më 31 dhjetor të vitit 1947, në një sallë të vogël të Garnizonit të Tiranës, në orë të vona të asaj nate të errët, zhvillohej gjyqi i grupit të Riza Danit, pa dëshmitarë dhe pa mbrojtës, pa prova dhe as fakte, por vetëm komunikohej vendimi i Këshillit të Gjykatës së Lartë Ushtarake, i firmosur prej major Niko Çeta, Kryetar, Kapiten i Parë, Nexhat Hyseni dhe Kapiten e dytë, Mustafa Iljazi, anëtar dhe me pretencën e Prokurorit ushtarak, Nevzat Haznedari, Kapiten i Parë. Jepet vendimi për 19 të pandehur, ku do të pushkatoheshin gjashtë, me burg të përjetshëm pesë dhe të tjerët me 20 vjet burgim. Dhe gjithë kjo bëhej mbi bazën e një promemorie përcjellëse që vinte nga hetuesia, krejtësisht me sajime dhe shpifje të turpshme.

Dënohen me vdekje me pushkatim: Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, deputetë të legjislacionit të parë të Kuvendit Popullor. Uan Filipi, Hilmi Hysi, Hasan Reçi, Syrja Selfo dhe Mestan Ujaniku, vdesin në qeli.

Dënohen me burg të përjetshëm: Kosta Boshnjaku, (deputet 1945), Isuf Hysenbegasi, Hivzi Kokalari, Adem Beli, Demir Kallarati dhe me 20 vjet burg, Bexhet Shehu, Ibrahim Hasnaj, etj. Shteti i diktaturës, asnjëherë nuk do të ndalej së fabrikuari ngjarje-kurthe, për të eliminuar kundërshtarët politikë. Kundër tyre do të përdorte të gjitha mjetet e dhunës për t’i mposhtur. Kështu, ndodhi më 19 shkurt 1951. Në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh një bombë, e cila theu dy-tre xhama dhe më shumë ngriti një re pluhuri si, për të mbështjellë me mister ngjarjen që u keqpërdorua nga diktatura.

Kaq u desh. Ajo që ngjau vuri në lëvizje makinerinë shtetërore e veçanërisht Sigurimin e Shtetit. U bënë arrestime masive, duke trumbetuar për armikun e klasës që kërkonte të prishte urat e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Arrestohen në Tiranë 22 vetë dhe i nxorën në gjyq me dyer të mbyllura, si “armiq të betuar të popullit” dhe të Pushtetit Popullor. Gjykata e Lartë Ushtarake me, Kryetar Shuaip Panariti, nënkolonel, Vangjel Kocani anëtar-kapiten, Nonda Papuli, anëtar-kapiten, dhe Prokuror, Siri Çarçani japin vendimin: Me vdekje pushkatim:

Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Thoma Katundi, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Qemal Kasaruho, Mehmet Shkupi, Hekuran Troka, Petro Konomi, Pandeli Nova, Niko Lezo, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Manush Peshkopia, Lluka Ramkoviç.

Por, gjyqet e diktaturës nuk do të reshtnin së vepruari edhe pas vitit 1951. Diktatura e proletariatit, vazhdimisht do të prodhonte “armiq të betuar”, ajo nuk do të ndalej përpara asnjë lloj krimi. Të gjitha ngjarjet e përshkruara më sipër, përbëjnë epiqendrën e një tërmeti njerëzor në truallin shqiptar. Qindra mijëra drama njerëzore, do të krijonin hendekun e pakapërcyeshëm klasor me pushtetin komunist.

E drejta nis nga drejtësia, gabimi i gjatë bëhet faj dhe faji i ndërgjegjshëm kthehet në krim. Verifikimi i historisë do të damkosë si nëmë që del nga mallkimi i shpirtit të fyer. Fjala e bukur “Çlirim” kishte shërbyer vetëm si maskë, për një robërim edhe më të pamëshirshëm që me dhunë vëllavrasëse vaditi me gjak tokën fatzezë shqiptare. Fatkeqësisht deri sot, nuk është vlerësuar sa duhet problemi i përballimit të pasojave të totalitarizmit në shoqërinë shqiptare, si një domosdoshmëri të ecjes përpara. Këto pasoja janë të shumta, por më e rëndësishmja është: “Prishja e njeriut, për të cilën ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Havel, ka thënë se: “Komunizmit do t’i falja çdo gjë, veç prishjes së njeriut”. Memorie.al

 

Shënim: Ky shkrimi i z. Tomor Aliko, ish-i burgosur dhe i persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ri-publikohet nga redaksia e Memorie.al, në shenjë nderimi dhe homazhi për autorin, që u nda sot nga jeta, në moshën 97-vjeçare.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/diktatura-e-proletariatit-vazhdimisht-do-te-prodhonte-armiq-te-betuar-ajo-nuk-do-te-ndalej-perpara-asnje-lloj-krimi-deshmite-e-njeriut-qe-vuajti-20-vite-burg/