Deklaratë e KShH-ISP-QQ lidhur me ecurinë dhe sfidat kryesore për reformë zgjedhore

Me vendimin 102/2023 Kuvendi ka zgjatur me 6 muaj afatin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, afat që skadon më 21 mars 2024. Përgjegjësia e Komisionit është adresimi i rekomandimeve të pazbatuara ende nga misionet e ODIHR/OSBE-së, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (28/2021 dhe 33/2022), rekomandimeve të ardhura nga KQZ, institucionet, partitë politike dhe shoqëria civile.

Organizatat tona, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Instituti i Studimeve Politike (ISP) dhe Qëndresa Qytetare (QQ), me përvojë në monitorimin dhe adresimin e rekomandimeve lidhur me problematikat zgjedhore, aktualisht në kuadër edhe të disa angazhimeve me mbështetje ndërkombëtare lidhur me reformën zgjedhore dhe integritetin e partive politike e fushatave elektorale, dëshirojnë që publikisht të ndajnë këtë opinion lidhur me ecurinë e punës së Komisionit dhe nevojave prioritare për ndërhyrje përmirësuese për reformën.

Referuar ecurisë së deritanishme të punës së Komisionit ne shprehim shqetësimin se:

  • Komisioni vijon të kontestohet nga një pjesë e spektrit politik duke vënë në dyshim legjitimitetin e tij përfaqësues e vendimmarrës, ndërkohë që reforma kërkon konsensus të gjerë dhe gjithëpërfshirës si dhe vullnet të qartë politik dhe institucional. Kuvendi ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje të kësaj problematike, përgjegjësi të cilën ende nuk e ka ushtruar.
  • Komisioni i Posaçëm ka nisur punën me procese konsultuese online në mënyrë selektive dhe jo gjithëpërfshirëse, pa pasur drafte konkrete mbi të cilat të ofroheshin opinione e rekomandime, pa u ofruar aktorëve të shoqërisë civile mundësinë për t’u dëgjuar në afate të arsyeshme, si dhe pa një kalendar dhe fokus të strukturuar që trajton çështjet prioritare sipas fokusit dhe përgjegjësisë. Procesi i konsultimeve rrezikon të jetë monopol i partive politike dhe me elementë të theksuar formalë, ndaj edhe kriteret e transparencës dhe gjithëpërfshirës të mos përmbushen.
  • Bazuar në praktikat e mira të Komisionit të Venecias, reformat zgjedhore duhet të realizohen një vit përpara procesit zgjedhor, ndërkohë që puna aktuale e Komisionit është larg këtij afati dhe çështje thelbësore që kërkojnë përgatitje në kohë ende nuk kanë marrë zgjidhje.

Organizatat tona vlerësojnë se periudha e mbetur për jetësimin e reformës zgjedhore kërkon një përfshirje më aktive të Kuvendit dhe të grupeve politike në parlament, në mënyrë që Komisioni i Reformës Zgjedhore tu japë zgjidhje sa më optimale disa prej problematikave thelbësore që kanë të bëjnë me standardin dhe integritetin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Konkretisht, Kuvendi, përmes strukturave të veta drejtuese dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore duhet të bëjë:

I. Plotësimin përfundimtar të akteve ligjore dhe nënligjore lidhur me jetësimin e votës së diasporës (vendimi 38/2022 i Gjykatës Kushtetuese) dhe rishikimin e Kodit Zgjedhor, duke zbatuar detyrimet që burojnë nga vendimi 28/2021 i Gjykatës Kushtetuese lidhur me herësin në kalkulimin e mandateve.

II. Hapjen e debatit publik mbi sistemin zgjedhor, duke synuar analizë të plotë të avantazheve dhe disavantazheve të çdo sistemi në kushtet e vendit tonë si dhe arritja në vendimmarrje konsensuale për çdo ndryshim ose korrektim të mundshëm që diktohet nga interesi publik dhe jo ai partiak. Praktika e ndryshimeve të njëanshme dhe të vonuara të vitit 2020 duhet të shërbejë si referencë negative që të mos përsëritet më.

III. Ofrimin e një pakete ligjore të qartë dhe funksionale për parandalimin e problematikave të konstatuara lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore në fushata elektorale, shitblerjen e votës dhe kufizimet e vendimmarrjeve ekzekutive që lidhen me buxhetin dhe burimet shtetërore duke nisur nga data e dekretimit të zgjedhjeve dhe deri në përfundimin e numërimit të votave.

IV. Përdorimin sa më masiv të votimit dhe numërimit elektronik, për të shmangur abuzimet gjatë votimit dhe numërimit të votave.

V. Depolitizimin e plotë të organeve të administrimit zgjedhor, duke i dhënë fund praktikave të administrimit partiak si dhe rishikimin e praktikës së numërimit të votave në zona të përqendruara.

VI. Reformimin e legjislacionit mbi partitë politike dhe financimin e tyre, duke siguruar zbatimin e plotë të parimeve të theksuara në nenin 9 të Kushtetutës së Shqipërisë për parti politike demokratike në funksionim, për organizim të tyre ligjor, llogaridhënie dhe transparencë të plotë financiare.

VII. Reforma do të ketë besim publik nëse organet ligjzbatuese dhe ato të sistemit të drejtësisë do të mbyllin me sukses të gjitha hetimet lidhur me akuzat për blerje, trafikim apo ndikim të paligjshëm nga zyrtarë, komisionerë, aktivistë apo individë të tjerë.

VIII. Rregullime ligjore për të siguruar monitorim dhe raportim efektiv të shpenzimeve të partive politike dhe kandidatëve përpara datës së zgjedhjeve, si dhe pamundësimin e financimit nga grupet informale apo aktivitetet kriminale në vend.

IX. Garantimin e barazisë në të gjitha etapat e procesit zgjedhor si për kryetarët e partive ashtu edhe për kandidatët e tjerë, përfshirë kandidatët e pavarur dhe partitë e reja politike.

X. Propozimin e një baze ligjore solide lidhur me raportimin e pavarur mediatik pluralist dhe gjithëpërfshirës për subjektet garuese, duke përfshirë edhe partitë e vogla politike, dhënies fund të praktikave të gabuara të përdorimit të materialeve audio-vizuale të regjistruara nga partitë apo kandidatët, si dhe përdorimit të medias në funksion të partive apo kontrollin e tyre përmes reklamave apo kontratave informale gjatë fushatës elektorale, rregullimet për mediat online në fushata elektorale, lobimin përmes medias, parandalimin e dezinformimit nga aktorë të jashtëm dhe të censurës nga organet ligjzbatuese brenda vendit.

Ne besojmë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin mbi partitë politike nuk duhet të jenë monopol i partive politike, nuk mund të bëhen pa transparencë dhe gjithëpërfshirje, dhe nuk mund të imponohen si fakt i kryer në limitet e fundit kohore. Ne rekomandojmë një proces të hapur, solid, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku organizatat tona, kanë qenë e janë të gatshme të kontribuojnë me ekspertizën dhe kapacitetet e tyre.

Deklarata mund te gjendet edhe ne PDF:

Deklarata e organizatave per reformen zgjedhore

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike, po zbaton projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/deklarate-e-kshh-isp-qq-lidhur-me-ecurine-dhe-sfidat-kryesore-per-reforme-zgjedhore/