Bedri Blloshmi: Kurora e përgjakur e Dhimitër Shuteriqit. Si firmosi gjyshi i Ben Blushit, për pushkatimin e 4 personave

Nga Bedri Blloshmi | Gazeta Tema, 28 janar 2019

Lexova këdo ditë në media mirënjohjen e shkrimtarit Zija Çela për Dhimitër Shuteriqin dhe m’u kujtua revolta e vitit 1973 në burgun e Spaçit ku do dënoheshin me pushkatim 4 djem të rinj: Dervish Bejko, Pal Zefi, Hajri Pashaj dhe Skënder Daja. Mes personave që kanë nënshkruar për pushkatimin e tyre si Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslim Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi, Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu është edhe firma e shkrimtarit të Realizmit Socialist, Dhimitër Shuteriqi. Natyrisht se Dhimitër Shuteriqi nuk është përgjegjësi kryesor për ekzekutimin e katër martirëve të revoltës së Spaçit, por nuk e nderon aspak që emri i tij gjendet me tiranët e sistemit diktatorial. Ky dokument gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH), fondi 489, Viti 1973. Lexojeni të plotë dokumentin:

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPЁRISЁ

GJYKATA E LARTЁ

Nr. 272_

Tiranë, më 24.5.1973

PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR

T I R A N Ë

Bashkëngjitur për kompetencë ju dërgojmë një kopje vendimi të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë (të shkallës së pare) me Nr.1 datë 24.5.1973, me të cilin janë deklaruarë fajtorë për krime kundra shtetit, të gjykuarit Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj, dhe në bazë të neneve 72, 73, 76 dhe 67 të Kodit Penal të R.P.Sh. janë dënuar me vdekje pushkatim, relacionin përkatës sidhe lutjet për faljen e jetës drejtuar Atij Presidiumi.

KRYETARI: Aranit Çela

P R O C E S V E R B A L

Mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datën 24 maj 1973, ora 13,30.

Marrin pjesë në mbledhje shokët: Haxhi Lleshi (Kryetar) Rita Marko, Myslim Peza dhe ShefqetPeçi (Nënkryetarë), Bilbil Klosi (Sekretar), Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu (anëtarë).

Kryetari Haxhi Lleshi: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirur Kryetarin e Gjykatës së Lartë shokun Aranit Çela për të na referuar.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela: Në Kampin 309 Spaç, ditët e fundit u bë një revolt nga të burgosurit që përfshiu rreth 500 – 600 veta. Në fillim u dukën, u shfaqën kërkesat prej tyre si gjysëm politike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin që të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre, etj. Mbasi plasi revolta kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike kundër pushtetit popullor.

Tani, të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politik, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit, kundër pushtetit popullor.

Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtojnë shokun, që ishte një i dënuar që kish shkelur rregulloren e brendshme, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit dhe që këta, të burgosurit e tjerë nuk e dorëzonin. Revolta pra nga disa kërkesa doli hapur në një revoltë politike, sigurisht të nxitur nga disa elementa kryesor që ishin në këtë kamp. Kërkesat pra në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parulla, një i dënuar HajriPashaj hedh parullat: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zejmë vendin t’uaj”, etj.

Revolta zgjati tre ditë, më datën 21, 22, 23 maj. Mbas përpjekjeve u desh që të dërgoheshin forca, u rrethua kampi. Ato sipas tyre kishin krijuar një zonë të çliruar ku vunë ligjet e tyre, rregullat e tyre. Pra u rrethua kampi nga forcat tona, u bë një demostrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund ju dha ultimatumi: në se nuk dorëzohen, do të përdoren armët. Mbas kësaj nga ata u krijua një farë përçarje, sigurisht që një pjesë e mirë u tërhoqën nga frika dhe nga gjendja që u krijua.

Pra në mëngjezin e ditës së fundit, në orën e caktuar u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave kështu që u krijua një përleshje me ta, një përleshje e vogël dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prumë në Tiranë dhe mbas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët 4 i dënoi me vdekje. Mbajtën një qëndrim konseguent armiqësor, të gjithë janë element që kanë qenë dënuar për krime kundër shtetit, tradhti kundër atdheut, janë nga familje reaksionarësh, familje denbabadenë armiq tonë. Pra, nga 12 që u zhvillua gjyqi, 4 u dënuan me vdekje.

Kryetari Haxhi Lleshi: Po ata atje filluan punën?

Aranit Çela: Sot atyre ju është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe ju është thënë që në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do të kenë përgjegjësi, do të kenë konseguenca. Siç duket situata u qetësua, turni i parë doli në punë. Tani zhvillimi i gjyqit u bë me 12 që janë nga kryesorët por që nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan 4 me vdekje, ndërsa të tjerët, dmth 8 të tjerët me 25 vjet burgim. Ishte shumë vështirë të ndaheshin, të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që këta të katër të dënoheshin me vdekje dhe që janë: Skënder Daja, PalZefi, Dervish Bejko dhe HajriPashaj.

Kryetari Haxhi Lleshi: Tani spjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni, të mbeten këta të katër me pushkatim.

Aranit Çela: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve, jo përpara kampit.

Kryetari: Për këtë vendosni, gjykoni ju, ku t’ju vijë mirë.

Rita Marko: Edhe unë jam dakord që këta të katër të dënohen me vdekje (pushkatim).

Vendoset që:

Skënder Daja, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Pal Zefi, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Dervish Bejko, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Hajri Pashaj, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Mbledhja mbyllet.

Tiranë, më 24.5.1973

SEKRETARI I PRESIDIUMIT: Bilbil Klosi


* Replikë me shkrimin e Zija Çelës të botuar te TemA: “Zija Çela: Kurora e artë mbi varrin e Shuteriqit, është mirënjohja ime e thellë (dhe disa foto të panjohura)

The post Bedri Blloshmi: Kurora e përgjakur e Dhimitër Shuteriqit. Si firmosi gjyshi i Ben Blushit, për pushkatimin e 4 personave appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/bedri-blloshmi-kurora-e-pergjakur-e-dhimiter-shuteriqit-si-firmosi-gjyshi-i-ben-blushit-per-pushkatimin-e-4-personave/