Na ishte njëherë e një kohë një krahinë ku secili shikonte vetëm interesin e tij. Çdo muaj pleqësia e krahinës mblidhej te Sheshi, i cili ndodhej përafërsisht në mes të fshatrave të krahinës, për të diskutuar dhe vendosur për problemet e krahinës.
Por ky shesh ndodhej pak si larg nga Kalaja, ku jetonte i pari i krahinës, dhe kjo punë nuk i pëlqente. Kështu që i kërkoi mendim njërit prej njerëzve të tij të zgjuar, që ti gjente një zgjidhje për këtë problem, në mënyrë që mbledhjet të bëheshin në Kala. Ky njeri i zgjuar propozoi që problemin ta zgjidhnin në mënyrë demokratike, gjë që u duk pak e çudiçme në fillim, duke ditur që interesi i banorëve ishte që mbledhjet të bëheshin sa më afër fshatrave të tyre, dhe jo në Kala.
Megjithatë plani ishte vërtet gjenial dhe përbëhej nga 3 referendume, ku banorët do të votonin për një vend mbledhjesh më të përshtatshëm.
1. Referendumi i parë
Në referendumin e parë pyetja ishte:
Disa njerëz mendojnë se Sheshi është i përshtatshëm për të bërë mbledhjet, kurse disa të tjerë mendojnë se Bregu është më i përshtatshëm? Cili është mendimi juaj?
- Mbledhjet të bëhen te Sheshi
- Mbledhjet të bëhen te Bregu
Opsioni i parë mori 87 vota, vetëm votuesit nga fshati A për të cilët Sheshi ishte më afër se Bregu. Kurse opsioni i dytë mori 224 vota, që përfshinin votuesit nga fshatrat B dhe C, për të cilët Bregu ishte më afër se Sheshi.
Kështu që në mënyrë krejt demokratike dhe të natyrshme u vendos që mbledhjet këtej e tutje të bëheshin te Bregu, sipas vullnetit të shumicës.
2. Referendumi i dytë
Në referendumin e dytë pyetja ishte:
Disa njerëz mendojnë se Bregu është i përshtatshëm për të bërë mbledhjet, kurse disa të tjerë mendojnë se Kodra është më e përshtatshme? Cili është mendimi juaj?
- Mbledhjet të bëhen te Bregu
- Mbledhjet të bëhen te Kodra
Opsioni i parë mori vetëm 104 vota nga votuesit e fshatit B, për të cilët Bregu ishte më afër se Kodra, kurse opsioni i dytë mori 207 vota, nga votuesit e fshatrave A dhe C, për të cilët Kodra ishte më afër se Bregu.
Kështu që në respekt të vullnetit të popullit, u vendos që këtej e tutje mbledhjet të bëheshin te Kodra.
3. Referendumi i tretë
Në referendumin e tretë pyetja ishte:
Disa njerëz mendojnë se Kodra është e përshtatshme për të bërë mbledhjet, kurse disa të tjerë mendojnë se Kalaja është më e përshtatshme? Cili është mendimi juaj?
- Mbledhjet të bëhen te Kodra
- Mbledhjet të bëhen te Kalaja
Opsioni i parë mori vetëm 120 vota nga fshati C, për të cilët Kalaja ishte më larg se Kodra, kurse opsioni i dytë mori 191 vota nga fshatrat A dhe B, për të cilët Kalaja ishte më afër se Kodra.
Sovrani foli, kështu që në respekt të vullnetit të tij u vendos që këtej e tutje mbledhjet të bëheshin te Kalaja.
Shënim: Kjo histori është marrë (dhe përshtatur në shqip) nga artikulli Game of Democracy. Ngjashmëritë e mundshme me ngjarje reale mund të mos jenë të rastit.