“Aleks Buda, s’shkruan se është pak dembel, Stefanaq Pollo, priret pas interesit personal, ka një kushëri të pushkatuar…”/ Dokumentet e kuadrit e vitit 1960, për 4 akademikët e njohur

Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së) të cilat i përkasin vitit 1960 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze ku ndodhen karakteristikat e disa prej intelektualëve, profesorëve dhe akademikëve më të njohur të Shqipërisë së asaj kohe, si: Aleks Buda, Stefanaq Pollo. Kol Popa dhe Luan Omari, të cilët vite më vonë u përzgjodhën dhe drejtuan për vite me radhë, Akademinë e Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë, apo dhe institucione të tjera arsimore. Në dokumentet në fjalë, të cilat mbajnë firmën e Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Zija Këlliçi dhe sekretarit të Komitetit të Partisë, së atij universiteti, Deko Rusi, për të katër profesorët dhe akademikët e njohur, përveç anëve biografike familjare, ka edhe mjaft absurditete, 

50 vite më parë, më 10 tetor të 1972-it u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në krye të saj si kryetar u emërua Prof. Aleks Buda, ndërsa nënkryetar, Prof. Kol Popa dhe sekretar i përgjithshëm i saj, u emërua Prof. Luan Omari. Të tre profesorët e nderuar që ishin diplomuar në universitete të ndryshme jashtë Shqipërisë, asokohe por dhe më pas, janë konsideruar kapacitete intelektuale dhe emra nga më të spikaturit në fushat përkatëse, duke dhënë kontribute të mëdha, kudo ku kishin shërbyer, në bazë të ligjeve, mundësive dhe kornizave të asaj kohe.

Emërimi i tyre në krye të Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë, ishte nomenklaturë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, apo më saktë vetë Enver Hoxhës dhe nisur nga ky fakt, ata do të kalonin paraprakisht në një “filtër” të hollë, duke “shoshitur” gjithçka nga jeta e tyre. Një nga dokumentet kryesorë që futej në “dosjen e kuadrit” dhe merrej për bazë për karrierën e tyre, ishte dhe dokumenti me karakteristikën personale, ku përshkruhej shkurt dhe me detaje, si ana biografike, ashtu dhe ajo shoqërore, sjelljet në punë, përgatitja profesionale, etj.

Dhe nisur nga ky rregull edhe tre krerëve më të lartë drejtues të Akademisë së Shkencave, profesorëve të nderuar: Aleks Buda, Kol Popa dhe Luan Omari, u është bashkangjitur në dosjet përkatëse të kuadrit, karakteristika e tyre, të cilat mbajnë firmën e rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës së asaj kohe, Zija Këlliçi si dhe sekretarit të Komitetit të Partisë së Universitetit, Deko Rusi. Karakteristikat e tyre janë përpiluar në vitin 1960, kur Tirana zyrtare ende nuk kishte prishur marrëdhëniet zyrtare me Bashkimin Sovjetik dhe sipas rregullit, ajo (Karakteristika) e ndiqte kuadrin përkatës në çdo punë apo funksion të ri ku ai emërohej.

Në të treja këto karakteristika ku shihet qartë se pjesa më e madhe e tyre, ka absurditete të tillë, si p.sh. për prof. Luan Omarin, ku thuhet se: “Pushkatimi i babait, e demoralizoi…”, apo për prof. Aleks Budën: “Është dembel, nuk mban premtimet dhe nuk ulet te shkruaj…”, ndërsa për prof. Popën: “Bën përpjekje të fusë marksizëm-leninizmin, në fushën e Kimisë”.

Aleks Buda, pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe aristokrate të Elbasanit, biri i një farmacisti (Taq Buda), që ishte diplomuar në shkollat e Evropës, që në vitet e para të shekullit të kaluar dhe financues i Shkollës “Normale” së Elbasanit, falë edhe një pasurie të madhe, që ata kishin edhe vetë ai nga 1920-ta deri në 1938-ën, për 18 vjet me radhë, studioi dhe u diplomua në kolegjet e universitetet më të njohura të Austrisë, duke qenë kështu ndër të rrallët bashkëkombës të tij, që kishte pasur këtë mundësi shkollimi.

Po kështu, gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, duke “tradhtuar” hapur shtresën shoqërore së cilës i përkiste, ai fillimisht punoi e luftoi si ilegal në Tiranë dhe Elbasan, gjë e cila bëri që të zgjidhej deri në funksionin e lartë, të nënkryetarit të Këshillit Nacional-Çlirimtar të Qarkut të Elbasanit dhe pranë Qeverisë Provizore të Beratit, e kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha.

Dhe pas mbarimit të Luftës, në vitet që pasuan, Aleks Buda ushtroi një sërë detyrash; që nga shef seksioni në Ministrinë e Arsimit, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, Drejtor i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë etj., për të arritur në vitin 1972 në postin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Por edhe pse kishte këto arritje, për “shokët e partisë” dhe aparatçikët e institucioneve të ndryshme, ai ishte një njeri që “nuk dinte të organizonte, që premtonte shumë dhe s’mbante premtimet, dhe gjithashtu ca dembel”.

