Nga Erald Kapri | Panorama, 7 dhe 12 shtator 17
Midis oficerëve britanikë që luftuan dhe drejtuan operacione lufte në Shqipëri në vitet 1943-1944, 3 prej tyre ishin nga më aktivët dhe që qëndruan më gjatë. Billi Meklein, Dejvid Smajli dhe Julian Amery. Fillimisht, dy të parët erdhën më herët në Shqipëri, në prill të 1943, dhe formuan brigadën e parë.
Më pas ata u rikthyen në pranverë të vitit 1944 për të qëndruar për disa muaj pranë shtabit të Abaz Kupit dhe mijëra forcave të tij. Në përfundim të luftës, të 3 oficerët hartuan një memorandum prej mbi 40 faqesh dhe ia paraqitën Ministrisë së Jashtme Britanike ku raportuan me hollësi për misionet e tyre.
Memorandumi i tyre konsiderohet më i ploti për shkak se ata njihnin terrenin më mirë se kushdo. Ata punuan si pranë komunistëve, ashtu edhe pranë nacionalistëve, duke dhënë detaje mjaft interesante gjatë punës së tyre ushtarake në Shqipëri. Në raportin e tyre të gjatë, ata përshkruajnë me hollësi përplasjen mes nacionalistëve dhe komunistëve gjatë luftës, duke e cilësuar një luftë të mirëfilltë civile.
Prania e tyre pranë shtabit të Abaz Kupit deri në shtator 1944 u kthye në një problem të madh për Enver Hoxhën, i cili këmbëngulte për largimin e tyre, por oficerët britanikë përshkruan përplasjen ushtarake të nisur mes shqiptarëve pas qershorit 1994, kur brigadat komuniste vendosën të kalojnë lumin Shkumbin e të nisen për në veri.
Në numrin e sotëm është pjesa e raportit ku 3 oficerët britanikë raportuan për luftën civile, përpjekjen e fundit që bënë nacionalistët të bashkohen kundër komunistëve, si dhe arsyet se pse britanikët nuk i ndihmuan me armë e municione.
Vlen të theksohet se pas luftës të 3 oficerët patën karrierë brilante. Billi Meklein do të zgjidhet deputet në Parlamentin Britanik, por do të ndahej shpejt nga jeta, në vitet ’60. David Smajli do të vijonte karrierën ushtarake duke u dekoruar shumë herë dhe do të punojë për çështjen shqiptare.
Ai stërviti qindra shqiptarë në Maltë në fundin e viteve ’40, të cilët desantonin në Shqipëri kundër regjimit të Enver Hoxhës. Ai do të kthehej ndër të parët në Shqipëri në vitin 1991 dhe ishte një pro shqiptar dhe antikomunist i vendosur. Vdiq në vitin 2009. Julian Amery do të martohej me vajzën e kryeministrit britanik Makmillan dhe më pas do të zgjidhej deputet e ministër në një nga qeveritë konservatore.
Ai ishte një antikomunist i vendosur, që gjithnjë ngriti shqetësimin se Britania nuk bëri sa duhet me Shqipërinë duke e lënë në komunizëm. Ai do të rikthehej në Shqipëri në vitet ’90 dhe tepër krenar që Shqipëria u kthye e lirë dhe demokratike. Në vitin 1994, Smajli dhe Amery inauguruan varrezën e ushtarakëve britanikë të rënë në luftë pranë Kodrave të Liqenit.
Pjesë nga memorandumi i 3 oficerëve britanikë: Lufta civile dhe problemi i bashkëpunimit me okupatorin
Ofensiva e Forcave Nacionalçlirimtare (FNC) kundër Kupit nisi më 5 korrik dhe qysh nga ai moment, ai qëndroi në Lurë deri në mëngjesin e 7 korrikut për t’u takuar me Smithin. Aty nga mbrëmja e 7 korrikut ai u ribashkua me trungun kryesor të forcave të tij pranë Burrelit.
Në atë kohë, Forcat Nacionalç- lirimtare kishin pushtuar tashmë të gjithë luginën e Shupalit, përfshirë shtabin qendror të Kupit dhe gjysmën e Matit, duke e privuar në këtë mënyrë atë nga pjesa më e madhe e territorit që kishte në zotërim dhe burimin e potencës së forcave të tij.
Kjo situatë ishte e rëndë dhe pasi dha udhëzime për mbrojtjen e pjesës perëndimore të Matit, ai nxitoi të çante përmes kalimit të Qafështamës, për të shkuar te baza e tij në Luzë, me qëllim që të mobilizonte forcat e tij të mbetura atje për mbrojtjen e rajonit të Krujës, që tashmë kërcënohej nga forcat Nacionalçlirimtare pranë Bastarit.
Ofensiva e FNC-së kundër Dibrës dhe Matit, që kërcënonte gjithashtu Mirditën, solli në fund themelimin e një aleance mes Kupit, Gjon Markagjonit, Fiqiri Dines dhe regjencës kundër FNC-së. Ishte pikërisht kjo aleancë për të cilën kishin punuar më kot Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri dhe bashkëpunëtorë të tjerë të gjermanëve, fill pas kapitullimit të Italisë dhe tani që pozicioni ushtarak i Kupit ishte kritik, ishte koha e duhur për një iniciativë politike nga kolaboracionistët e Tiranës.
