“Ai u takua me Bardhe Gjomarkaj Bicin te shtëpia e saj në Milot dhe ajo i tha se Gjet Kadelin. e kishte mik e i vinte keq që e kishin arrestuar, pasi ai…”/ Raporti sekret i B.p. “Elida”, shtator ‘72

Nga Gjet Kadeli

Pjesa e dymbëdhjetë  

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën,  e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

                                                 Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Elida”, lidhur takimin e Gjet Kadelit me Bardhe Bici në Milot dhe bisedat mes tyre

                                                                                        Marrë nga P.Op. Thanas Toto

                                                                                        Dhënë nga B.p. “Elida”

                          Raport i datës 7.9.1972

Ai raporton se me datën 26.8.1972, ka qenë në Milot dhe është takuar me Bardhe Bicin, takimin e kanë bërë në shtëpinë e saj, në bisedë rreth halleve ekonomike, Bardha tha; unë tani jam mirë se kam makinën qepëse dhe fitoj ndonjë pare, duke qep ndonjë plaçkë, kushedi ndonjë e ardhur e madhe nuk është, por sa me jetue, se ishalla kështu shumë, nuk do të qëndroj e, do të vijë një ditë edhe kështu për ne që jemi kështu. Ai i thotë Bardhës; mos kështu se, njëri nga Mamurrasi, ka fol kështu dhe e kanë futur në burg, që e quajnë Gjet Kadeli. Bardha tha se; unë e njoh Gjetën, se më ka ardhur në shtëpi këtu në Milot dhe në bisedë, më është dukur djalë i mirë, bile ai më ka treguar se e ka thirrur Dega e Brendshme dhe ai nuk pranoi më u vu në shërbim të tyre. Gjeta është shok i mirë dhe këtë ua bëri të ditur atyre të Degës, se ai nuk don të largohet nga ideja jonë, për këtë ai është i vendosur, por çe do se, e morën më qafë. Më mandej, Bardha tha se; unë dëgjoj vazhdimisht radion italiane, por akoma nuk po na del ndonjë gjë e mirë, e kishte fjalën për ndryshimin e situatës, ata jashtë, njerëzit tanë, po flenë dhe nuk u dukën kurrë, megjithëse ata duan të gjejnë volinë, se ndryshe nuk bëhet, se edhe këta të fortë janë, se nuk tremben kollaj. Më gjatë nuk u bisedua.

                         “Elida”

Detyra:

Të gjeni mundësinë dhe takohuni përsëri me Bardhën dhe bisedoni për punën e njerëzve të saj jashtë, a ka marrë ndonjë letër dhe si i kanë punët, po Gjergji, burri juaj, si i ka punët te Ura e Matit, a kemi ndonjë lajm nga radiot, se ti ke kohë dhe merresh me këto punë.

Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna e B.p. duhet besuar, për vetë faktin se Gjet Kadeli, me Bardhe Bicin, kanë lidhje midis tyre, këtë e themi se Gjeta është thirrur vërtet nga Dega për t’a vënë në shërbim, por ai nuk ka pranuar, kështu që këta mund të kenë bërë dhe biseda armiqësore, midis tyre.

Masat Operative:

E dhëna e B.p., të shtypet në dy kopje, njërën ta vendosim në dosjen e Gjet Kadelit, i cili është arrestuar dhe tjetra të vendoset në dosjen e Bardhe Bicit. Këtu vlen të theksojmë, se Gjetës në hetuesi, duhet t’i kërkohet për lidhjet dhe se çfarë di për këto dhe aktivitetin armiqësor që ka zhvilluar me këto lidhje.