Kështu konsiderohej profesori dhe akademiku Aleks Buda, prej atyre që kishin në dorë fatin e jetës dhe karrierës së tij, por kishte edhe më keq. Sepse dy nipat e tij, Niko dhe Pirro Dodbiba (ish-ministër Bujqësie në vitet ’70-të), provuan qelitë e burgjet dhe kampet e internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Po “të njëjtin fat” me profesor Budën, pak a shumë pati edhe kolegu e miku i tij i ngushtë, profesori i njohur Stefanaq Pollo, me origjinë nga një familje e pasur tregtare e Përmetit, biri i një emigranti dhe veprimtari atdhetar i shoqërisë “Vatra” (Themistokli Pollo), i cili në vitin 1920, iu përgjigj thirrjes “Atdheu në rrezik” të dhënë nga Qeveria e Lushnjës, për të ardhur në Shqipëri dhe për të luftuar me armë në dorë kundër atyre që nuk donin krijimin e shtetit shqiptar.

Edhe vetë Stefanaqi, pasi kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës, ndoqi rrugën e të atit, duke u angazhuar që në fillimet e Lëvizjes Antifashiste, në qytetin që njihej ndryshe dhe si “Parisi i vogël”, për të dalë më pas në mal, me armë në dorë, në formacionet partizane, ku u ngarkua me një sërë detyrash me Rininë Antifashiste dhe Shtypin e Propagandën.

Menjëherë pas mbarimit të Luftës, Stefanaqi u dërgua me studime në Moskë dhe pas diplomimit në vitin 1950, ai kthye në Shqipëri, për të ushtruar një sërë detyrash të larta në “lëmin e dijes”, si: nënkryetar i Institutit të Shkencave dhe më pas Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Por edhe pse me këtë të kaluar, përsëri “shokët e partisë” nuk ishin të kënaqur nga puna e tij. Dhe e shkarkuan nga detyra, pasi “nuk e bënte me dëshirë dhe qejf punën e dekanit, se prirej pas interesit personal”, pa harruar kryesoren, se “kishte pasur dhe një kushëri të dënuar me 20 vjet burg, si armik i pushtetit popullor”.

Dokumenti arkivor me karakteristikën e ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Dr. Prof. Aleks Buda

                                    ALEKS TAQi BUDA

Datëlindja 7.IX.1911

Vendlindja Elbasan

Vendbanimi Tiranë,

Adresa Rruga “Fortuzi”

Profesioni Historian

Origjina shoqërore Tregtar i madh

Gjendja organizative pa parti

KARAKTERISTIKE

Rrjedh nga një familje me origjinë tregtar i madh. I ati i tij, përveçse një farmaci, ka pas 20 pendë qe, tokë edhe 500 rrënjë ullinj në Elbasan, të cilat iu shtetëzuan nga reformat e pushtetit popullor. Qëndrimi politik i familjes dhe i vetë sh. Aleks, ka qenë dhe është i mirë. Në shtëpinë e tij janë strehuar shokë të Luftës. Është arrestuar nga fashistët italianë, si pjesëmarrës në demonstratë.

Që në vitin 1942, ka bërë pjesë në Këshillin Nac-Çlirimtar provizor në qytetin e Tiranës dhe në Elbasan, deri në gusht të vitit 1944, datë në të cilën del në ilegalitet dhe punon në terren. Në këtë kohë zgjidhet si N / Kryetar i Këshillit Nac-Çlirimtar i Qarkut t’ Elbasanit. Prej tetorit 1944, thirret për të punuar pranë Qeverisë Provizore në Berat.

Vëllai i tij, Sofokliu ka qenë partizan, po kështu dhe dy nipat, Pirro dhe Niko Dodëbiba, si dhe i vëllai i gruas, Viktor Stratobërdha. Nuk ka pasur dhe as nuk ka njeri nga farefisi të dënuar ose në radhët e armikut.

Prej vitit 1920 deri më 1938, ka qenë në Austri, ku ka kryer arsimin fillor, të mesëm dhe arsimin e lartë në fakultetin e Filozofisë (Histori e Letërsi).

Pas mbarimit të studimeve, emërohet si profesor pranë shkollave të mesme, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan. Mbas çlirimit, si shef seksioni pranë Ministrisë së Arsimit, në 1945-46, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, prej 1946 deri në 1957, pranë Institutit të Shkencave dhe tani në Universitet si Profesor, Kandidat i Shkencave.

Pranë Institutit të Shkencave ka qenë anëtar Presidiumi, anëtarë i Institutit dhe Drejtor i Instituti Histori Gjuhësi. Nga funksionet e drejtorit dhe anëtarit të presidiumit, është shkarkuar për mungesë organizmi në punë edhe se nuk ka realizua planet e punës shkencore.

Në vitin 1952, kryesia e Institutit i ka bërë një vërejtje me shënim në biografi, për neglizhencë të tepruar dhe in disiplinë në punë.