Si rezultat, bisedimet ka të ngjarë të jenë zhvilluar në Luzë (11 korrik) mes Kupit, Mustafa Krujës, Mark Gjonmarkajt, djalit të Gjon Markagjonit dhe përfaqësuesve të Fiqiri Dines dhe Mehdi Frashërit. Asnjë akuzë për bashkëpunim me armikun nuk u ngrit ndaj Kupit gjatë periudhës përpara takimit të Luzës dhe nuk ka dyshim që pas 6 shtatorit ai ishte në konflikt të hapur me gjermanët.
Si rrjedhojë është pikërisht periudha ndërmjet 11 korrikut dhe 6 shtatorit për t’iu referuar të gjitha këtyre ndryshimeve. Është e vërtetë se rreziku i revolucionit social që kanosej nga FNC-ja krijoi një komunitet interesash mes Kupit dhe elementëve kolaboracionistë dhe është e mundur që kontaktet që kishin ekzistuar përherë mes tyre, siç kishin ekzistuar në të vërtetë mes kolaboracionistëve dhe FNC-së, patën një karakter më pak informativ. Është gjithashtu e vërtetë se pas takimit të Luzës dhe ka të ngjarë si rezultat i tij, Kupi siguroi 30.000 municione dhe në një rast 20 kamionë për transportimin e civilëve, gjatë të cilit ai nxitoi me forcat e tij përmes Qafështamës, për t’u lehtësuar disi në rajonin e Matit.
Në gjashtë javët e ardhshme ai ndau racione buke për trupat e tij, duke i siguruar nga bukëpjekësit në Tiranë, për të cilat ka të ngjarë që organizata e tij të ketë paguar. Natyrisht që qeveria ishte përgatitur të inkurajonte fushatën e Kupit kundër Frontit Nacionalçlirimtar, ndërsa gjermanëve mendohet se u mjaftonte fakti që të vinin re se përpjekjet e FNC-së drejtoheshin më shumë kundër zogistëve sesa kundër objektivave gjermane.
Ka gjithashtu të ngjarë që Kupi të ishte në dijeni të vendimit të Fiqiri Dines për krijimin e një qeverie me simpatizantë të Zogut apo të Ballit, me synimin që ta përdornin makinerinë shtetërore kundër FNC-së, ndërsa Fiqiri Dine pranoi më vonë letrën për të siguruar para kesh dhe armë nga gjermanët. Dokumente të tilla që ranë në dorë të gjermanëve të lënë përshtypjen se letra e konsideronte Kupin si agjent britanik dhe në përgjithësi qoftë në sferën ushtarake, ashtu edhe në sfer- ën politike, ne nuk qemë kurrë në gjendje të kuptonim se ndonjë bashkëpunim me pushtuesit nga ana e Kupit do të kishte qenë i palogjikshëm.
Ai e dinte mjaft mirë se pozicioni i tij politik përveç faktit se bazohej në një influencë territoriale lokale, rridhte plotësisht nga zotërimi i tij i mirë i anglishtes dhe fakti se ai përfaqësonte Mbretin Zog, i cili ndodhej në Angli. Duke bashkëpunuar me gjermanët, disfata e të cilëve ishte në çdo rast e sigurt në atë periudhë, ai do ta kishte humbur menjëherë reputacionin e tij dhe do të kishte qenë asgjë më shumë sesa një prej bashkëpunëtorëve të shumtë të pushtuesit dhe një analfabet në këtë aspekt.
Beteja finale e nacionalistëve
Pozicioni i nacionalistëve u përkeqësua gradualisht aty nga muaji gusht. Kupi nuk kishte siguruar furnizime nga britanikët dhe influenca e tij kufizohej tashmë në Krujë dhe në Shijak, ndërsa Fiqiri Dine nuk arriti të siguronte as para kesh dhe as furnizime nga gjermanët, të cilët duke qenë mosbesues ndaj shqiptarëve, iu kundërvunë edhe ballistëve duke ekzekutuar Skënder Muçon me dyshimin se kontaktonte me anglezët dhe dëbuan disa ballistë nga Vlora drejt kampit të përqendrimit në Zemun.
Sidoqoftë, natyra e propozimeve të Smithit, pavarë- sisht nga dështimi në pamje të parë, fakti se një mision britanik vazhdonte të kishte besim te Kupi dhe shembujt e revolucioneve rumune e bullgare, ku figura të tilla borgjeze dhe pjesë- marrëse aktive si Maniu dhe Giorgiefi ishin pjesë e qeverive të reja, i nxitën ata të besonin se britanikët nuk kishin për qëllim të lejonin që Fronti Nacionalçlirimtar të siguronte monopolin e pushtetit të pasluftës.