                        Punëtori Operativ

                             Thanas Toto

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit

                                                                                           Marrë nga P.Op. Thanas Toto

                                                                                          Dhënë nga Agjenti. “Mbrehija”

Raport i dt. 11.9.1972

Ai raporton se më datën 6.9.1972, është takuar me Nik Dedën në Mamurras, mbasi u takuan shkuan në klub dhe pinë nga një kafe, në bisedë, Nika i tregoj atij se, Pal Vata që është miku jem, është i lidhur me Sigurimin. Pali për të filluar bisedën, hiqet si budalla, por të fik derën, unë tha Nika, e kuptova shpejt se kush ishte ky dhe u shkëputa menjëherë, më andej ra muhabeti i Gjet Kadelit që, është arrestuar, ku Nika tha që më ka ardhur keq për të, po të kem mundësi e ndihmoj, vetëm se nuk kam para dhe nuk di ku t’i gjej, se Gjeta ka qenë shok Besnik, ai i tha; nuk po dimë ore Nik, se si do të vej puna e tij se unë kam ndenjur në shtëpinë e tij dhe mos thotë ndonjë gjë për neve. Nika tha se; edhe unë kam ndenjur me të, por mos ki frikë se ai është i vendosur dhe nuk i nxjerrë shokët kurrë në shesh. Gjeta, tha Nika, nuk i tradhton shokët. Nika tha; në qoftë se Gjetën do ta kenë futur në burg për femra, unë nuk e quaj burrë të mirë, por në qoftë se e kanë futur për politikë, i lumtë, se për atë punë Gjeta ka qenë i zoti, unë thotë Nika, këto po t’i them vetëm ty, se deri më sot, për ty nuk kam dëgjuar gjë, dhe po i qëndron besnik shtresës sonë, deri në fund, mbasi nga këta je përvëluar dhe të kanë fikur derën me tre vëllezër. Më gjatë nuk biseduan midis tyre. Ai thotë se; Nika është frikësuar shumë për arrestimin e Gjetë Kadelit, por hiqet shumë i fortë.

                                     “Mbrehija”

Detyrë:

Takohu me Nik Dedën dhe në bisedë me të, thoni se kam ngel pa punë, kam bërë një kërkesë në komitet, por përgjigje nuk kam marrë, e më andej i thoni, se po të rrish pa punë, bëhesh si Gjeta, e i shkreti Gjet, ka një tufë kalamaj, kush e di se çfarë bën vallë, e kemi dashur shumë, e kisha këshilluar mos fol me këdo, por nuk më dëgjoj, unë kam ndenjur ca kohë në shtëpinë e tij dhe kam frikë se mos më qesin emrin dhe mandej do më marrin më shumë me sy të keq, por ishalla nuk thotë gjë për neve o Nik. Po kështu, për lidhjet e Kin Bashës, sepse këtij i kanë ardhur ca orë nga jashtë dhe ja dha Gjetës për t’i shitur, po qe kështu, çfarë i duhej atij kjo punë, se mori më qafë kalamajtë.

Masat Operative:

E dhëna e B.p. të shtypet në dy kopje, njëra të futet në dosjen e Gjet Kadelit, dhe tjetra në dosjen e Nik Dedës. Gjeta në hetuesi, të shtrëngohet rreth veprimtarisë armiqësore me Nikën, mbasi Nika, po tregohet shumë i frikësuar për arrestimin e tij dhe nga ana tjetër, po bën shumë lëvizje dhe nga ana tjetër për këto lëvizje, të mbahet nën kontroll të fortë të agjenturës dhe të ndonjë personi të besuar.

                              Punëtori Operativ

                                 Thanas Toto

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit

                                                                                             Marrë nga Punt. Op. Thanas Toto

                                                                                              Dhënë nga B.p. “Çesma e Trojës”

Raport i datës 12/9/1972

Ai raporton se, më datën 4/9.1972, ai është takuar me Pashk Kadelin nga Shpërdheti, kushëri i Gjet Kadelit dhe në biseda, Pashku i thotë atij se Gjeta ka ra në në burg, sepse ky qe lidh me Kin Bashën nga Mamurrasi, që ka babën të arratisur jashtë shtetit. Baba i Kinit, i ka dërguar Kinit disa orë dore dhe plaçka të tjera dhe duke pasur shoqëri me Gjetën, ja dha këtij për t’i shitur dhe kështu tha Pashku, këta e kapën dhe e futën në burg, por Gjetës ja bënë mire, thotë Pashku, se ky merrej me çfarë dalloj njeriu, nuk i zgjidhte shokët me të cilët bisedonte, mua më vjen keq për kalamajtë e tij, se ka shumë, se për atë, nuk më vjen keq se llomotiste shumë.