Sh. Aleks ka një të metë të madhe se premton shumë por nuk i mban dot premtimet, e ka vështirë të shkruaj se është dhe ca dembel. Megjithatë sh. Aleks ka cilësira të mira, është punonjës me përgatitje të mirë shkencore, punën e nxjerr me kualitet mjaft të mirë, jep mendime të çmueshme në zgjidhjen e problemeve.

Ndjek me kujdes zhvillimin e shkencës sovjetike dhe përpiqet që të fitojë sa më shumë nga eksperienca e saj. Mban urdhrin e Punës të kl. të III-të.

  P. KOMITETIN E PARTISË TE UNIVERSITETIT

 Sekretari / Deko Rusi / REKTORI / Zija Këlliçi

Dokumenti arkivor me karakteristikën e ish – Dekanit të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës, Dr. Prof. Stefanaq Pollo

STEFAN THEMISTOKLI POLLO

Datëlindja 25.1.1923

Vendlindja Përmet

Vendbanimi Lagjia “Partizani”, Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 30 Tiranë

Profesioni Historian

Gjendja shoqërore Tregtar i pasur

Gjendja organizative A.P. Tetor 1943

                                                        KARAKTERISTIKE

Rrjedh nga një familje tregtar i pasur, i ati i tij para okupimit të vendit nga fashizmi italian, gjatë okupacionit e deri në vitin 1943, ka vazhduar tregtinë (një dyqan në Përmet dhe një në Këlcyrë). Në vitin 1943, fashistët i dogjën dyqanin e shtëpisë dhe kështu babai nuk është marrë me tregti. Kushëriri i tij, Vangjel Pollo, është dënuar nga gjyqi i Gjirokastrës, me 20 vjet burg për arsye politike.

Shoku Stefan arsimin e mesëm e ka marrë në Liceun e Korçës, kështu qysh atje (Korçë), ka filluar aktivitetin antifashist. Në vitin 1942 ka hyrë në radhët e Rinisë Komuniste dhe në majin e 1943 doli në mal (partizan), bashkë me shokët e klasës, ka punuar në terren (fusha e Korçës) me njësitet agjitatore të rinisë, më vonë ka kaluar në terrenin e Kolonjës.

Shoku Stefan, mbas Kongresit të Përmetit ka punuar në Qarkorin e Rinisë Komuniste të Korçës. Ka qenë delegatë në Kongresin e I-rë të Rinisë dhe atje është zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm të B.R.A.SH.-it, njëkohësisht atje (Kongres), është dërguar përgjegjës i agjit-propit në Divizionin e II-të Sulmues.

Nga Tetori 1944 e deri në Tetor 1945, ka punuar në sektorin e BRASH-it si redaktor i gazetës “Kushtrimi i Lirisë”, dhe më vonë si redaktor i gazetës “Bashkimi”.

Për qëndrimin e tij të mirë dhe si një shok me perspektivë, në tetorin e vitit 1945 dërgohet nga Qeveria jonë për të kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Atje për pesë vjet rresht vazhdoi studimet në Universitetin e Moskës dhe në vitin 1950 u diplomua.

Shoku Stefan si kreu studimet e larta, emërohet pedagog i Historisë i Institutit të Lartë Pedagogjik, duke qëndruar si i tillë deri në nëntorin e vitit 1951. Nga nëntori i atij viti (1951) e deri me krijimin e Universitetit, ka punuar në Institutin e Shkencave si N/Kryetar (dhe punonjës shkencor në fushën e Historisë), kurse me krijimin e Universitetit, u emërua Dekan i Fakultetit Histori-Filologji, detyrë të cilën e kreu deri në nëntor 1958, në këtë kohë duke u patur parasysh se shoku Stefan, ka qenë i ngarkuar me shumë punë, nuk ka ndjekur problemet e fakultetit, si ato në anën mësimore ashtu dhe ato në anën shkencore, por detyrën e dekanit nuk e bënte me shumë qejf.

Si rrjedhim i këtyre çështjeve, u shkarkua nga detyra e dekanit të fakultetit dhe mbeti përgjegjës sektori.

Ka punuar mirë së basku me shokët e tjerë lidhur me përgatitjen e vëllimit të parë të Historisë së Shqipërisë, dhe tani po punon për përgatitjen e vëllimit të dytë. Shoku Stefan është i dhënë shumë mbas interesit personal.

Ai mban titullin docent dhe vazhdon aspiraturën. Është dekoruar me medaljen e Kujtimit dhe me urdhrin e punës së kl. të II-të. Memorie.al

 P. KOMITETIN E PARTISË TE UNIVERSITETIT

  Sekretari Deko Rusi /  REKTORI  Zija Këlliçi

Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/aleks-buda-sshkruan-se-eshte-pak-dembel-stefanaq-pollo-priret-pas-interesit-personal-ka-nje-kusheri-te-pushkatuar-dokumentet-e-kuadrit-e-vitit-1960-per-4-akademiket/