Më 18 gusht, Fiqiri Dine dhe gjenerali Prenk Previsi, shef i shtabit të ushtrisë shqiptare, u takua me Kupin në Luzë për të kërkuar këshillën e tij lidhur me politikën që duhet të ndiqnin. Kupi propozoi që së bashku me Gjon Markagjonin dhe ballistët, ata duhet të largoheshin nga Tirana me të gjitha forcat që kishin në dispozicion dhe të bashkoheshin me të në male kundër gjermanëve.
Fiqiri Dine dhe Prenk Previsi duket se i joshi ky propozim, por vendosën që më parë të kërkonin mbështetje nga anglezët. Në përputhje me rrethanat, Kupi na informoi lidhur me këto negociata, të cilave ne iu referuam si Forca 399, duke qenë të pasigurt nëse një plan i tillë do të pajtohej me politikën ndaj Shqipërisë që ne e dinim se ishte në diskutim e sipër.
Më 24 gusht, një tjetër takim u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e Fiqiri Dines, Shefqet Vërlacit, Qemal Vrionit, Nuredin Vlorës, Midhat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, ku u vendos të pranoheshin propozimet e Kupit për Fiqiri Dinen në rast se do të vinin ndihma nga anglezët.
Më 29 gusht, sipas udhëzimeve të Forcës 399, ne e informuam Kupin që t’ua transmetonte nacionalistëve të Tiranës se do të përgatiteshim për të marrë në konsideratë qëndrimin tonë ndaj tyre në rast se ata do të paraqisnin propozimet e tyre. Po më 29 gusht, Kupi na informoi se kishte vendosur të rifillonte operacionet kundër gjermanëve dhe t’i sulmonte në Durrës. (Një plan për të cilin ne ia kthyem mendjen, pasi majori Smiley (Smajli) e njihte mirë kapacitetin mbrojtës të këtij qyteti).
Më 31 gusht, Fiqiri Dine dhe qeveria e tij dha dorëheqjen. Më 2 shtator, me kërkesën tonë, Kupi u zhvendos në zonën e Prezës për të ndihmuar në shkatërrimin e trupave të Turkestanit, që gjendeshin mes Durrës dhe lumit Ishëm. Më 5 shtator, u morën udhëzime nga Forca 399 “për të bërë ç’është e mundur që Kupi të hidhej në luftë”.
Më 6 shtator, një çetë zogiste nën drejtimin e djalit të madh të Kupit, Petritit, së bashku me një skuadër ushtarake të Turkestanit, sulmoi dhe mori nën kontroll shtabin e një baterie gjermane duke vrarë 10 gjermanë dhe duke sekuestruar materiale luftarake. Operacione të mëtejshme nga ana e forcave zogiste u kryen më 9, 10, 11, 12, 14, 20, 21 dhe 24 shtator.
Më 6 shtator, si rezultat i garancive që na u dhanë, liderët e Ballit – Midhat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Koço Muço dhe Vasil Andoni u larguan nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin, duke sjellë me vete rreth 600 forca nën drejtimin e Abaz Ermenjit, të cilat u vunë nën komandën e Kupit. Të njëjtën ditë, Fiqire Dine, Prenk Previsi dhe Hysni Dema u larguan gjithashtu nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin.
Më 9 shtator (4 ditë pasi ne ishim udhëzuar të bënim ç’është e mundur që Kupi të hidhej në luftë) dhe tri ditë pas fillimit të operacioneve, u morën udhëzime nga Forca 399 që urdhëronin kolonel-lejtënant McLean, majorin Smiley dhe rreshterët Jones and Jenkins të ktheheshin në Itali për të raportuar.
Udhëzimet bënin të ditur më tej se nuk do të dërgohej asnjë furnizim për nacionalistët dhe se kapiteni Amery, i cili ishte shefi i përkohshëm i misionit, duhet të vepronte si vëzhgues i paanshëm dhe të mos inkurajonte Kupin për të luftuar.
Këto udhëzime u konfirmuan dy herë në telegramet që pasuan, veçanërisht në fillim të luftës civile dhe më vonë kur dështimi i misionit të Smithit u bë evident, pikërisht atëherë kur ne mund t’i kishim braktisur nacionalistët me një lloj konsistence në dukje. Sidoqoftë, për ta bërë këtë në momentin më oportun kur vareshim nga udhëzimet dhe garancitë që na jepte autoriteti i Forcës 399, ata sërish kishin fituar terren ndaj gjermanëve, ne e gjetëm veten të ekspozuar ndaj akuzave të rënda për mungesë mbështetjeje dhe prerje në besë që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa.
Faza e fundit
Vendimi për të mos u siguruar nacionalistëve mbështetje materiale apo propagandistike ishte dhe goditja vdekjeprurëse ndaj kauzës së tyre. Të dëbuar nga pjesa më e madhe e territorit që ata kontrollonin më parë, të gjendur në luftë si kundër Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ), ashtu edhe kundër gjermanëve, pa të drejtën për të hyrë në Mirditë, ndaluar nga Gjon Markagjoni nëse ata nuk paguanin, dhe të paaftë për të siguruar më ndihmë nga tregtarët tiranas, nacionalistët u gjendën në një krizë së cilës nuk do t’i mbijetonin.