                        “Çezma e Trojës”

Detyrë:

Takohu me Pashk Kadelin dhe bisedoni përsëri për Gjet Kadelin, duke i thënë; a thua Kin Basha e mori më qafë Gjetën, po këto orë dhe plaçka, si i mori Kini, me postë apo me ndonjë person tjetër, kjo për të mësuar me qëllim se, Pashku e din mirë këtë problem.

Masat Operative:

E dhëna e B.p., të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e Gjet Kadelit, i cili ndodhet në burg.

Të studiohet Pashk Kadeli dhe të bisedohet rreth Gjet Kadelit dhe se çfarë din ky për Gjetën dhe për persona të tjerë.

                  Punëtori Operativ

                      Thanas Toto

Dokumenti sekret me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Gjet Kadelit, nga ana e hetuesit Hamit Shullazi, në Degën e Brendshme të Krujës

                                                      PROCES-VERBAL

                            (TË PYETJEVE TË PANDEHURIT GJET KADELIT)

                                                  Krujë, më 25/IX/1972

Sot më datën 25.IX.1972, rimerret në pyetje i pandehuri Gjet Kadeli, i cili si pyetet rreth çështjes së deklaron se:

Pyetje: Na trego i pandehur veprimtarinë tuaj armiqësore që keni zhvilluar kundër pushtetit tonë?

Përgjigje: Nuk kam bërë veprimtari armiqësore kundra pushtetit.

Pyetje: Na thoni i pandehur, keni biseduar ju me ndonjë person, emigrant të huaj, apo persona që kanë njerëz jashtë shtetit, për t’ju lidhur juve me babën tënd, me cilin person keni biseduar?

Përgjigje: Nuk kam biseduar me asnjë person, qoftë emigrant, apo person tjetër që, kanë farefisin e tyre jashtë shtetit, për t’u lidhur me babën dhe vëllanë tim jashtë shtetit.

Pyetje: Na thuaj i pandehur, a keni biseduar ju me emigrantin Sokol Matoshi, për t’u lidhur ju me anë të afërmve të tij, me banën tënd? Pra, Sokol Matoshi ka pohuar se ju i keni propozuar një gjë të tillë, a është e vërtetë.

Përgjigje: Nuk është e vërtetë që unë kam biseduar me Sokol Matoshin, emigrant jugosllav, për t’u lidhur unë me babën tim dhe me fisin e tij jashtë shtetit. Vetë Sokoli, aty nga vjeshta e vitit 1971, me ka takuar mua dhe në bisedë e sipër më thotë; a merr nga babai tënd pare dhe plaçka, unë i kam thënë se jo, ai më ka thënë, nuk ke mundur me e rregullue me ndonjë, unë i kam thënë se, nuk kam mundur me bisedua me ndonjë person. Kjo ka qenë biseda ime me Sokolin. Përsëri Sokoli, më thotë vete se, unë kisha mundësi me të ndihmuar, por nuk di se çfarë burri je, unë i thashë se për këtë punë, nuk bisedojmë bashkë, jo vetëm me ty, por për asnjë njeri, unë i them se kur qeveria t’i lejojë paret ose plaçkat, në qoftë se do më dërgoj baba, unë do t’i marr. Biseda të tjera unë me Sokolin nuk kam bërë.

Pyetje: Na thuaj i pandehur, kur e keni njohur Kin Bashën dhe si e keni njohur Kinin?

