Bardhok Biba mes Sigurimit dhe “heroit”

Nga Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë

vijon nga Pjesa IPjesa IIPjesa III, Pjesa IV dhe Pjesa V


Në të gjithë dosjen hetimore për 14 viktimat e masakrës së Qafë-Valmirit, Bardhok Biba përmendet si deputet i parlamentit të 1949-ës dhe sekretar politik i komitetit të PP të Mirditës. Vrasja e tij dhe hakmarrja që e pasoi, e ndryshoi Mirditën përgjithnjë, ndonëse 73 vite më vonë, teoria e vrasjes si pretekst për terrorin shkon ende paralel me mërinë që kishte ngjallur Partia Komuniste në Mirditë.

Bardhok Biba

Bardhok Biba

Po aq, në aktakuzë ai cilësohet si “një përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, organ e kuadro i çmuar i Partisë së Punës, që udhëheq popullin drejt socializmit … një militant i vendosur në kauzën e popullit”, çka rreket të tregojë rëndësinë që kishte pozicioni i tij politik për Partinë dhe domethënien e vrasjes. Përtej viteve si komunist, Bardhok Biba, si shumë prej viktimave që u vranë ne emër të hakmarrjes së tij, kishin të njëjtën pikënisje – lidhjen me bajraktarin. Biba, i cili qe bashkuar me partizanët dhe më pas kishte qenë në Shkodër dhe me pozicion politik si përfaqësues i komunistëve në Mirditë, edhe si pjesë e strukturës së Sigurimit, kishte dalë nga habitati i tij familjar dhe ishte vënë përballë pothuajse gjithë të afërmve të vet, që ishin o kundërshtarë të regjimit për bindje politike, o për shkak të terrorit që po shihej të merrte jetë. Vetë ai, siç del nga dosja personale si anëtar i Partisë, nuk del t’i ketë përjetuar keq politikat që ndërmerreshin. I shkëputur nga të afërmit me të cilët kishte bindje të kundërta, ai shpesh do të vihej në ndjekje të tyre, qoftë edhe për shkak të pozicionit që mbante.

Profili i mëposhtëm, hedh dritë mbi figurën e Bardhok Bibës, përmes dokumenteve që shënojnë gjurmët e tij në parti, në Sigurim dhe deri në shpalljen hero.

Pseudonimi i Bardhok Bibës nga dosja si anëtar partie

Pseudonimi i Bardhok Bibës nga dosja si anëtar partie

Gazeta “Bashkimi” e 9 gushtit 1949, në faqen e saj të parë, bashkë me fotografinë e tij jep edhe një biografi të Bardhok Bibës, ku mes të tjerash përmenden aktiviteti i tij për luftën, “dashurinë për popullin dhe për partinë”, anëtarësia dhe më tej detyra si përgjegjës i seksionit të Sigurimit të Mirditës, sekretar i komitetit ekzekutiv të nënprefekturës dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Mirditës.

Përmendet edhe se në Kongresin e Parë të Partisë u zgjodh sekretar politik (sekretar i parë) i Komitetit të Partisë së rrethit Rrëshen.

Artikulli i gazetës

Artikulli i gazetës “Bashkimi” për Bardhok Bibën

Përshkrimi për të është vlerësues: “Shoku Bardhok Biba,” shkruan gazeta “Bashkimi”, “ka qenë element punëtor, i ndërgjegjshëm, i dashur me popullin dhe me shokët.” Në vijim artikulli për të ngritur sa më lart figurën e tij dhe të vetë Partisë e kthen këtë në religjion, kur thotë:

“Ky gëzonte një simpathi të madhe nga populli i malësive të Mirditës pse ky ashtu si shumë komunistë të tjerë i treguan popullit të shtypur të kësaj krahine, rrugët e tradhtisë që ndiqnin bajraktarët dhe qeverija kuislinge, dhe udhëhoqnë në luftën për ndërtimin e për forcimin e pushtetit popullor, dhe për jetën e re që predikon Partija.”

Në varrimin e tij morën pjesë Mehmet Shehu dhe gjeneral major Gjin Marku. Gazeta vëren se ceremonia u bë nga shteti dhe familjes iu lidh pension për tërë jetën.

Varrimi i Bardhok Bibës

Varrimi i Bardhok Bibës

Në dosjen e tij personale si anëtar partie, në fletën e anketës ai ka pseudonimin “mirditasi”. Në një opinion të komisionit pranë qarkorit, për të thuhet:

“Shoku asht i qartë dhe i pjekun ndër vendime. Ky nuk asht prekë me uljen nga përgjegjësia si kuadrovik në përgjegjës seksioni i Sigurimit, pse e ka kuptue nevojën e punës së Partisë. Gjithashtu nuk ka dhanë sheja pakënaqësije edhe në lidhje me largimin e tij nga seksioni i (Sigurimit) për në detyrën si Sekretar i komitetit Ekz.N./Prefekturës.”

Një tjetër dokument i dosjes së tij personale si anëtar partie pohon se ai “ka marrë pjesë në kursin e Drejtorisë së Sigurimit”, kurs gjatë të cilit, sipas letrës, ai ka përfituar mirë, ka qenë aktiv në diskutime, me mendime të qarta, ka pasur zell e interes. Sipas përshkrimit, ai “jep shpresa të shkojë përpara”.

Bardhok Biba në kursin e Sigurimit

Bardhok Biba në kursin e Sigurimit

Por ndërsa rrugëtimi brenda partisë shkonte me ngritje, pikënisja e tij ishte familja, e cila rrjedh nga bajraktarët e Gjon Marka Gjonit. Dosja e anëtarit të Partisë vëren se ai ka pasur mosmarrëveshje me familjen. Dosja vë në dukje se në vitin 1943

“… megjithëse nga familje feudale bajraktarësh, meqë ka qenun larg nga familja asht fare i shkëputun dhe nuk ka fare marrëdhënie, përkundrazi me t’afërmit e arratisun. Ka strehue shumë partizanë dhe ka pengue mobilizimin e merçenarvet nga Gjon Marka Gjoni.”

Familja e Bardhok Bibës

Familja e Bardhok Bibës

Herë-herë kur flitet për karakterin e tij thuhet se “me popullin sillet mirë, por ka frymë bajraktari”. Më tej, vihet re se “nga farefisi ka mjaft të dalun në mal, por ky nuk flet me ta, por edhe i ndjekë ata”.

Bardhok Biba shpallet hero

Bardhok Biba shpallet hero

Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha pas vdekjes titullin “Hero i Popullit” me motivacionin “për kontributin e madh që ka dhënë si pjesë e skuadrës kryesore të organizatës së partisë të rrethit të Mirditës, duke luftuar e punuar me devotshmëri të lartë, me trimëri e aftësi si revolucionar, kundër vështirësive të prapambetjes së bandave të armiqve të popullit deri në fund të jetës së tij”. Vendimi i datës 22.11.1969 mban firmën e Bilbil Klosit si sekretar dhe Haxhi Lleshit si kryetar.

Bardhok Biba

Bardhok Biba


* Ky artikull është pjesë e një serie të shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadrin e përkujtimit të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit. Te Observatori i Kujtesës gjeni edhe ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.

The post Bardhok Biba mes Sigurimit dhe “heroit” appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/bardhok-biba-mes-sigurimit-dhe-heroit/