Ndoshta do të ishte plotësisht e vërtetë të thuhej se nga ky moment asgjë nuk ishte më e vlefshme, me gjithë ndikimin e tyre të vogël që gëzonin ende, përveç zbarkimit të trupave britanike të përgatitura për t’i mbrojtur nacionalistët të paktën nga forcat e Frontit Nacionalçlirimtar. Por kjo shpresë e fundit u shua kur u detyruam të refuzonim një kërkese të Abaz Kupit në kohën e zbarkimit në Sarandë për t’u ardhur në ndihmë të drejtpërdrejtë në operacionet në Durrës dhe në rrugën Tiranë- Shkodër.
Më vonë, pasi ai e kuptoi që largimi ynë ishte tashmë i përcaktuar, ai filloi të shpërndante trupat e tij, një vendim për të cilin ne ishim këshilluar ta përkrahnim, duke mos qenë në gjendje t’i mbante ata në mënyrë të pavarur dhe njëkohësisht duke refuzuar të kërkonte mbështetje nga kolaboracionistët e mbetur.
Më 12 tetor, Kupi zmbrapsi një sulm të forcave gjermane kundër bazës sonë në Velesh (Veljes) dhe pak ditë më pas së bashku marshuam drejt ultësirës bregdetare pranë grykës së lumit Mat në pritje të evakuimit. Ndërkohë mbërritën lajmet për një sulm të forcave nacionalçlirimtare kundër forcave të Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut, për arrestimin e Seitit dhe majorit Simcox dhe vrasjen e Fundos.
Lëvizja nacionaliste tashmë kishte pushuar së qeni si një ekzistencë e organizuar. Kupi vazhdoi me shpërndarjen e forcave të tij dhe, kur ky proces kishte arritur një pikë të caktuar, ai na kërkoi të organizonim largimin e tij. Autorizimi që duhej për këtë nuk po mbërrinte, prandaj e këshilluam të siguronte një varkë dhe të largohej vetë, diçka që ai e zgjidhi vetë me sukses.
Më 28 tetor, i gjithë misioni u largua me sukses përmes detit.
Pjesa e dytë e memorandumit të 3 oficerëve britanikë, Billi Meklein, Julian Amery dhe David Smajli, përmban të dhëna interesante për luftën në Shqipëri, kryesisht në veri të vendit. Ata përshkruajnë operacionet ushtarake të kryera nga forcat nacionaliste të Abaz Kupit pas qershorit të vitit 1944. Ky raport flet edhe për arsyet se pse forcat zogiste nuk u mbështetën me armë dhe municione nga britanikët. Hyrja me vonesë në operacione, por edhe frika për një luftë civile në shkallë të gjerë irritoi ata duke mos dhënë ndihma për nacionalistët e Kupit.
Detajet flasin për luftë civile mes partizanëve dhe zogistëve në të paktën disa raste. Para largimit nga Shqipëria, duket që Abaz Kupi e ka marrë me sportivitet humbjen, duke thënë se në Shqipëri pushteti është mbajtur nga gegët për 1 mijë vjet. Një e dhënë interesante e oficerëve është edhe për forcat mercenare që luftuan në Shqipëri gjatë luftës të sjella nga gjermanët. Mund të duket e pabesueshme, por çdo komb përtej Kaukazeve ka pasur luftëtarë në Shqipëri, të tillë si turkmenë, kazakë, armenë, uzbekë, taxhikë, kirkizë.
Qindra forca të rekrutuara nga gjermanët pas luftës në Rusi si një premtim për t’u dhënë lirinë vendeve të tyre nga Rusia komuniste. Mbetet e paqartë se cili ka qenë fati i këtyre qindra forcave pas lufte, të cilat një pjesë dezertuan dhe u bashkuan me partizanët shqiptarë. Britanikët nuk japin të dhëna për fatin e tyre dhe nëse ata patën fatin të kthehen sërish në vendin e tyre. Vlen të theksohet se në disa beteja të rëndësishme këto forca kanë luftuar në krah të partizanëve shqiptarë duke pasur edhe humbje jete.
Raporti i plotë
Lufta civile në Shqipëri tashmë ka përfunduar dhe çdo gjë tani ishte në dyshim nëse FNÇ do të pengohej për të mos ardhur në pushtet. Forcat politike dhe ushtarake të nacionalizmit të vjetër janë përmbysur dhe udhëheqësit e tyre janë ose në mërgim, robër të FNÇ-së, ose në arrati. Legjenda e njerëzve të tillë si Kupi do të jetojnë në male dhe njerëz të rinj mund të shfaqen madje edhe nga brenda radhëve të Frontit Nacionalç- lirimtar për të shfrytëzuar pakënaqësinë.
Zemërimi ndaj regjimit të ri mund të rritej në mesin e gegëve dhe ndoshta mund të ketë shpërthim të revoltave, por e tërë historia e Shqipërisë tregon se për sa kohë qeveria mbështetet vetëm në ndihmën e huaj, dhe Fronti NÇ duket se ka shumë miq në Beograd edhe pse ndoshta jo më në mënyrë të hapur, një lëvizje opozitare nuk mund të rritet nëse nuk mbështetet nga jashtë.