Përgjigje: Unë me Kin Bashën jam njohur në vitet 1967-’68, në kohën kur është liruar nga ushtria dhe ka ardhur me banim në Mamurras. Nëna e Kinit, Suta, është njohur me nënën time që prej vitit 1949 -1956, kohë në të cilën kanë qenë bashkë në internim në Tepelenë, Tiranë dhe Lushnje dhe unë nëpërmjet nënës sime, u njofta me Kinin. Unë i kam vajtur Kinit në shtëpi dy tre herë, ndërsa ai nuk më ka ardhur mua në shtëpi. Qysh në vjeshtën e vitit 1971, më pat porositur një shok nga Mirdita, quhet Pashk Frrok Lleshaj dhe banon në katundin Prosek, për një orë dore të mirë, unë në muajin korrik 1972, morra vesh nga Mirash Ndoj, me banim në Mamurras, se Kin Bashës i kishin ardhur dy ora nga jashtë, unë kam vajtur tek shtëpia e Kinit një ditë të diel në mëngjes, dhe i kam thënë Kinit se; kam marrë vesh se ju kanë ardhur ora, i them se në qoftë se nuk ja ke dhënë kujt, më ka porositur një shok nga Rrësheni, për një orë me ja ble. Unë në këtë ditë kisha me vajtur në Rrëshen dhe meqenëse do të veja, i them Kinit, po e lajmëroj atë shokun të vijë t’i marri, Kini më tha se, mbasi je duke shkuar atje, merr sahatin dhe më bjer paret. Kini më tha dy orë dore, marka “Darvin”, burrash dhe kërkoi nga 1.500 lekë për copë. Unë mora dy orët dhe u nisa për Rrëshen, te Ura e Milotit, kam takuar Pashk Lleshaj dhe bashkë u kthyem. Ky orën e kishte blerë dhe unë orët ja dërgova prap Kinit. Unë kam me thanë se: Në muajin prill të vitit 1972, Kini më ka thënë se, kur do të shkosh te motra në Belsh të Elbasanit, unë e pyeta pse, ai më tha se kam qejf edhe unë me ardh me ty, se kam një njeriun tim atje, rrugën nuk e di dhe se kam qejf me e takuar, pra tha Kini, kur të vesh ti, me njofto dhe mua, të shkojmë bashkë, unë i them se kur do të vej, do të njoftoj dhe ty. Mbas pak ditësh, Kini më thotë prap, e bane plan me shkue atje ose jo, unë ju përgjigja se do të vej nga data 17 ose 18 maj 1972 dhe Kini më tha mirë, edhe unë do të marr lejen dhe do të shkojmë bashkë, por shtoj përsëri Kini, se unë do të shkoj një ditë përpara dhe do të fle në Lushnje, te disa njerëz të mitë dhe të nesërmen të pres tek stacioni i trenit në Lushnje. Më datën 15 maj 1972, më erdhi vetë motra në shtëpi, kështu që unë, nuk kisha pse të veja atje, mirëpo unë harrova me shkuar me i thënë Kinit, natën përpara se do të ikte, vetëm m’u kujtua atë ditë kur Kini kishte vajtur në Lushnje, unë atë ditë që kishte ikur Kini, i shkova në shtëpi atij dhe pyeta në familje dhe këta më thanë se Kini kishte ikur, unë të nesërmen për të mos i dalë fjalës së tij, kam hipur në tren dhe kam shkuar në Lushnje, atje e takova Kinin te stacioni i trenit, i thashë se kam ardhur vetëm se të kisha dhënë fjalën, se mua motra më ka ardhur në shtëpi, Kini m’u përgjigj, se qenke munduar kot, por me gjithë atë, faleminderit dhe unë u ktheva prapë në shtëpi, d.m.th., nuk kisha vajtur me të. Mua Kini më ka thënë se, donte me vajtur në Belsh (Dragot) Elbasan, me u takuar me djalin e djalit…….Mirakës, të quajturin Bibjan Mirakën, i cili ishte internuar me nanën e vet, për pesë vjet, nuk di se çfarë lidhje kishte Kini me këtë dhe unë nuk u interesova me pyet ma gjatë. Kini vajti vetë me u takuar me Bibjanin. Mbas tre katër ditësh, unë e kam takuar Kinin rastësisht dhe e pyeta nëse kishte shkuar atje, ai më tha se shkova. Memorie.al

Procesi u lexua, firmoset

I pandehuri                                                                                  H E T U E S I

Gjet P. Kadeli                                                                             Hamit Shullazi

                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ai-u-takua-me-bardhe-gjomarkaj-bicin-te-shtepia-e-saj-ne-milot-dhe-ajo-i-tha-se-gjet-kadelin-e-kishte-mik-e-i-vinte-keq-qe-e-kishin-arrestur-pasi-ai-raporti-sekret-i-b-p/