Fakti thelbësor është se një revolucion po ndodh dhe Shqipëria ka siguruar një kastë të re udhëheqësish dhe një orientim të ri të politikës së jashtme. Mendja ka një prirje të natyrshme për të diktuar një motiv të caktuar lidhur me ngjarjet dhe nuk është e lehtë të vendosësh në një linjë të përbashkët të gjitha këndvështrimet e oficerëve britanikë, të cilët në mënyrë të pashmangshme e lidhin problemin shqiptar me luftën kundër Gjermanisë, dhe pikëpamjet e shqiptarëve, që natyrshëm dhe në mënyrë të njëllojtë, i lidhin të gjitha zhvillimet e luftës kundër Gjermanisë me revolucionin që po zhvillohet në vendin e tyre.
Duke shprehur pikëpamjet tona deri në njëfarë mase, kjo ndoshta u ka dhënë mundësinë shqiptarëve të flasin për veten dhe të arrijmë një përfundim me tre thënie të nxjerra nga bisedat personale me udhëheqësit nacionalistë:
- “Duhet ta dini që janë vetëm tre parti politike në Shqipëri; agjentët e Gjermanisë, agjentët e Anglisë dhe agjentët e Rusisë. Por ajo që asnjëri nga ne nuk e kupton është përse agjentët e Rusisë paguhen nga anglezët”. Ramadan Kaloshi nga Dibra.
- “Duhet të mbani mend Zoti Kolonel se ne shqiptarët jemi gjithçka është e ligë; ne jemi të varfër, ne jemi të paditur, ne jemi të vegjël”. Islam Elezi nga Dibra.
- “Ndoshta është thjesht e drejtë që ata (Fronti Nacionalçlirimtar) të marrin pushtetin. Ne Gegët i kemi shfrytëzuar Toskët për 1000 vjet; tani është radha e tyre të na shfrytëzojnë”. Abaz Kupi.
Shtesa A: Detajet e bashkëpunimit me lëvizjen zogiste
I. Operacionet
Përvoja me FNÇ-në në vitin 1943 na çoi në konkluzionin që komunikatat shqiptare shpeshherë janë tërësisht të pabaza dhe në të vërtetë është i dyshimtë fakti nëse u duhet kushtuar rëndësi raporteve të operacioneve të kryera nga shqiptarët për sa kohë që nuk gjenden dëshmitarë okularë për këtë. Si rrjedhojë, ishte politikë e këtij misioni të bënte të gjitha përpjekjet për të siguruar që BLO-të dhe BNCO-të kanë qenë të pranishëm sa herë që e lypte nevoja gjatë operacioneve.
Vinin gjithashtu raporte për aksione të kryera nga forcat zogiste si në rastin e Musa Picarit, Nik Sokolit e të tjerëve, gjatë të cilave nuk kishte pasur vëzhgues britanikë. Këto njoftime mund të kenë qenë të sakta, por meqenëse ato nuk mund të verifikoheshin, atëherë ato nuk përfshiheshin në listën e operacioneve të dhëna si më poshtë, në secilën prej të cilave kishin qenë dëshmitarë okularë BLO-të dhe BNCO-të.
- 23 qershor. Shkatërrimi i Urës në Gjoles përgjatë rrugës Shkodër-Tiranë nga çeta zogiste. Kjo urë ishte ura e tretë më e madhe në Shqipëri dhe ndodhej në një zonë që mbrohej nga gjermanët. Kjo ndodhi më shumë se një muaj përpara se gjermanët të ngrinin një urë të përkohshme që ruhej nga 60 ushtarë dhe në këtë periudhë, rruga kryesore Shkodër-Tiranë-Durrës ishte mbyllur dhe transporti gjerman (afro 200-300 automjete në natë) ishte detyruar në mënyrë të konsiderueshme të merrte një rrugë të tërthortë. Majori Smiley dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
- 6 shtator. Çeta zogiste sulmoi dhe mori nën kontroll një pozicion gjerman duke vrarë 10 gjermanë, përfshirë kapitenin e tyre dhe duke sekuestruar material luftarak, si dhe duke kapur rob 12 të burgosur italianë. Urës prej druri iu vu zjarri. Ky pozicion identifikohej si shtabi 3 Bty i Regjimentit të Artilerisë 297. Kolonel-Lejtënant McLean, majori Smiley and kapiteni Amery ishin të pranishëm.
- 9/10 shtator (mbrëmje). Një çetë e përzier zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë që udhëtonte në rrugën Shkodër për të mbërritur pranë Prezës. Rezultati: 1 kamion me municione u hodh në erë, 2 kamionë u dogjën, afro 15 kamionë u plaçkitën dhe u dëmtuan, 8 motoçikleta u shkatërruan, 35 ushtarë gjermanë u vranë, 2 mitraloza të lehtë, 30 pushkë dhe materiale të tjera ushtarake. Lejtënanti Merrett, rreshteri Jones and Corsentino ishin të pranishëm.
- 10/11 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste dhe rreshteri Jenkins minuan rrugën kryesore të Shkodrës. 3 kamionë u hodhën në erë.
- 11/12 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste me majorin Smiley dhe rreshterin Jenkins hodhën në erë urën prej betoni në rrugën kryesore të Shkodrës në G.2558 duke bllokuar rrugën për tri net me radhë.
- 12/13 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste sulmoi autokolonën gjermane në Kulakumit G.21 një autokolonë plot me 9 automjete e shkatërruar plotësisht nga zjarri dhe të gjithë ushtarët gjermanë u vranë apo u shpërndanë, përfshirë dy oficerë feltegendarmerie. U sekuestruan mitraloza të lehtë, pushkë dhe material tjetër ushtarak. Një çantë e divizionit 181 të Trupave Alpine 21 gjendej mes dokumenteve të sekuestruara. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
- 14/15 shtator (mbrëmje). Pritë e çetës zogiste në rrugën Tiranë-Durrës, dy milje në veri të Tiranës. Vendosen mina. 1 kamion që transportonte ushtarë gjermanë u shkatërrua plotë- sisht, 1 kamion u dëmtua dhe 3 ushtarë gjermanë u vranë. Aksioni u prish ndërsa FNÇ-ja nisi të sulmonte çetën zogiste pas shpine. Majori Smiley ishte i pranishëm.
- 15 shtator (mbrëmje). Forca zogiste dhe të Turkestanit sulmuan dhe sprapsën një autoblindë gjermane që udhëtonte drejt Shkodrës. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
- 20 shtator. Një çetë e përbashkët zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë dhe në të njëjtën kohë hodhi në erë urën që gjendet në rrugën që të çon në Shkodër pranë Laçit. 1 kamion u shkatërrua. Rreshteri Jenkins ishte i pranishëm.
- 21 shtator. E njëjta çetë sulmoi një kolonë gjermane në rrugën e Shkodrës, duke e detyruar atë të tërhiqej. Rreshteri Jenkins dhe rreshteri Schoemaker ishin të pranishëm.
- 24 shtator. Ura te Hani i Teqes në rrugën kryesore të Shkodrës u hodh në erë dhe kolona gjermane u sulmua e u detyrua të tërhiqej nga çeta zogiste. Majori Smiley ishte i pranishëm.
- 12 tetor. Zogistët sprapsën sulmin gjerman kundër shtabit të misionit britanik në Velsh. 3 viktima në radhët e gjermanëve e ndoshta më tepër. Kolonel-lejtënant McLean dhkapiteni Amery ishin të pranishëm. Përveç këtyre aksioneve, më shumë se 200 shpues gomash u vendosën nga zogistët, BLO-të dhe BNCO-të dhe rezultuan të suksesshme. Duhet theksuar se të gjitha këto operacione u kryen nga forca të vogla, në një kohë kur ofensiva e FNC-së kundër zogistëve ishte në kulmin e saj, dhe kur letra që morëm nuk inkurajonte në asnjë aspekt ndihmën me furnizime dhe propagandë nga britanikët. Rezultat e siguruara, si rrjedhojë, mund të konsiderohen vetëm si një shprehje e pjesshme e potencialeve ushtarake të forcave të Abaz Kupit.
Ata të misionit, që e kishin përjetuar shërbimin nga të dyja krahët, ishin të mendimit se megjithëse si njësi ushtarake, partizanët e FNC-së, padyshim që ishin superiorë në raport me organizimin, disiplinën dhe pajisjet e tyre, malësorët gegë, të cilët formonin trungun kryesor të forcave të Kupit, ishin luftëtarë më të mirë nga pikëpamja individuale.
Ndoshta është gjithashtu me vlerë të kujtojmë se kolonel-lejtnant McLean, majori Smiley dhe rreshterët Jenkins and Jones, të cilët kishin patur gjithashtu përvojë me FNC-në të gjithë, binin dakord se secili prej tyre pa më shumë kamionë gjermanë të shkatërruar dhe gjermanë të vrarë brenda tri javësh (6-24 shtator), kohë gjatë së cilës qëndruan më shumë me Kupin sesa me pjesën tjetër të 14 muajve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.
II. Inteligjenca Ushtarake
(a). Misionet Ushtarake të Zbulimit. Personeli i misionit kreu tërheqjen e detajuar nga e gjithë zona e Durrësit, Shijakut, Vorës, Tiranës deri te San Giovani De Medua, përfshirë mbrojtjen bregdetare, depot e municionit, urat, instalimet dhe postëkomandat gjermane dhe gjithashtu aerodromin dhe qytetin e Tiranës. Kjo u bë e mundur nga bashkëpunimi i plotë i Kupit, veçanërisht për sa u përket eskortave, guidave etj.
(b). Agjentët. Kupi ishte gjithmonë i gatshëm t’i vinte oficerët dhe agjentët e tij në dispozicionin tonë për të siguruar informacion specifik dhe në përgjithësi vihej në vështirësi ta kalonte në duart tona një informacion të tillë ushtarak, ndërsa e siguronte përmes kanaleve të tij. Pjesa më e madhe e këtij informacioni sigurohej nga Franz Linder, një NCO në Byronë Operacionale Gekados të trupave alpine 21 të shkatërruara nga zogistët që përfshinin detaje të urdhrit luftarak gjerman dhe urdhrit operacional për tërheqjen e trupave alpine 21 dhe 22, që besohet se ishin e vetmja njësi operacionale gjermane e sigurt përpara ekzekutimit.
(c). Dokumentet. Kupi bëri përpjekje të mundimshme që të sigurohej se librat e pagesave, dokumentet e sekuestruara dhe traktet propagandistike të binin në duart tona. Veçanërisht, një çantë e divizionit 181 të shtabit të trupave malore 21, që përmbante informacione të rëndësishme, përfshirë vlerësime lidhur me situatën ushtarake dhe politike në zonën ku operonte divizioni 181.
(d). Inteligjenca Politike. Kupi na mbajti të informuar për zhvillimet politike dhe shpeshherë bëri verifikime specifike me kërkesën tonë. Ai tentoi të dekurajonte shqiptarët e tjerë të viheshin në kontakt me ne, por asnjëherë nuk u përpoq të na pengonte të vendosnim çdolloj kontakti politik që dëshironim. Zyrtarët shqiptarë mbajtën një qëndrim të paarsyeshëm dhe irritues. Sidoqoftë, pavarësisht nga vështirësitë apo burokracitë e imponuara, italianët mbetën bashkëpunues dhe të mirëdisiplinuar. Në shumë raste ata ndihmuan Shqipërinë në ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve dhe si rrjedhojë, shmangën vonesat në transportin e mallrave.
III. Subversionet
Kupi na siguroi të gjitha mundësitë për të kontaktuar personelin e armikut, si trupat turkistane dhe italiane që ne donim t’i shkatërronim dhe me të vërtetë na ndihmoi dhe i rigrupoi ata pasi kishin dezertuar një herë. Duhet gjithashtu të thuhet që se në shumë raste Kupi u orvat t’i shkatërronte vetë trupat turkistane, edhe pse në asnjë rast nuk pati ndonjë sukses të madh.
IV. Shpëtimi i pilotëve
Tetë amerikanë dhe një pilot i forcës ajrore britanike u shpë- tuan nga forcat zogiste. Kapiteni Tailor (TAYLOR i marinës amerikane, dhe togeri Bullok (BULLOCK) u ndihmuan gjithashtu nga zogistët kur ata ishin bllokuar në Kepin e Rodonit. Këtu duhet të theksohet gjithashtu, se për të 11 pilotët amerikanë të parashutuar në Mirditë, ishte raportuar se u ishin dorë- zuar gjermanëve nga Gjon Markagjoni.
Ndihma kryesore
(a). Shtabi dhe personeli i misionit prej afro 200 personash ishin nën mbrojtjen e forcave zogiste prej 17 prillit deri më 27 tetor. Strehimi, ushqimi, rojat, udhërrëfyesit, përkthyesit ishin siguruar nga Abaz Kupi, së bashku me gjithë ndihmën tjetër të mundshme gjatë kësaj periudhe, si për shembull bërja a pazarit për blerjen e kafshëve të transportit (mushka), tagjisë, drithit, naftës dhe gjetjes së korrierëve për t’u lidhur me Tiranën.
(b). Të gjitha masat ishin marrë për Lejtnant Hands dhe grupin e tij, të cilët të sigurt, u shoqëruan për te partizanët në Jug të vendit, dhe për Nënkolonelin Seymour dhe një grup amerikanësh, të cilët u shoqëruan për në kufirin jugosllav në Veri të vendit duke iu dorëzuar partizanëve.
(c). Gjatë muajit të fundit, misionit i mbaruan fondet dhe hyri në borxhe dhe, kur Forca 399 nuk pranoi të dërgonte para të tjera, u duk se nuk kishte më asnjë mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Për të shmangur një njollë të keqe në reputacionin britanik për mospagim të borxheve te fshatarët shqiptarë, Kupi na dha hua një shumë të konsiderueshme për zgjidhjen e borxhit, megjithëse ai në atë kohë ishte i vetëdijshëm se për pak kohë pritej të largoheshim nga Shqipëria dhe se ai nuk do udhëtonte me ne, e për pasojë, kishte pak gjasa të merrte sërish paratë e tij.
(d). Evakuimi. Misionit iu siguruan të gjitha lehtësitë për njohjen e terrenit dhe kryerjen e evakuimit, edhe pse largimi ynë nënkuptonte një goditje vdekjeprurëse për kauzën e Abaz Kupit. Duhet gjithashtu të theksohet, se në një kohë kur nuk kishte mënyra të tjera të pranueshme për evakuimin tonë, Kupi bëri përpjekje për gjetjen e një varke për ne.
Shtocja “B”: Trupat turkestane
Në kohën e mbërritjes së misionit, në Shqipëri ishte një numër i madh trupash turkestane, kaukaziane dhe forca të tjera jo gjermane. Ishte gjithmonë pjesë integrale e planit tonë të shkatërronim një pjesë të këtyre trupave, në mënyrë që të krijonim një forcë goditëse nën komandën direkte të misionit që do të na jepte mundësinë, që në përputhje me parimet e vendosura nga gjenerali Uingate, të ushtronim një ndikim të madh mbi natyrën e këtyre lloj operacionesh, për të cilët mund të përfshinim udhëheqësit nacionalistë.
Me këtë qëllim në mendje, ne tentuam të vendosnim kontakte me trupat gjermane, por me përjashtim të një takimi me Cpl., ndryshe Kolonel Brandt, që u rregullua nga Ë/Cdr. Neel në qershor, dhe për rezultatet e të cilit i kemi trajtuar më parë, vetëm në muajin gusht arritëm disa suksese në këtë drejtim. Në gusht arritëm të vendosim kontakte me njësitë turkestane në zonën e Kepit të Rodonit dhe Durrësit përmes dy hoxhallarëve që flisnin turqisht.
Më 5 shtator, njëri prej hoxhallarëve raportoi se ia kishte dalë të organizonte një dezertim të shkallës së lartë nga njëri prej këtyre reparteve. Por raporti rezultoi të ishte shumë i ekzagjeruar si pjesa më e madhe e raporteve shqiptare. Megjithatë, hoxhallarët ia kishin dalë të na siguronin mjaft turkestanë për t’i përdorur si agjentë, që i bindëm të riktheheshin në bazat e tyre dhe përmes letrave apo kontakteve personale, të bindnin edhe pjesën tjetër.
Si rezultat i këtyre përpjekjeve, dy kompani të trupave turkistane vranë komandantët e tyre gjermanë dhe dezertuan. Të paktën 80 prej tyre u rigrupuan nën komandën tonë, ndërsa pjesa tjetër u zhduk ose ndoshta përfundimisht, iu bashkua forcave partizane. Bëhet fjalë për repartin Turkestan Bn të regjimentit 359 që përbëhej nga 4 kompani trupash kazake dhe një kompani taxhike. + Kini parasysh që të mos ngatërroni Kazakët me Kozakët. Është gjithashtu e vlefshme të theksohet se rusët u referoheshin turkestanëve si “aziatikë” dhe jo turkistanë. (Në çdo kompani që dezertuan kishte gjithashtu edhe disa trupa të pakta uzbeke dhe kirgize).
Ata ishin zënë robër nga gjermanët në frontin rus, kryesisht pas operacioneve përreth Kharkovit në maj të vitit 1942, dhe pas një kohe trajtimi të ashpër në një kamp të robërve të luftës, ata, në shtator të vitit 1943 ishin bindur që në mënyrë vullnetare t’u bashkoheshin radhëve të ushtrisë gjermane, kryesisht pas premtimeve për ushqim dhe paga më të mira. Ata ishin vendosur dhe stërvitur në Ukrainë dhe u bënë pjesë e regjimentit 176.
Më vonë këta trupa u zhvendosën përmes Gjermanisë dhe Italisë për në Ballkan dhe u transferuan nga regjimenti 176 në regjimentin 359. Të gjithë oficerët dhe shumica e NCO-s ishin gjermanë. Këta trupa mbanin pajisje dhe pushkë gjermane, por automatikë dhe mitrolozë të lehtë të prodhimit rus. Ata që u rigrupuan nga ne ishin kryesisht taxhikë, disa kazakë dhe pak uzbekë.
Ata flisnin persisht, turqisht dhe në shumicën e rasteve në rusisht. I organizuam në pesë grupe me katër rusë që u arratisën nga organizata TODT që shërbente si NCO. Në mënyrë që t’i angazhonim plotësisht në funksion të kauzës sonë, qëllimisht i përdorëm në sulmin e parë të ndërmarrë nga zogistët kundër pozicioneve gjermane, duke i bërë parapritë një mundësie të një dezertimi të dytë nga ana e tyre.
Më pas, ata morën pjesë në disa aksione kundër gjermanëve dhe pasi ishte marrë vendimi për të mos u dhënë furnizime, ata u përdorën për ruajtjen e shtabit të misionit, pasi nuk kishin sasi të mjaftueshme municioni për të marrë pjesë në operacione të tjera. U provua që ata ishin trima, me disiplinë të mirë, të ashpër dhe gazmorë, pavarësisht ushqimit të keq, shirave të vazhdueshëm, malaries, mungesës së veshjeve dhe çizmeve.
Titulli origjinal i datës 7 shtator 2017 te gazeta “Panorama” në internet: Zbulohet dokumenti i britanikëve/ “Përplasja mes nacionalistëve të Veriut dhe komunistëve të Enverit”
Titulli origjinal i datës 12 shtator 2017 te gazeta “Panorama” në internet: EKSKLUZIVE/ Raporti i britanikëve, Abaz Kupi: Gegët i shfrytëzuan toskët 1000 vjet, tani është radha e tyre
The post Britanikët: Përplasja mes nacionalistëve të Veriut dhe komunistëve të Enverit appeared first on Observatori i Kujtesës.
This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/britaniket-perplasja-mes-nacionalisteve-te-veriut-dhe-komunisteve-te-enverit/